“Gjurmimet albanologjike” si revistë, deri më tani, me punimet e botuara dhe për nga gama e citimit, ka dëshmuar në vazhdimësi se studiuesit kanë qenë të interesuar për këto botime, andaj ky botim, vetëm sa do ta përafrojë revistën me studiuesit dhe të interesuarit e tjerë. E kjo padyshim së është qëllim i çdo përpiluesi të Bibliografisë, e edhe i studiuesit Abdurrahim Maxhuni me botimin “Bibliografia e revistës ‘Gjurmime albanologjike’ – seria e shkencave filologjike (1962-2022)”
Dy vjet pas publikimit të “Bibliografia e revistës ‘Gjuha shqipe’ 1982-2022”, botim i cili u prit mirë nga studiuesit e kësaj fushe, prof. asoc. dr. Abdurrahim Maxhuni, pas një pune të vazhdueshme, këtë vit, ka finalizuar edhe botimin me titull: “Bibliografia e revistës ‘Gjurmime albanologjike’ –seria e shkencave filologjike (1962-2022)”.
Në janar të vitit 1962, ende pa dalë nga shtypi numri i parë i kësaj reviste, e përditshmja “Rilindja”, do të shkruante: “Simbas fjalëve të dr. Idriz Ajetit, shefit të Katedrës për Albanologji në Fakultetin Filozofik në Prishtinë së shpejti do të dali prej shtypit edhe numri i parë i ‘Buletinit albanologjik’, kryeredaktori i të cilit asht vetë dr. Ajeti. Kjo revistë do të dalë disa herë në vjet në botimin e Komisionit për gjuhë shqipe, letërsi e histori, pranë Pleqësisë për Kulturë të Krahinës Autonome të Kosovës e Metohis”, shkruante në mes tjerash kjo e përditshme, duke iu referuar edhe profesor Idriz Ajetit, i cili ishte edhe kryeredaktori i parë i kësaj reviste.
Referuar fjalëve të profesor Idriz Ajetit, nga ajo çfarë deklaron si më sipër, kuptojmë dy gjëra, e para, se vendimi për t’u botuar kjo revistë, ishte marrë më herët, ashtu siç edhe shkruan në numrin parë të kësaj reviste “fill mbas hapjes së Fakultetit Filozofik të Prishtinës, më 1960, që përbëhej prej gjashtë grupesh, aty brenda edhe grup i Albanologjisë, zunë përgatitjet e nxjerrjes të së përkohshmes shkencore Gjurmime albanologjike” dhe, e dyta, kjo revistë ishte planifikuar që të quhej “Buletini albanologjik”. Me rastin e botimit, të numri të parë më 1962, gjuhëtari Ahmet Kelmendi do ta botonte një prezantim në lidhje me këtë, siç edhe ishte traditë, me rastin e botimeve të tilla të botoheshin prezantime të kësaj natyre. Pra, opinioni i gjerë u njoftua për këtë nismë me rëndësi për albanologjinë. Fraza e përdorur për këtë nismë e “përkohshme shkencore” nga redaksia, në fjalën hyrëse të këtij numri, ndoshta ka qenë një sinjal, se kjo e nismë mund të mos ketë jetë të gjatë, mund të jetë edhe e arsyeshme kur kemi parasysh rrethanat politike në atë kohë, në të cilët gjendej vendi ynë. Edhe përkundër “skepticizmit” kjo ndërmarrje shkencore, vazhdoi rrugëtimin, me ngritje e rënie nga vitit 1962 deri në ditët e sotme. Pra, fati i Kosovës, mund të thuhet se e ka ndjekur edhe fatin e kësaj reviste shkencore.
Tani, kur kjo revistë, ka kaluar gjysmë shekulli jetë me mbi 60 vëllime, dhe shkrimet e botuara në këto numra, për studiuesit e fushës përkatëse kanë mbetur pikë referimi, gjeneratave që jetojnë në këtë kohë, u nevojitet informacione konkrete për të ardhur deri te shfletimi e hulumtimi i këtyre revistave. Njëra nga format me të përshtatshme, për të ardhur deri të informacioni i caktuar brenda punimeve të botuar të këto numra është edhe botimi i bibliografive. Me herët ka pasur publikime të bibliografive për këtë revistë nga znj. Emine Fetahu-Abdixhiku, puna e së cilës, në këtë drejtim, është padyshim për t’u admiruar.
Por, bibliografia e publikuar nga ajo, përfshin botimet deri në vitit 2012, çka do të thotë, se pas këtij viti e deri me sot janë botuar edhe mbi dhjetë numra të kësaj reviste. Pikërisht, mendoj se këtu qëndron e mira e botimi, sepse krahasuar me botimet e mëparshme të bibliografive, ky botim përfshin edhe dhjetë numra të rinj.
Përparësi tjetër e këtij botimi, krahasuar me publikimet e mëhershëm, është se botohet si i veçantë vetëm për botimet e “Gjurmimeve – seria e shkencave filologjike”, çka do të thotë, se një botim si ky, ua lehtëson mjaft punën kërkimore atyre që janë të interesuar vetëm për këtë seri.
Duke qenë se autori i kësaj bibliografie ka një përvojë në këtë drejtim, pas parathënies, ku e arsyeton këtë botim dhe tregon për rrugëtimin e revistës dhe finalizimin e botimit, këtë publikim e ka konceptuar sipas kësaj renditje:
“Renditja kronologjike”; në këtë rubrikë, janë përfshirë përmbajtjet e secilës revistë duke filluar nga vitit 1962 deri në vitin 1971. Janë përfshirë gjithsej, përmbajtje të 55 vëllimeve dhe 61 numrave. Prezantimin e përmbajtjeve, studiuesi Maxhuni e ka bërë me korrektësi, duke i qëndruar besnik origjinalit. Janë prezantuar përmbajtjet në gjuhët si janë publikuar atëherë, shqipe, serbokroatishte, frëngjishte, gjermanishte e anglishte.
“Renditja alfabetike sipas autorëve”; në këtë rubrikë, është prezantuar përmbajta e autorëve dhe shkrimeve të tyre, të shkruara nga vitit 1971. Renditja është bërë alfabetike sipas autorëve, fillimisht duke u renditur emri dhe pastaj mbiemri. Gjithsej në këtë rubrikë janë evidentuar 1177 njësi bibliografike.
“Renditja sipas rubrikave”; në këtë rubrikë janë përfshirë renditjet e fushave me të cilat i ka publikuar revista. Edhe në këtë rubrikë, studiuesi Maxhuni, ka bërë ndarjen ashtu siç e kanë bërë drejtuesit e revistës ndër vite. Brenda kësaj rubrike janë përfshirë, fjalët përshëndetëse, me 3 njësi bibliografike; studime, artikuj e kumtesa, më 764 njësi bibliografikë; kritika e recensione, më 234 njësi bibliografike; materiale, më 44 njësi bibliografike; kronika shkencore, më 64 njësi bibliografike; diskutime, më 5 njësi bibliografike; bibliografi, më 15 një bibliografike; nekrologji, më 34 njësi bibliografike dhe përvjetorë, më 5 njësi bibliografike. Studiuesi Maxhuni në 1177 njësi bibliografike, dhe të ndara në rubrika përbëjnë numrin 2345, ka sjellë një ndihmesë duke i sistemuar dhe renditur në atë formë, sa që studiuesit, me pak angazhim mund të marrin informacionin që u nevojitet.
Treguesi alfabetik i autorëve, është një tjetër renditje që të interesuarit do ta hasin në këtë botim. Duke ndjekur standardet bashkëkohore, studiuesi Maxhuni, e ka bërë edhe këtë renditje, e cila padyshim, se studiueseve u kursen kohë në hulumtimet e tyre në këtë drejtim.
Në fund të këtij botimi, autori ka renditur kopertinat e të gjitha revistave të cilat janë përfshirë në këtë trajtim nga vitit 1962 deri në vitin 2022. Aspekti vizual i prezantimit të revistave brenda dy kopertinave të këtij botimi, sigurisht se do të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës, për këtë ndërmarrje shkencore. Ky botim, për nga sistemi i materialit, është ndihmesë për të ardhur lehtësisht deri te informacioni i kërkuar për këtë revistë, për nga botimi është ruajtës përmbajtjesor në formë të përmbledhur i pasurisë gjuhësore më shumë se gjysmëshekullore nga kjo revistë dhe për nga dizajni e sistemimi vizual është prezantim i mirë i punës së një degë dhe të një institucioni logon e të cilit e mbajnë këto revista dhe ky botim.
Duke e përfunduar këtë vështrim, mund të thuhet se, studiuesi Prof. asoc. dr. Abdrurrahim Maxhuni, më përvojën e gjertanishme në studimet e fushës së gjuhësisë, ku i ka rënë të përdorë një numër të konsiderueshëm të bibliografive, më dijen e tij në përgatitjen e bibliografive, dhe me punën drejtuese në revista të fushës së gjuhësisë, ia ka dalë me sukses ta përgatisë edhe këtë botim. Gjurmimet albanologjike si revistë, deri me tani, me punimet e botuara, dhe për nga gama e citimit, kanë dëshmuar në vazhdimësi se studiuesit kanë qenë të interesuar për këto botime, andaj ky botim, vetëm sa do ta përafrojë revistën me studiuesit dhe të interesuarit tjerë. E kjo padyshim së është qëllim i çdo përpiluesi të Bibliografisë, e edhe i studiuesit Maxhuni në këtë rast. Studiuesit Maxhuni, jemi të bindur, se të gjithë ata që do të shërbehen me këtë botim, do t’i jenë mirënjohës për punën e bërë, ndërsa ne, duke e përgëzuar për punën, i urojmë që ta ketë jetëgjatësinë dhe suksesin profesional sa të kryeredaktorit të parë të kësaj reviste. akademik Idriz Ajetit.
© KOHA Ditore