Shtojca për Kulturë

Nismëtari Abdurrahman Shala

Visar Krusha - "Mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë"

Libri monografik “Mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë” i Visar Krushës botuar nga “Integra”, shpalos edhe një anë, gati të panjohur deri më tani, të Shalës si prind, familjar, por edhe si mik e bashkëpunëtor. Rrëfimet e sinqerta dhe autentike të familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, ndriçojnë një anë njerëzore të Shalës, duke e plotësuar kështu mozaikun në portretin e tij (Foto: Sovran Nrecaj)

Me punën e tij krijuese, bëri që Shekspiri i madh, për të parën herë të flasë shqip në skenën e Teatrit Kombëtar, përmes shfaqjes “Othello”, regjinë e së cilës e bëri vetë Abdurrahmani. Shala, imponimin e parë dhe kryesor audiencës dhe komunitetit artistik filmor, brenda hapësirës shqiptare dhe më tej, ia bëri me filmin “Uka i Bjeshkëve të Nemuna” (1968), skenarin e të cilit e kishte shkruar në bashkautorësi me Murtezan Pezën. Në këtë film, po ashtu, Shala kishte luajtur edhe një rol të rëndësishëm. Filmi “Uka…” Abdurrahmanin e vendosi në histori si skenaristin e parë shqiptar nga Kosova, por edhe e “zbuloi” si figurë impozante aktoriale për ekran. Në këtë mënyrë, “Uka…” u bë “ylli polar” në rrugëtimin e mëtejmë të Shalës, në fushën e filmit. Por, nismëtaria e Shalës nuk mbaron këtu

Parathënie

Të rralla janë personalitetet kulturore e artistike, të cilat në fushëveprimtarinë e tyre shënojnë aktivitete, vepra e të bëma që lidhen me kohën dhe momentet historike. Një i tillë, krejtësisht i veçantë për nga karakteri, prirja, angazhimi dhe kontributi është edhe aktori, regjisori producenti dhe drejtuesi institucional, Abdurrahman Shala (1922-1994). 

Libri monografik “Mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë”, i autorit Visar Krusha, është i katërti në radhë që botohet nga “Integra”, pas monografive për artistët e shquar: Faruk Begolli, Nexhmije Pagarusha dhe Muharrem Qena. Ky libër është konceptuar, ideuar dhe realizuar si përpjekje e suksesshme për të përmbledhur jetën dhe veprën e Abdurrahman Shalës. Këtu, figura e Shalës shfaqet para lexuesve në shumë plane. Libri shpalos fëmijërinë e hershme të Shalës, para Luftës së Dytë Botërore, i cili i bashkohet pjesës tjetër të familjes për të jetuar në Shqipërinë monarkike. Është rrëfimi për djaloshin, që jetoi e punoi buzë detit, derisa fillimi i luftës do ta rikthente, atë, përsëri në Kosovën e lindjes së tij. Është ky luftëtari trim, që aktivisht kontribuoi në Luftën Nacional Çlirimtare me përfundimin e së cilës valët e jetës do ta dërgonin në rrjedha të papritura që asnjëherë nuk i kishte menduar. Pas përpjekjes së dështuar për të përfunduar një kurs të aktrimit në Beograd, në vitin 1946, Abdurrahman Shala, gjen punë në sektorin e organizimit dhe prodhimit të filmit të ndërmarrjes “Avala Film”, por pas disa muajve prapë i ishte rikthyer ëndrrës së tij, të lënë përgjysmë, për t’u bërë aktor. Kishte konkurruar në Shkollën e Aktrimit në Beograd, por nuk kishte arritur të pranohej. Megjithatë, edhe përkundër ecejakeve jetësore, Shala do ta ndiqte ëndrrën e tij për aktor. Ai do të pranonte thirrjen e motrës së tij, Meribanes, për t’iu bashkuar grupit të parë të trupës së aktorëve shqiptarë në Teatrin e sapothemeluar Kombëtar (asokohe Teatri Popullor Krahinor). Në këtë mënyrë, Abdurrahmani, iu bashkua motrës së tij, dhe krahas Ollga Mandrapës, Shani Pallaskës, Muharrem Qenës, Katarina Josipit, Shaban Domit, etj, u bë njëri ndër themeltarët e Sektorit të Dramës Shqipe në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Dhe nga këtu zë fill epiteti “nismëtari” për Abdurrahman Shalën. Ai luajti në shfaqjen e parë në gjuhën shqipe. Tutje, pasi ishte bërë pjesë e grupit të aktorëve të parë shqiptarë në Teatrin Kombëtar, ai bën një kurs gjashtëmujor të regjisë në Beograd dhe kthehet për të filluar karrierën si regjisor në Teatrin Kombëtar. Kështu, Abdurrahman Shala bëhet regjisori i parë shqiptar në teatrin e Kosovës. Madje, regjisori i tekstit të parë në gjuhën shqipe të inskenuar në TKK, “Nuk martohem me pare” të Murtezan Pezës. Si regjisor teatri realizoi dhjetëra shfaqje teatrore, jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën turke, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm të jetës teatrore te ne. Nismëtaria e Shalës u shtri edhe në llojin e teatrit për fëmijë. Kështu, në fundvitet e 50-ta, shfaqja e parë për fëmijë në gjuhën shqipe në TKK “Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët” mban autorësinë regjisoriale të Shalës. 

Abdurrahman Shala, me punën e tij krijuese, bëri që Shekspiri i madh, për të parën herë të flasë shqip në skenën e Teatrit Kombëtar, përmes shfaqjes “Othello”, regjinë e së cilës e bëri vetë Abdurrahmani. Shala, imponimin e parë dhe kryesor audiencës dhe komunitetit artistik filmor, brenda hapësirës shqiptare dhe më tej, ia bëri me filmin “Uka i Bjeshkëve të Nemuna” (1968), skenarin e të cilit e kishte shkruar në bashkautorësi me Murtezan Pezën. Në këtë film, po ashtu, Shala kishte luajtur edhe një rol të rëndësishëm. Filmi “Uka…” Abdurrahmanin e vendosi në histori si skenaristin e parë shqiptar nga Kosova, por edhe e “zbuloi” si figurë impozante aktoriale për ekran. Në këtë mënyrë, “Uka…” u bë “ylli polar” në rrugëtimin e mëtejmë të Shalës, në fushën e filmit. Por, nismëtaria e Shalës nuk mbaron këtu.

Në vitin 1969, kur u themelua ndërmarrja kosovare për prodhimin, distribuimin dhe shfaqjen e filmave, Abdurrahman Shala u bë pagëzori i këtij institucioni, sepse me propozim të tij ky institucion u emërtua “Kosovafilm”. Këtë institucion Shala do ta drejtonte për disa vite, duke vënë kështu themelet e organizimit dhe zhvillimit institucional të filmit në Kosovë. Sot, me emrin e “Kosovafilm”-it identifikohet lindja dhe rrita e filmit kosovar, dhe në krye të kësaj qëndron kontributi i pamohueshëm i Abdurrahman Shalës.  Për vite të tëra, aktori Abdurrahman Shala do të bëhej “pushtuesi i ekranit” të madh, sepse do të luante në dhjetëra filma shqiptarë, në Kosovë dhe në vendet e tjera të Jugosllavisë. Film pas filmi, e rol pas roli, Shala ishte bërë heroi i shikuesve, ai karakteri, që pas shfaqjes, në çdo film, linte mbresa të pashlyeshme në kujtesën e shikuesve. Abdurrahman Shala është ai Lisi i famshëm në filmin “Era dhe Lisi” (1979), i regjisorit Besim Sahatçiu. Përgjatë dhjetëvjetëshve, Lisi mbeti personazhi i dashur dhe i admiruar nga dashamirët e filmit në Kosovë. Si aktor filmi, Abdurrahman Shala, shquhej, përveç tjerash, për fuqinë dhe potencën e transformimit të plotë duke eksploruar dhe shfaqur botën dhe karakteristikat e personazheve deri në detajet më të imëta. Në këtë monografi, autori Krusha, bën një renditje kronologjike dhe vështrim panoramik të krijimtarisë filmore të Shalës, duke evidentuar dhe pasqyruar, në mënyrë të saktë, galerinë e roleve të shumta që Shala realizoi në artin filmor. Kritikat e kohës, vlerësimet pozitive, si dhe numri i madh i çmimeve dhe mirënjohjeve janë referenca kryesore për peshën dhe rëndësinë e roleve që Abdurrahman Shala i realizoi me shumë sukses.

Abdurrahman Shala, karrierën si aktor filmi e kishte nisur në vitet e 50-ta të shekullit të kaluar dhe e kishte përfunduar në mesin e viteve 90-ta, të po atij shekulli. Roli i tij i fundit, në një film artistik, në të cilin ishte paraqitur Shala është filmi i suksesshëm maqedonas “Para shiut” (1994), i regjisorit Milço Mançevskit. Pra, për më se gjysmë shekulli karrierë, Shala u bë thuajse figura qendrore e aktrimit filmor në vendin tonë. 

“Mjeshtri…”, shpalos edhe një anë, gati të panjohur deri më tani, të Shalës si prind, familjar, por edhe si mik e bashkëpunëtor. Rrëfimet e sinqerta dhe autentike të familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, ndriçojnë një anë njerëzore të Shalës, duke e plotësuar kështu mozaikun në portretin e tij.  Libri është i shkruar me të dhëna referenciale dhe shënime që e bëjnë tekstin atraktiv për lexim dhe interpretim. 
Abdurrahman Shala, në të gjallë të tij, nuk kishte folur shumë për fëmijërinë e tij, as për periudhën e luftës. Ai me modestinë e tij kishte preferuar heshtjen. Para fjalëve kishte zgjedhur punën, veprat. Saktësisht, ashtu siç bëjnë mjeshtërit e mëdhenj-fjalë pak e punë shumë. I tillë ishte Abdurrahman Shala, një mjeshtër unik dhe i papërsëritshëm në artin dhe kulturën tonë. Prandaj, ky libër mund të kuptohet dhe pranohet si kujtesë, por edhe si homazh, për artistin tonë të madh.

Prishtinë, mars 2024

Ky tekst është parathënia e librit monografik “Mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë” të Visar Krushës, botuar nga “Integra”, e që u përurua të martën e 23 prillit. Dramaturgu Arian Krasniqi është redaktor i monografisë. Titulli i këtij teksti është i Redaksisë së KOHË-s. Botohet me leje të autorit dhe të botuesit