Shtojca për Kulturë

Librat e komandantëve

Folegjenda: Nëse ti botoje një libër për luftën, automatikisht përfshiheshe në klubin e atyre që e “kanë mbështetur luftën për çlirim”, edhe nëse nuk kishe qenë kontribuues i drejtpërdrejtë (lexo: ushtar/komandant). Por kishte një çmim që duhej paguar

Folegjenda: Nëse ti botoje një libër për luftën, automatikisht përfshiheshe në klubin e atyre që e “kanë mbështetur luftën për çlirim”, edhe nëse nuk kishe qenë kontribuues i drejtpërdrejtë (lexo: ushtar/komandant). Por kishte një çmim që duhej paguar

Ditarë lufte, libra me kujtime e kronika, e ”libra historie” për atë periudhë lufte kanë shkruar edhe shumica e ish-komandantëve të UÇK-së, disa madje, nga disa libra. Padyshim, në gjithë këtë prodhimtari librash, njeriu mund të gjejë informacione relevante, dokumente e të dhëna me rëndësi. Por një seri e ngjarjeve të vonshme, vuri në pikëpyetje kredibilitetin e disa prej këtyre librave, dhe la hije dyshimi për plot libra të tjerë të kësaj kategorie! Ndodhi që, disa nga këta komandantë lokalë u ftuan të jenë dëshmitarë në Gjykatën për Krime të Luftës në Hagë

Janë botuar në këto 25 vjetët e fundit me qindra libra për luftën e fundit në Kosovë. Dhe është botuar gjithçka: ditarë lufte, libra dokumentarë, analiza për luftën, libra gazetareskë, me përmbajtje artistike e të natyrave të ndryshme. Të shkruash për atë periudhë qe bërë si njëlloj trendi, e që pastaj mori përmasa gati sa të një gare mes njerëzve, mes grupeve të ndryshme, mes lagjeve, mes qyteteve a fshatrave. Pak nga këta autorë kishin, të themi, interesim të njëmendtë profesional, shumica tjetër shkruante thjesht sa për ta përcjellë trendin, ose se donin të përfitonin ndonjë privilegj të pasluftës. Sepse nëse ti botoje një libër për luftën, automatikisht përfshiheshe në klubin e atyre që e “kanë mbështetur luftën për çlirim”, edhe nëse nuk kishe qenë kontribuues i drejtpërdrejtë (lexo: ushtar/komandant). Por kishte një çmim që duhej paguar: ky “anëtarësim në klub” mund të fitohej me disa “ndërhyrje” që ti duhej t’i bëje brenda kopertinave të atij libri. Hynin këtu, ta zëmë, hapësira që në libër u kushtoje ngjarjeve e njerëzve të caktuar (kryesisht komandantëve), pastaj glorifikimi, heroizimi, por edhe fabrikimi e retushimi i disa ngjarjeve që kishin ndodhur. E krejt këto ishin pjesë të domosdoshme e të cilat duhej t’i kishe parasysh (edhe nëse nuk të kërkoheshin nga askush), kur shkruaje një libër për luftën. Pas kësaj, ti bëheshe njëri nga “mbështetësit” e prandaj edhe mund të kishe qasje në privilegjet e ndryshme… Ti nuk ishe njëri nga ata, por ishe me ta, dhe kjo ishte e mjaftueshme.

Por ndërkohë, ditarë lufte, libra me kujtime e kronika, e ”libra historie” për atë periudhë lufte kanë shkruar edhe shumica e ish-komandantëve të UÇK-së, disa madje, nga disa libra. Padyshim, në gjithë këtë prodhimtari librash, njeriu mund të gjejë informacione relevante, dokumente e të dhëna me rëndësi. Por një seri e ngjarjeve të vonshme, vuri në pikëpyetje kredibilitetin e disa prej këtyre librave, dhe la hije dyshimi për plot libra të tjerë të kësaj kategorie! Ndodhi që, disa nga këta komandantë lokalë u ftuan të jenë dëshmitarë në Gjykatën për Krime të Luftës në Hagë, ku aktualisht janë nën akuza disa nga krerët kryesorë të UÇK-së. Këta komandantë lokalë, u ftuan të japin dëshmitë e tyre, se gjykata, si pjesë të akuzës ndaj krerëve të UÇK-së, në disa raste, kishte marrë citate, faqe a paragrafë inkriminues nga librat e tyre. Dhe ajo që këta komandantë lokalë po dëshmonin tani në Hagë, ndonjëherë ishte në shpërputhje me ato që kishin shkruar në librat e tyre. Dhe kur gjykata i pyeste për këtë diskrepancë, ata, si për t’u shfajësuar, deklaronin që “në libër gjërat i kishin ekzagjeruar e luluar”. Dhe ata siç duket po tregoheshin të sinqertë para gjykatës në Hagë! Sepse po, shumica e këtyre librave për luftën, glorifikojnë luftën e betejat e UÇK-së, glorifikojnë e heroizojnë ngjarje e individë, ngritin monumente për të vdekur e të gjallë…. Dhe mbi të gjitha, autorët e tyre i ngritin përmendore vetvetes!

Ky tekst fillimisht është botuar në “Novosti” të Zagrebit 
Botohet në shqip me leje të autorit