Kosova ka përzgjedhur arkitektët që do ta përfaqësojnë në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia. Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri, janë dyshja e cila në Pavijonin e vendit në ngjarjen e madhe, më të madhe të arkitekturës, do t’i japin formë “RKS2 Transcedent Locality” (“RKS2 – lokaliteti transcendent”) Me të do t’i përgjigjen temës “The Laboratory of the Future” me të cilën, sipas presidentit të Bienales, Roberto Cicutto, kuratorja e këtij edicioni “ka treguar vendosmërinë dhe guximin e përdorimit në një titull të dy fjalëve që janë konsumuar nga koha, por që janë të pazëvendësueshme. Edicioni i 18-të i Bienales së Arkitekturës do të hapet zyrtarisht më 20 maj.
Lajmin për përzgjedhjen e ka bërë të ditur Ministria e Kulturës nëpërmjet një njoftimi. “Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, duke u bazuar në raportin e jurisë vlerësuese dhe të komisionares së Pavijonit të Kosovës, ka nënshkruar vendimin për ekipin e kuratoratëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë Bienale. Kuratorët Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri do të prezantohen me projektin ‘RKS2 Transcendent Locality’”, shkruhet në njoftim.
Juria në përbërje nga arkitektet kosovare, Arnisa Kryeziu e Dea Luma, arkitekti italian, Luca Molinari, arkitektja turke, Aslihan Demirtas dhe artistja Doruntina Kastrati kishin zgjedhur unanimisht Poliksen Qorri-Dragajn dhe Hamdi Qorrin më 27 dhjetor për ta përfaqësuar Kosovën në Bienalen e Arkitekturës. Komisionare e Pavijonit këtë vit është Dafina Morina nga Ministria e Kulturës.
“Valët e migrimit nga lufta dhe konflikti në Kosovë kanë pasur ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e saj shoqëror. Pavijoni i propozuar prek një fenomen kritik dhe historik, që ende po vazhdon. Ai gjithashtu u jep hapësirë për reflektim dhe ngre pyetje të rëndësishme për ‘ndërgjegjen e dyfishtë’, rrënjët, shtëpitë, mjedisin, arkitekturën dhe planifikimin urban, të cilat janë në përputhje me realitetin në Kosovë, por edhe me konceptin e Bienales së Venecias të këtij viti”, thuhet në arsyetimin që juria ia ka drejtuar ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Po aty shkruhet se juria profesionale unanimisht ka votuar për projektin “RKS2 – lokaliteti transcendent”, pasi ka prezantuar temën më relevante dhe më hulumtuese në mesin e aplikimeve që mori thirrja e hapur. “Diskutimet e ngritura dhe hulumtimi i propozuar është interesant dhe themelor në specifikat e Kosovës për të ofruar përfaqësim specifik të vendit dhe forca e tij teorike do të kontribuojë në diskutimet e përgjithshme të temës në Bienalen ‘Architettura 2023: The Laboratory Of The Future’. Thjeshtësia e dukshme e instalacionit do t’u ndihmojë vizitorëve të fokusohen në temën specifike të ngritur nga arkitektët”, shkruhet aty. Presidenti i Bienales së Venecias, kohë më parë ka vlerësuar se Bienalja e Arkitekturës do të shërbejë për të përmbysur keqkuptimet kulturore nëpërmjet temës “Laboratori i së ardhmes”.
“Do të kuptoni se si qasja e saj ngjan shumë me propozimin për një pakt mes vizitorëve të Bienales, botës së arkitekturës dhe kulturës në përgjithësi. Kjo është një ekspozitë që, bazuar në premisa shumë praktike dhe këndvështrime shumë specifike, do të shikojë drejt e në sytë e përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse dhe të gjithë atyre që do të grumbullohen në Giardini, Arsenale dhe qytetin e Venecias”, shkruhet në deklaratën e Cicuttos në ueb-faqen e Bienalen së Venecias.
Në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, Kosova debutoi më 2012. Asokohe shteti ishte prezantuar me “Punuesi i filigranit”, të kuratorit Përparim Rama dhe për komisionar ishte caktuar arkitekti Bekim Ramku. “Punuesi i filigranit” mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar). Kulla e punuar nga 720 stola përcillte historinë arkitekturore të Prizrenit. Vënia në dukje e ndryshimeve që ka pësuar ky vend gjatë një shekulli ka qenë ajo që ishte prezantuar në konceptin kuratorial. Dy vjet më vonë, sherri i Ministrisë së Kulturës që nuk ishte kujdesur për procedurat, Kosova s’u përfaqësua, për t’u rikthyer më 2018 me Eliza Hoxhën, me veprën “Qyteti është gjithandej”, që zhvendosi atje shtëpinë kosovare të viteve ’90.
Në edicionin e 2020-s, Maksut Vezgishi me “C0ntainp0rary” zbërthente pyetjen se si mund të jetojmë së bashku. Pavijoni i Kosovës ngrihet në Arsenale, i cili bashkë me Giardinin janë vendet kryesore ku shtrihen veprat e shteteve pjesëmarrëse.
Sa i përket përfaqësimit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie, gjithçka kishte filluar më 2013. Asokohe Petrit Halilaj kishte paraqitur instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Më 2015, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 ishte Sislej Xhafa me veprën “Lost and Found”, një thirrje e fuqishme për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Me histori lufte, Kosova ishte përfaqësuar edhe më 2019 nga Alban Muja me “Family Album” (Albumi familjar). Vitin e kaluar, Jakup Ferri temës së përcaktuar nga Bienalja do t’i përgjigjet me “Monumentalitetin e përditshmërisë”, që mund të shihet si propozim për të ardhmen dhe si shpresë.