Njëra ndër ngjarjet e rëndësishme por edhe e fundit sa i përket Perandorisë Osmane në Kosovë por edhe në Prishtinën e fillimit të shekullit XX është vizita e sulltanit dhe qëndrimi i tij njëditor në kryeqendrën e Kosovës. Edhe pse ishte paralajmëruar se sulltan Mehmet Reshati V do të qëndronte në Prishtinë tri ditë radhazi, ai qëndroi vetëm një ditë, bile as një paradite të plotë! Largimi i befasishëm nga kryeqendra e Kosovës iu ra në sy të gjithëve, prandaj edhe komentet ishin të ndryshme
Në prag të Luftës së Parë Ballkanike, tanimë u bë e qartë se qëllimi i Turqve të Rinj ishte thjesht mbajtja e pushtetit, por në mungesë të rrugëdaljeve të tjera, ata mund të mbështeteshin vetëm në forcat e ushtrisë dhe të xhandarmërisë, pasi dyshonin në suksesin eventual në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që në Vilajetin e Kosovës ishin paraparë të mbaheshin në pranverën e vitit 1912.
“Çështja shqiptare është më e rrezikshmja në Ballkan. Nëse nuk arrihet marrëveshje me shqiptarët, atëherë do të ketë pasoja dhe komplikime të mëdha. Unë habitem se pse Turqit e Rinj nuk e shohin këtë çështje dhe më në fund ta marrin qëndrimin e duhur në raport me të”, shprehej ambasadori gjerman Mareshal në Stamboll.
Njëra ndër ngjarjet e rëndësishme por edhe e fundit sa i përket Perandorisë Osmane, në Kosovë por edhe në Prishtinën e fillimit të shekullit të XX është vizita e sulltanit dhe qëndrimi i tij njëditor në kryeqendrën e Kosovës. I tërë materiali i mëposhtëm që lidhet me këtë vizitë është mbështetur mbi burimet diplomatike të kohës.
“Sulltani ishte nisur prej Shkupit më 15 qershor (1911 v.j.) në orën tetë të mëngjesit dhe mbërriti në Prishtinë në orën 1 e gjysmë pasdite”, ka lajmëruar konsulli austro-hungarez Tahy, që besohet se atë ditë kishte ardhur enkas nga Mitrovica, pasi shërbente atje.

“Sulltan Mehmet Reshati V arriti në Prishtinë bashkë me dy bijtë e tij, vezirin e madh, ministrin e Punëve të Brendshme, Arsimit dhe Mbrojtjes. Megjithatë, gjatë rrugës prej Shkupit në Prishtinë, mirëseardhje sulltanit i kishin shprehur edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal në Ferizaj, bashkë me figurat fetare të këtij qyteti. Mytessarifi lokal me rreth tridhjetë zyrtarë, rreth njëzet muhamedanë, një serb dhe një katolik e përshëndetën sulltanin në stacionin e Ferizajt”, ka raportuar konsulli austro-hungarez Prochaska, ndonëse në Prishtinë vazhdonin përgatitjet për pritjen e sulltanit dhe me përgatitjet udhëhiqte pushteti ushtarak bashkë me atë civil.
Përveç ngritjes së portave të stolisura nga ana e zyrtarëve poshtë së cilave do të kalonte qerrja e sulltanit, dy të tilla në Prishtinë i ngritën komuna e hebrenjve dhe ajo serbe. Me porosi të konsullit të Serbisë, Milan Rakiq mbi portën e zbukuruar të serbëve, mirëseardhja e sulltanit duhej të shkruhej në gjuhën turke dhe serbe.
Prishtinasit e ftohtë ndaj sulltanit
Derisa kolona e sulltanit eci prej stacionit hekurudhor deri te konaku apo selia e pushtetit në Prishtinë, herë pas here rrugës shfaqeshin forcat e ushtrisë, ndërsa nxënësit e shkollave, përfaqësuesit e organizatave të ndryshme dhe populli që kishte dalë në pritje, ishin pozicionuar në hyrje të Prishtinës. Sipas urdhrit të pushtetit, rrugës nëpër të cilën sulltani do të hynte në Prishtinë, nuk guxonte të gjendej askush pos ushtrisë, prandaj kur kolona kaloi rrugëve prishtinase, sulltani u përshëndet vetëm prej forcave ushtarake. Përveç prishtinasve, ushtrisë dhe delegacioneve zyrtare, në pritjen e sulltanit morën pjesë edhe banorët e fshatrave përreth. Prej Drenicës në pritje të sulltanit në Prishtinë zbritën rreth 4000 shqiptarë të udhëhequr nga Hasan Prishtina, nga Anamorava numri i shqiptarëve dhe i serbëve ishte mjaft i madh. Më pak shqiptarë erdhën prej Llapit dhe pas përfundimit të ceremonisë zyrtare, ata u shpërndanë menjëherë. Prizreni, Peja dhe Gjakova nuk ishin të përfaqësuar prej askujt. Pasi sulltani arriti dhe u vendos në selinë e konakut të Prishtinës, rreth tij u tubuan grupe njerëzisht që brohorisnin dhe pas thirrjeve të tyre, sulltani u paraqit në ballkonin e ndërtesës. Gjithashtu rreth ndërtesës së konakut u tubuan edhe përfaqësuesit e serbëve, dhe gjatë tërë paradites nxënësit e Seminarit Teologjik të Prizrenit, kënduan këngë turke në nderim të sulltanit. Kur dita e parë e vizitës u mbyll, pasi një pjesë e qytetit ishte e ndriçuar, disa grupe të njerëzve qëndruan jashtë në rrugë deri në orët e vona.

