Përgjigjja e gatshme për atë se çka është njeriu, po sfidohet, e në këtë mes ka dorë edhe teknologjia. “Tani njeriu ka filluar të bëjë pyetje se ku do të jetë ai si specie në të ardhmen, në një botë ku ka shumë ndryshime”, ka thënë profesoresha Hasnije Ilazi në dialogun socio-kulturor “Njeriu, Zoti, Koha – perspektiva filozofike” tok me Lekë Nikollbibajn
Duke kontribuar në formimin e një kulture të mendimit kritik dhe të reflektimit, diskutimet filozofike mund të sjellin ndryshime të frytshme, jo vetëm në hapësira akademike, por edhe në mjediset e përditshme që përbëjnë dialogun komunitar.
E një përpjekje e tillë u konkretizua me një diskutim të shtrirë në rrafshin socio-kulturor, në kuadër të programit të qendrës “Libart” të zhvilluar nga organizata ETEA dhe biblioteka “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë. Me temën e gjerë mbi njeriun, Zotin dhe kohën, Hasnije Ilazi dhe Lekë Nikollbibaj kanë ndarë perspektivat e tyre filozofike mbi temat duke i shqyrtuar ato nga këndvështrimi aktual. “Njeriu, Zoti, Koha – perspektiva filozofike”, ka qenë temë e diskutimit të mbajtur të pasditen e së enjtes së kësaj jave.
Në fillim të diskutimit, Hasnije Ilazi, profesoreshë në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës u kushtoi disa fjalë paragjykimeve rreth diskutimeve të tilla dhe nevojës për to, si një paralajmërim se ajo që do të diskutohej ishte me interes për të gjithë e jo vetëm për studiuesit e fushës.
“Ne zakonisht flasim brenda katedrës dhe rrjedhimisht ekziston një paragjykim se filozofia aty e ka vendin, jo brenda shoqërisë, por vetëm brenda aktualitetit akademik. Gjë që ne gjithnjë përpiqemi ta demantojmë”, ka thënë ajo duke iu drejtuar të pranishmëve se me pjesëmarrjen e tyre, të njëjtën gjë po e bënin dhe vetë ata.
Ilazi ka përdorur gjuhë të pasur dhe metaforike duke ofruar pikëpamje të ndryshme filozofike, për të përshkruar këtë eksplorim të një tematike kërshërindjellëse për njeriun historikisht. Në fillim të diskutimit ka trajtuar kuptimet e ndryshme filozofike mbi njeriun si qenie, duke e shikuar atë si një entitet të ndjeshëm që ka potencialin për të kapur thellësinë e vetvetes dhe dallimet me qeniet e tjera të gjalla. Përgjatë pjesës së parë u dhanë dhe këndvështrimet mes konceptimit të njeriut si qenie racionale, dhe njeriut si qenie biologjike.
“Njeriun asnjëherë nuk mund ta shohim si një konstrukt të izoluar, sepse ai i përket dhe natyrës, shoqërisë, por njeriu shpeshherë, te shumë autorë, kuptohet edhe përmes Zotit. Tani njeriu ka filluar të bëjë pyetje se ku do të jetë ai si specie në të ardhmen, në një botë ku ka shumë ndryshime. Pikërisht nga këto kërcënime përgjigja e pyetjes se çka është njeriu, të cilën e kemi pasur kaherë të gatshme, se ajo është qenia më e përsosur dhe si e tillë ka një supremaci nga qeniet e tjera, po sfidohet tani nga debate të reja të cilat e lëkundin idenë e ‘racios’ si diferencim absolut midis njeriut dhe qenieve të tjera të gjalla”, ka thënë ajo.
Kështu ajo dha këndvështrimet e saja mbi këtë debat, duke ofruar trendët e rinj mbi reflektimet njerëzore. Ajo konsideron se tani njeriu ka filluar ta pranojë veten më shumë edhe si trup jo vetëm si në kontekstin e racionales.
”Filozofia ndoshta do të jetë ajo e cila do të na japë përgjigjet mbi këtë çështje, por ne shohim që sot bota është aq shumë e preokupuar me trupin, njerëzit i kushtojnë rëndësi ushqimit, aktivitetit fizik, pamjes së jashtme e cila paraqitet si një orientim drejt trupit i cili po ndodh për arsye që mbase do t’i kuptojmë në një periudhë të caktuar”, ka thënë Ilazi, duke shtuar se pyetja se çka është njeriu është prezente që në zanafillën e tij, dhe vazhdon ende të jetë prezente te njerëzit duke ndryshuar formë vazhdimisht.
Pjesa e parë e diskutimit mbaroi me një përmbledhje të disa perspektivave mbi kuptimin e njeriut, mirëpo duke e theksuar rolin e teknologjisë në rikthimin e njeriut te pyetjet ekzistenciale filozofike.
“Ne si qenie jemi gjithmonë në kërkim të shpjegimeve rreth kuptimit të njeriut i cili do të vijë si rezultat edhe i teknologjisë, mënyra se si do të zhvillohemi, si do ta perceptojmë veten do të jetë tërësisht e ndryshme, pavarësisht epilogut të betejës teknologjike”, ka qenë konstatimi i radhës.
Kjo hapje e thellë solli një kontekst të pasur për bisedën duke nxitur pjesëmarrësit të reflektonin mbi thellësitë e identitetit njerëzor nën dritën e perspektivave filozofike.
Ndërsa pjesa e dytë qe e rezervuar për një çështje të cilën e ka përcjellë njeriun që nga zanafilla e tij. Bëhet fjalë për Zotin dhe raportin e njeriut me të.
Lekë Nikollbibaj prezantoi perspektivën e tij si studiues mbi natyrën e Zotit dhe rolin e tij në jetën e njeriut, duke dhënë qasjet e ndryshme të filozofisë mbi këtë çështje.
“Pikënisja e argumentimit të ekzistencës së Zotit, është arsyeja, rrjedhimisht gjatë zhvillimit historik janë ndërtuar argumente të caktuara edhe për ekzistencën e Zotit, për shembull argumenti ontologjik i Rene Dekartit, ai kozomologjik i Toma Akuinit, e deri te Kanti, i cili i dekonstrukton të gjitha idetë pararendëse dhe vjen te konkluzioni që pavarësisht tendencave filozofike me argumentu ekzistencën e Zotit, ato dështojnë, sepse nuk mundemi me e argumentu atë racionalisht”, ka thënë ai. Ka theksuar ndërveprimin e pafundmë midis konceptit të kohës dhe Zotit, duke propozuar një perspektivë transcendente që e shikon kohën si një dimension të lidhur ngushtë me esencën e Zotit.
“Çështja e Zotit bashkë me njeriun lidhet në mënyrë të pashmangshme me konceptin e kohës, duke u nisur dhe nga presupozimi se nëse ekzistojnë gjërat, ato ekzistojnë diku dhe dikur, në një kohë dhe hapësirë të caktuar. Andaj, problemi i zanafillës së kohës lidhet direkt me konceptin e Zotit”, ka shtuar ai, duke ilustruar këtë me përgjigjen e famshme të Shën Augustinit kur ishte pyetur se nëse Zoti ka krijuar botën në një kohë të caktuar ashtu siç thotë Bibla, çfarë ka bërë Zoti deri atëherë? Përgjigjja e Shën Augustinit e cila korrespondon dhe me teorinë e Big Bangut ishte se Zoti nuk e ka krijuar kohën dhe hapësirën para botës dhe materies, por bashkë me to.
Nga kjo analizë e thelluar e historisë filozofike që bëri Ilazi dhe Nikollbibaj, u shpjegua lidhja e ngushtë e këtyre tri koncepteve me njëri- tjetrin, duke intensifikuar nivelin e mendimit filozofik, me përpjekjen për të zbërthyer raportin e ndërlikuar mes njeriut, kohës dhe Zotit përmes filozofisë.
Në kohët e sotme, kur shoqëria përballet me sfida komplekse dhe ndryshime të shpejta, roli i filozofisë ngarkohet me një rëndësi të jashtëzakonshme. Pasi që ajo ofron një kornizë konceptuale dhe një mjedis për reflektim të thellë mbi pyetjet themelore të ekzistencës dhe shoqërisë. E si rezultat i kësaj, është e rëndësishme të sfidohet koncepti i gabuar se diskutimet filozofike duhet të kufizohen vetëm në nivelin akademik. Filozofia, në thelb, është një përpjekje e përgjithshme për të kuptuar dhe shqyrtuar natyrën e ekzistencës, dhe kjo nuk duhet të jetë një privilegj vetëm për akademikët të cilën e thotë edhe vetë profesoresha Hasnije Ilazi në një prononcim për “Kohën Ditore”.
“Këto takime filozofike nuk janë diçka që ndodhin shpesh në Kosovë, duke pasur parasysh një lloj primati që ka marrë teknologjia dhe zakonisht mendohet që këto diskutime e kanë vendin vetëm në nivele akademike. Më vjen mirë që po ndodhin, sepse në këtë mënyrë sidomos të rinjtë janë në gjendje të reflektojnë dhe ta zhvillojnë mendimin kritik mbi fenomenet dhe proceset aktuale”, ka thënë ajo duke theksuar rëndësinë e takimeve të tilla edhe në bartjen e disa ideve filozofike në jetën praktike si shumë të nevojshme për njeriun sot.
Jon Latifi, student i pranishëm në këtë diskutim, u shpreh i kënaqur që pati mundësi të merrte pjesë, pasi që e sheh si mjaft të rëndësishëm kontributin e bashkëbisedimeve të tilla në zhvillimin personal dhe shoqëror.
“Ky lloj diskursi është i rëndësishëm, pasi që na përball me pyetje të vështira të cilat është mirë t’ia bëjmë vetes, pasi që na lejojnë të jemi të sinqertë me veten. Na mundësojnë avancimin tonë përpara, në shkencë apo në shoqëri”, ka thënë ai.