Shtojca për Kulturë

“Teatri ilegal” si një rrëfim rezistence në Kosovën e viteve ‘90

Në rrethana e kushte të jashtëzakonshme po silleshin shfaqje e tregime të reja. Madje me guximin e pashoq të regjisorëve e aktorëve, edhe krimet e pushtuesit. Shtëpi, objekte fetare e jo vetëm u bënë vend zbulimi i historive që trajtoheshin në shfaqje. Ngase teatri ishte ilegal. Një pjesë e kësaj historie është mbledhur në një dhomë kujtimesh. Mbajtja në jetë e teatrit është esenca e ekspozitës dhe dokumentarit “Teatri ilegal” me autor artistin e regjisorin Sovran Nrecaj

Kur regjimi serb i përjashtoi shqiptarët në Kosovën e viteve ‘90, këtij fati nuk do të mundte t’i shpëtonte as skena kulturore. Regjimi synonte të bënte gjithçka të palëvizshme, njashtu edhe teatrin.

Në Ferizaj megjithatë, në rrethana e kushte të jashtëzakonshme po silleshin shfaqje e tregime të reja. Madje me guximin e pashoq të regjisorëve e aktorëve, edhe krimet e pushtuesit. Shtëpi, objekte fetare e jo vetëm u bënë vend zbulimi i historive që trajtoheshin në shfaqje. Ngase teatri ishte ilegal.

Një pjesë e kësaj historie është mbledhur në një dhomë kujtimesh. Mbajtja në jetë e teatrit është esenca e ekspozitës “Teatri ilegal” me autor artistin e regjisorin Sovran Nrecaj.

Ekspozita zbulon rrëfimet e veprimtarisë për funksionimin e teatrit deri në vitin 1998 kur kishte shpërthyer lufta në Kosovë. Tregimi i dokumentarit “Teatri ilegal” ndërtohet në formë të një bisede mes Nexhat Xhoklit, Dashuri Rexhepit dhe Arben Marevcit, tre aktorët e teatrit të qytetit të Ferizajt që ishin dëshmitarë të rezistencës së institucionit. Ata rrëfejnë shfaqjet që nuk ishin veç të tilla, vinin edhe si protestë e asaj çfarë pushtuesi po bënte. Por edhe e së kaluarës, siç ngjante me shfaqjen e 1996-s që për tematikë kishte vrasjen e vëllezërve Gërvalla.

Gjithçka ishte improvizim në atë kohë. Nga rrëfimi në dokumentar bëhet e ditur se provat dhe premiera qenë dhënë në shkollën “Gjon Serreçi”. E tillë ishte edhe skenografia. Aktori Nexhat Xhokli tregon në dokumentar se skenën e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës e kishin ndërtuar prej bankave shkollore. Improvizimi kishte qenë mënyra për ta shpëtuar jetën kulturore të asaj kohe.

Këmbëngulja se teatri duhej të vazhdonte ka qenë kryefjala e dokumentarit të ndarë në tri tenda, të rrethuara me perde me ngjyra të ndezura, brenda të cilave ishte nga një ekran dhe kufje për dy persona. Mbështjellja e atij ekrani ishte simbolikë e improvizimit dhe izolimit të teatrit si institucion. Brenda tyre zbulohet se është një dedikim. Njëra pjesë ka qenë për regjisorin Ismail Rama. Aty është rrëfimi për shfaqjen “Martirët e Karadakut” për të cilën provat ishin mbajtur në kishën “Engjëlli i Rojës” në Ferizaj.

Shfaqja fliste për mosnënshtrim. Premiera ishte dhënë në kishën e fshatit Stubëll në vitin 1996 ku kishte publik masiv. Më pas ishte shfaqur edhe në shumë kisha në gjithë vendin.

Rrëfimi në një tendë tjetër nis me shkrimin “Për Hafir Bislimin”. Aty jepet rrëfimi për improvizimet e shfaqjes për vrasjes e vëllezërve Gërvalla. Shfaqja po përgatitej në kuadër të festivalit “Flaka e Janarit” në Gjilan, që gjithashtu po funksiononte përkundër rrethanave. Premiera ishte dhënë në shtëpinë e kulturës në Përlepnicë të Gjilanit. Përkundër rreziqeve, një ekip po monitoronte gjendjen gjatë gjithë kohës.

