Narrativat ideologjike e vullnetet që i diktojnë ato bëjnë gjithfarë proçkash, të cilat breznitë njerëzore më pas i frymëtojnë me jetë, pasione e edifikim moral. Kështu këtillohet edhe tabloja e marrëdhënieve shqiptaro-italiane prejse gdhiu shekulli i njëzetë, ku simbas një animusi alla-Frantz Fanon, Italia imperialiste mësyn një copë Shqipní që t’i përlajë mbitokën e nëntokën plot xehe. Por, një besojcë e tillë nuk e ka vendin në veglërinë e një studiuesi si Alessandro Roselli. Ai duhet të përhajrohet për punën, kurse këtu letërnxijnë disa përshtypje e rrahmendje të miat gjatë dhe pas leximit...
Numri i shqiptarëve të diplomuar në ekonomi, pa ndonjë përzmadhim, duhet të jetë absurdshëm i lartë: me qindra mijëra diplomëmbajtës. Megjithatë, grada të kësofarshme nuk vlejnë as për hekur.
Pyetja se si ka qenë Shqipnía ekonomikisht në këtë e në atë sekuencë historike nuk është pyetje eglendisëse për thuajse asnjë ekonomist shqiptar. Është një makth ku vjen në spikamë vetëm paaftësia.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoFakti që polet e albanologjisë janë jashtë Shqipnís proper, pra në tokën italiane e gjermane, qëllon të jetë njëfarë amulete fatsjellëse. Si “deus ex machina” vjen edhe historiani i ekonomisë, Alessandro Roselli me një libër që nuk i gjendet shoqi për nga cilësia e diligjenca kërkimore. Botim i vjetit 2006 nga shtëpia botuese londineze “I.B. Tauris”, libri “Italy and Albania: Financial Relations in the Fascist World” figuron më tepër në indekset bibliografike për Shqipnín sesa që përdoret e vlerësohet nga milieu libresk e shkollar këndejpari.
Interesimin e tij shkencor për t’i dritësuar marrëdhëniet e Shqipnís parakomuniste me Italinë, profesori italian e shpalos me akribi e profesionalizëm.
Por, para se të vlerësojmë përmbajtjen e librit, le të bëjmë një vërejtje në krye të herës.
Interesimi i të huajve për Zogun e Shqipnín parakomuniste vijon të jetë konstant: prej Joseph Swireit në vitet ‘30 (me librin e tij “Albania – The Rise of Kingdom”) e deri te autorë bashkëkohorë si Bernd J. Fischer, Robert Austin e Jason Tomes.
Dhe pse botime të tilla (a do të na lejohej termi “zogologji”?) vlejnë kaq shumë? Sepse përpjekja e gjithëkohshme për të sendërtuar Shqipnín e për të manifestuar sens shtetndërtimi – në rrethana thjesht të pamundshme – është disi universaliste dhe i flet thuajse çdo shteti zhele në çdo çip të dhéut.
Libri i Rosellit është flakaresh turinjve jo veç për injorancën tonë kombëtare, në të cilën kufijtë zhdavariten e hapësira habitërisht kohezionohet. Ne vazhdojmë t’i mëkojmë brezat e rinj me mitin sikur Shqipnía, dje dhe sot, është një “El Dorado” resursesh natyrore, të cilat armiku grykës gjithnjë i lakmon.
Në njëmijë e nëntëqind e tridhjetë e tetën, flambojanti Galeazzo Ciano (ministër i Jashtëm në Itali) bënte skena pontifikuese kur merrte kampionë bakri nga Lezha e ia çonte Musolinit gjatë një takimi sy-me-sy. “Ja fiqtë e Karagjenës”, i thoshte plot vanitet, me nënkuptim e shkelje syri për të ndërmarrë një aksion ushtarak.
Por, Shqipnía e vërtetë, ajo të cilën e njihte secili financier e ekonomist i Duçes, nuk kishte dallim prej asaj që mbreti Viktor Emanueli e qesëndisi turivarur: “Çka na duhet Shqipëria me katër shkëmbinj?”
Leximi i librit të Rosellit nuk është lexim që rrjedh lehtë, sepse është i ngarkuar me shifra, statistika e koncepte ekonomike, për të cilat lipsen goxha sy të stërvitur e nerva kali për t’i ndjekur gjer në fund.
Shqipnía e mbas njëmijë e nëntëqind e njëzet e pestës ka qenë thjesht si strajca e Ashkalisë: ka mbajtur gjithçka të secilit që i jepte sadaka.
Historiografia e kmerëve të kuq shqiptarë për thuajse 40 vjet e ka mirëmbajtur narrativen alla-fanoniane: Itali vs Shqipní është zografisur si një tablo për kolonizuesin dhe të kolonizuarin. Epo, ja që kjo nuk është as për së afërmi kështu!
Në Itali, më njëmijë e nëntëqind e njëzet e dytën, erdhi në fuqi fashizmi. Ajo çka trashëgoi Duçja ishte një Itali që veçse kishte synime për t’u projektuar në Mesdhe, por edhe Lidhja e Kombeve ia ligjëronte rolin e saj protektiv e njëfarë sfere interesi edhe në brigjet përkarshi, pra në Shqipní. Së këndejmi, pohimi se Italinë nuk e sollën në dhéun shqiptar as italianofilët e as Zogu i qëndron për bukuri arsyes...
Prej njëmijë e nëntëqind e njëzet e pesës e tutje, Benito Mussolini thjesht është i familjarizuar me gjithçka shqiptare. Politika drejt Shqipnís, sidomos prirja për të krijuar prani ekonomike, ishte në duart e teknokratëve për të cilët ideologjia kishte ndikim të hiçtë.
Veç nga kërkimi syvëmendshëm i Rosellit mësojmë se si investitorët italianë qysh në fillim e dinin se do të përfundonin me humbje, se huatë kurrë nuk do të shlyheshin, se miliona lira derdheshin në Shqipní e nuk nxirrej as çereku i tyre në prapakthim.
Ka qenë shi kjo gjendje e gjërave që një komentator amerikan e pikasi qysh më njëmijë e nëntëqind e tridhjetë e dy: “Italia nuk po e shfrytëzon ekonomikisht Shqipnín e fukarallëkut. Hëpërhë, do të ishte më afër të vërtetës së realitetit ekonomik po të thuhej se Shqipnía e shfrytëzon Italinë”.
Ky libër është i mbushulluar me pafund të dhëna, bubërrime e kundrime, por ajo çfarë duhet të thuhet bindshëm është se relevanca e shqiptarëve, dje dhe sot, është cikërrimë në sytë e kujtdo. Çështja është se si këtë parëndësi ta tejkalojmë e me ndihmën e cilësdo fuqi, duke e manipuluar herë kështu e herë ashtu, t’i jepet shtetit një vrushkull fryme në këtë gjeografi tokëkeqe që as dreqit nuk i hyn në punë.