Shtojca për Kulturë

Mehdi Polisi – studiuesi i cili mundësoi që “Sami Frashëri të fliste shqip”

Pa përkthimet dhe studimet e prof.dr. Mehdi Polisit, personaliteti dhe vepra e Sami Frashërit jo vetëm që nuk do të ishte e plotë, por ajo nuk do të fliste shqip kaq zëshëm dhe kaq qartë, prandaj lexuesi shqiptar i ngelet borxh. Fillimi i botimit të veprave të përkthyera nga gjuha osmane të Sami Frashërit do të ishte viti 1984 me romanin “Dashuria e Talatit me Fitnetën”, kurse interesimi dhe puna e vazhdueshme e profesor Mehdi Polisit në këtë drejtim do të kurorëzohej në vitin 2004, me botimin e veprës së plotë të Sami Frashërit

Veprimtaria e profesor Mehdi Polisit, nuk është vetëm vëllimore, por e shumanshme dhe cilësore, këtë më së miri mund ta dëshmojnë ata të cilët e shfrytëzojnë vazhdimisht në studimet e tyre në albanologji, turkologji, gjuhësi, letërsi, histori, islamistikë, etj. Për jetën e Sami Frashërit dhe veprën e tij janë bërë shumë studime si nga studiuesi vendas, ashtu edhe nga studiuesit e huaj. Por, me të drejtë profesor Hasan Kaleshi vlerësonte se “vepra e Sami Frashërit është studiuar njëanshëm dhe nuk është bërë për të një monografi e plotë dhe gjithëpërfshirëse”.

Interesimi i profesor Mehdi Polisit për veprën e Samiut filloi që nga viti 1982 dhe do të zgjaste për gjithë jetën e tij deri në vitin 2014, thenë shkurt nga 60 vjet sa jetoi profesor Mehdi Polisi, 30 vjet apo gjysmën e jetës ia kushtoi përkthimit dhe studimit të veprave të Sami Frashërit. Pa përkthimet dhe studimet e prof.dr. Mehdi Polisit, personaliteti dhe vepra e Sami Frashërit jo vetëm që nuk do ishte e plotë, por ajo nuk do fliste shqip kaq zëshëm dhe kaq qartë, prandaj lexuesi shqiptar i ngelet borxh. Fillimi i botimit të veprave të përkthyera nga gjuha osmane të Sami Frashërit do të ishte viti 1984 me romanin “Dashuria e Talatit me Fitnetën”, kurse interesimi dhe puna e vazhdueshme e profesor Mehdi Polisit në këtë drejtim do të kurorëzohej në vitin 2004, me botimin e veprës së plotë të Sami Frashërit nga shtepia botuese Logos-A, me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së Sami Frashërit. Para botimit të veprës së plotë Logos-A kishte botuar pesë vepra të Sami Frashërit të përkthyera nga gjuha osmane prej profesor Mehdi Polisit (Personalitet shqiptarë në Kamus al-a’lam të Sami Frashërit, Dashuria e Talatit me Fitneten, Qytetërimi Islam, Gjuha, Anekdota), kurse në vitin 2004 do të përktheheshin dhe botoheshin për herë të parë në gjuhën shqipe edhe pesë vepra të tjera të Sami Frashërit (Qielli, Toka, Njeriu, Përsëri njeriu, Mitologjitë). Kompleti përbëhej nga gjithsej 20 vepra, 10 nga të cilat ishin të përkthyera prej gjuhës osmane nga profesor Mehdi Polisi.

Interesimi i profesor Mehdi Polisit për Sami Frashërin ishte përtej përkthimeve, ai është padyshim njohësi më i mirë i jetës dhe veprës së tij. Sami Frashëri si erudit për shumë çështje kishte hapur shtigje të reja dhe thuajse të gjitha gjurmët e tij janë zbuluar dhe i janë përcjellë lexuesit shqiptarë përmes përkthimeve të profesor Mehdi Polisit. Vlerësimet e profesor Mehdi Polisit për jetën dhe veprimtarinë e Sami Frashërit ishin të mbështetura në veprat autoriale të vetë Sami Frashërit. Kështu, duke analizuar artikujt në numrat 74-179 të gazetës “Zëdhënësi i Lindjes” (Tercuman-i Shark), përiudhë gjatë së cilës Sami Frashëri ishte redaktor, profesor Mehdi Polisi theksonte se këto artikuj janë dëshmi e mjaftueshme që tregojnë luftën e vazhdueshme që ka zhvilluar Sami Frashëri për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Sipas profesor Mehdi Polisit, Sami Frashëri është i pari që ka shkruar për probleme të ndryshme gjuhësore, filologjike në Perandorinë Osmane, duke iu referuar vetë Samiut, i cili në veprën “Gjuha”, shkruan: “Kjo shkencë te ne është ende e panjohur. Përveç disa artikujve sipërfaqësorë dhe të shkurtër, që i kam shkruar para disa vjetësh në gjuhën turke-osmane, lidhur me këtë çështje nuk është shkruar asgjë më tepër”. Të hysh në një fushë të pashkelur, sidomos në një fushë komplekse, siç është gjuhësia, duke trajtuar tema të ndryshme teorike e praktike të saj, duhet pasur në radhë të parë dy cilësi: guximin intelektual dhe njohuri të thella, përfundon Mehdi Polisi. Si njohës i mirë i jetës dhe studiues i thellë i veprës së Sami Frashërit, profesor Mehdi Polisi i ka bërë një vlerësim shumë domëthenës veprës “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë?”: “Nga vetë titulli i saj shihet se kjo vepër nuk është gjë tjetër veçse një program i qartë kombëtar. Mendimet dhe konceptet e tij lidhur me zgjidhjen e çështjes shqiptare, Sami Frashëri do t’i elaborojë në këtë vepër në mënyrë shumë të sistemuar në rrafshin shkencor dhe në rrafshin politik. Kjo vepër është një manual që duhet ta ketë në dorë çdo shqiptar”. Profesor Mehdi Polisi thekson se Sami Frashëri pikëpamjet e veta për gjuhën shqipe, i ka shfaqur gati në të gjitha shkrimet e tij, duke e cituar atë: “Gjuha shqipe nuk është një degë me gjuhët latine, greke e sllave, porse është një degë e drejtpërdrejtë e familjes së vjetër të gjuhëve ariane”.

Profesor Mehdi Polisi, ishte studiues dhe intelektual i dëshmuar në fushën e gjuhës dhe kulturës. Njohja e thellë e gjuhëve orientale, kultura e gjerë, përkushtimi në punën shkencore dhe mungesa e paragjykimeve i mundësoi nxjerrjen në dritë të studimeve objektive. Qoftë i përjetshëm kujtimi për profesor Mehdi Polisin, studiuesin e madh e të heshtur dhe pedagogun e ditur e modest!

Shënim: Për shkak të natyrës së shkrimit, janë hequr referencat shkencore.