Sipas atyre që merren me çështje politike e të drejtat e njeriut, dy gjëra janë të qarta: Rusia nuk e ka menduar mirë invazionin në Ukrainë dhe ka shpërfaqur pafuqi, ndërsa Serbia është duke u zhytur në një skizofreni nacionaliste edhe më të rëndë se ajo e vitit 1999, kur përfundimisht Kosova “i doli nga dora”. Konstatime të tilla janë nxjerrë të shtunën në panelin e organizuar në “Mirëdita, dobar dan!” në Beograd
Historia e re e Kosovës, sidomos ajo e fundshekullit të kaluar dhe e dekadës së parë të këtij shekulli, është duke shërbyer për përplasje midis Federatës Ruse dhe Perëndimit. Të paktën për përplasje politike. Por edhe përdorimi i Kosovës si shembull përmban hipokrizi më vete. E Serbia në këtë mes bën sehir sa me njërën anë, sa me tjetrën. Por, sipas atyre që merren me çështje politike e të drejtat e njeriut, dy gjëra janë të qarta: Rusia nuk e ka menduar mirë invazionin në Ukrainë dhe ka shpërfaqur pafuqi, ndërsa Serbia është duke u zhytur në një skizofreni nacionaliste edhe më të rëndë se ajo e vitit 1999, kur përfundimisht Kosova “i doli nga dora”.
Në ditën e tretë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është mbajtur diskutimi me temë “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova”. Një ndër qëllimet e panelistëve ishte ta deshifrojnë se si presidenti rus, Vladimir Putin, përmend Kosovën kur i duhet të arsyetojë synimin për pavarësimin e disa rajoneve të Ukrainës, në mënyrë që të jenë nën tutelën e tij si udhëheqës. Putin në njërën anë nuk e njeh Kosovën si shtet e në anën tjetër thirret në pavarësinë e saj si arsyetim për të realizuar qëllime.
Thirret në atë se ndërhyrja e NATO-s në ish-Jugosllavi ka bërë që të shkelet e drejta ndërkombëtare. Por dallimi është se në rastin e Ballkanit, Serbia po ushtronte dhunë me tendenca të gjenocidit në Kosovë, kurse invazioni rus në Ukrainë bëhet për krejt të tjera arsye. Midis tyre “kthimin e një Bashkimi të dikurshëm Sovjetik”.
Serbët si “shtyllë kurrizore e Ballkanit”
Themeluesja dhe drejtuesja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko, e cila njeh në detaje të kaluarën midis Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se Putini e ka filluar luftën më 2014 kur aneksoi Krimenë. Sipas saj, lideri rus llogarit se fatkeqësia më e madhe shekullit të kaluar ishte shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.
“Data 24 shkurt nuk është incident, por luftë e planifikuar. Por Putini gaboi në perceptim për Perëndimin. Investoi shumë para për të korruptuar majtistët. Ai u befasua kur bota perëndimore reagoi me solidaritet ndaj Ukrainës. Ai u befasua edhe nga rezistenca e Ukrainës”, ka thënë ajo. Ka shprehur bindje se në kuptimin afatgjatë, Rusia do të jetë humbësja më e madhe e krejt politikës aktuale të presidentit Putin, pasi ai ia ka huqur kur i ka bërë llogaritë. Sa i përket përmendjes së Kosovës nga ana e Putinit, ka thënë se edhe në këtë rast ai ia huq.
“Kosova është pjesë e procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Gjithçka filloi me grevën e studentëve e më pas për dy dekada ndodhi terror shtetëror. Shqiptarët u larguan nga institucionet. Pacifizmi i tyre ishte i veçantë. Por pas Daytonit, shqiptarët nisin të pyesin nëse Rugova po bënte politikë relevante. Kur u shfaq UÇK-ja, Beogradi nisi ndërhyrjen e madhe”, ka thënë ajo. Sipas Biserkos, Serbia nuk llogariste në një zgjidhje gjatë e as pas Konferencës së Rambouillet, pasi shpresonte se në rast në përhapjes së konfliktit, do të ndërhynte Rusia. Por, sipas saj, udhëheqësi rus i asaj kohe, Boris Yeltsin, e urrente Millosheviqin.