Edhe pse ishte paralajmëruar se sulltan Mehmet Reshati V do të qëndronte në Prishtinë tri ditë radhazi, ai qëndroi vetëm një ditë, bile as një paradite të plotë! Largimi i befasishëm nga kryeqendra e Kosovës iu ra në sy të gjithëve, prandaj edhe komentet ishin të ndryshme.
Si pikë kryesore e programit gjatë qëndrimit të sulltanit në Prishtinë, ishte manifestimi fetaro-politik te varri i Sulltan Muratit dhe aty nuk kishte kurrfarë ndryshimi.
“Të premten më 16 qershor në orën 11 e 30 minuta sulltani u nis drejt Tyrbes së Sulltan Muratit ku do të mbahet selamllëku dhe parada ushtarake, ndërsa pasdite ai do të kthehet në Prishtinë dhe më pas do të udhëtojë për në Selanik”, pra ky njoftim u dha qysh para nisjes së sulltanit drejt varrit të sulltan Muratit. “Sulltani doli prej Prishtinës dhe u nis drejt varrit të sulltan Muratit, i përcjellë nga suita e tij dhe personalitetet e njohura, ai kaloi nëpër rrugët e Prishtinës dhe ato ishin përplot me ushtarë, pasi pushteti ua kishte ndaluar prezencën qytetarëve civilë. Pas vizitës që sulltani ia bëri varrit të sulltan Muratit, ai e udhëhoqi lutjen e përbashkët. Në lutje morën pjesë shqiptarët dhe turqit, por numri i tyre nuk mund të përcaktohej. Megjithatë, sipas dëshmive të qytetarëve, në lutjen e organizuar te varri i sulltan Muratit ishin 25.000 – 30.000 njerëz. Grupin më të madh të pjesëmarrësve aty e përbënin shqiptarët e Gjilanit. Megjithatë, gjilanasit nuk kishin ardhur këtu të shtyrë nga ndjenja e patriotizmit, por ata ishin kërcënuar në mënyra të ndryshme nga vetë kajmekami i Gjilanit që ishte një fanatik boshnjak, bile ky pushtetar lavdërohej publikisht në Prishtinë me të arriturat e realizuara”.

“Shqiptarët e nënshtruar ndaj ndikimeve të jashtme”
Pas faljes së namazit, fjalën e mori veziri i madh, i cili tha se “sulltani kishte ardhur midis shqiptarëve që të njihej me rrethanat nën të cilat jetonin ata dhe se në Stamboll kishin arritur lajme jo të mira për shqiptarët të cilat i paraqitnin ata si kryengritës, se ata nuk i binden pushtetit dhe ata u janë nënshtruar ndikimeve të jashtme. Duke ardhur në Kosovë, sulltani ishte bindur se këto lajme ishin të pabaza, pasi vetëm një pjesë e vogël e shqiptarëve u janë nënshtruar ndikimeve të jashtme dhe ata me të vërtetë e kishin harruar atdheun. Prandaj si dëshmi e të qenit të kënaqur me shqiptarët, sulltani e ka vendosur që t’i amnistojë të gjithë fajtorët politikë që ndodhen këtu por edhe jashtë vendit. Më pastaj veziri i madh e lexoi fermanin, duke bërë të njohur se sulltani i kishte dhuruar nga fondi i tij 30 000 lira për shuarjen e gjakmarrjes midis shqiptarëve dhe nëse kjo ndihmë nuk do të mjaftonte, atëherë qeveria do të ndihmonte nga arka shtetërore”.
