Kur shifrat e lexueshmërisë janë alarmante – si ato se 70 për qind të të anketuarve nuk kanë kohë për lexim – Panairi i Librit jep një tjetër imazh. Se sa e ilustron krejt statusin e librit, është temë diskutimi. Organizatorët e Panairit e përsërisin disa herë se libri ka triumfuar duke u futur në diskurs politik e shoqëror. Të tjerë kanë dyshime. E sigurt është se ka triumfuar, qoftë këtë javë. Ismail Kadare sivjet i ka dhënë jehonë më të madhes ngjarje të librit që ka ardhur me moton “Libri triumfon”
Panairi i Librit është një ngjarje e pashmangshme në kryeqytet. Janë shumë komponentë që e bëjnë të tillë: prej vëmendjes mediatike që merr e deri te hapësira se ku mbahet, plateja bashkë me dy salla e Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Si hapësirë qendrore e kryqëzim, plateja bën që libri të ketë jehonë. Aty rastis të kalojë edhe ndokush që kur përgjigjet në telefon thotë: “Jam këtu ku qenkan disa me libra”. Pra, bëhet një marketing edhe nga një person që nuk ia ka idenë se aty po mbahet edicioni i 23-të i Panairit të Librit. Madje nuk ka parë as mbishkrimin gjigant derisa është ngjitur shkallëve lart. Mbishkrimin: “Libri triumfon”, shkruar me të mëdha.
Për organizatorët libri është duke triumfuar. Për këtë kanë disa arsye. E në sytë e botuesve del se Panairi është duke e përjetuar njëfarë tjetërsimi. Për të tjerë ka një triumf së paku të përkohshëm, ose shenja të tilla. Ekspozita nuk mbetet thjesht një vend i “pazarit” midis tyre e blerësve. Ekspozimi i botimeve të reja, promovimet e bashkëbisedimet midis autorëve e lexuesve janë pikat e forta të Panairit.
Tërheqja me praninë e Kadaresë
E shtuna tradicionalisht e bën dallimin sa u përket vizitorëve në Panairin e Librit në Prishtinë. Bile, e premtja pasdite bashkë me fundjavën për organizatorët janë një tregues se hapja e ngjarjes të martën është pak e hershme. Pavarësisht temperaturave të ambientit që janë tejet të larta bashkë me zagushinë, ambienti të shtunën është plot. Nga ajo që shihet, edhe blerja nuk mungon. Grupe të ndryshme, prindër me fëmijë, rrethe shoqërore e kombinime të tjera janë të pranishme në Panair. Përtej asaj që blerësve mund t’u bie në sy e t’ua tërheqë vëmendjen, çdo vit e më shumë ata shkojnë më të përgatitur në ekspozitën e librit. Kanë listë apo edhe i mbajnë mend titujt që u interesojnë.
Motoja e sivjetme “Libri triumfon” duket se është e qëndrueshme të paktën në javën e Panairit.
Për organizatorët edicioni i sivjetmë është i suksesshëm qysh prej ditës së hapjes.
“Një panair i librit nuk mund të ketë ngjarje më të madhe sesa praninë e njeriut më të njohur të letrave shqipe, Ismail Kadare, i cili vendosi të kurorëzojë veprën e tij letrare në Prishtinë dhe në Panair”, thotë kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli. Sipas tij, edhe sikur të kishte alamet përpjekjeje, nuk do mund të krijohej një ngjarje më e madhe. Sipas Zenelit, edhe shkaku i Kadaresë vëmendja mediatike nuk ka qenë asnjëherë më e lartë.
“Kjo i ka dhënë jehonë më të madhe Panairit. Ka hyrë në diskurs qeveritar, politik, gazetaresk e publik fjala libër, fjala panair. Diku për të mirë, diku për kritikë, por sido që të jetë kemi arritur ta fusim në diskurs Panairin e librin. Kjo për mendimin tim është edhe fitorja e Panairit”, thotë ai.
Një gjë e tillë është arritur pavarësisht lajmeve sensacionale sa u përket telasheve të shtetit në veri të vendit dhe raporteve të renduara me Departamentin Amerikan të Shtetit.
“Rrjedhimisht unë besoj që në këtë drejtim Panairi e mbërrin misionin e vet. E bën këtë javë që i dedikohet librit”, thotë Zeneli.