“Krahasimi i Kosovës dhe Ukrainës nuk qëndron. Putini me qëllim dhe dashakeqësi e keqpërdor rastin e Kosovës. Serbia synon ndarjen e Kosovës. E Putini e merr këtë lloj argumentimi për të akuzuar Perëndimin për shkelje të të drejtës ndërkombëtare në Kosovë”, ka thënë ajo.
Biserko me qetësinë e saj gjatë shtjellimit të argumenteve ka thënë prerazi se të thuash se “Kosova është Serbi nuk ka kurrfarë baze në realitet. Bile, ka shtuar se edhe qytetarët serbë e dinë këtë. “Tash në Serbi pritet që Rusia të fitojë dhe të ketë një kontest të ri ku Serbia shikon t’i realizojë aspiratat. Ideja është te bashkimi i botës ruse dhe asaj serbe. Por mendoj se kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë ajo. Ka vazhduar diskutimin duke thënë se serbët mendojnë se rusët i mbrojnë në rast nevoje.
“Rusia edhe Serbia janë larg të qenët liberale. Për fat të keq në Serbi njerëzit nuk e dinë se çfarë i pret nga këto sjellje autoritare. Sanksionet për Rusinë do të ishin më shumë simbolike. Serbia nuk ka ndonjë shkëmbim të madh me Rusinë”, ka thënë ajo.
Sa u përket sanksioneve që krejt bota demokratike ia ka vënë Rusisë, Serbia heziton. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, në konferencat e tij për media, me tone prej vajtuesi, kohëve të fundit ka treguar se në çfarë pozicioni të vështirë gjendet. Si “argument” ka përdorur rrëfimin se edhe tezja e tij e madje edhe babai janë kundër sanksioneve ndaj Rusisë.
Biserko, të shtunën, ka thënë se serbët mendojnë se janë i vetmi popull shtetndërtues në Ballkan dhe shtylla kurrizore e Ballkanit.
“Por tash e shohim se nuk ka as shtet e as shoqëri. Çështja kyç në Serbi është se sa i madh është shteti, por ende nuk është arritur te cilësitë e shtetit. Te ajo se çfarë shteti na duhet”, ka thënë Biserko në ditën e katër të festivalit, që synon që nëpërmjet artit të arrihet njëfarë mirëkuptimi ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Por kjo del të jetë zor e mundshme.

Nacionalizmi nëpër rrugët e Beogradit
Një ecje nëpër rrugët e Beogradit flet shumë. Shpërfaqen grafite të kriminelëve të luftës, të cilët janë të dënuar nga Gjykata ndërkombëtare. Për disa serbë, ata janë heronj pasi kanë vrarë shqiptarë, boshnjakë e kroatë.
Mesditën e së shtunës në qendër të Beogradit nja 200 veta kanë bërë një ecje simbolike, duke kundërshtuar luftën në Ukrainë. Thirrjet ishin që Vladimir Putin ta ndalë luftën. Por shpresa se zëri i tyre mund të ndikojë është e vogël. Bash në rrugën ku zhvillohet marshi një shofer taksie me syze që bien në sy e veturë luksoze ka urrejtje të madhe për grupin.
“Ata janë të çmendur. Nuk e duan Putini,n por e duan një peder si Zelenskyy”, thotë ai plot zemërim, derisa ua bën një xhiro një grupi gazetarësh nga Kosova. Kur pyetet se përse përdor termin pezhorativ për homoseksualët në raport me presidentin Ukrainas, Volodymir Zelenskyy, përgjigjen e ka në maje të gjuhës. “Për mua është peder. Kaq”, thotë prerazi. S’ka fije argumenti, por do që e vërteta e tij e shpikur të pranohet si e tillë. Bile në këtë rast nis t’i japë veturës furishëm në shenjë revolte. E të tillë duket të ketë shumë dhe mund të argumentohet se janë shumicë.
Sonja Biserko ka thënë se Serbia po armatoset dhe nuk dihet përse pasi s’ka me kë të luftojë.
Lufta në Ukrainë si mësim për qeveritë e Kosovës dhe Serbisë
Në panelin e diskutimit, ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, tash parti që ka Qeverinë në Kosovë – Visar Ymeri, ka thënë se në realitet, historikisht e politikisht nuk ka ngjashmëri midis rastit të Ukrainës dhe Kosovës.
