“Ka ndodhur, prandaj mund të ndodhë sërish; ky është thelbi i gjithë asaj që duhet thënë. Mund të ndodhë, dhe kudo” – kishte shkruar Levi. Pikërisht për këtë mësim historie, libri i “Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës” i autorit boshnjak Mevludin Hrnjiq, duhet lexuar me gjithë sfondin historik të ngjarjeve të kohës. Sepse dëshmitarët e mbijetuar të gjenocidit, janë të mbijetuar të vetë njerëzimit, për sa kohë që gjenocidet, si përpjekje për shkatërrimin e komuniteteve të veçanta njerëzore, janë goditje në vetë njerëzimin
Në prill të vitit 1986, plot 41 vjet pasi kishte dalë i gjallë nga kampi i Aushvicit, kimisti italian me origjinë hebreje Primo Levi, e botoi librin e tij të fundit “Të mbyturit dhe të shpëtuarit”. Mes reflektimeve nga përvoja e tij në lagerët nazistë, në përfundim, te faqet përmbyllëse të këtij libri të mbramë të tij, Levi shkruan: “Ka ndodhur, prandaj mund të ndodhë sërish; ky është thelbi i gjithë asaj që duhet thënë. Mund të ndodhë, dhe kudo”.
Primo Levi po i shkruante këto fjalë pas katër dekadash dëshmi dhe përballje me trashëgiminë e Holokaustit, reflektime dhe kujtime të shkruara veçanërisht te librat e tij “A është vallë njëri?” dhe “Armëpushimi”. Te i pari, ai e kishte shpjeguar përvojën e tij njëmbëdhjetë mujore në kampin e Aushvicit në Poloni, më të njohurin e kampeve naziste të përqendrimit dhe të punës, ku ai e përjetoi edhe çlirimin e kampit nga trupat ruse, më 27 janar 1945. Ndërkaq, te romani tjetër, “Armëpushimi”, Levi e rrëfen udhëtimin e tij të gjatë rreth dy vjet derisa u kthye nga Polonia në Itali.
Nëse Primo Levi nuk do të ishte vetëvrarë më 11 prill 1987, një vit pasi paralajmëroi që “mund të ndodhë, dhe kudo”, si dhe nëse do të jetonte të paktën edhe tetë vjet, deri më 1995, ai do të ishte bërë dëshmitar i gjenocidit në Srebrenicë, gjenocidit të dytë në Europë pas Holokaustit. Në mes të korrikut 1995, forcat serbe të komanduara ushtarakisht nga Ratko Mladiq dhe politikisht nga Radovan Karaxhiq, me urdhra dhe mbështetje prej Beogradit të Sllobodan Millosheviqit, i vranë të paktën 8372 boshnjakë në Srebrenicë. E tëra kjo ndodhi në praninë e trupave paqeruajtëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, misioni i të cilëve doli të ishte një dështim spektakolar për parandalimin e masakrës së kryer nga serbët në Srebrenicë.
Pas vetëm pesë dekada thirrjesh të përsëritura “Kurrë më”, shprehjes së artikuluar nga të mbijetuarit e Getos së Vrashavës, Europa dhe bota pa të përsëritej një gjenocid, i pari pas shfarosjeve masive të Luftës së Dytë Botërore. Në Bosnje dhe Hercegovinë, serbët lokalë dhe shteti i Serbisë, kryen gjenocid para syve të forcave ndërkombëtare, teksa refugjatët boshnjakë të izoluar në kampe po prisnin mes lutjesh për bombardime nga NATO-ja. Ndërkohë, një tjetër gjenocid do ta pasonte atë të Srebrenicës, vetëm pesë vjet më vonë, më 1999, kur ushtria dhe policia e Serbisë kryen qindra masakra të orkestruara në përpjekjen e tyre për ta spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët vendas, përmes një mori operacionesh gjenocidale që kishin nisur të zbatoheshin rreth 10 vjet më herët. Një fushatë bombardimesh mbi Jugosllavi nga trupat e vendeve të NATO-s që zgjati 78 ditë, e ndërprenë gjenocidin dhe spastrimin etnik të plotë të Kosovës, duke sjellë çlirimin e saj nga Serbia në qershor të vitit 1999. Ajo që kishte ndodhur në Bosnje – Srebrenica – nuk mund të lejohej në Kosovë; por ajo që nuk kishte ndodhur në Bosnje – ndërhyrja ushtarake e NATO-s në shkallë të gjerë – u aplikua në Kosovë.
Lufta në Bosnje dhe veçanërisht gjenocidi në Srebrenicë, e rikthyen peshën morale të mosveprimit ndaj gjenocidit në politikën europiane dhe amerikane. Mësimet e nxjerra nga Lufta e Dytë Botërore dhe të mësuara sërishmi nga gjenocidi në Srebrenicë, sollën fushatën e bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi në pranverën e vitit 1999, me qëllim të ndaljes së gjenocidit që Serbia po kryente mbi shqiptarët në Kosovë. Ishte pikërisht rreziku i gjenocidit në Kosovë, ai që e shtyri një të mbijetuar tjetër hebre nga Aushvici, Eli Wiesel, që duke e justifikuar fushatën e NATO-s mbi Jugosllavi, të tërhiqte vëmendjen për rreziqet e indiferencës, si rreziqe të ardhura nga mosveprimi kundër padrejtësisë dhe vuajtjeve njerëzore.
Këto ditë që janë bërë 30 vjet nga gjenocidi në Srebrenicë, në Prishtinë u publikua libri “Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës”, i shkruar nga Mevludin Hrnjiq, një boshnjak i mbijetuar i Srebrenicës. Duke qenë imam, lidhje e autorit të këtij libri me Kosovën, është ndërmjetësuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, e rrjedhimisht, libri i tij është botuar nga shtëpia botuese “Dituria Islame”, nën kujdesin e Myftiut Naim Tërnava. I përkthyer në shqip nga Amir Jusufi dhe i redaktuar nga Ramadan Shkodra, dëshmia e shkruar e Imam Mevludin Hrnjiqit, ka një vëllim prej 246 faqesh të shtrira në pesë kapituj: Ajo që parapriu; Në luftë në territorin tonë; Srebrenica – strehim dhe destinacion përfundimtar; Ditët e lirisë; Kur e kujtoj Srebrenicën.
Në kapitullin e parë, Hrnjiq e ka rrëfyer fëmijërinë e tij, shkollimin dhe jetën derisa është maturuar për t’u thirrur në shërbim ushtarak. Tek i dyti, ai përshkruan rrethanat dhe zhvillimet që çuan deri te lufta e Bosnjës, por duke mos e kaluar kontekstin e regjionit ku ai jetonte. Kapitulli i tretë është pjesa qendrore e librit, ku Imam Mevludini tregon luftimet mes çetnikëve serbë dhe luftëtarëve boshnjakë, mes të cilëve ishte mobilizuar edhe ai. Duke e ndjekur kronologjinë e ngjarjeve, në mbi 100 faqet e këtij kapitulli, Mevludin Hrnjiqi i ka gjuhësuar dhe tekstualizuar kujtimet e tij nga ngjarjet që kulmuan me gjenocidin në Srebrenicë, plot 27 vjet më pas, meqë libri në boshnjakisht është botuar së pari më 2022, në Tuzëll. Te kapitulli i katërt i librit të tij prej dëshmitari, Hrnjiqi rrëfehet se si filloi ta rindërtonte jetën pas luftës dhe se si besimi i tij si mysliman ishte boshti rreth të cilit e ringriti jetën prej të mbijetuari. Në fund, tek i pesti kapitull, ai reflekton mbi përjetimet e tij nga koha e luftës, duke iu rikthyer kujtimeve për Srebrenicën, mes pyetjesh që ai ia parashtron vetes për këtë fat të tijin.
Mevludin Hrnjiqi është dëshmitari i përkryer i një prej ngjarjeve më të trishtueshme në historinë moderne të Europës. Me rastin e promovimit të librit të tij në Fakultetin e Studimeve Islame, ai ishte në Kosovë, i ftuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, por më parë, Mevludin Hrnjiq i kishte refuzuar dy ftesa të tjera për të ardhur në Kosovë.
Më 16 qershor 1991, Mevludin Hrnjiq ishte ftuar që të paraqitej në Prishtinë, në kazermën ushtarake “Mareshal Tito” për të kryer shërbimin obligativ ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë. Atë kohë, ai besoi se ia hodhi kësaj ftese të paktën për një vit, pasi arriti ta korruptonte një zyrtar për ta shtyrë këtë ftesë, por pak muaj më pas, Mevludin Hrnjiqit iu përsërit ftesa, me kërkesën që më 19 shtator 1991, të paraqitej në kazermën “Karaulla” në Gjakovë. Ai refuzoi të shkonte sërish dhe u bind se kishte vepruar drejt kur pikërisht ato ditë, një shok i shkollës dhe fqinj i tij, Avdo Memiq, u kthye nga ushtria dhe i tregoi Mevludinit se si mezi ishte arratisur nga kazerma “Lora” në Split.
Por çfarë kishte ndodhur aty? Në fund të shtatorit 1991, forcat ushtarake kroate e kishin sulmuar kazermën “Lora” në Split, por ushtarët rekrutë jugosllavë kishin rezistuar me sukses. Duke dashur t’i përgëzonte ata ushtarë për rezistencën që kishin bërë ndaj kroatëve, atje shkoi një kolonel 49-vjeçar, Ratko Mlladiq. Kur u afrua t’i falënderonte për dore ushtarët e rreshtuar në radhë, Ratko Mlladiqi u xhindos dhe u nervozua kur rekrutët e parë iu prezantuan me emrat dhe origjinën e tyre: ata ishin shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia. “Përse nuk më keni treguar që keni kaq shumë bërllok në këtë kazermë?” – i ishte drejtuar Mlladiqi komandantit të kazermës, duke i lënë në gjysmë mes kërcënimesh falënderimet e tij.
Ky ushtarak, i cili dikur kishte shërbyer edhe në kazermën “Mareshal Tito” të Prishtinës, pasi do të gradohej gjeneral, do t’u printe forcave serbe në ekzekutimet masive gjatë gjenocidit në Srebrenicë. Dhe aty, mes atyre që luftuan e rezistuan dhe që patën fatin të shpëtonin të gjallë, ishte edhe një klerik i ri mysliman: 25-vjeçari Imam Mevludin Hrnjiq. Me dy kopje të Kuranit me vete, njëri në arabisht dhe tjetri në boshnjakisht, ai arriti t’u shpëtonte jo vetëm plumbave të ushtarëve të Mlladiqit, por arriti që ta shpëtonte edhe besimin e tij në Zotin, si një besimtar dhe klerik i bindur, përkundër përjetimeve të tmerrshme dhe situatave ekstreme nëpër të cilat kaloi.
Në librin e tij “Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës”, Mevludin Hrnjiq, sipas një tradite letrare të kategorizueshme mes veprave të Primo Levit, rrëfen gjithë udhëtimin e tij jetësor, nga fëmijëria dhe shkollimi te shërbimet e para si klerik; pastaj nga fillimi i luftës në Bosnje deri te mesi i korrikut të vitit 1995, kur mes 8372 boshnjakëve të vrarë, ishin edhe babai i tij Mehmedi dhe tre vëllezërit Ademi, Salko dhe Ibrahimi. Ky libër, rrëfen për një udhëtim që si nëpër tehun e thikës kalon duke u anuar herë kah vdekja dhe herë kah jeta.
Botimi i librit “Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës”, mund të jetë një lidhje e mirë tekstuale e publikut lexues shqiptar, për ta kuptuar më qartë se lufta në Kosovë nuk ishte thjesht një luftë më vete dhe e izoluar në kuadrat e vjetër të konflikteve mes shqiptarëve dhe serbëve, por se lufta në Kosovë e viteve 1997 – 1999, ishte kapitulli i mbramë i luftërave të shkaktuara nga Serbia në Jugosllavi.
“Ka ndodhur, prandaj mund të ndodhë sërish; ky është thelbi i gjithë asaj që duhet thënë. Mund të ndodhë, dhe kudo” – kishte shkruar Levi. Pikërisht për këtë mësim historie, libri i “Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës” i autorit boshnjak Mevludin Hrnjiq, duhet lexuar me gjithë sfondin historik të ngjarjeve të kohës. Sepse dëshmitarët e mbijetuar të gjenocidit, janë të mbijetuar të vetë njerëzimit, për sa kohë që gjenocidet, si përpjekje për shkatërrimin e komuniteteve të veçanta njerëzore, janë goditje në vetë njerëzimin. Duke besuar te humanizmi, si shpresë te njeriu që angazhohet ta ruajë njeriun si njeri!
Autori është historian, ligjërues në Universitetin e Prishtinës.