Shtojca për Kulturë

Pritja e ankthshme e “Grave të çelikta”

Gratë ukrainase nuk janë lindur çelik. Janë shndërruar në çelik duke pritur mbrojtësit e atdheut të tyre; bijtë, burrat, vëllezërit... Lufta i ka forcuar, i ka shndërruar në çelik, shikimet, dhimbjen, madje edhe lotët e tyre

“Këta janë muajt më të tmerrshëm të jetës sime. Është e pamundur të harrohet apo të falet. Po të isha vetëm, me siguri se nuk do t’ia dilja. Ato më japin përkrahje morale dhe kjo është arma jonë e vetme që kemi si nëna për të luftuar për ta. Të gjitha e kemi pikëllimin e njëjtë. Pikëllimi ynë i një i vetmi”.

Nelia flet pa i zbuluar emocionet, pos në disa raste të rralla, dhe askush nuk donte t’ia zinte për të keq edhe po të qante gjithë ditën, duke e ditur se nëpër çfarë ka kaluar vitin e fundit.

Gratë me të cilat e ndanë një të vetmin pikëllim janë shoqet e saj nga organizata “Gratë e çelikta”, e cila u krijua pas rënies së Mariupolit dhe uzinës së tij emblematike: “Azovstal”.

Dorëzimi i saj, i urdhëruar nga kryetari Volodimir Zelenski për të parandaluar më shumë vdekje të kota, bëri që me qindra gra e burra t’i dorëzoheshin ushtrisë ruse. Qe 18 maji dhe që atëherë askush nuk e di se ku mbahen të burgosur.

Image
Tania është profesoreshë e anglishtes dhe ka gjetur punë në Lviv. E bija e saj, Arina dhe ajo jetojnë me rrogën e saj, ndihmë nga shteti, në një fshat në rrethinë, ku kanë gjetur strehim, pasi ikën nga shtëpia e tyre në Kramatorsk

Natalia Zaricka, një nga themelueset e grupit, thotë se disa herë u kërkuan që të heshtnin, që të mos i përkeqësonin gjërat, por “ne nuk deshëm të heshtnim që kështu t’i harronin”. Burri i saj u lirua nga fundi i shtatorit me katër komandantë të tjerë, si dhe 210 mbrojtës të uzinës së çelikut.

Numrat janë shumë të paqartë, porse deri më sot, nja 1800 robër ukrainas lufte janë liruar. Lirimi i të gjithëve që janë në duart e rusëve është synimi i të gjitha veprimeve dhe mobilizimeve dhe organizatës.

Mes themelueseve është edhe një tjetër Natalia, e cila me qejf nuk e tregon emrin e të birit të saj të vetëm, 30 vjeç, i mbajtur në burg diku në Rusi. Takohem me të në Kiev. Takohem edhe me Sofinë, e cila lufton për ta shpëtuar vëllain dhe me Nelian, që e ka të birin e burgosur. Edhe ato kanë shumë kujdes që të mos zbulojnë emrat dhe fotografitë, ngase, sipas rrëfimeve të të liruarve, rusët i keqtrajtojnë burrat që i identifikojnë nëpërmjet deklaratave të familjarëve të tyre. Dhe për t’ua shkelur moralin të burgosurve, që nuk e kanë as idenë se çfarë po ngjet me luftën, u thonë se “të tyret” i kanë harruar dhe se askush nuk e çan kokën për ta.

Image
Pankartë në fasadën e një ministrie në Kiev në kujtim të mbrojtësve të “Azovstalit”

Në Lviv, Tania hamendet nëse duhet të ma tregojë emrin e bashkëshortit të saj. Në fund vendos të ma thotë, duke besuar se s’ka pse t’i bëjë zarar.

“Burri im quhet Nikita”, më thotë, nën përcjelljen e vëmendshme të së bijës Arina, 12 vjeçe, e cila e përcjell gjithkund. “Është burrë i fortë dhe jam e sigurt se do të mbijetojë. E sigurt. Besoj se e ndien përkrahjen time, se e ndien dashurinë time dhe dashurinë e vajzës sonë dhe se kjo i ndihmon të mbahet i fortë, të besojë në të ardhmen, në një të ardhme të mirë. Jam e sigurt se do të takohemi sërish. Besoj se ai e di. E di se po përpiqem ta nxjerri nga ai ferr”.

Image
Ekspozita e fotografive në sheshin “Sofia” të Kievit në nderim të ushtarëve që vdiqën në mbrojtje të uzinës së çelikut, “Azovstal”

Edhe burrin e Tanias e zunë rob në Mariupol, ku e kishin dërguar si pjesëtar të njësisë speciale. Rusët e ndaluan së bashku me dy kolegë, përderisa u ndihmonin grupeve të civilëve që të dilnin nga një qytet prej të cilit ishte thuajse e pamundur të ikej. Tania, Arina dhe pjesa tjetër e familjes jetonin në Kramatorsk, në rajonin e Donbasit. Depërtimi i rusëve dhe bombardimet e rënda i detyruan të iknin dhe të kërkonin strehim, fillimisht në qytetet fqinje, e më pas, me ashpërsimin e luftës, në qytete më të largëta. Tash jetojnë të strehuara në një fshat të vogël afër Lvivit. Ajo nuk qe pjesë e grupit nismëtar të “Grave të çelikta”.

Image
Fotografi e mbrojtësve të vdekur të “Azovstalit”

“Në maj shkova me gratë e tjera në Turqi”, më tregon Natalia Kravcova. “Shkuam për të kërkuar ndihmë që t’i nxirrnin djemtë tanë nga Mariupoli dhe “Azovstali”, ngase situata qe tepër e nderë dhe patjetër duhej nxjerrë prej aty. Më pas nisëm të merrnim shumë porosi me Messenger dhe nëna e vajza që ballafaqoheshin me situatën e njëjtë na kontaktuan”.

Të gjitha gratë e dinin se duheshin folur për këtë që po ndodhte, por jo secila për vete, por të gjitha së bashku, sepse vetëm të bashkuara do të ishin në gjendje t’i shpëtonin ata që ishin ende gjallë dhe t’i mblidhnin kufomat e atyre që kishin vdekur duke luftuar në Mariupol dhe në mbrojtje të Ukrainës. Pas pushtimit të qytetit nga rusët dhe dorëzimit të luftëtarëve ukrainas, këto gra e krijuan një organizatë të vogël. Qe 30 maji, kurse sot organizata ka mbi 1300 gra. Shumica janë familjare të mbrojtëseve të “Azovstalit”, por ka disa muaj që janë përfshirë edhe gra të të marrëve rob dhe të të zhdukurve nga trevat e tjera të shtetit.

Image
Pankartë në fasadën e një ndërtese në sheshin “Sofia”, në kujtim të mbrojtësve të qytetit të Mariupolit

“Më vonë më nuk pati porosi”

Po që se Spanja e kishte Gernikën, e BRSS-ja Stalingradin, Ukraina e ka Mariupolin dhe uzinën e çelikut. Mbrojtja e këtij qyteti, ende të paçliruar, e mbajti shtetin në zgrip dhe e kaliti frymën e “Grave të çelikta”.

Herën e fundit në të cilën Natalia foli me të birin qe nga fillimi i marsit, nga fillimi i betejës për Mariupolin.

Atëherë nuk mund të flisnim me telefon. Më pas, gjatë gjithë pranverës, mars, prill, maj, mora shumë porosi në Messenger, ku thoshte “të përqafoj”, “gjithçka është në rregull”, “të dua”. Më 28 maj më shkroi: “Dolëm nga ‘Azovstali’”. Më thoshte se nuk e dinte se çfarë do të ndodhte me ta, porse e kishte shpresën se do të më takonte së shpejti. Pas kësaj, më nuk pati porosi.

Image
Çifti bashkëshortor Taranin, Vitali e Alla, vdiqën në mbrojtje të uzinës së çelikut “Azovstal”

Nëpërmjet Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq e kuptova se e kishin zënë rob. I biri i saj gjendet edhe në listat e të burgosurve që mban Agjencia e Informimit e Ukrainës, si dhe në listën e rusëve. Kjo është krejt çfarë di.

“Rasti im është i komplikuar”, më tregon Sofia. “Është shumë e rëndë, ngase Federata Ruse nuk e njeh vëllain tim si të burgosur, emri i tij nuk gjendet në listat ruse, madje as në ato të atyre që kanë dalë nga ‘Azovstali’ pas dorëzimit. Por gjendet në listën e Agjencisë ukrainase, edhe pse Rusia nuk e konfirmon. Fakti se nuk është në listat ruse do të thotë se nuk garantojnë të jetë gjallë, pra që nuk mbajnë as përgjegjësinë për ta mbajtur gjallë apo për ta përfshirë në një listë për këmbimin e robërve”.

Image
Në sheshin “Shën Mikel” të Kievit, janë vendosur disa nga tanket e zaptuara prej rusëve që u tërhoqën nga qyteti pasi hoqën dorë nga pushtimi i qytetit

Vëllai i Sofisë, një djalosh 24 vjeç, ushtar profesionist, kishte folur me të për herë të fundit më 18 maj. Prej asaj bisede, ajo e di që ai kishte dalë nga uzina, ngase i tha se tashmë ishte në burgun e Olenivkas.

“Në atë bisedën e fundit mes nesh, vëllai më tha se ishte mirë, por natyrisht, çfarë tjetër ka mundur të më thoshte. Më tregoi se më në fund, pas tre muajsh, kishte mundur të bënte dush dhe se kishin pak ushqim”, thotë Sofia.

Emri i Olenivkas, një burg në Donjetskun e okupuar nga rusët, u shkakton ankthe krejt grave. Olenivkan e bombarduan më 29 korrik. Rusët e ukrainasit akuzuan njëri-tjetrin për sulmin në të cilin vdiqën së paku 54 të burgosur. Rusia nuk i ktheu kufomat deri nga mesi i janarit dhe për këtë shkak, gjysmë viti më vonë, ende janë duke i bërë provat e ADN-së për t’ua zbuluar identitetin. Ukraina beson se pjesa më e madhe i takojnë regjimentit të Azovit, sepse thotë se disa ditë para sulmit, rusët i bartën pjesëtarët e tij në një zonë të ndarë të burgut, mu atë pjesë që u bombardua.

Image
Sheshi “Maidan” me engjëllin, vendi ku nisi një revolucion që shërbeu si shkas për pushimin e Donbasit si dhe aneksimin e Krimesë nga Rusia më 2014

Robërit e liruar thonë se janë torturuar dhe se të ashtuquajturit “azovistë” janë torturuar më së shumti nga rusët. Thonë se pasi u dorëzuan, i detyruan të zhvisheshin në kërkim të tatuazheve që do të mund t’i lidhnin për përkatësinë e tyre neonaziste. Dhe, regjimenti polemik Azov njihet për nga fantazma naziste, të cilën Moska e ka ekspozuar vazhdimisht në propagandën e vet. Dhe po, është e vërtetë se kur u themelua si Batalioni Azov më 2014 gjatë luftës kur Rusia i pushtoi rajonet e Donjetskut dhe Luhanskut, ky ishte një grup paramilitar dhe pjesëtarët e tij ishin simpatizues të partive të ekstremit të djathtë. Por gjithashtu është e vërtetë se më vonë e përfshin në kuadër të Mbrojtjes Kombëtare, u shndërrua në Regjimentin Azov dhe kaloi nëpër një proces. E megjithatë e ruajti një runë “Wolfsangel” (përdorur nga divizionet e SS-it) si stemë.

Rusia kurrë nuk i bëri publik emrat e atyre që vdiqën në Olenivka. E panjohura u sqarua, edhe pse pjesërisht, dy muaj më vonë, kur nga fundi i shtatorit u liruan pesë komandantët e mbrojtësve të “Azovstalit”.

Image
Fotografitë e ushtarëve të vdekur në “Azovstal”

Natalias, njëri nga ta, i tregoi se e kishte djalin gjallë. Që nuk kishte qenë njëri nga të vdekurit, shkaktuar nga sulmi, është lajmi i fundit që ka për të. Nuk e kuptoi kurrë se në cilin nga 25 burgjet në territorin rus dhe në Krime, në të cilat besohet se mbahen robërit, gjendet djali i saj.

Edha Tania, gjithashtu, krejt çfarë di për Nikitën është atë që ia kanë thënë komandantët.

“Ndonjëherë ndiej frikë të tmerrshme se nuk do ta shoh kurrë më, se nuk do t’ia dëgjoj më zërin; por më pas i them vetes, ai është në gjendje shumë më të keqe se unë dhe se nuk mund të tregohem e dobët, të qaj apo të marr vendime të gabuara që do të mund t’i bënin dëm”, thonë Tania, tek përpiqet t’i ndalë lotët.

Image
Tatuazhi në parakrahun e Nelias, me një fanar, që kishte qenë nofka e të birit të saj, dhe emri i tij, Igor

Askush nuk mundi t’i jepte asnjë informatë Sofisë për vëllain, për shkak se nuk ishte pjesëtar i regjimenteve të komandantëve të liruar. Ka 9 muaj që nuk di ama bash asnjë gjë për të.

Kur Sofia m’i tregon fotografitë e saj me vëllain si të vegjël, ndodh një çast hutimi kur për të thotë se e ka kushëri. Atëherë e kuptoj në të vërtetë se atë e ka kushëri. Prindërit e tij, tregon, janë prorusë dhe e lëçitën kur kuptuan se u paraqit në Ushtrinë e Ukrainës. Familja e saj vendosi ta përvetësonte duke e shndërruar në djalë e vëlla. “Është mjaft normale në Luhansk, prej nga jemi ne, që familjet të ndaheshin ngase disa e përkrahnin Rusinë e të tjerët Ukrainën”.

Image
Byzylykët që i mbajnë “Gratë e çelikta” në luftën e tyre për t’i liruar ushtarët ukrainas, robër lufte të Rusisë

“Më 1 prill ma vranë djalin”

Nelia ofshan kur nis ta tregojë rrëfimin e saj. Edhe atë komandantët e kthjelluan kur i treguan se i biri i saj i vogël kishte qenë në ndërtesën e bombarduar, por që kishte mbijetuar.

“Do të nisi nga fillimi”, më thotë. “Jam nga Mariupoli dhe jam nënë e dy fëmijëve. I madhi i mbushi 29 vjet më 23 shkurt; kurse i vogli u bë 24 vjeç më 2 prill. Më 24 shkurt, kur nisi pushtimi masiv, i vogli më erdhi në zyrë dhe më tha ‘nënë, lufta po nis dhe dua të jem me vëllain tim dhe të shërbej në të njëjtin regjiment, ashtu që të luftojmë së bashku për mbrojtjen e atdheut’”.

Image
Nelia, Sofia dhe Natalia, “Gratë e çelikta” që luftojnë për lirimin nga burgu rus të të bijve dhe vëllait

Dhe mu këtë e bënë, djemtë shkuan bashkë në luftë, kurse Nelia e braktisi Mariupolin më 16 mars, për të gjetur strehim te motra në Kiev. “Mbaja kontaktin me ta me Messenger, derisa më 1 prill, ma vranë djalin e madh”.