“‘Shqiptarët janë diamanti më i çmuar në kurorën osmane!’, ua kujtoi veziri i madh të pranishmëve, fjalët e mësipërme që sulltani vitin e kaluar i kishte thënë publikisht në parlament, se atdheu i sheh shqiptarët si bijtë më të mirë dhe sytë e atdheut janë të kthyer kah ata. Mu për këtë, shqiptarët duhet të ndalojnë të vriten mes vete, të jetojnë në harmoni dhe të jenë të fuqishëm e të gatshëm për t’u vendosur në mbrojtje të atdheut. Pas vezirit të madh, fjalën e mori Omer Naxhi (prijësi i Turqve të Rinj). Fjalimi i tij ishte i zjarrtë me mesazhin kryesor se ‘ky vend është fituar me gjak dhe Kosovën mund ta lëshojmë prej dore vetëm pasi të derdhet një det me gjak’. Fjalimet në gjuhën shqipe i përkthenin disa hoxhallarë. Më pastaj sulltanit iu afrua lista me emrat e mbi 1000 e shqiptarëve që duhej të dekoroheshin. Tutje vazhdoi emërimi i komisionerëve në tërë Vilajetin e Kosovës, që do t’i regjistronin të gjithë shqiptarët që kishin marrë pjesë në luftërat kundër Serbisë në vitet 1876-1878. Të gjithë ata shqiptarë do të dekoroheshin për guximin dhe virtytet e tyre luftarake të manifestuara në këto luftëra.
Në fund, pasi Tyrbja e Sulltan Muratit është e lidhur me linjë telegrafike me Prishtinën, telegrame u shpërndanë në katër anët e botës, duke bërë të njohur se sulltani duke pasur rolin e kalifit, e kishte udhëhequr namazin mbi varrin e sulltan Muratit në prezencë të një mase të madhe të myslimanëve dhe më pas ai ishte kthyer në Prishtinë. Edhe pse para arritjes në Prishtinës u fol shumë se për nder të tij këtu do të organizohej një paradë ushtarake, megjithatë ajo u anulua për shkak se një numër i madh i ushtarëve ishte angazhuar në ruajtjen e rrugëve nga do të kalonte sulltani. Megjithatë, duhet potencuar se manifestimi te varri i sulltan Muratit, ka ndikuar deri diku ‘që racat e ndryshme myslimane të ndihen afër njëra-tjetrës’”, potencohej në njërin prej raporteve diplomatike duke vazhduar më tej se “është e vështirë të paramendohet se prej kësaj vizite do të dalë diçka pozitive dhe të priten rezultate afatgjata, të cilat do të ishin të dobishme për politikën dhe pushtetin turk në këto krahina. Deri tani shqiptarët kanë qenë myslimanë të mirë, por feja nuk ka qenë kurrfarë pengese që ata të ngrihen kundër sulltanit dhe pushtetit turk! Bile kohëve të fundit shqiptarët i llogarisin turqit si armiq të tyre”.

“Pavarësisht demonstrimit në varrin e sulltan Muratit, përshtypjet nga vizita janë të dobëta dhe e para që ka rënë në sy ishte numri i vogël i shqiptarëve që dolën në pritje të sulltanit. Kur merret parasysh se çfarë rëndësie ka sulltani për myslimanët dhe më pastaj fakti se Mehmet Reshati V ishte sulltani i parë që ka ardhur në këto vise, atëherë në Kosovë do të kishte qenë e pritshme që qindra mijëra shqiptarë t’i binin kryq e tërthor Fushës së Kosovës. Por, numri i tyre nuk ishte më tepër se 30.000, duke llogaritur këtu edhe prishtinasit. Më pastaj ishte e rëndësishme mungesa e disa krahinave, pra të Dukagjinit dhe Gjakovës, pastaj mungesa e Pejës dhe e Prizrenit, ndërsa Drenica e Llapi ishin vetëm në stacion, bile ata u shpërndanë menjëherë. Pra, siç shihet, në pritjen e sulltanit ra në sy mungesa e krahinave të cilat vitin e kaluar ishin të përfshira në kryengritje”.
Ndërsa në përmbledhjen përfundimtare të vizitës së sulltan Mehmet Reshatit V në Prishtinë, në raportin e konsujve austro-hungarezë thuhej se në pritje ishin tubuar rreth 25.000 njerëz, prej të cilëve rreth 20.000 ishin shqiptarë, 3000 ishin serbë dhe 1500 boshnjakë. Më pastaj konsujt janë shprehur se “vetë akti i shpalljes së amnistisë për kryengritësit shqiptarë por edhe ndihmat që sulltani i ndau, e humbën efektin për shkak të, përdorimit ekskluziv të gjuhës turke, prandaj nëse në të ardhmen qeveria nuk do ta ndjekë një politikë të moderuar, atëherë një revolucion i ri shqiptar mund të mos jetë shumë befasues”, përfundon raporti.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë