Shtojca për Kulturë

Rrëfimi për Gjergj Pekmezin në Vjenën e vitit 1914

Gjergj Pekmezi (1872 – 1938)

Gjergj Pekmezi (1872 – 1938)

Reportazhi i mëposhtëm “Shqiptari në Vjenë” shpalos një rrëfim të gjerë për intelektualin dhe gjuhëtarin e njohur shqiptar, Gjergj Pekmezi (1872 – 1938), që është botuar në numrin festiv të Pashkëve të shtojcës së gazetës “Zastava” të Novi Sadit. Edhe pse shkrimi biografik për Pekmezin përcillet me njëfarë ironie dhe mërie për suksesin e një shqiptari që ai e realizon në kryeqendrën e Austrisë, megjithatë arritja e Gjergj Pekmezit në Vjenë është një histori mjaft interesante. Ajo që bie në sy më së tepërmi në tekstin origjinal të autorit Jasha Tomiq (1856 – 1922) që në kohë e tij veçohej për antisemitizëm, është shtrembërimi i emrit nga Gjergj në Gjorgje, sikurse dhe qëndrimi i tij për mosekzistimin e gjuhës shqipe! Titulli dhe mestitujt janë të Skënder Latifit

Vjena dhe vjenezët  

I dua vjenezët. Ata janë fëmijë të mëdhenj, dhe athua a ka ndonjë njeri që nuk i do fëmijët? Vjenezët nuk e çajnë kokën për gjërat e mëdha por për çudi ata së pari i mahnit ose i trishton ndonjë gjë e vogël. Vjenezët mund të durojnë padrejtësi shumë të madhe pa u ankuar fare. Por nëse në festën e tyre, kur kryhet procesioni, ndodh që ndonjë arkidukeshë përton të zgjohet herët në mëngjes për të ndjekur atë, atëherë ata do të ankohen si opozitarët më të ashpër. Vjenezët janë mësuar që nga kohërat e lashta t’i shohin të gjithë anëtarët e shtëpisë sunduese që të ndjekin procesionin mu atë ditë, kështu që ata ndihen fajtorë deri në qiell nëse dikush abuzon me të drejtën e tyre. Kur shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike (në vitin 1912), mund të thuhet se askush nuk i doli që t’i zemërojë diplomatët e tyre. Atyre nuk u shkoi ndërmend se do të bëheshin më të vegjël nëse të tjerët do të bëheshin më të mëdhenj se ata. Të gjorët diplomatët e tyre; që u dëshpëruan keq. Asnjë arsye e ashtuquajtur politike nuk i nxiti ata për të vepruar në një kohë kaq të rëndësishme. Pastaj u gjet dikush që i njihte vjenezët dhe dinte se çfarë u nevojitej atyre. Ai ishte ai që shpiku atë incidentin e pavërtetë në lidhje me konsullin Prohaska në qytetin e Prizrenit. Kur vjenezët e lexuan se si serbët e kishin shpërfytyruar atë njeri të pafat, saqë ai më nuk ishte as burrë, atëherë ata shpërthyen në zemërim duke u bërë luftënxitës. Përndryshe, për nga natyra vjenezët janë shumë dashamirës. Jo vetëm që vrapojnë pas fundeve, bluzave, palltove, por ata herë pas here i sulmon edhe ekstaza e dashurisë. Megjithatë, vjenezët kurrë nuk i adhurojnë studiuesit ose politikanët e mëdhenj, por kryesisht aktorët, aktoret, valltarët, xhokejtë e të ngjashëm. Të kujtojmë se si e adhuronin ata Terezën, Kronesin, Josefina Gallmayerovën, Katarina Shratovën? Dhe Alexander Girardin dhe të tjerët. Sot, Emma Petko është e preferuara e tyre, ata janë të magjepsur me William Millerin. Këta nuk janë individë që janë të magjepsur, ata janë të kënaqur, por është Vjena që është magjepsur në tërësi. Megjithatë, ka kohë që Vjena nuk ka qenë kaq e dalldisur me askënd, siç është sot e dashuruar në shqiptarin Gjergj Pekmezi. Gratë, burrat, vajzat dhe fëmijët bien në ekstazë kur shqiptohet emri “Tzertze”.