Festë të librit e kishte përshkruar vetë Kadareja ditën e hapjes së Panairit. I shoqëruar nga bashkëshortja Helena dhe botuesi i tij, Bujar Hudhri, shkrimtari më i përkthyer shqiptar, që sivjet ka mbushur 87 vjet, në Prishtinë ka sjellë kompletin prej shtatë vëllimesh që përmbledh plot shtatë dekada të krijimtarisë.
“Më vjen mirë që ndodhem pranë jush në këtë ditë kaq të bukur, kaq frymëzuese, kaq të paharrueshme, që është dita e librit. Çdo populli kjo i bën një nder të madh. Ne shqiptarët për fat të keq disa herë e kemi neglizhuar, por pastaj jemi kujtuar, i jemi rikthyer. Unë shpresoj që do t’i rikthehemi më mirë, më fort, më bukur në të ardhmen. Ju falënderoj për këtë pritje tejet të gëzueshme tuajën”, kishte thënë ai në ditën e hapjes së ngjarjes.

Festë e librit dhe e lirisë në edicionin e parë
Festë e librit, por edhe të lirisë e kishte përshkuar edicioni e parë të Panairit në nëntor të vitit 1999. Kosova e sapodalë nga lufta pos infrastrukturës, kishte nevojë edhe për libra. Asokohe Kadare ishte mysafir nderi bashkë me Dritëro Agollin e Rexhep Qosjen. Agolli vdiq më 2017, e Qosja, pavarësisht se ishte mysafir nderi sivjet, nuk mori pjesë në ceremoninë hapëse të Panairit. Ishte aty në takime me lexuesit.
“Jam shumë i lumtur që gjendem në mes jush, për herë të parë gjendem në Kosovën e lirë, pikërisht në festën e madhe të librit. Libri shqiptar është një, ashtu si është një kultura shqiptare”, deklaronte Kadare në ceremoninë e hapjes. E Qosja Panairin e shihte si ngjarje me rëndësi të dyfishtë.
“Është një panair dyfish i rëndësishëm, sepse është ngjarja e parë e madhe kulturore që mbahet pas luftës çlirimtare dhe është një panair që pasqyron tërësinë e librit dhe kulturës shqiptare”, do të theksonte Qosja për “Kohën Ditore” në nëntorin e vitit 1999.
Pavarësisht telasheve që ka dyshja mes vete, ata janë bashkuar në banerat e Panairit të sivjetshëm. Qëllimi është që edhe në brendimin e ngjarjes libri të jetë bashkues i njerëzve e triumfues.
Dyfishimi i librarive në Prishtinë
Panairi çdo vit e më shumë është duke e marrë rolin që ngjarjet e tilla e kanë pothuajse gjithandej botës: ekspozimin. Për dallim prej kujtimeve që botuesit kanë për vitin 1999, kur bliheshin libra me thasë, tash situata ka ndryshuar. Madje ka ndryshuar shumë edhe në krahasim me një dekadë më parë.
Edon Zeneli pos organizatorit, është edhe botues. Thotë se në vitet e para të organizimit, Panairi ishte njëfarë librarie e madhe. Sipas tij, botuesit ofronin vepra, qasja në të cilat në periudha të tjera të vitit ishte më e vështirë.
“Por tash jemi në një periudhë ku libraritë janë dyfishuar në qytetin e Prishtinës, vetëm në dy vjetët e fundit. Kjo pashmangshëm ndikon që mënyra e mbërritjes te libri të jetë e ndryshme. Pos librarive, tash librat shiten edhe me porosi online. Krejt këto ndikojnë te panairi. Për mendimin tim kjo i ndihmon panairit”, thotë ai. Kjo ngjarje në perspektiven e tij duhet të jetë një festë e librit, ku botuesit e prezantojnë punën njëvjeçare dhe e shohin si afat të mirë kohor për prezantimin e botimeve të reja. Thotë se Panairi nuk dihet kufizuar në një ambient ku shitet e blihet libri, por duhet të shohim brenda multifunksionalitetit të vet.
“Ka promovime, bashkëbisedime me autorë e ngjarje të tjera. Sipas meje, Panairi po merr karakterin që duhet ta ketë”, thotë ai.
