Në Kosovë prodhohet muzikë e mirë, por s’ka industri muzikore. Ka kohë që edhe artistët i dinë të drejtat e tyre autoriale, por njësoj njohin edhe shkeljen e tyre. Tash më shumë se një dekadë Kosova ka ligj të veçantë për të drejtat autoriale, por pak çon peshë respektimi i tyre, njashtu sikurse edhe në fushat e tjera të krijimtarisë e të pronësisë intelektuale. “I know my rights”, ka qenë tema e panelit të shtunën në ditën e dytë dhe të fundit të Konferencës së Muzikës në Prishtinë, e që është konsideruar si njëri prej kryesorëve në këtë edicion
Pyetjet e ngritura në diskutimin për lirinë e muzikës kanë qenë shtytje për hapjen e temës mbi respektimin e të drejtave pronësore për autorët e muzikës. “I know my rights”, ka qenë njëri nga panelet e së shtunës në edicionin e dytë të “Prishtina Music Conference”, në të cilin artistë e krijues kanë shpalosur përvojat e tyre përballë pamundësisë që t’u respektohet vepra në vendin pa industri të muzikës.
Sipas tyre, muzika nuk shihet si pronë intelektuale dhe se për transmetimin e saj duhet paguar kurdo kur komunikohet në publik. Tjetër problem i shpalosur kanë qenë pritjet e skenës muzikore dhe institucionet e Ministrisë së Kulturës se cili po ndërmerr i pari hapat në krijimin e industrisë muzikore, me këtë rast ndjekjen e hapave ligjorë kur shkelet e drejta autoriale. Qysh më 2011 Kosova ka Ligj për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, ka zyre e shoqata për këtë punë, por pak rezultate në praktikë.
Producentët e orkestruesit Florent Boshnjaku dhe Kushtrim Berisha tok me kantautorët Genc Salihu e Fatime Kosumi janë bashkuar në panelin “I njoh të drejtat e mia” në “Kino Armatë”, moderuar prej gazetares Donika Hyseni. Katërshja i njeh të drejtat e veta, siç njeh edhe mosrespektimin e tyre.
Florent Boshnjaku, autor i qindra këngëve me mbi 40 vjet në skenën muzikore, ka shpalosur vështirësitë derisa kishte kërkuar të drejtën e tij autoriale. Boshnjaku kaherë ka qenë zëri kryesor për respektimin e të drejtës autoriale në muzikë dhe këtë e ka bërë edhe si kryesues i APIK-ut, shoqatës për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta në fushën e muzikës.
“Kam luftuar, nuk jam dorëzuar. Kam pasur kërcënime fizike të cilat i kam lajmëruar në polici, në mediumet në Kosovë, kam pasur probleme shumë të mëdha për të drejtën e autorit. Nuk kanë dashur ta kuptojnë se e drejta e autorit është e drejtë bazike, sikurse edhe të drejtat e njeriut. Dua që kënga ime të ruhet, jo të përtypet si sakëz dhe të hidhet pastaj, nuk mundet të ndodh një gjë e tillë, nuk ka shans në një botë normale”, ka thënë Boshnjaku.
Derisa ka folur për procedurat e rimbursimit me rastin e shkeljes së të drejtës autoriale, producenti Boshnjaku ka bërë të ditur se shoqata në të cilën është i anëtarësuar artisti, muzikanti a këngëtari, merret vetëm me menaxhimin e krijimtarisë së tij dhe jo me çështjet e tjera. Sipas tij, është vetë krijuesi ai që duhet të iniciojë rastin për të kërkuar të drejtat e tij, derisa, po ashtu, ka ilustruar nisjen e kërkimit të të drejtave autoriale.
“Të drejtat e autorit kanë filluar në Francë. Kanë qenë dy kompozitorë që kanë shkuar për të ngrënë drekë në një restorant dhe një kuartet aty ka luajtur muzikën e tyre. Në fund u ka ardhur fatura dhe nuk kanë paguar pasi kanë konsideruar se duhet paguar edhe fatura ndaj tyre për muzikën e luajtur. Kështu rasti është nisur për në gjykatë dhe këta kompozitorët kanë fituar rastin”, ka thënë Boshnjaku.
Kushtrim Berisha i njohur edhe si K-Master, me karrierë prej rreth tri dekadash midis Kosovës e Zvicrës, ka treguar se fillimisht nuk ka pasur njohuri për të drejtat e autorit, por që më pas njohja e tyre i është imponuar.
“Në Zvicër kur kam dashur të prodhoj dhe distribuoj diçka, më është dashur t’i regjistroj të gjitha këngët dhe i kam regjistruar. Pastaj jam ndeshur edhe me materiale që i kam përdorur në ndonjë këngë që ka pasur licencë botërore dhe më kanë thënë ta heq. Në Kosovë problemet janë krejt tjera, sepse mediumet, kompanitë e marketingut e të tjera i përdorin të gjitha materialet, këngët tona dhe nuk paguajnë. Nuk mund t’i padisim, pasi ne jemi shumë të vegjël të merremi me mediume ose diçka tjetër”, është shprehur Berisha, derisa fajin për çështjen e autorësisë e ka adresuar edhe tek artistët, pasi, sipas tij, nuk kanë treguar interes e vullnet në këtë aspekt.
“Shumë nga ta ndoshta nuk e dinë hiç, nuk kanë kohë, ose i kanë fitimet e mëdha. Duhet punuar shumë në vetëdijesim të krijohet ndonjë task-forcë. Unë kaloj nga ‘Qafa’, i dëgjoj këngët e mia, dalin në CD e shiten për një euro”, ka vlerësuar Berisha. Qysh më 2013, Qeveria e Kosovës ka themeluar Task Forcë kundër falsifikimit dhe piraterisë në fushën e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta. Po atëherë qe miratuar edhe Rregullorja për Ndërmjetësim të Kontesteve në Fushën e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të Përafërta.
Fatime Kosumi e njohur si “Andrra”, këngët e së cilës trajtojnë kryesisht problemet sociale, ka vlerësuar se atje ku ajo jeton, në Gjermani, është shumë më e lehtë të rregullohet e drejta e autorit.
“Edhe nëse e kuptojmë të drejtën tonë pak më gjerë sesa vetëm tek e drejta e autorit dhe performuesit, është e drejtë e jona si artistë dhe joartistë komercialë dhe që nuk kemi përfitime të mëdha financiare. Të vetmen gjë që e kemi të garantuar është liria artistike. Nëse edhe këtë pranon të ta marrin, atëherë i jep vetes presion për të bërë çfarë kërkon tregu, pasi përfitimet nuk janë sikur dikush tjetër”, ka thënë ajo duke shtuar se në Kosovë nuk ekzistojnë interesat madhore për t’i hyrë, sipas saj, një lufte kaq të madhe.
Mediumet, sipas saj, janë tjetër problematikë e cila mund të zgjidhet duke ironizuar me publikimin e një fushate vetëdijesuese në njërin nga to që paguan për transmetimin e këngëve. Artistët e rinj i ka porositur për të mos hequr dorë nga e drejta e tyre.
“Nëse ende mendoni se nuk ka të ardhura nga të drejtat e autorit, mos jini dorëshlirë në këtë aspekt. Unë që kur e kam incizuar albumin e parë kam vendosur se mund të punoj dhe të paguaj krejt vetëm që t’i kem të gjitha të miat. Në fillim mund të duket se nuk është diçka me rëndësi, por nëse e kupton se je artist me plot kuptimin e fjalës, atëherë është shumë e rëndësishme të shohësh marrëveshjen me producentin dhe këdo që është i përfshirë”, ka thënë ajo.
Genc Salihu, që ka filluar të luajë në kitarë që kur ishte 9 vjeç, ka thënë se për aq kohë sa nuk ka një treg muzikor, askush nuk përfiton nga shkelja e këtyre të drejtave.
“Një prej problemeve që janë bazike përtej korrupsionit dhe mosgatishmërisë së institucioneve për të vepruar është se jemi treg i vogël, shumë pak është në eksport të cilët blejnë muzikë shqip”, ka thënë ai. Salihu ka thënë se kjo industri që nuk ekziston e pamundëson të zhvillohen grupe private të interesit që të bëjnë presion te shteti, që ky i fundit të zbatojë ligjet që janë në fuqi.
“Unë as nuk kam provuar ta komercializoj muzikën time sepse nga fillimi kam qenë i vetëdijshëm që ka shumë probleme në treg dhe në industrinë e cila është inekzistente. Nuk ka labele, nuk ka promotorë. Krejt është industri e gastronomisë. Kam qenë i vetëdijshëm që nuk ka kurrfarë strukture në treg në të cilën mund të mbështetesh në mënyrë që të jetosh nga ajo. Unë personalisht i jam qasur muzikës vetëm si një artist”, ka thënë Salihu.
Diskutimin me temën “I know my rights”, drejtori i programit të “Prishtina Music Conference”, Rron Kurtolli, e kishte konsideruar si kryetemën e ditës përmbyllëse të saj.
Konferenca sivjet ka sjellë tetë panele me tema të ndryshme rreth skenës muzikore, si dhe dy performanca. Në edicionin e dytë ka ardhur me synimin që të gjejë mendjen kolektive në tregun e muzikës urbane në Kosove nëpërmjet programit që përfshin tema e tregime aktuale dhe historike si zhanre dhe ngjarje të ndryshme. Krijimi i një rrjeti bashkëpunues mes etnive të ndryshme, argëtimi e krijimi i kontakteve mes njerëzve kanë qenë disa nga misionet e tjera të organizimit të kësaj ngjarjeje, relativisht të re në kryeqytet.