Është një prej kryeveprave të Rossinit, sfiduese po se po, por nëpërmjet tisit të saj sakral, vjen me tinguj hyjnorë. Orkestra e Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe Kori i Përzier i Selanikut e kanë gjetur harmoninë tok me sopranon Besa Llugiqi, mexosopranon Albane Carrere, tenorin Pablo Karaman e baritonin Julian Konstantinov. Nën dirigjimin e Mary Konstandinidou, të premten mbrëma koncerti ka ardhur në kuadër të programit të edicionit të gjashtë të “Prishtina International Vocal Festival”
“Stabat Mater” e virtuozit italian, Gioachino Rossini, ka qenë magjia e radhës e Filharmonisë së Kosovës. Jo veç për institucionin, por për solistët që kanë interpretuar në skenat botërore ka qenë hera e parë që kanë zbërthyer vargjet e tingujt e veprës. Linjat virtuoze në vokal, melodi të theksuara, veçmas interpretimi i disa arieve kanë qenë prej specifikave të njërës prej kryeveprave botërore.
Ndonëse është vepër me përmbajtje liturgjike, koncerti i së premtes mbrëma në “Klan Arena” shpesh është mbuluar me një pamje romantike me anë të Orkestrës së Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe Korit të Përzier të Selanikut. Solistët janë më se të zëshëm në pjesët e tyre emocionuese, me vibrimet e zërit. I tillë është interpretimi i sopranos Besa Llugiqi. Shpesh përfshin tinguj të pastër dhe me nota të larta. Mexosopranoja franceze, Albane Carrere, përcjell situata kryesisht melankolie derisa baritoni bullgar, Julian Konstantinov, e peshon atë në një formë. Tenori italian, Pablo Karaman, e bën dominues dinamizmin e tij.

Kanë qenë zërat e Korit që kanë nisur eksplorimin e veprës “Stabat Mater” për publikun. Në “Stabat mater doloresa” dy koreve u bashkohen lehtësisht solistët që e dominojnë. Një goditje e tupanit i paraprin kapërcimit të befasishëm. Koristët nisin me zëra të herëpashershëm, të cilët i ndërpresin më pas tingujt e butë të violinave. “Cujus animam” është një magji tingullore që në vokal përcillet fillimisht nga tenori italian. Pjesë sa atraktive me gërshetim emocionesh e tinguj harmonikë në përcjellje me muzikë të lehtë. Tingujt janë të pastër dhe jo të ngarkuar.
“Quis est homo” karakterizohet me zërat e ndjeshëm dhe delikatë të sopranos Llugiqi dhe mexosopranos Carrere. Me intensitet të njëjtë, herë njëra e herë tjetra interpretojnë vargjet. Kur njëra mban ritmin, vokali tjetër shpërthen dhe bëhen bashkë për të kulmuar.

Për mexosopranon franceze, Albane Carrere, bashkëpunimi me solistët dhe orkestrën ka qenë eksperiencë tejet e mirë. Për të ka qenë hera e parë që ka interpretuar “Stabat Mater” të Rossinit.
“Ishte vepër e vështirë, sepse nuk është si veprat e zakonshme të Rossinit. Ajo është më e ndritshme dhe kjo është një lloj më shumë Verdi, është më e ngarkuar. Duhet të përdorësh më shumë zë që ta ndiesh atë ngarkesë që zakonisht nuk e ndien kur luan veprat e Rossinit”, është shprehur mexosopranoja Carrere.
Për të Kosova do të mbetet vendi i veçantë, të cilin do t’ia sjellë në mend vepra e Rossinit.
“Patëm shumë prova me orkestrën që ishte shumë profesioniste, gjithçka shkoi mirë. Ne nuk e njohëm njëri-tjetrin, por u bëmë miq që në takimin e parë, sikur jemi njohur prej shumë kohësh. Është hera e parë që e kam luajtur këtë vepër të Rossinit. Kosova do të ketë gjithmonë një vend të veçantë për mua për shkak të kësaj, por edhe sepse e pëlqeva vendin”, ka thënë më tej francezja Carrere, shumë e vlerësuar për zërin e saj.
Ka studiuar këndimin në Konservatorin Mbretëror të Muzikës në Bruksel. Shfaqet rregullisht si soliste në festivale të ndryshme evropiane dhe në skenat e teatrit të operës në Francë, Belgjikë dhe Itali me repertor që varion nga baroku në atë bashkëkohor. Së fundmi interpretoi “Cherubino” në Teatrin e Champs-Elysées në Paris, “Carmen” në “Teatro Bellini di Catania” e në “Idomeneo” të Mozartit në “Opera Grand Avignon”.
Interpretimi i fuqishëm i baritonit bullgar, Julian Konstantinov, shkrihet në ngjyra emocionale në “Pro peccatis”. Një ndërprerje e shkurtër bën që menjëherë të nisë përfshirja e dy koreve. Vargjet që baritoni interpreton përcillen me zërat e korit të grave që vijnë si sekuenca të dinamizmit. Ndërpriten shpejt dhe kësaj here solisti përsërit fjalët e Korit. Kur ndërpriten vënë në pah zërin e tij dominues që shënojnë fundin e pjesës edhe pasi Orkestra interpreton notat përmbyllëse.
“Eja, mater” vjen si dialog mes sopranos Llugiqi dhe tenorit Karaman me shumë interaktivitet, ku u bashkohen edhe solistët e tjerë. Kur një fije dinamizmi kaplon pjesën, ndërpritet dhe dëgjohet lehtë zëri i mexosopranos Carrere. Pjesën më pas e merr përsipër dyshja tjetër Carrere dhe Konstantinov. Nën interpretimin e krejt harkorëve, veçmas tingujt me gishtërinj të të gjithëve njëkohësisht, ka qenë goxha atraktive.
Baritoni bullgar ka thënë se disa prej pjesëve të veprës kanë qenë më të vështira të luhen.
“Janë disa pjesë që kanë shumë vështirësi në interpretim, por mendoj se të gjithë interpretuesit e patën këtë vepër për herë të parë. Kam kënduar shumë pjesë të këtij lloji, është disi si ‘Stabat Mater’, por jo e njëjta. Kjo është më operistike, më e lehtë për dikë si unë që këndon le të themi 98 për qind opera. Më pëlqeu, janë disa gjëra interesante”, ka thënë baritoni Julian Konstantinov i diplomuar në Akademinë Muzikore të Sofjes. Bëri debutimin e tij në Operën e Sofjes në vitin 1992, si Don Basilio nga opera “Berberi i Seviljes” të Rossinit. Në vitin 1996 fitoi çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar për këngëtarë të rinj operistikë “Boris Christoff”. Julian Konstantinov ka kënduar në shtëpitë më të mëdha të operës në mbarë botën, si në Milano, New York, Covent Garden, Paris, Barcelonë, Firence, në Tokio, Salzburg, Madrid, Münich, Berlin dhe shumë të tjera.
Pjesa “Sancta Mater” ka ardhur me interpretim tejet emocional të Carreres, ndërsa “Fac ut portem” ka qenë kontrasti i saj. Frymorët janë më dallues, dinamizmi dhe një situatë dramatike nis të zhvillohet me tinguj të shpejtë e të ulët të harkorëve. Kumbon me frymorët dhe korin, kthehet në emocionale dhe dalëngadalë shkon drejt shkallëve të dinamizmit. Shpërthen kur krejt bëhen bashkë e atyre u bashkohet zëri kulmues i Besa Llugiqit.
Sipas sopranos, vepra “Stabat Mater” kërkon shumë saktësi.
“Po flasim për një vepër sakrale, që është njëra prej kryeveprave të Rossinit dhe mendoj që është e gërshetuar me nuanca të ndryshme dinamike. Mund të them edhe ato më ekstreme, sepse është jashtëzakonisht e vështirë në interpretim, kërkon shumë saktësi. Normalisht interpretimi i solistëve është pak më impenjativ për shkak të dueteve, kuarteteve, arieve”, ka thënë Llugiqi. Sipas saj, vepra nuk është aspak e thjeshtë pasi duhet të ndryshojnë ngjyrat e zërit.
“Sopranoja në arien e saj është më dramatike, mund të them se flet për ferrin, lutet për veten, është një lutje që në të njëjtën kohë është edhe një frikë për veten që të mos ndëshkohet. Është jashtëzakonisht e ndjeshme, dramatike, këtë në njëfarë mënyre e përshkruan edhe muzika nga Orkestra, po ashtu edhe Kori dhe e bën më madhështore si pjesë. Nuk është aspak e thjeshtë, sepse në fillim kërkohet një zë pak më lirik dhe më i butë në interpretim, për shkak të ngjyrave që ka me solistë të tjerë”, ka thënë sopranoja Llugiqi më tej.

Tejet më shpërthyese kanë qenë pjesët “Inflammatus”, “Quando corpus morietur” dhe “In sempiterna saecula. Amen”.
Tenori italian, Pablo Karaman, ka thënë se muzika klasike ka fuqinë të krijojë lidhjet shpirtërore mes njerëzve, audiencave e vendeve.
“Është vepër e madhe, shumë prekëse, e thellë dhe muzika është e vështirë të përshkruhet, sepse vetëm kur mund të ndiesh emocionet brenda teje, mundesh t’i reflektosh te publiku. Vetëm Mozzart, Rossini, Puccini, Verdi, Beethoven mund ta bëjnë këtë lidhje me publikun”, ka thënë ai derisa sfidues e ka vlerësuar interpretimin veç në rolin e vokalistit.
“Ne punuam tërë javën, është vepër shumë e vështirë sepse, për shembull, në teatër ke diçka për të bërë, por kur je me orkestrën dhe përballë ke maestron, je si i zhveshur. Kjo është pjesa e vështirë e këtij lloji të muzikës”, ka thënë tenori italian. Karaman ka studiuar kompozicion dhe dirigjim orkestral në Universitetin e Cordobas në Argjentinë. Ndër paraqitjet e tij kryesore janë ato në “La Boheme”, “Lucia di Lammermoor”, “Rigoletto” dhe “La Traviata” dhe kjo në teatrot kryesore nëpër Evropë, Amerikë dhe Azi. Një nga pikat kulmore të karrierës së tij është regjistrimi i operës “Madame Sans-Gêne” nga Giordano me Orkestrën e Radio-Francës në Festivalin e Montpellierit. Krahas Andrea Bocellit, Ennio Morricones, Zuccheros dhe Jeff Beckut, Karaman performoi në koncertin “Luciano’s Friends” në “Teatro Comunale Luciano Pavarotti” në Modena të Italisë.
Me “Stabat Mater” të Rossinit, Kori i Filharmonisë së Kosovës në prill të këtij viti i ishte bashkuar Korit të Përzier dhe Orkestrës Shtetërore të Selanikut në Greqi. Institucioni e kishte vulosur nivelin e tyre edhe në vendin i cili nuk e njeh zyrtarisht Kosovën si shtet, por mban marrëdhënie diplomatike, veçmas ato në fushën e kulturës. Pjesë e publikut kishte qenë edhe kryetari i Selanikut, Konstantinos Zervas, dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Në koncertin që vjen si bashkëpunim mes dy shteteve, skenën kulturore greke në koncertin e së premtes e ka reprezantuar edhe dirigjentja Mary Konstantinidou. Ka qenë hera e katërt që i ka dhënë direksione Filharmonisë së Kosovës. Ka vlerësuar se ka qenë shumë lehtë të realizohet bashkëpunimi.
“Ishte shumë e lehtë të jesh një zë, një kor apo dy kore. Kështu kemi interpretuar edhe në Selanik muaj më parë dhe ishte i njëjti rezultat i mirë. Sepse kemi përfshirë të njëjtën ide, kështu që ne mund të bëhemi së bashku shumë lehtë’, ka thënë ajo. E lindur në Selanik, studimet i mbaroi në Shkollën Shtetërore të Muzikës në Selanik, e diplomuar për piano dhe dirigjim koral. Bashkëpunoi me Operën Kombëtare të Greqisë, Festivalin Grek, Teatrin Kombëtar të Greqisë së Veriut, Operën e Selanikut, Orkestrën Simfonike Shtetërore të Selanikut, Orkestrën Simfonike të Qytetit të Selanikut, Orkestrën Shtetërore të Athinës, Orkestrën Simfonike Kombëtare, si dhe me Sallën e Koncerteve të Selanikut, Sallën e Koncerteve të Athinës në më shumë se 24 produksione të operës.

Konstantinidou ka dirigjuar në shumë vende, si Budapest, Pragë, Stokholm, Salzburg, Venecia, Vjenë, Stamboll, Tampere, Tiranë, Romë, Shën Petersburg, Langollen derisa për një periudhë të gjatë ka drejtuar edhe shumë kore. Fitoi çmimin “B” në konkursin Ndërkombëtar të Dirigjentëve të Korit të Rinj, Pragë, 1995. Konstantinidou udhëheq Korin e Përzier të Selanikut që nga themelimi i tij. Në mesin e çmimeve të fituara ata kanë marrë një medalje ari, dy argjendi dhe tre bronzi në garat ndërkombëtare të Athinës, Romës dhe Langollen.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se pritja e madhe nga publiku në Greqi u pati lënë shumë përshtypje dhe se përmes kulturës, sipas tij, po i kalon barrierat dhe po shtyn proceset shumë më përpara sesa çdo fushë tjetër. Sipas Jasharit, ky bashkëpunim do të vazhdojë.
“Ne realizuam këtë marrëveshje mes dy vendeve, e cila besoj se pas koncertit të sotëm sigurisht, siç e tha ambasadorja greke, janë shumë të interesuar që ky bashkëpunim të zgjerohet në vepra të tjera dhe të mos ndalemi këtu. Natyrisht ne jemi të gatshëm, aq më tepër me shtetin grek, siç thashë për shumë gjëra që na lidhin edhe në kulturë, edhe në fusha të tjera”, ka thënë Jashari.
Veprën e radhës, të cilën Filharmonia e Kosovës e ka sjellë magjishëm për publikun, e ka vlerësuar si shumë kërkuese për solistët.
“Vepra është e shkruar për solistë vokalë, është me kërkesa të jashtëzakonshme pikërisht për solistët vokalë dhe sigurisht se kur vihet në skenë, zgjidhet kasta e solistëve, të cilët kanë përvojë të madhe skenike, posaçërisht operistike, dhe kërkohet maksimumi i interpretimit dhe posaçërisht koordinimi. Nuk është e lehtë kur vijnë solistë nga anë të ndryshme të botës dhe me orientime të ndryshme solistike”, ka thënë Jashari.
Koncerti ka ardhur në kuadër të programit të edicionit të gjashtë të “Prishtina International Vocal Festival”.
Drejtori i festivalit, Hajrullah Syla, ka thënë se gjatë tërë koncertit u mbajt energjia e të gjithë interpretuesve, e cila reflektoi edhe te publiku. Qëllimi, sipas tij, është të sillen emra të rinj për ta.
“Ne si festival synojmë që secilën herë të sjellim emra që janë të dëshmuar në botë. Çdo koncert në këtë edicion është i veçantë në formën e vet, secili program që do të kemi edhe ditët në vazhdim do të jetë tejet atraktiv dhe besoj se do t’i interesojë publikut ta dëgjojë dhe shpresoj të kënaqet me këto koncerte”, ka thënë Syla.
Vepra “Stabat Mater” u kompozua në karrierën e vonshme të Rossinit pasi u tërhoq nga kompozimi i operës. Nisi ta kompozojë më 1831, por nuk e përfundoi atë deri në vitin 1841.