E thotë qetë në mesin e numërimit të ngjarjeve dhe shënimeve, me shikim të humbur, tek flet sikur të ishte robot. Por që nga ky çast, nis të thyhet, i ndërron zëri kur nis të tregojë se atëherë kishte kuptuar se djemtë ishin mes mbrojtësve të “Azovstalit” dhe se i vogli ishte i ngujuar aty.

“E njoh shumë mirë uzinën e ‘Azovstalit’ sepse punoja aty”, thotë tek përpiqet ta mbajë qetësinë, me sytë e skuqur nga lotët. “Para se ushtarët ta braktisnin uzinën e çelikut, e kaloja ditën duke i shikuar emisionet e drejtpërdrejta që transmetoheshin në internet dhe aty e pashë se si ma vrisnin djalin”.

Image
Nelia e mban në telefon fotografinë e të birit Igor, i vrarë në uzinën e çelikut “Azovstal”, pas bombardimit rus

Nelia shpërthen në vaj, pa dënesë, tek i fshinte lotët që nuk i linte t’i rridhnin faqeve. “E bombarduan vendin ku ishte djali im i madhi. Më pas i vogli ma nisi një porosi ku më thoshte se do të vdisnin krejt o prej bombave, o prej urisë, por se do të vdisnin krejt si qentë”.

Më 16 maj, një ditë para se të dilnin nga “Azovstali”, Nelia mori edhe një porosi nga djali që i thoshte që të mos mërzitej se gjithçka ishte në rregull. I tërhiqte vëmendjen se nuk do të kishte komunikim me të, por që të kishte besim në të.

Në njërin nga këmbimet që ndodhën, Nelia e mori trupin e djalin të vdekur dhe mundi ta varroste, por shumë gra të tjera nuk morën kufoma, sepse s’kishte çfarë t’u dorëzohej. Rusët kishin hedhur një bombë 5-tonëshe mbi bunkerin numër 8, vendin që ishte aftësuar si spital dhe ku mbaheshin dy frigoriferët e mëdhenj të uzinës për t’i ruajtur kufomat. Nuk mbeti gjë prej tyre.

Image
Fotografi e Sofisë dhe vëllait të saj, rob lufte për të cilin rusët e mohojnë se është i burgosur

Në kujtim të të birit dhe të të vdekurve të tjerë të “Azovstalit”, një ditë verën e shkuar, Nelia e vendosi një flamur të vogël te gjelbërimi i Sheshit Maidan në Kiev. Kështu e nisi një traditë, përcjellë nga shumë të tjerë, për t’i nderuar të rënët në të gjithë Ukrainën. Sot oazat e Maidanit valojnë me qindra flamuj kaltër/verdh.

“Mami, a do të vdesim?”

Alarmi për sulm kundërajror na befason Tanian, Arinan dhe mua, të ulura në një vend në qendër të Lvivit. Nëna përpiqet që të mos e tregojë asnjë shqetësim për të mos e trazuar vajzën.

“Përpiqem ta mbaj qetësinë, gjithmonë them se gjërat do të rregullohen, se nuk duhet të frikësohet, se nëna dhe gjyshërit i ka pranë, se jemi të gjithë së bashku dhe se nuk është me rëndësi se çfarë ndodh, gjithçka do të jetë në rregull”. “E megjithatë”, më thotë me pikëllim, “pas muajve të tmerrshëm të bombardimeve, të cilat i përjetuam në Kramatorsk, Arina përnatë më pyet nëse do të vdesim. Ajo tashmë ka harruar se çfarë kishim vuajtur në luftën e 2014-s, por tash i frikësohet vdekjes dhe përnatë më pyet: ‘Mami, a do të vdesim?’”

Image
Nelia e Sofia

Në Kiev, kujtimi për mbrojtësit e Mariupolit është i kudondodhshëm. Pankarta të mëdha të vendosura mbi fasadat e ministrive kërkojnë lirimin e robërve të luftës dhe pavarësisht bombardimeve periodike, në Sheshin Sofia, është instaluar një ekspozitë me fotografi të mëdha të të gjithë të vdekurve në betejë. Nga njëra fotografi, Alla të shikon drejtpërdrejt me sytë e kaltër, shumë të bukur. Afrohem dhe nuk e vërej se mbiemri i saj, Taranina, është i njëjti me të njeriut në foton bri. Një vajzë që bart lule për t’i vendosur afër portretit të një shoku, më tregon se ishin çift ushtarakësh që kishin vdekur në “Azovstal”. Pas pak e dëgjoj rrëfimin për ta nga nëna e Vitalit. Ai vdiq gjatë bombardimit të bunkerit të spitalit. Ishte plagosur disa ditë më herët dhe po rikuperohej. Alla, e cila merrte pjesë në operacione në një zonë tjetër të uzinës gjigante, kishte një muaj e gjysmë që nuk e kishte parë, por kishte marrë leje për ta vizituar në spital. Prej aty, së bashku, kishin biseduar me nënën e Vitalit: gjërat shkonin mirë. Disa ditë më vonë, më 15 prill, Vitali vdiq. Tashmë e vejë, Alla vazhdoi luftën. E vranë më 8 maj. Në shtëpi, i priste një djalosh katërvjeçar.

Image
Një fotografi e përcjellë nga tri fjalë: “Është biri im”. Fotografinë ma dërgoi Nelia. Aty është me djalin e saj të vogël, të liruar nga një burg rus pas 8 muajsh

Thuajse asnjëra nga fotot e ekspozuara nuk e tregon ndonjë ushtar luftarak. Shumica janë burra e gra të veshur në uniformë, por që janë fotografuar me qen e mace ngrykë, apo duke ngrënë akullore me reçel përmbi… E megjithatë, shumica syresh ishin pjesëtarë të regjimentit të anatemuar Azov, që duke e pasur bazën në Mariupol, qe njëri nga mbrojtësit e tij. Prandaj shumë nga pjesëtarët e regjimentit ishin thjesht qytetarë që u futën aty për ta luftuar betejën.

Për Nelian, ky është regjimenti në të cilin luftuan djemtë e saj. Edhe pse runat qëllimisht lidhen për lëvizje supremaciste, edhe ajo i përdori runat për ta bërë tatuazh emrin e të birit, Igor. Dhe ngjitur me emrin, e vendosi edhe një fanar, për shkak se kjo ishte nofka e tij: Igor, Fanari.

Të vetmin qëllim Nelia e ka lirimin e djalit që i ka mbetur si dhe të të burgosurve të tjerë, apo së paku që të sigurohen se do të trajtohen si duhet dhe se do t’u jepet ndonjë informacion për ta. Nuk dinë gjë, nuk i dinë as emrat e atyre që do të kthehen në shtëpi kurdo që vendoset që të lirohen apo edhe të këmbehen.

Image
Tania

“Është shumë rëndë”, thotë Natalia, “e humb shpresën kur nis të shohësh pamjet dhe të intervistuarit dhe e vëren se aty nuk gjendet emri i tij. Janë çaste shumë të vështira, të shkakton dhimbje të madhe... por më pas i sheh familjet e të të shpëtuarve nga burgjet, i sheh nënat, gratë e tyre... dhe ndien gëzim për ta, për shkak se ato, më në fund, mund t’i përqafojnë”.

“Është shumë rëndë kur e sheh se Nikita nuk është në mesin e të liruarve”, thotë Tania, tek i dridhet zëri. “Sa herë dalin pamjet, i shikoj me miliona herë në përpjekje për t’ia gjetur fytyrën... por unë e di, jam e sigurt se herën e ardhshme do të jetë aty, se i radhës do jetë rasti ynë dhe se do ta takojmë”.

Arina nuk ia heq sytë nënës, edhe pse duket e hutuar e përcjellë me vëmendje se çfarë flet. E di se babanë e ka të burgosur nga rusët.

“Një mik nga Kramatorsk më pyeti po qe se donim diçka nga shtëpia jonë dhe të vetmen gjë që e tha Arina qe: ‘një fotografi të babit’. Tash e mban atë foto dhe çdo natë e puth dhe më pyet: ‘Kur do të na kthehet?’. Nuk e di se përse Arina duhet ta puthë fotografinë e babait, në vend se ta puthte vetë babanë”.

“Kur ndodhin lirimet dhe aty nuk e gjej vëllain, hidhërohem”, më thotë me sinqeritet Sofia. “Është shumë rëndë, është dhimbje e tmerrshme. Herën e shkuar ndjeva një lloj lakmie kur i pashë nënat e motrat të cilave iu kthyen të dashurit, ndërsa unë duhet të vazhdoj të pres. Në këtë këmbimin e fundit e njoha njërin nga ta. Ishte aq i dërrmuar, asht e lëkurë... dukej shumë keq... aq i rraskapitur, me aq shumë trauma e probleme shëndetësore dhe mendore... me kaloi lakmia. Kur e sheh nëpër krejt çfarë kanë kaluar, nuk mund të dëshiroj që ta kthejnë atë prapa në burg e të ma lirojnë vëllain. Nuk mund ta kërkoj këtë, vetëm mund të vazhdoj të pres. Për këtë edhe i mënjanoj mendimet dhe dhimbjen dhe gëzohem për ta. Do të vazhdoj të pres që të më kthehet vëllai”.

Image
Flamujt e vegjël të vendosur në gjelbërimin e Sheshit Maidan, në kujtim të ushtarëve ukrainas të vdekur në luftë. Nelia e nisi traditën duke e vendosur një flamur me emrin e të birit Igor, të vrarë në “Azovstal”

Tek e thotë këtë të fundit, Nelia e qorton dhe i thotë se duhet thënë “të më lirohet” e jo “të më kthehet”.

“E njëjta gjë është”, i përgjigjet Sofia. “Jo”, i thotë Nelia. “Ai nuk mund të kthehet; ti nuk po pret që ai të kthehet për shkak se kjo varet nga vullneti i tij, ti po pret që atë ta lirojnë”, përfundon, thuajse njëmend është krejt çelik.

Por gratë ukrainase nuk janë lindur çelik. Janë shndërruar në çelik duke pritur mbrojtësit e atdheut të tyre; bijtë, burrat, vëllezërit... Lufta i ka forcuar, i ka shndërruar në çelik, shikimet, dhimbjen, madje edhe lotët e tyre.

PS: Disa javë pasi u ktheva nga Ukraina, Nelia më nisi në WhatsApp një fotografi, ku shihet duke e përqafuar një djalosh, përcjellë nga tri fjalë që nuk i kuptoj, por që hamendësoj që do të thonë: ”Është djali im”.

Image
Sheshi “Sofia”, ekspozita e fotografive të të vdekurve në mbrojtje të Mariupolit dhe “Azovstalit”

Ana Expósito Valle është gazetare dhe shkrimtare nga Galicia e Spanjës. Ndër të tjera ka raportuar nga lufta në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë. Në dhjetorin e vitit 2021, Botimet KOHA botoi në shqip librin e saj “Mirupafshim në Kosovë!”, i cili u përurua në edicionin e 14-të të ceremonisë së shpërblimeve për gazetari dhe letërsi, “Rexhai Surroi”, më 22 dhjetor 2021, në të cilën mori pjesë edhe vetë Ana Expósito Valle. Reportazhi “Pritja e ankthshme e ‘Grave të çelikta’” u botua për herë të parë në mediumin spanjoll “Público”. Në shqip – përkthyer prej spanjishtes nga Flaka Surroi – botohet ekskluzivisht në KOHË, me lejen e autores.