“Create/Elevate” (Krijo/ngrit) është tema e edicionit të tretë të “Harewood Biennial” në Leeds të Anglisë, e atje do të “krijohet” dhe “ngrihet” edhe universi i përditshmërisë së Jakup Ferrit nëpërmjet tapicerive të tij. “Është një librari e ndërtesës Harewood, është si muze. Ka enteriere borgjeze. Jam duke punuar me një zyrë arkitektësh atje me të cilët do ta mbulojnë hapësirën”, ka thënë Ferri
Përditshmëria është njëra prej tematikave të artistit Jakup Ferri në veprat e tij. Njerëz që ecin, luajnë, sodisin, kafshë të ndryshme e të tjera që përbëjnë mozaikun e jetesës, janë protagonistë në tapiceritë e qëndisura. Në to thuret jeta me thjeshtësi. Nuk përcaktohen kufij, universaliteti është vendi. Vepra të tilla do të shfaqen edhe në Leeds të Anglisë në kuadër të “Harewood Biennial”.
Dy vjet më parë, artisti Ferri do ta përfaqësonte Kosovën në edicionin e 59-të të Bienales së Venecias. Pavijoni i Kosovës do të lulëzonte prej ngjyrave. “Monumentaliteti i përditshmërisë”, siç titullon instalacioni i tij, mbulonte me vepra unike muret e dyshemenë e njërës hapësirë në “Sale d’armi” të Arsenales.
Veprat shumëngjyrëshe të Ferrit midis tjerash prekin edhe ëndrrat. Ato do të mund të shihen në bienalen britanike në qytetin Leeds të Anglisë, ku artisti që jeton ndërmjet Kosovës e Holandës do të shfaqë rreth 70 vepra të cilat përfshijnë punë të reja, e ato me të cilat kishte përfaqësuar Kosovën Bienalen e Venecias, e cila sivjet po mban edicionin e 60-të.
“Gjatë kësaj kohe kam bërë gjëra të reja, pasi ka dy vjet prej asaj ngjarjeje (në Venecia v.j.) Do ta bëj njëfarë kombinimi me atë që ishte ekspozuar me punët e reja. Atje hapësira është pak më e vogël sesa Pavijoni i Kosovës. Nuk e di se si do të jetë instalimi atje. Janë rreth 70 punë, pastaj vendoset se sa do të instalohen”, ka treguar artisti Ferri në një bisedë për KOHËN.
Veprat e qëndisura të artistit do të zënë vend në Bibliotekën Spanjolle që ndodhet në ndërtesën “Harewood House Trust”.
“Është një librari e ndërtesës Harewood, është si muze. Ka enteriere borgjeze. Jam duke punuar me një zyrë arkitektësh atje, me të cilët do ta mbulojnë hapësirën”, ka thënë Ferri, praktikë e punës së të cilit janë kryesisht tapiceritë, por jo vetëm. Bienalja e Harewoodit ka në fokus një grup të caktuar artistësh.
“Bienalja e ka si qëllim të prezantojë punët e artistëve që merren me punëdore nga të gjitha mediumet, prej tekstilit e deri në qeramika e dizajnët e ndryshëm. Kësaj here është e kuruar prej dy anglezëve: Ligaya Salazar dhe Darren Pih. Ata e kanë parë prezantimin që e kam pasur në Pavijonin e Kosovës në Venecia. Ka dy vjet që më kanë kontaktuar në mënyrë që atë çfarë e kanë parë ta dërgojnë në Bienalen në Leeds”.
Sivjet është i treti edicion i “Harewood Biennial”. Ngjarja zhvillohet prej 28 qershorit deri më 20 tetor në temën “Create/Elevate”. Ajo njihet si bienalja kryesore artizanale e këtij lloji jashtë Londrës. Sipas prezantimit të ngjarjes, punët e artistëve do të ekspozohen brenda “Harewood House” dhe nëpër kopshtet e saj. Prezanton krijimtarinë e artistëve, dizajnerëve e grupeve kolektive.
“Veprat historike dhe të bukura të artit brenda ‘Harewood House’ u krijuan nga shumë prej artizanëve dhe dizajnerëve më të nderuar në histori. ‘Create/Elevate’ i përgjigjet kësaj trashëgimie artizanale. Tema kryesore eksploron zanatin si mjet për t’u lidhur dhe për të mësuar nga të tjerët nga breza dhe kontinente të ndryshme. Ekspozita ofron një përvojë shumëshqisore, me qeramika, tekstile, bizhuteri, mobilie dhe instalacione skulpturore”, bëhet e ditur në prezantimin e “Harewood Biennial” që ilustrohet me fotografinë e veprave shumëngjyrëshe të artistit Ferri të ekspozuara në Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venecias.
Kuratorja Ligaya Salazar është kuratore e pavarur e fokusuar në praktikën ndërdisiplinore bashkëkohore në kryqëzimin e dizajnit, artizanatit dhe artit. Ndërsa Darren Pih është drejtor artistik në “Harewood House” dhe ka mbi 20 vjet përvojë kuratoriale përfshirë inicimin dhe realizimin e ekspozitave të mëdha që eksplorojnë tema mjedisore, sociale dhe kulturore.
Me “Frekuencën e Çiltërsisë”, Ferri kishte shpalosur botën e tij më 2022 në bienalen nomade të artit “Manifesta 14” në Prishtinë, në katin e tetë të hotelit “Grand” në ekspozitën kolektive “Green wedding to the earth – on ecology”.
“Harewood Biennial” është ngjarja e parë serioze në të cilën artisti Jakup Ferri i prezantohet publikut në Angli.
“Pres të njoftohem më shumë me skenën angleze, nuk është se kam pasur shumë përvojë në Angli. Kam pasur vetëm një ekspozitë personale që ka qenë më shumë si hapësirë muzikore sesa për ekspozim. Kjo është hera e dytë që po ekspozoj para publikut anglez, kjo tash është shumë më serioze se ajo e para. Kam jetuar një kohë të gjatë në Holandë, në Gjermani, nëpër Evropë kam pasur aktivitete të ndryshme, por nuk jam lidhur edhe me Anglinë”, ka thënë Ferri, duke zbuluar pak prej veprave të reja që janë punuar për këtë Bienale.
“Do të ketë lloje të ndryshme të veprave, që nga gjërat më fantazi si anijet fluturuese të ndryshme e deri te gjërat më të përditshme. Është një seri e re e arkitekturës që e kam punuar. Prek disa tema të ndryshme dhe që përfshihen në titullin e Bienales”, ka thënë Ferri.
Artisti menjëherë pas luftës së fundit do të regjistrohej në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. E pas diplomimit prapë do t’u kthehej vizatimeve e pikturave. Një kohë ishte dhënë pas videoinstalacioneve. Në vitin 2007 do të shkonte në Holandë ku do të bëhej pjesë e akademisë klasike “Rijksakademie van Beeldende Kunsten” të themeluar më 1870, që mbështet artistët vizualë nëpërmjet një programi dyvjeçar.
Në “Harewood Biennial”, përveç Ferrit ekspozojnë edhe Rebecca Chesney, Emefa Cole, Rosa Harrafine, Jan Hendzel, Mani Kambo, Hew Locke, Temitayo Ogunbiyi, Lucia Pizzani dhe Xanthe Somers. Ndërsa nga grupet kolektive janë “Arabeschi di Latte”, “BEIT Collective”, “Botanique Studios”, “Britto Arts Trust”, “Common Threads” dhe “Modular by Mensah”.