Kush nuk e ke parë Tzertzin?! Nuk e ke parë ende “Tzertzin”? Është e pamundur! Ata kanë dëgjuar se në shqip emri i tij është Gjergj, por fatkeqësisht nuk mund ta shqiptojnë saktë prandaj e quajnë: “Tzertze”. Kur e shqiptojnë kështu ata atëherë ndihen sikur dinë shqip, pastaj i kaplon ekstaza, sytë u shkëlqejnë, trupat u dridhën. Ah, “Tzertze! Tzertze hyjnori!” Kur vjenezët e shqiptojnë emrin e tij, ndihet sikur mjalti po u shkrihet në gojë atyre. Nervi i dashurisë që ndodhet diku në tru të vogël, përmes të cilit rryma elektrike zakonisht përhapet në shpejtësi prej 33 metra në sekondë, kur shqiptohet emri Tzertze dridhet aq shumë sa që më nuk mund të matet më me metra.... Rryma tashmë shkon përtej etheve. Tzeretze, Tzeretze!

Shkollimi dhe punësimi i Gjergj Pekmezit

Nëse nuk përtoni ta dëgjoni historinë e “Tzertzit”, pikërisht historinë e Gjergj Pekmezit, ashtu siç e dëgjova unë, dhe unë ju siguroj që ajo është shumë e besueshme. Gjergj Pekmezi lindi në kufirin e Shqipërisë në Maqedoninë jugore (Tushemisht të Pogradecit).... Mësoi greqisht në Selanik dhe aty i vijoi mësimet në shkollën e mësuesisë. Më vonë u bë mësues në rajonin e Dramës, në një fshat ku jetonte një popullsi greko-shqiptare. Në malet e asaj zone ka shumë lëndë druri, të cilin banorët e përdorin për të ndërtuar. Mësuesi atje nuk paguhet me rrogë, por në kundërvlerë ai merr lëndë druri për ndërtim, të cilin më pas duhet ta shesë. Erdhi koha kur çmimi i lëndëve të drurit ra dhe bashkia nuk donte që mësuesit t’ia rriste sasitë e drurit. Kështu Gjergj Pekmezi më nuk mund të jetonte aty, prandaj e vendosi të largohej. Por, gjithçka varej nëse fshatarët do ta lejonin që ai të largohej! I thanë se duhej të qëndronte derisa të gjente një zëvendësues, përndryshe do ta vrisnin. Gjergj Pekmezi e kishte një motër, kujton ai dhe i tha asaj: ti do të jesh mësuese këtu. Si do të jem unë mësuese kur nuk di të lexoj e të shkruaj? Kjo është punë e lehtë! Brenda dy ose tri javëve unë do të të mësoj gjithçka që të nevojitet. Vajza ishte e zgjuar, kështu që për një kohë shumë të shkurtër ajo mësoi aq sa i nevojitej për të zënë vendin e vëllait. Mësuesi u largua më në fund. Për njëfarë kohe qëndroi në Serbi ku studioi teologji. Nuk e dimë saktësisht se çfarë ndodhi atje.

Gjergj Pekmezi (i mes, ulur) kryetar i shoqërisë “Dija” në Vjenë

Duke u endur rrugëve të Vjenës

Pastaj, një ditë, mësues i quajtur Gjergj Pekmezi erdhi në Vjenë. Atje ku ai mendoi se do të pranohej, nuk u pranua, ose të paktën jo aq shpejt. Para nuk kishte, në Vjenë askush nuk i jepte lëndë druri të cilën më pastaj mund ta shiste. Kështu një pasdite, po ecte nëpër rrugët e Vjenës, i veshur me një kostum gjerman mjaft të vjetruar, dhe për një çast ndaloi para xhamit të një librarie të madhe. Aty ishte ekspozuar një libër në greqishten moderne. Gjorgje Pekmezi e shikoi me vëmendje atë libër duke ia lexuar titullin me zë të lartë, ndërsa njëkohësisht para xhamit qëndronte edhe dikush tjetër. Ai ishte një profesor universiteti, i cili ishte specialist i greqishtes së vjetër dhe e dinte pak greqishten e re. I habitur ai pyeti Pekmezin: Ju e dini greqishten? Jam mësues i greqishtes. Jeni grek i lindur? Jo, jam shqiptar. Shq-ip-tar??!! Ju e dini shqipen? – vazhdoi të pyeste profesori i ditur. Si mund të mos e di? A di të lexoni dhe shkruani në shqip? Sigurisht se po! Sytë e profesorit u bënë gjithnjë më të mëdhenj. Pastaj ai hapi gojën, por për një kohë të gjatë nuk i doli asnjë fjalë prej saj. Mendimet i kalonin nëpër kokë: Shq-ip-tar! Ky shqiptar që di shqip, di të lexojë dhe të shkruajë. Profesori nuk mund të vinte në vete kur e mendonte se kaq lehtë e kishte njohur një njeri të tillë? Por pas pak kohe ai erdhi në vete dhe i kërkoi Pekmezit ta priste për një çast në rrugë! Ndërsa vetë iku në librari për të pirë një gotë ujë, sepse ishte aq i emocionuar sa mezi qëndronte në këmbë. Pastaj doli me nxitim jashtë, e mori Pekmezin për dore, e futi brenda në një pajton dhe bërtiti: “Për në universitet” dhe ashtu duke i shtrënguar dorën gjatë gjithë rrugës, profesori vetëm belbëzonte nga emocionet.

Kur mbërritën në vend, profesori e çoi mysafirin e tij në sallën e madhe të profesorëve, aty ku mbahen seancat plenare, e uli përpara dhe i dërgoi shërbëtorët që urgjentisht t’i thërrisnin të gjithë profesorët që ishin në ndërtesën e universitetit dhe kur ata u mblodhën, ai iu drejtua atyre i emocionuar: “Zotërinj, e kam nderin t’ju prezantoj me një mysafir të rrallë. Zotërinë Tzertze Pekmezi! A mund të imagjinoni se ai është një shqiptar i lindur, një shqiptar që di shqip...” (Nga të gjitha anët u dëgjua: Ah!) Por kjo nuk është e tëra, zotërinj. Z. Tzertze di të lexojë dhe të shkruajë shqip. U krijua edhe habi më e madhe dhe si në kor u dëgjua tri herë radhazi: Ah! Kur në sallë u sollën 20 shishe me ujë, kur zotërinjtë pinë dhe erdhën në vete, atëherë filluan ta shikonin z. Pekmezin. Në fillim, ata qëndruan pak larg nga frika, por kur ai filloi t’u buzëqeshte miqësisht, ata e shikonin me habi. Më në fund, e mblodhën guximin dhe filluan t’i afroheshin aq afër, sa njëri madje e përkëdheli në shpatull. Të gjithë u drodhën, por z. Pekmezi vazhdoi të buzëqeshte miqësisht. Pastaj profesori që e kishte sjellë atje i tha: “Ju, z. Pekmezi, keni lindur në një orë të lumtur, bile të gjithë shqiptarët jeni lindur në një orë të lumtur – sepse ne tani nuk kemi shqetësime të tjera përveçse të jetojmë për ju, dhe nëse është e nevojshme do të vdesim për ju. Për këtë do të bindeni edhe ju vetë”.                  

“Ne shqiptarët nuk puthemi”

“Në emër të unitetit na lejoni të puthemi, të përqafohemi, i tha profesori” – Pekmezit. “Ne shqiptarët nuk puthemi! Të paktën jo në faqe dhe në gojë. Siç thonë tanët ne nuk lëpihemi!”

Profesori i greqishtes ua shpjegoi këtë miqve të tij. Ata mbetën të habitur. “Athua a ka ndonjë popull në Evropë që nuk puthet. A nuk puthen burrat dhe gratë?”, pyeti profesori i estetikës. “Do të ishte një poshtërim”, u përgjigj Pekmezi. “Poshtërim për një burrë”. Ata janë më të përparuar se ne!” – thirri profesori i higjienës. “Ne tani po përpiqemi ta refuzojmë puthjen, e cila transmeton përhapjen e sëmundjeve ndërsa ata nuk e kanë atë kahmoti”. Profesori i greqishtes, e përqafoi Pekmezin në zakonin shqiptar dhe pastaj ata qëndruan bashkë për një kohë të gjatë ashtu. Qëlloi që atë pasdite nuk kishte leksione në universitet dhe ata nuk po ndaheshin dot, bile do të qëndronin ende ulur, nëse zotëri Pekmezi nuk do të kishte uri.

Të nesërmen, Vjena ishte plot rrëfime për “Tzertz” Pekmezin. Të gjitha gazetat shkruan për mysafirin e rrallë dhe të dashur, të cilin Vjena e lumtur e fsheh pas mureve të saj. Kudo thuhej e shkruhej: “Ai është njeriu i së ardhmes. Ai është shqiptar, që di shqip, di të lexojë dhe të shkruajë. Ai do të jetë ministri i Arsimit në shtetin e ri shqiptar”. Gazetarët nxituan ta pyesnin dhe ta intervistonin Gjergj Pekmezin. Kështu ata pritën me orë të tëra që ai t’i pranonte. Kur deklaroi se nuk ishte kundër kësaj dhe nuk do të ishte kundër që Shqipëria e re të bëhej anëtare e Aleancës së Trepalëshit, entuziazmi e arriti kulmin. Një ethe e vërtetë shqiptare shpërtheu, jo vetëm midis profesorëve dhe diplomatëve, por u përhap në të gjithë të gjallët në Vjenë, përfshirë edhe gratë dhe të gjithë përsërisnin pa ndërprerë: “Tzertz, Tzertz!” Andaj me të dëgjuar këtë emër, zemrat e buta nisin të rrahin më shpejt. Ndërkaq nervi i trurit të vogël nis të kërcejë sikur të ishte në ballo dhe shumë bukuroshe menduan me vete e thoshin: unë do të doja ta shihja vetë, se a mund të ketë një bir të zjarrtë të maleve të ashpra shqiptare, i cili pas gjysmë ore nuk do të gjunjëzohej para këmbëve të mia duke më kërkuar një puthje. Marrëzive të tilla që shqiptarët nuk puthin mund t’u besojnë vetëm profesorët e thinjur, kokëtullacë dhe të çalë. Ndërsa e gjithë Vjena duke vrapuar pas tij pyeste: a e keni parë “Tzertzin”, ndërsa në ndërkohë po përgatitej një ngjarje e madhe. Ekzistonte një dëshirë e përgjithshme, veçanërisht kohët e fundit, për të hapur Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Vjenës. Por ku të gjendej një profesor për këtë? Tani e kanë gjetur dhe ai do të jetë Gjergj Pekmezi. Por, fillimisht ai do të duhet të japë provimin për doktoratë në filozofi. Përgatitjet kanë filluar, dita e provimit është caktuar tashmë. Çështja është pak e vështirë, sepse nuk ka profesor që do ta dëgjonte atë duke u përgjigjur në gjuhën shqipe, në gjuhën moderne greke e kështu me radhë. Pjesa tjetër është dytësore. Pekmezi erdhi në provim në ditën e caktuar, por paraprakisht atë e çuan në sallën e profesorëve. Ai ishte i sigurt në vetvete dhe bile tha se do ta japë provimin në të dyja gjuhët kryesore, sepse ai i di që të dyja. Madje i di të gjitha provincializmat kryesore. Cilat dy gjuhë kryesore shqipe?, e pyesin ata me habi. “Epo, për hir të Zotit, ne kemi dy (dialekte) gjuhë shqipe”, dhe Pekmezi filloi t’u sqaronte atyre. “Njëra gjuhë flitet nga toskët, tjetra nga gegët. Toskët nuk i kuptojnë ata që e flasin gjuhën gege. Prandaj duhet ditur të dyja gjuhët, por edhe të gjitha krahinorizmat e tjera kryesore, përndryshe gjithçka do të jetë e pavlerë. Unë i di të gjitha, prandaj edhe dua ta jap provimin në çdo gjë”.

Kur profesorët i dëgjuan këto fjalë e shikuan njëri-tjetrin dhe pastaj filluan të djersiteshin. Për hir të Zotit, nëse është kështu, dhe të gjithë (shqiptarët) flasin ndryshe nga njëri-tjetri, atëherë nuk ekziston gjuha shqipe!

Vjenë, 1914

“Po të kisha ardhur me një kostum të bardhë si toskë”

Zoti Pekmezi e vërejti se si i kishte djersitur profesorët me njohuritë e tij dhe pastaj sqaroi se si ai dëshiron që ta japë provimin në alfabetin arab, latin, serb dhe grek. “Për çfarë është kjo?”, i thotë profesori i greqishtes, “pasi ju veçmas nuk keni nevojë për alfabetin serb (sllav). Mjafton të na e tregoni alfabetin shqip”. “Nuk mund të jetë ndryshe!”, thotë Pekmezi, “sepse gjuha shqipe akoma është në fazën e konsolidimit të alfabetit unik. Ka disa shenja, por alfabeti shqiptar nuk është akoma një alfabet i plotë. Kjo është arsyeja pse disa shqiptarë shkruajnë me shkronja arabe (turke), disa me shkronja serbe e disa me shkronja greke apo latine. Thënë drejt, asnjëri alfabet nuk është i përshtatshëm për gjuhën shqipe dhe ne nuk kemi çfarë të bëjmë kur nuk kemi ende një të tillë? Ne ende mund ta përdorim mirë serbishten!” Përsëri u habitën profesorët duke parë përreth, dhe pastaj zotërinjtë prapë i kapluan djersët. Ata njëzëri thanë: ”Ju nuk duhet të shkruani në atë gjuhë kurrsesi”. Pak më vonë filloi provimi. Provimi u mbajt në një sallë të madhe e cila ishte mbushur me studentë dhe profesorë. Pekmezi erdhi me një kostum të zi, me një gjerdan të bardhë dhe këpucë lëkure të lustruara. Ai ngriti kokën me krenari dhe kryqëzonte shikimet me të gjithë. Kur hyri në sallë, të gjithë u zhvendosën mënjanë dhe u përkulën para tij me respektin më të madh. Ndërsa atij i shkrepi në mendje: “Po sikur të mos më duhej të vishesha me të zeza, por të kisha ardhur me një kostum të bardhë si toskë, me një revole dhe me nja jatagan në brez dhe atëherë këta do të më shikonin dhe do të bërtisnin: ‘Ç’na gjeti belaja!’ Dhe është e sigurt se ata do të ikin prej salle”. Pasi u ul Gjergj Pekmez lexoi pjesë nga “Iliada” në greqishten moderne. Profesori i greqishtes ndërhynte shpeshherë, duke shpjeguar ndryshimet midis greqishtes së vjetër dhe greqishtes moderne. Ai e bënte këtë, në mënyrë që gjatë provimit të mund të dëgjohej zëri i profesorit, sepse kur t’i vinte radha e gjuhës shqipe, atëherë gjithçka do të heshtë. Kështu ishte. Kur u njoftua se vinte radha e gjuhës shqipe, të pranishmit ndaluan së marri frymë dhe menjëherë mbizotëroi një heshtje e vdekur. Nga fundi i sallës, mund të dëgjohej mjaft qartë se si kandidati Pekmez hapi një libër mesatar duke i kthyer faqet ngadalë. Ishte një broshurë në gjuhën shqipe, në të cilën ishin shtypur disa lutje katolike dhe disa fragmente nga “Shkrimi i Shenjtë”. Shkronjat në të ishin në latinisht. Në heshtjen më solemne, Pekmezi lexoi disa rreshta, por kur e mbaroi një faqe të plotë, ai ndaloi përnjëherë, ndërsa profesori pëshpëriti. “Ju lutem, ju lutem, vazhdoni edhe pak se këta tinguj janë të mbinatyrshëm, janë hyjnorë”. Kur lexoi gjysmën tjetër të faqes, Pekmezi filloi të interpretonte se cilat rrokje ishin theksuar. Pastaj, e ngriti grushtin lart dhe e veçoi gishtin e madh duke folur në greqishten moderne, në mënyrë që profesori ta kuptonte: “mashkullore!” Pastaj zgjati gishtin tregues dhe tha: “femërore!” Pastaj tundi kokën me forcë dhe tha: “nuk ka të tretë”. Profesori e shtriu qafën sa më shumë që mundi drejt kandidatit, në mënyrë që të kuptonte më mirë. Sepse mendonte se kjo ishte e rëndësishme. Kandidati i shpjegoi se në gjuhën shqipe emrat kanë vetëm gjini mashkullore dhe femërore dhe nuk kanë gjini asnjanëse. Profesori, i lumtur që e kuptoi mirë Gjergj Pekmezin, u shpjegoi në gjermanisht të pranishmëve: “Z. kandidati sapo e vërtetoi, se në gjuhën shqipe emrat kanë vetëm dy gjini: mashkullore dhe femërore dhe nuk kanë gjini asnjanëse”. Nga të gjitha anët dëgjohej: Ah! “Die Arnauten haben kein sachliches Geschlecht”. Ah, kush do ta priste këtë? Në tavolinën ku ishin ulur gazetarët, lapsat kërcisnin. Të gjithë ata lapsa shkruanin në shpejtësi: “Emrat në gjuhën shqipe nuk kanë gjini asnjanëse”. Habia dhe kënaqësia vetëm sa ishin zbehur pak, dhe profesori ishte gati të mbaronte provimin, kur Pekmezi tha: “Dua të them, se shqiptarët kanë poezi”. Profesori u ngrit nga karrigia dhe thirri: “Zotërinj, nuk kemi mbaruar ende. Kandidati thotë se shqiptarët kanë poezi”. “Kanë poezi!?” Pas një gjëmimi që u dëgjua nga të gjitha anët, kandidati ishte ngritur tashmë në këmbë dhe po e recitonte:

                Bajram-aga po pisket,

                Godet martina prej frengjije

                Prej frengjije martina po qëllon,

                Bajram aga po bërtet,

                nga frengjia duke qëllue.

Kur dëgjuan tingujt e fundit të recitimit, pati një duartrokitje të fortë, sikur në teatër. Britmat: bravo, bravo, bravo jehuan për një kohë të gjatë, shumë gjatë. Kur mjaftoi, dhe u teprua, kandidati bëri shenjë me dorë që të pranishmit të pushonin. Pastaj tha: “Shqiptarë kanë edhe këngë që i këndojnë...” Profesori grek, pothuajse jashtë vetes nga eksitimi, përsëriti në gjermanisht: “Arnautët kanë melodi që këndojnë”. Tashmë z. Pekmez kishte shpërthyer, sikur të ndodhej midis brigjeve të Matit dhe ia kishte marrë një kënge dashurie me zë të lartë:

             I ke dy molla përmbi shokë

             Mbi shokë, përmbi jelek....

Kur kandidati e mbaroi këngën, ekstaza filloi. Nuk kishte më duartrokitje. Ngazëllimi ishte aq i madh sa dëgjuesit dridheshin nga kënaqësia si thupra, duke e goditur njëri-tjetrin butë në qafë dhe putheshin mes veti.

Vetëm kandidati qëndronte me krenari në mes të asaj rrëmuje, duke menduar me vete: “Ne shqiptarët nuk e puthim njëri-tjetrin, ne nuk e lëpihemi! Provimi doli shkëlqyeshëm dhe në Vjenë do të flitet për një kohë të gjatë për shqiptarët”.

“Po sikur të mos më duhej të vishesha me të zeza, por të kisha ardhur me një kostum të bardhë si toskë, me një revole dhe me nja jatagan në brez dhe atëherë këta do të më shikonin dhe do të bërtisnin: ‘Ç’na gjeti belaja!’ Dhe është e sigurt se ata do të ikin prej salle”.

Gjergj Pekmezi e mori diplomën e profesorit të gjuhës shqipe në Universitetin e Vjenës. Dhe tani ai ua mëson këtë gjuhë oficerëve të ushtrisë austro-hungareze, të cilët u regjistruan për të ndjekur kursin tek ai. Profesor, Gjergji tashmë flet pak gjermanisht. E gjithë Vjena është në flakë për të. Por ai dinte si t’i rezistonte atyre shigjetave nga sytë e bukur femërorë që ishin gati ta qëllonin atë. Nuk vonoi dhe ai u martua me vajzën e një mbikëqyrësi banesash, e cila ishte e këndshme, por që gjithmonë qëndronte para tij modeste. Ai ia kujtonte asaj malet e tij të egra, ato dy mollë nën jelek, për të cilat ai këndoi në provim. Profesor Gjergj Pekmezi do të mund të martohej me një femër më të pasur, por kur bëhet fjalë për martesën e tij, ai gjithmonë u thotë serbëve: se Vuk Karaxhiqi u martua me vajzën e një mbikëqyrësi banesash dhe çka i pengoi kjo atij?!

Ai (Gjergji) nuk u bë ministër i Arsimit i Shqipërisë, por pozita e tij është më e lartë. Kur të mësojë gjermanisht, kur të fitojë reputacion si profesor në Universitetin e Vjenës, kur bashkatdhetarët e tij do t’i përzënë disa sundimtarë shqiptarë nga linja e Hohenzollernëve dhe të shtëpive të tjera sundimtare, kur trazirat e para do të fillojnë nga Esad Pasha, atëherë Gjergj Pekmezi ndoshta do të arrijë që nga pozita e profesorit të Katedrës së Gjuhës Shqipe të bëhet mbret i Shqipërisë. Atëherë vjenezët do të jenë ndër njerëzit më të lumtur në botë. Ata do të përqafohen e do  të puthen mes vete duke bërtitur në rrugë: “Tzertzja ynë u bë mbret, mbret!” Ata do të jenë të lumtur, të kënaqur, të dehur nga ekstaza, për aq kohë sa Tzertzja i tyre do të mund të qëndrojë në pozitën e mbretit të Shqipërisë.