Shtojca për Kulturë

Vilajeti i Kosovës dhe kryeqendra e tij sipas diplomatëve italianë

“Shkupi, vetë historia e Kosovës (Raporte të diplomatëve italianë)”, Skënder Asani, Mehmet Prishtina, Albert Ramaj (Eds), Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup. Shkup, 2022, 221 faqe

“Ai që kontrollon luginën e lumit Vardar është zot i Ballkanit”, Otto von Bismarck

Historia e Vilajetit të Kosovës dhe e kryeqendrës së tij, Shkupit, marrin një kah dramatik nga Kriza Lindore e viteve 1876–1880, përkatësisht gjatë Luftës së Parë Ballkanike 1912/13, kur shqiptarët në këto treva pësuan goditjet më të rënda politike dhe ushtarake, të cilat rezultuan me krijimin vetëm të një shteti të cunguar shqiptar. Në këtë kuptim, pushtimi serb i Vilajetit të Kosovës, përkatësisht i kryeqytetit të këtij vilajeti, Shkupit, bashkë edhe me dy qendrat politike-administrative të Manastirit, Janinës, një nga qendrat më të rëndësishme politike-administrove shqiptare, dobësoi pozicionin e shqiptarëve në Ballkan. Megjithatë, si para, gjatë, ashtu edhe pas këtyre ngjarjeve, interesimi për pjesët dramatike në Ballkan, për shqiptarët dhe zhvillimet politike nuk mungoi në mesin e përfaqësuesve diplomatikë evropianë të akredituar në Shkup.

Lidhur me raportimet dhe dokumentet e proveniencave perëndimore në dekadat e fundit një varg historianësh të rinj kanë treguar një interesim të shtuar për trajtimin e këtij dokumentacioni të rëndësishëm arkivor, përmes te cilit ndriçohen aspekte të panjohura dhe të patrajtuara nga e kaluara historike e shqiptarëve dhe të cilat hedhin dritë për ekonominë, kulturën, gjeografinë dhe zhvillimet politike dhe pozitën shqiptarëve në vilajetin osman të Kosovës.

Një kontribut të veçantë viteve të fundit ka dhënë edhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, i cili lexuesit shqiptar, maqedonas e atij të huaj i ka ofruar një sërë botimesh interesante dhe shumë të çmuara mbi figura dhe ngjarje të veçanta nga historia kombëtare e shqiptarëve, maqedonasve e nga rajoni. Në këtë linjë, një kontribut të veçantë historiografik paraqet botimi më i ri edhe i librit “Shkupi, vetë historia e Kosovës”, botuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup dhe nën përkujdesjen e tre studiuesve të përkushtuar: Skender Asani, Mehmet Prishtina, Albert Ramaj (Eds). Ky libër është shumë i veçantë si për faktin se deri më tani nuk dihej për ekzistencën e tij, ashtu edhe për temën që trajton, si dhe faktet e reja që sjell mbi zhvillimet politike, ekonomike, kulturore, demografike dhe fetare në Vilajetin e Kosovës dhe kryeqendrën e tij më të rëndësishme, në Shkup, gjë që dëshmon se ky rajon i administruar nga shteti osman përbënte një qendër të rëndësishme rajonale dhe për këtë vazhdimisht ishte ne fokusin e interesimeve të konsujve dhe udhëpërshkruesve të huaj, me theks te veçantë të atyre evropianë.

Në këtë kontekst, libri i botuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup parqet një përmbledhje dokumentare në optikën e diplomatit italian A. Stranieri dhe konsullit Ghigi, i cili detyrën e tij e ushtroi në Shkup gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Libri përfshin të dhëna dhe dokumente me vlera të veçanta historike dhe demografike e kulturore për Shkupin, si kryeqendër e Vilajetit të Kosovës, si dhe për rrethinat e tij, të cilat gjatë historisë kishin një rol të rëndësishëm në hapësirën shqiptare, duke u bërë njëkohësisht edhe epiqendër diplomatike në ndikim edhe për zhvillimet në rajon. Për më tepër, Shkupi, kryeqendra politike dhe administrative e Vilajetit osman të Kosovës, prej dekadash ishte shndërruar në selinë e diplomatëve dhe konsujve nga vendet kryesore evropiane. Madje mund të thuhet se që nga Kriza Lindore e fundshekullit XIX, Shkupi fitoi peshë në qarqet diplomatike evropiane dhe në këtë kontekst edhe për diplomatët italianë, të cilët përpiqeshin jo vetëm të dokumentonin çfarë po ndodhte në këtë pjesë të Ballkanit, por edhe të influenconin përmes politikave të projektuara në Romë.

Veç kësaj, në Shkup e rrethinë pasqyrohej krejt kozmosi ballkanik me gjithë diversitetin e tij demografik, etnik, politik dhe kulturor. Siç thotë kancelari gjerman Otto von Bismarck, ai që kontrollon Luginën e lumit Vardar është zot i Ballkanit”.

Image
Libri i botuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup parqet një përmbledhje dokumentare në optikën e diplomatit italian A. Stranieri dhe konsullit Ghigi, i cili detyrën e tij e ushtroi në Shkup gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Libri përfshin të dhëna dhe dokumente me vlera të veçanta historike dhe demografike e kulturore për Shkupin, si kryeqendër e Vilajetit të Kosovës, si dhe për rrethinat e tij, të cilat gjatë historisë kishin një rol të rëndësishëm në hapësirën shqiptare

Epiqendra e rezistencës kundër osmanëve

Krahas vilajetit të Manastirit, Vilajeti i Kosovës, një territor kryesisht me popullatë shqiptare, u bë epiqendra kryesore e lëvizjes dhe e rezistencës shqiptare kundër pushtuesve osmanë dhe më vonë edhe kundër pushtuesve serbë e malazezë. Nga të dhënat që ofrojnë dy diplomatët italianë, Augusto Stranieri dhe Ghigi, e që në shumicën dërmuese janë me interes shkencor konfirmohet vazhdimësia shqiptare në qytetin e Shkupit dhe në rrethinat e tij. Përmes shënimeve të Stranier-it dhe Ghigi mësojmë po ashtu se ndjenja e gjallë e nacionale përbënte forcën motorike të shqiptarëve për t’u rezistuar tendencave asimiluese të pushtuesve të huaj. Në ketë kontekst, edhe kryeqendra e Vilajetit të Kosovës, Shkupi, megjithëse gjatë historisë ndërroi disa administrate pushtuese, gjithmonë ruajti identitetin e vet të lashtë kulturor e kombëtar, si dhe u shndërrua në një qendër të zhvillimeve e ngjarjeve politike, ushtarake dhe kulturore dhe të cilat patën ndikim me peshë edhe në hapësirat e tjera shqiptare dhe më gjerë.

Të gjitha këto zhvillime dhe karakteri etnik shqiptar i qytetit të Shkupit dhe të trevave verilindore të Kosovës janë dokumentuar në raportet dhe vështrimet historike të të dy konsujve italianë në Shkup, Augusto Stranieri dhe Ghigi, përmes të cilave lexuesi i atëhershëm italian dhe tani ai shqiptar mësojnë se Vilajeti osman i Kosovës ka qenë i Perandorisë Osmane dhe pjesë e pandashme e historisë së Evropës. Sipas tyre, faktet dhe zhvillimet më të rëndësishme në këtë hapësirë shqiptare gërshetohen edhe me interesat osmane, bullgare, serbe e të tjera. Ky libër në fakt paraqet një manual të mirë për historinë e Shkupit dhe të Kosovës në përgjithësi dhe që përfshin një hark të gjerë kohor, duke filluar nga periudha osmane e deri te periudha e Mbretërisë Jugosllave. Pa dyshim, duke pasur njohja të mira nga fusha e diplomacisë, është e qartë se shënimet e diplomatëve italianë sjellin të dhëna të shumta, të cilat rifreskojë të kaluarën tonë historike, nëpër të cilën kaluan fatet tona njerëzore.

“...ky rajon banohej vetëm prej ilirëve”

Libri “Shkupi vetë historia e Kosovës” është i strukturuar jashtëzakonisht mirë në dy kapituj, të renditur kronologjikisht të fokusuar në ngjarje nga periudha antike e deri te sundimtarët osmanë e serbë që përcillen nga kapituj të renditur sipas temave që adresojnë çështje politike, ekonomike dhe kulturore, përshkrime me të dhëna demografike për strukturën etnike të Vilajetit të Kosovës. Në kapitullin e parë bëhet një vështrim historik për Kosovën dhe qytetin e Shkupit, i cili ishte një nga qytetet më të rëndësishme shqiptare në fundshekullin XIX dhe fillimshekullin XX dhe që, sipas diplomatit italian Ghigi, këtë territor në dekadën e parë të shekullit XX shqiptaret e përbënin 80 për qind të popullsisë dhe se ajo ishte mbizotëruese kundrejt pakicës serbe dhe bullgare.

“Ai rajon që banohet përjashtimisht prej shqiptarësh dhe që quhet ‘Kosova’, i përket juridiksionit të vjetër administrativ të Vilajetit të Shkupit. Pa qenë nevoja të depërtojmë në periudhat e largëta të historisë, pa frikë se do të gabojmë, mund të pohojmë që ky rajon banohej vetëm prej ilirëve... Në Kosovë dhe në territoret e tjera tërësisht shqiptare dhe të cilat i rivendikon sot Shqipëria, elementi sllav, i cili quhet bullgaro-maqedonas, serb, përpara Luftës Ballkanike përbënte një pakicë të vogël, e cila ka depërtuar në ato rajone pas pushtimit të Shqipërisë nga ana e turqve dhe gjatë katër shekujve të sundimit të tyre”, shkruan konsulli Ghigi.

Image
Selanik, tetor 1863. Foto: Josef Székely

Sllavët në Ballkan dhe periudha e errët për shqiptarët

Por, ai nënvizon se me ardhjen e fiseve sllave në Ballkan gjatë shekullit VI e VII fillon një periudhë e errët për shqiptarët, derisa nën Venedikun shqiptarët do të përjetonin ringjalljen e tyre politike dhe ekonomike. Duke folur në terma të përgjithshëm për pushtimet bullgare, serbe dhe osmane të këtij rajoni, Ghigi vë në dukje se sundimi i Car Dushanit ka qenë ai që ka lënë shenja më të dukshme, sidomos në fushën e toponimeve, ku edhe sot shohim fshatra të shumta në Shqipërinë e sotme me emra sllavë.

Argumenti qendror i këtij diplomati italian është se lufta e shqiptarëve të Kosovës kundër shtetit osman ishte pjesë përbërëse e luftës së të gjithë shqiptarëve dhe se ajo duhet të shihet si pjesë e luftërave të tjera kundër sundimit osman. Librat tradicionalë në Evropë në lidhje me shqiptarët kanë tendencë të theksojnë fenë në vend të çështjeve sekulare në raport me rëndësinë që i jepet emancipimit kombëtar. Me këtë rast, ai nënvizon se gjatë sundimit osman edhe shqiptarët e Kosovës, ashtu si bashkatdhetarët e tyre të Shqipërisë, “kishin luftuar me vendosmëri kundër Perandorisë Osmane në përpjekjet e tyre për ta fituar pavarësinë e tyre. Shembulli më i mirë për këtë është Lidhja e Prizrenit që hodhi farat e para të luftës për pavarësinë” dhe kryengritja në Kosovë e shënoi edhe zhbërjen e Perandorisë Osmane dhe e hapi rrugën për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Diplomati Ghigi e definon luftën e shqiptarëve kundër shtetit osman në nivel të njëjtë me atë të serbëve, duke ilustruar faktin se ashtu si carët sllavë, edhe Gjergj Kastrioti dhe princat e tjerë shqiptarë kanë luftuar të patrembur kundër osmanëve, duke konfirmuar se shqiptarët kishin kontributin e tyre madhor në luftërat kundër invazionit osman në Ballkan.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë