Këngëtarë të trevave të ndryshme janë bërë bashkë për ta nderuar krijimtarinë e Qamilit të Vogël në 30-vjetorin e vdekjes. Këngët e krijuesit i janë kthyer publikut gjakovar në koncertin kushtuar kantautorit. Me sallën plotë në Pallatin e Kulturës, “Asim Vokshi”, Ansambli i Këngëve dhe Valleve i Gjakovës ka kujtuar një prej mësuesve të tyre, autodidaktin, i cili u bë ikonë e këngës shqipe
Çdo ndjesi emocionale e kishte kthyer me mjeshtëri në varg kënge. Krijimtaria e tij zbërthen dashuri, mall e përjetime prej më të ndryshmeve. Gjatë gjithë jetës kishte bashkudhëtuar me muzikën.
Me plotë 68 vjet jetë, Qamili i Vogël do ta linte amanet që të mos harrohej si ashik që aq shumë ka kënduar.
“Një pjesë të botës e kërkova duke kënduar ndër mërgimtarë, me dëshirë gjithmonë iu këndova, veç me i kënaq ku ka shqiptarë”, janë vargjet e këngës së interpretuar nga Betim Shehu. Koncerti “Një jetë me këngën”, kushtuar krijimtarisë së Qamilit të Vogël, është një prej dëshmive që ashiku nuk është harruar.
“68 vjet që jetova s’u ngiva me atë jetë e fort u mundova por, s’ish qare pa vdekë”, është një tjetër pjesë e këngës që shpërfaqë dashurinë e artistit për jetën. Si njeri e krijues që e donte jetën është kujtuar edhe në 30-vjetorin e vdekjes.
Mst: Ashiku që bëri histori me talentin
Interesimi për të qenë në koncertin e organizuar nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve i Gjakovës ishte tepër i madh. Radhët ishin të gjata e gati 700 ulëset e sallës së Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” kanë qenë plot. Të zbrazët kanë mbetur vetëm tre rreshtat e fundit. Kjo ishte edhe arsyeja që organizimi nuk zgjati aq sa ishte planifikuar.
Emrat më të mëdhenj të skenës së muzikës popullore pranuan performimin, ashtu siç thanë organizatorët, që në ftesën e parë. Kjo sepse Qamili i Vogël ishte një lloj mësuesi i tyre. Ishte njeriu me të cilin kanë bashkëpunuar e i kishte përkrahur.
I lindur në vitin 1923 në Gjakovë, Qamil Muhaxhiri, vjen nga një familje e cila ka shtegtuar goxha duke ikur nga regjimi serb. Për shkak të vështirësive financiare ai bëhet autodidakt, për ta mësuar shkrimin e leximin. E pikërisht sfidat ekonomike ishin edhe arsyeja pse një pjesë të jetës e kishte kaluar në Tiranë. Kthimin e tij në qytetin e Gjakovës e kurorëzon me anëtarësimin në Ansamblin që udhëhiqej nga Ymer Riza. Pikërisht këtu edhe e merr emrin artistik. Për t’u dalluar nga Qamili tjetër i grupit, ai me mbiemrin Riza, kantautorin e ri e pagëzojnë me nofkën “Qamili i Vogël”, me të cilën ka bërë histori në muzikën shqipe.
Në nderim të kësaj historie ishte edhe koncerti i mbajtur mbrëmjen e së enjtes, si mëtim për ta nderuar trashëgiminë e këngëtarit.
Potpuria “Të kam dashtë dhe të dua” interpretuar nga grupi i ansamblit, “Pa trashëgim paskëm kenë” nga Artan Bakija, “Maroma nji kafe” nga Shaban Baksi, “I vujtun jam” nga Ramadan Krasniqi-Dani, “Jare” nga Njazi Shala”, “Pranvera nisi me dalë” nga Remzije Osmani, “Flet e tua drandofile” dhe “T’shitoft zana” nga Selajdin Miftari – Salushi, “Vëlla e motër Tërbeshi” nga Jeton Cërmjani, “Jabanxhi unë qëllova” nga Nezafete Shala, “Shkon bylbyli për hava” nga Xhavit Sadiku, “Hajde moj buzëburbuqe” nga Edi Furra, “M’agoj dita” nga Zenel Doli, “Ku po k’nojn këto dy kumria” nga Linda Hakaj, “Kadaldalë po vjen pleqnia” nga Riza Bytqyi, Potpuria “Lulebore” dhe “Kur më rrin karshi” nga Bujar Qamili. E krejt në fund “M’ka marrë malli me ndigu” nga grupi i këngëtarëve ia mundësoi publikut të shpërthejë me emocione në koncertin mbi njëorësh. Katër këngët e fundit nuk u interpretuan të plotë pasi Policia e Kosovës r ndërpreu aktivitetin shkaku i mungesës së respektimit të masave kundër pandemisë.
Çdo këngë përpara se të performohej kishte një rrëfim në vete. Pamundësinë e kurorëzimit të dashurisë me vajzën që ia kishte marrë zemrën Qamilit të Vogël, ai e kishte shprehur në këngë. “Asaj që më la prore me buzë të shkrumueme” kishte qenë dedikimi i tij për pengun më të madh jetësor, të cilën e kishte titulluar “Pa trashëgim paskem kenë”.
Edhe nga momente të zorshme ai kishte ditur të nxjerrë frymëzime. Kur i erdhi në vitin 1950 ftesa për kryerje të shërbimit ushtarak, gruas së tij, Feride Kumnovës, ai i kishte kërkuar një kafe për t’ia kumtuar pastaj edhe lajmin. Kështu kishte lindur edhe hiti i njohur “Maroma nji kafe, dalkadal ta pi”.
Pikërisht përgjatë ushtrisë, ai kishte parë një vajzë të bukur, të cilën e kishte komplimentuar. Delikatesa dhe eleganca femërore e kishte shtyrë atë ta hedhë në letër “Këngën e Sarajevës”, duke aluduar në vendin ku e kishte kryer shërbimin. Pjesa tjetër e këngëve që i dhanë zë kishin dromca dashurie, lëvdata për luftëtarët e vendit dhe himn natyrës. Ndërkaq ajo që përmbylli koncertin, “M’ka marrë malli me ndigju” nga grupi i këngëtarëve, ishte dedikim për inspiruesin e tij, Ymer Rizën, vdekjen dhe mallin ndaj të cilit e kishte përjetuar rëndë. Rrugë nga Shkodra, vullnetarisht sapo kishte dëgjuar që po organizohet koncerti në nderim të tij, kishte marrë Bujar Qamili, i cili kur doli në skenë duartrokitjet e publikut e shoqëruan në çdo varg që këndonte.
“Të jem i sinqertë, ka qenë një nga emocionet më të mëdha gjatë gjithë jetës sime artistike”, ka thënë ai. “Unë i them Qamili i Madh, kam ardhur me kënaqësinë më të madhe. Në rrafshin personal kam vite që i dëgjoj këngët e Qamilit të Vogël, një pjesë e madhe e tyre këndohen edhe në dasma në rrethin e Shkodrës”.
Ndjesi të veçanta gjatë performimit pranoi se pati edhe këngëtari gjakovar Edi Furra.
“Të jem i sinqertë, kur isha në publik në fillim nuk kisha emocione të veçanta, kur u afrua koha dhe kur filluan të shfaqeshin fotografi të tij në skenë, dy-tri herë më ka ardhë me qajt. Jo për që na ka vdekur, sepse Qamili i vogël është gjithmonë i gjallë në zemrat tona”, ka thënë ai.
Mst: Porosia për muzikë të mirëfilltë
Sipas Furrës, bagazhi i tij krijues është përplot vlera, të cilat japin një mesazh,
“Janë mesazh shumë i qartë për gjithë neve gjeneratat e reja dhe ato në vijim që të kemi kujdes, mos ta prishim muzikën e mirëfilltë. T’i kujtojmë ato emocione që ai i ka thurur këto strofa që ne ta kujtojmë ndjenjën e tij dhe t’ia japim origjinalitetin”, u shpreh ai.

Furra kujtimin për Qamilin e Vogël e ndërlidhi me periudhën e fëmijërisë.
“E mbaj në mend si fëmijë kur ka ardhë te ne, ka kënduar dhe kanë bërë qejf rreth oxhakëve e sofrave. Shumica prej tyre janë realizuar në familjet tona. Në shkolla në klasën e dytë ose të tretë na sillte librat me këngë e ato librat ngjyrë gjelbër ende i mbaj në me”, përfundoi Furra.
Obligim moral pjesëmarrjen në koncertin përkujtimor e ka parë edhe këngëtari i muzikës popullore, Zenel Doli.
“Pata kënaqësi shumë të madhe që performova. Unë edhe kam bashkëpunuar shumë moti me të, e ndieja si obligim të marrë pjesë në këtë koncert”, u shpreh Doli.
Tutje, ai veçoi si një ndër kujtimet më të mira të tij, periudhën e provave të incizimit të kasetës “Kah Pranvera”, përkrahë tij dhe emrave të njohur të muzikës popullore, si Ismet Peja, Nezafete Shala e të tjerë.
“Qamilin e kam njohur gjithmonë si këngëtar dhe njeri të mirë”, përfundoi Doli.
“Kemi bërë aq sa kemi pasur mundësi”, thotë udhëheqësi artistik i Ansamblit dhe këngëve dhe valleve të Gjakovës, Shkëlqim Rraci, të cilët me gjashtë solistë dhe nëntë instrumentistë i qëndruan besnikë çdo pjese të koncertit.
“Më shumë emocione keni përjetuar ju se na, se ne e kemi këtë punë, ndërkaq ju keni shijuar këngën dhe publikun. Besoj që çdo gjë ka qenë aq e bukur, sa s’ka fjalë për ta përshkruar”, u shpreh Rraci, i cili për tre muaj ka mbajtur prova me anëtarët e Ansamblit.
Sipas tij, “Një jetë me këngën” ka qenë pikënisje për bashkim të zërave të njohur shqiptarë. E në koncertin e katërt, që u organizua nga ky Ansambël, pas rikthimit të tyre në mungesë prej disa vjetësh, kitaristi, Bestar Vula, interpretoi me shumë emocion.
“Vet Qamili është i bukur, mister, tragjik. I ngërthen të gjitha në vete si një kantautor dhe këngëtar qysh ka qenë ai. Unë jam dëgjues i këngëve të tij, por publiku është më shumë dëgjues. Është përgjegjësi se ata dinë më shumë se ne, ka qenë dyfish më zor. Ky ka qenë kulmi i organizimit dhe riorganizimit tonë katërvjeçar”, përfundoi Vula.
Vajza e madhe e tij, Shqipe Muhaxhiri, tregon se ai ka jetuar mes disa qyteteve shqiptare, në tentim të krijimit muzikor.
“Pa kasetofon, pa instrument (ka krijuar). E kam pas pyetur njëherë ‘qysh i ke mbajt në mend ato?’. Tha: ‘Ju po lexoni gjithë ditën e s’po mbani në mend. Unë deri e kam blerë kasetofonin e parë, unë i kam mbajtur në mend’. Këtë nuk e kam të qartë si e ka bërë”, u shpreh Muhaxhiri, e cila shtoi se ai ka jetuar për muzikë.
Këngët e tij, sipas saj, janë si karakteri i babait, plotë emocion. E të njëjtat emocione kanë tentuar të përçojnë edhe zërat përcjellës të Ansamblit të Gjakovës gjatë koncertit.
“Emocionet janë të shumta si zakonisht. Ka afër tre muaj që kemi bërë ushtrime, me mundësitë tona jemi munduar t’i rrethojmë sa më mirë punët. Shumica e këngëve janë histori me përkushtim dashurie dhe me ngjarje reale”, ka thënë solisti Emil Tafarshiku pas koncertit, i cili u transmetua të shtunën mbrëma në Kohavision.