Tragjedia mbërrin kulmin sa të shndërrohet në komedi. Qeshja është thirrje për njohjen e natyrës njerëzore që s’e pranon tjetrin me ngjyrë ndryshe të lëkurës. Personazhi me dorë të këputur vihet në kërkim të saj, vënia e flakës nuk është akt flijimi, por edhe thirrje për të djegur paragjykimet ndaj tjetrit. “Një dorëzim në Spokan” me tekst të Martin McDonaghut nën regji të Blendi Arifit merr një ngjarje nga historia në dukje e largët, por i flet së tashmes
“Një dorëzim në Spokan” kap një fragment të historisë së shoqërisë moderne dhe e shndërron në tragjikomedi. Me tekst të britanikut Martin McDonagh nën regji të Blendi Arifit, komedia e zezë është dhënë premierë të premten mbrëma në Teatrin e Qytetit të Gjilanit.
Fantazi duket misioni i kryepersonazhit i shtyrë të kthehet qindra vjet pas në kohën e skllavërimit të afro-amerikanëve. Është një lloj pikëpamjeje për stereotipet e sotme të trashëguara nga shekujt e mëparshëm. Ngjyra e komedisë e mbulon tmerrin e vërtetë në thelbin e saj. Megjithëse pasojat tani bien mbi të bardhët, shprehjet raciste janë të paevitueshme. Janë zakone.
Karakeri i personazhit Carmichael (Alban Shahiqi) vjen i frikshëm, zhytur në një labirint drithërues. Ai ka vetëm një dorë. 27 vjet më parë i ishte këputur nga disa persona në vendin e quajtur Spokane në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kur ai e rrëfen historinë, tregon se kur mbaruan punë, e lanë të gjakosej dhe e përshëndetën me dorën që sapo e kishte humbur. Prej atëherë ka qenë në kërkim të saj.
Rol kompleks e ka vlerësuar kryepersonazhin e komedisë së zezë aktori Alban Shahiqi.
“Një njeri me një të metë fizike. Janë komplekset e tij kur nga tragjedia që i ka ndodhur, e ndërron sistemin e jetës, hakmerret dhe kërkon dorën e tij. Është karakter për aktorin që është shumë i mirë për të lexuar dhe për të luajtur një rol të tillë kompleks”, ka thënë ai.
Ka thënë se ky zhanër e përball publikun me të metat e shoqërisë.
“Çdo tragjedi, edhe në skenë, sidomos tragjikomedia, është tragjedi e tepruar që kalon në komedi. Edhe kjo e ka anën pozitive për t’i përballur të metat e shoqërisë me komedinë. Faktikisht ato nuk janë komedi, por dalin komike. Martin McDonagh e ka këtë stil në shumicën e veprave të tij, komedisë së zezë e cila përqafohet dhe ndiqet në shumë vende të botës nga audienca”, ka thënë aktori Shahiqi për KOHËN pas shfaqjes.
Ngjarja zhvendoset në një dhomë hoteli. Publiku që rrethon skenën nga të tria anët formon muret e saj. Një shtrat, një tavolinë, njëra pjesë e murit e vandalizuar e çka jo tjetër, i bëjnë skenat e shfaqjes të përafërta me realitetin. Qëndresë Isufi ka realizuar skenografinë, sikurse edhe kostumet.
Në atë hapësirë, Carmichael ndeshet me Marilynin (Djellza Dema), Tobin (Florent Salihu) dhe Mervyn (Blendi Arifi). Është në pritje të dorës së tij. Ajo kthehet, vetëm se nuk përputhet. Ia del të merret me disa punë. Por lë prapa një bidon benzine në grykën e të cilit është i vendosur një qiri si sigurim se ata që i bënë dëm dikur do të bëhen një me dhomën e hotelit që mendonte se do të kaplohej nga flakët.
Përdorin këpucët e tyre për ta fikur atë. Aty është recepsionisti i hotelit, Mervyn, një karakter mendjelehtë që pranon udhëzime nga dy të dashur: Tobi dhe Marilyn. Në këtë rast, Blendi Arifi është regjisor e aktor në shfaqje.
“Është punë e vështirë të bëhen të dyja. Është hera e dytë që po e bëj edhe regjinë edhe aktrimin, por me sa duket kam arritur të mos i ndaj. Kësaj here edhe më e lehtë ka qenë pasi kastën e aktorëve e kam pasur fenomenale, aktorë shumë bashkëpunues e profesionistë”, ka thënë Arifi derisa ka treguar se kanë bërë rreth 40 ditë prova për shfaqjen.
Ka thënë se McDonagh njihet si autor i komedisë së zezë dhe se kësisoj, edhe shfaqja “Një dorëzim në Spokan” shkon te tragjikja e komikja.
“Si tematikë është e viteve 2000-2010. Nuk kam bërë lëvizje kohore. Historia është afër nesh, ne të gjithë jemi të lindur pothuajse në vitet 2000, janë dhjetë vjet para apo pas. Kështu që mendoj se publiku e pëlqyer dhe e ka pritur mirë”, ka thënë ai.
Toby dhe Marilyn ishin përfshirë pasi kishin kuptuar se një njeri misterioz po kërkonte një dorë dhe se ishte i gatshëm të paguante për të. “Dorëzimi” do të ndodhte në hotel.
Aktorja Djellza Dema ka thënë se Marilyn ka qenë karakteri tipik të cilin donte ta luante.
“Prej fillimit kur e kam lexuar tekstin vetëm kisha filluar ta analizoja në start. E shihja Marilynin si personin pak më të çmendur, më lidere në një lidhje. E shihja që i dhimbset i dashuri, Tobi, për shkak se është racë tjetër dhe mundohet me çdo kusht ta mbrojë, por që kur e nevrikos, nuk pyet për këtë pjesë. Është nevrike, është e vendosur dhe më pëlqejnë këto role”, ka thënë ajo.
Aktori Florent Salihu që e luan Tobyn, partnerin e Marilyn, ka thënë se karakteri i tij në shfaqje është ai që njihet për tipare negative. Por filozofia e shfaqjes vihet në pah pikërisht në skenat ku ai është i përfshirë.
“Problemi i kohës ka qenë që zezakët ua kanë prerë dorën të bardhëve që t’ua pakojnë forcën. Unë paraqitem në shfaqje si Tobby, jam ‘dealer’ i drogës. Gënjej dhe manipuloj vetëm për të fituar pak para. Kjo është pjesa më e thjeshtë, por e ka filozofinë e vet për kohën e zezakëve të shtypur. E kemi paraqitur në situatë serioze, por që të bën edhe të qeshësh. Kemi punuar shumë”, ka thënë aktori Salihu.
Kur personazhet shpëtojnë nga Carmichael, aty ai gjen luftën me vetveten. Vetmia, zhgënjimi dhe pakuptimësia shprehen në mimikat e në veprimet e tij të dëshpërimit. Në errësirë i hedh vetes benzinë. Por një tjetër dështim: humbet flakërimi i shkrepëses me të cilën sikur do të shuheshin polemikat e tij me jetën.
Shfaqja do ta ketë reprizën e parë më 29 prill në Teatrin e Qytetit në Gjilan. Është produksion i regjisorit Blend Arifi, ndërsa është përkrahur nga Teatri i Gjilanit dhe Ministria e Kulturës.
“Një dorëzim në Spokan” takon kokë më kokë personazhet dhe historitë e tyre të turbullta. Është tregim për historitë sipërfaqësore të njerëzve që i bëjnë ata të huaj.