Aktorët në rrëfimin e tyre e përshkruajnë si shfaqje të dhimbshme të cilën publiku po e përjetonte edhe në jetë reale. Aktori Xhokli aty tregon se në vend të luleve u ishin dhënë shumë libra, por se shfaqjet i bënin për duartrokitje dhe për asgjë tjetër.

Në dokumentar ai rrëfen nismën e tyre për ta çuar përpara misionin e teatrit edhe në rrethana okupimi.

“Të arrish në një moment që do të shkëputesh nga ajo jetë ishte shumë e vështirë, shumë stresuese dhe gati e papërballueshme. Flas për periudhën e viteve ’90 kur gjithçka u suprimua në Kosovë, u mbyllën të gjitha institucionet, për shqiptarët nuk kishte vend as në teatër, as në shkollë, as në televizion, as në radio”, thotë Xhokli në dokumentar.

Atë kohë e ka të freskët edhe aktori Dashuri Rexhepi.

“Teatrot si ambiente fizike u mbyllën por puna jonë ishte edhe më e fuqishme. Jemi mbledhur dhe gjithsecili e ka dhënë idenë, mendimin e tij se ku mund të gjejmë vende që të vazhdojmë me prova”, thotë Rexhepi.

Një prej prapaskenave të shfaqjes ishin pengesat dhe përballja me milicinë serbe. Gjatë provave në shkollën “Gjon Serreçi” ishin marrë 17 aktorë dhe ishin dërguar në polici për t’u intervistuar. Ishte synuar demotivimi dhe heqja dorë prej kësaj veprimtarie që prej tyre konsiderohej kot. Por se prej aktorëve po vlerësohej se teatri krijon revolucione e po krijonte protesta.

Aktori Arben Marevci në dokumentar thotë se teatrot atë kohë nuk u arritën të bllokohen, të paktën derisa nisi lufta.

“Teatrot si ambiente fizike u mbyllën, por puna jonë ishte edhe më e fuqishme. Pas shumë kërkimeve në qytet e gjetëm një shtëpi në rrugën e Gjilanit, sot rruga ‘Rexhep Bislimi’ dhe provat filluam t’i mbanim në nënkulmin e asaj shtëpie”, rrëfen Marevci.

Tjetër produkt i teatrit të asaj kohe kishte qenë edhe shfaqja “Piramida” e 1993-s e Ismail Ramës.

“Bëheshin prova pa zhurmë. Kanë punuar dy muaj prova sepse nuk kanë qenë të hetuar nga fshati. Në pyetja ishte premiera. Me shumë mundime ishte tentuar që të bëhej të paktën në kinema, dyert i hapi Presheva dhe ‘Piramida’ u shfaq në prill 1994 në Preshevë”, tregon aktori Marevci në dokumentar.

Një pjesë e dokumentarit është bërë edhe për aktorin Misret Halili. Aty flitet për shfaqjen “Thyerja” me tekst të Abdyl Bunjakut. Për shumicën prej tyre aty po niste karriera në teatër. Shfaqja ishte një prej të parave për aktorët që flasin në dokumentar. Edhe provat e kësaj shfaqjeje ishin zhvilluar në kishën “Engjëlli i Rojës” në Ferizaj. Aty po funksionalizohej teatri dhe shtëpia e Zotit vlerësohet se ishte bërë edhe e aktorit. Shfaqja ishte punuar për më shumë se dy muaj me një armatë aktorësh të përfshirë, gjithsej 52 aktorë.

Pranë tendave ku shfaqet dokumentari, në njërin prej mureve të objektit të bibliotekës së qytetit “Hivzi Sylejmani” në kryeqytet, vend ka zënë edhe një lloj mini-galerie me fotografi arkivore nga këto shfaqje. Ato janë të varura në sfondin me fotografinë gjigante me ekipin e shfaqjes “Piramida”, pas premierës së saj në Preshevë.

Autori i ekspozitës, regjisori Nrecaj ka thënë se fillimisht projekti është menduar si dokumentar e më pas është zgjeruar.

Image
Tregimi i dokumentarit “Teatri ilegal” ndërtohet në formë të një bisede mes Nexhat Xhoklit, Dashuri Rexhepit dhe Arben Marevcit, tre aktorët e teatrit të qytetit të Ferizajt që ishin dëshmitarë të rezistencës së institucionit

“Bashkë me Blertën kemi vendosur ta japim përmes tri pjesëve që është në tri tenda, duke tentuar ta imitojë kohën e viteve ’90 të sistemit paralel kur është bërë teatri. Duhet të kujtojmë se pos tjerash në atë kohë janë mbyllur teatrot dhe kështu më specifikisht në Ferizaj, me të cilën jam marrë unë. Aktorët dhe regjisorët në atë kohë, për shkak se nuk kanë mundur ta bëjnë në teatër kanë gjetur hapësira të ndryshme si shtëpi, kisha, qendra të kulturës. Ka qenë njëfarë izolimi mes tyre, përkundër pushtetit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nëpërmjet dokumentarit e fotografive synojnë ta rikthejnë kujtesën kolektive derisa të rinjtë t’i informojnë për një pjesë të historisë së teatrit.

“Unë si artist i ri, kjo ka qenë edhe pika e fillimit për shkak se fillimisht nuk është se kam dëgjuar shumë për këtë temë dhe kur dëgjova, u çudita, sepse nuk është se flitet aq shumë. Kjo ka qenë ideja, ta rikthejmë në këtë kohë dhe të sjellim tek të gjithë, sidomos tek të rinjtë sa më shumë. Nuk ka filluar sot, por është një histori që është prapa nesh, ku ne e kemi bazën”, ka thënë Nrecaj.

Kuratorja e ekspozitës, Blerta Hoçia, ka thënë se ndarja e dokumentarit në tri pjesë është metaforë e shumanshme. Ajo vlerëson se çdo formë e tillë e memorializimit është shumë e rëndësishme.

“Është një video-dokumentar që rrëfen për historinë e rezistencës së teatrit ilegal, veçanërisht në qytetin e Ferizajt, sepse edhe autori vjen prej atje. Dokumentari është ndarë qëllimisht në tri pjesë dhe është vendosur në tri tenda për të pasur njëfarë metafore të asaj periudhe, sepse siç e dimë, i përket asaj periudhës së sistemit paralel e cila fillon që nga suprimimi i autonomisë së Kosovës më 1989 e deri në shpërthimin e luftës”, ka thënë kuratorja Hoçia.

Ekspozita është ka qenë përfituese e thirrjes për projekte artistike të Fondit për të Drejtë Humanitare që synon ballafaqimin me të kaluarën. Kjo është ekspozita e dytë për këtë vit. E para me titull “Në Pah” me fotografi nga Dashnor Ajeti ishte hapur në qershor. Deri në fund të vitit parashihen të hapen edhe dy ekspozita, në nëntor ajo e Barbara Prengës ndërsa në dhjetor ajo e Renea Begollit dhe Luiza Thaqit.

Vesa Qena, menaxhere e Qendrës së Dokumentimit në Kosovë, ka thënë se edhe dy projekte të tjera të tilla parashihen për vitin e ardhshëm. Sipas saj, kjo nismë ka për qëllim t’i nxisë artistët e rinj të merren me të kaluarën.

“Është ekspozita e dytë sa i përket këtij aktiviteti që e kemi për nxitjen e artistëve të rinj që të merren me të kaluarën dhe të gjejnë forma të reja të të bërit art duke u ballafaquar me të kaluarën. Ky projekt do të zgjasë deri vitin tjetër dhe deri më tani janë katër artistë që janë përzgjedhur për të shfaqur punët e tyre në Qendrën e Dokumentimit të Kosovës”, ka thënë Qena.

Sipas saj kjo formë është mënyrë për të mësuar dhe për t’iu përkushtuar së kaluarës.

“Për ne është shumë e rëndësishme të gjenden forma të cilat janë më të mira për t’u treguar e kaluara, të dokumentohen faktet e ngjarjet që kanë ndodhur, pasi nuk duhet të harrohen asnjëherë dhe gjeneratat e ardhshme duhet ta dinë të kaluarën e Kosovës meqë nuk kemi shumë burime që dihen”, ka thënë Qena më tej.

Ekspozita “Teatri ilegal” do të qëndrojë i hapur për një muaj në hapësirat e Qendrës së Dokumentimit në kryeqytet.