Si njëfarë ekspozite të madhe ku lexuesit njoftohen me botime e krijohet një lidhje me veprat e reja, ngjarja konsiderohet edhe nga disa vizitorë. Shëtisin nëpër shtande pa ndonjë presion që të dalin jashtë me krejt veprat që u interesojnë.
“Dolëm me pa pak”, thotë një arkitekt i njohur që shoqërohet nga bashkëshortja dhe fëmijët. “Të shohim pak. Sigurisht edhe marrim diçka megjithëse ne edhe fëmijët tashmë po blejmë nëpër librari”, shton ai.

Motoja si dëshirë e të gjithë botuesve
Si pasqyrim të botimeve të reja ngjarjen e sheh edhe një prej shkrimtarëve e botuesve me nam në Kosovë, Nazmi Rrahmani. Fillimisht Panairin e sheh si mundësi të njoftimit me botimet e reja. Sipas tij, ngjarja tashmë ka fizionominë e vet dhe numrin e pjesëmarrësve gjithnjë konstant.
“Qëllimi i Panairit është që në radhë të parë të jetë informues, duke ekspozuar veprat e botuara që lexuesi të ketë pasqyrë sa më të plotë. Kjo bën që lexuesi i interesuar ta kërkojë librin që i intereson në intervale të ndryshme. Qëllimi i Panairit nuk është vetëm shitja, por edhe afirmimi i veprimtarisë së librit në tërësi”, thotë Rrahmani. Përmend edhe faktin se tashmë mund të blihet edhe nëpërmjet porosive me postë.
Java e Panairit, sipas tij, tregon se interesimi për libër nuk është aq i vogël sa thuhet. Ngjarjen e sheh si moment ku libraritë e individët kanë shumë informacion për librin.
“Kërkesa që libri të triumfojë është dëshirë e të gjithë botuesve. Libri përkundër ngecjeve, mendoj që mbetet elementi kryesor që duhet ta ketë lexuesi”, thotë ai. Bazuar në përvojën që ka, në perspektiven e Rrahmanit libri i mirë e gjen lexuesin. Mundësitë që ofrohen tash, sipas tij, bëjnë që lexuesi të jetë i shpërndarë në fusha të ndryshme e jo veç te letërsia.
“Mendoj se megjithatë numri i lexuesve nuk është i vogël siç druajmë ne”, thotë ai.
“Ata që lexojnë nuk mund të shtiren”
Panairi mbetet mundësi unike për secilin format të lexuesve, botuesve e shkrimtarëve. Pak a shumë të tillë e sheh edhe poeti e kritiku i letërsisë, Kujtim Shala, njëherësh profesor universitar i letërsisë. Deputet, po ashtu. Sa i përket interesimit për blerje dhe mundësisë që krejt ata që blejnë të jenë lexues, ai ka një koment të prerë: “Ata që lexojnë nuk mund të shtiren. Ndërsa ata që nuk lexojnë nuk e vërejnë asnjë ngjarje të përmasave të Panairit”. Përderisa për shumëkënd, kriza ekonomike godet edhe librin, për Shalën, i cili ka qenë edhe ministër i Kulturës, është një tjetër rrethanë që e dëmton librin.
“Kriza e vetme që mund ta godasë librin është kriza kulturore”, thotë ai. Shton se njeriu që shkruan libra nuk mund ta trajtojë atë si mall.
Për dallim prej atyre, botuesit qëllim kanë mbi të gjitha edhe shitjen. Kalkulojnë shpenzimet e shtypit, transportit, pagesën e hapësirës, që është 30 euro për metër katrorë e deri te shpenzimet ditore.
Dyfishimi i kostos së botimit, goditja nga kriza
Ditën e shtunë shumica prej botuesve e kanë parë si kohë të shpagimit të pjesëmarrjes.
Kështu e ka përshkruar edhe Berat Dakaj, i cili udhëheq shtëpinë botuese “Armagedoni”. Në perspektivën e tij, promovimet kishin shumë pak njerëz të pranishëm. Thotë se ndoshta duhet të ketë një program të Panairit që shpërndahet në fletushka e pastaj të ketë edhe një katalog të botimeve të reja. Sipas tij, botuesit sivjet nuk mund të ofrojnë zbritje të mëdha pasi çmimi i letrës është rritur mbi 100 për qind krahasuar me periudhën para dy vjetëve.
“Blerje ka. Por a po lexohen, vështirë të dihet. Ata që marrin pjesë në promovime edhe të librave të botuar vitin e kaluar, duket se nuk i kanë lexuar ato vepra, pasi në diskutime nuk jepen përshtypje dhe nuk po bëhen pyetje. Nuk mjafton një fotografi në rrjete sociale se e bleva një libër”, thotë ai. Madje ngulmon se është dëshmitar i disa situata surreale.
“Ka pasur njerëz që kanë ardhur te shtandi im dhe kanë marrë një libër me të cilin kanë bërë foto dhe pastaj e kanë lënë librin. Ua nisin foton autorëve dhe i mashtrojnë sikur po ua blejnë librin”, thotë ai derisa qesh.
Megjithatë, edhe për të Panairi është një marketing i madh që i bëhet librit, autorëve e shtëpive botuese.
“Promovim më të madh të librit se në këtë javë nuk ka asnjëherë. Ka takime midis shkrimtarëve, pastaj me lexues. Panairi duhet të ketë edhe aktivite të tjera gjatë vitit”, thotë ai.
“Fatmirësisht teknologjia i ka shërbyer librit”
Në njëfarë forme pranon se libri ka triumfuar këtë javë. Por për organizatorët jo veç në këtë periudhë, por edhe përtej.
Janë kujdesuar që brendimi të jetë një lidhje midis librit e teknologjisë.
Edon Zeneli ka thënë se këtë nuk e kanë bërë rastësisht. Sipas tij, me vjet është folur se si teknologjia është duke i shkaktuar dëme librit. Ai ka krejt tjetër qasje për këtë çështje.
“Fatmirësisht teknologjia i ka shërbyer librit. Rrjedhimisht libri ka triumfuar në raport me teknologjinë. Jo se ka pasur një luftë midis tyre, por ai kumti se libri po perëndon pasi teknologjia po agon, nuk doli i vërtetë. Libri duket medium krejt klasik, por mbetet një proces që ruan magjinë te njerëzit”, thotë Zeneli. Sipas tij, një prej platformave që për shumëkënd është më degjeneruesja, “Tik Toku”, e ka ndihmuar shumë librin.
“Por te libri ka ndikuar që të rinjtë e të rejat të lexojnë si kurrë më parë. Kjo duke bërë që libra të ndryshëm të bëhen viral dhe të zgjojnë kureshtje për lexim nga të rinjtë. Pra një platformë krejt bashkëkohore bën që libri të triumfojë”, thotë ai.
Arsye për triumf e ka parë edhe qasjen e Qeverisë. Ka thënë se më herët libri ka qenë i neglizhuar.
Në hapje të ngjarjes, të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e ka ristrukturuar tërësisht qasjen ndaj zhvillimit të librit. Ka treguar se kanë gjashtëfishuar buxhetin për librin, nga 160 mijë euro, në një milion euro. Nga mbështetja vetëm për letërsi dhe veç për shtëpi botuese, ka treguar se kanë kaluar në mbështetje të të gjitha gjinive letrare dhe të autorit të pavarur. Këtë e ka përmendur edhe Zeneli.
“Pra edhe pas neglizhimit të gjatë, libri prapë ia ka dalë të triumfojë”, ka thënë ai. Megjithëse shitja e librit në Panair ka rënë në raport me vitet e kaluara, duket sikur ka një mobilizim që libri të jetë njëfarë trendi edhe në përshtatjen me kohën me të cilën përballet. Hapja e librarive nëpër qendra tregtare shihet shpesh si një lloj triumfi më vete. Në ato raste shpesh edhe mund të ketë sforcim sa u përket cilësisë e kërkesave që marrin ambientet e tilla. Por, sipas disa botuesve, pa këtë komercializim është vështirë të mbijetojë edhe ajo që konsiderohet letërsi e mirëfilltë. Pra, pa mobilizim të përgjithshëm nuk ka triumf të librit. “Libri gjithnjë do të triumfojë”, ka përsëritur disa herë Zeneli. E sigurt, së paku një javë.