“Intervenimi i NATO-s në Kosovë ka ardhur pas një numri të madh të krimeve dhe masakrave që janë kryer nga policia e ushtria serbe. Janë dhënë shenja për politika gjenocidale. Intervenimi i NATO-s ka qenë i përqendruar edhe territorialisht. Kurse invazioni rus ka tjetër qëllim: pushtimin e krejt Ukrainës”, ka thënë Ymeri. Sipas tij, Rusia thotë se meqë Kosova është bërë e pavarur, atëherë kanë të drejtë edhe disa vende të tjera. Në anën tjetër Putini nuk e njeh Kosovën e as krimet e Serbisë në Kosovë. Sikur t’i besonte këtij parimi do ta njihte Kosovën”, ka thënë ai. Sipas tij, është koha që lufta në Ukrainë t’i bënte Qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë që të nxirrnin mësime.
“Tash rajoni ka filluar të shihet edhe më shumë si problem sa i përket sigurisë. Në këtë drejtim konsideroj se varësisht qasjes së Kurtit e Vuçiqit, Perëndimi do të ketë kërkesë më të madhe që të gjendet zgjidhje”, ka thënë ai.
Rajoni i humbur drejt Evropës
E gazetari Idro Seferi ka thënë se nuk mund të ketë paralele midis Kosovës dhe Ukrainës. Sipas tij, narracioni për Kosovën në Serbi është se shqiptarët janë revoltuar në vitet ‘90 pasi më herët jetonin mirë. Po ashtu se shqiptarët po ushtronin dhunë ndaj serbëve gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar.
“Për shumëkënd në Serbi lufta filloi me 24 mars 1999. Nuk përmendet tjetër gjë. Kur është përvjetori i bombardimit të NATO-s, njerëzit në Serbi mendojnë se shqiptarët gjithmonë kanë qenë kundër serbëve, se i vrisnin dhe gjithmonë ia dilnin. Kjo ndodh edhe publikisht pasi në konferenca për media po dëgjojmë se ‘loti serb nuk ka nënë’”, ka thënë ai. Sipas Seferit, kësisoj krijohet ideja se njerëzit në Ukrainë janë nazistë e në Kosovë, terroristë.
“Rajoni ka humbur kontrollin në rrugën evropiane. Nuk ekziston ideja e zgjidhjes së problemeve me marrëveshje. Serbia nuk ka dashur që ta zgjidhje çështjen e Kosovës në mënyrë politike. Në vitet ’90 Serbia i shtyu shqiptarët e Kosovës që të bëjnë protesta pasi nuk e respektoi as marrëveshjen për t’i lejuar shqiptarët që të arsimohen. Ka narracion se shqiptarët kanë ardhur vonë në këto anë. Një politikë e tillë bën që të stagnojë i gjithë rajoni”, ka thënë ai. E në rast se një prijës serb do të pranonte Kosovën si shtet, sipas Seferit, ai ose ajo do të ishte tradhtar.
“Serbët janë popull qiellor e të tjerët janë më poshtë. Një narrativë të tillë e kemi gjithmonë. Nacionalistë nuk mund të durojnë që të tjerët të jenë të barabartë me ta. Këtu ekziston narrativa se shqiptarët shpërngulen dhe presin dru. Boshnjakët i quajnë turq. Demonizimi ekziston në rajon”, ka thënë ai.
Jeta në mite përballë ballafaqimit me të kaluarën
Raportet midis Kosovës dhe Serbisë janë problematike edhe në perspektivën e politologut nga Novi Sadi, Boris Varga.
Ai qysh në fillim thotë se Kosova e ka fituar pavarësinë e saj, pasi ndaj saj ka pasur krim e gjenocid. Këtu ka parasysh mbi 400 masakra ndaj shqiptarëve të Kosovës e po ashtu edhe shpërnguljen e gati një milion njerëzve jashtë vendlindjes së tyre. Për të është e qartë se Serbia ka ushtruar krim në përmasa të gjenocidit.
“Atje është kryer një krim i madh dhe Perëndimi mendon se Beogradi nuk mund ta ketë atë territor. Suksesioni si term është i manipuluar nga Putini për të realizuar objektivat e tij. Putini po shikon të shkaktojë konflikte etnike, siç bënte Serbia në Kosovë. Ka një plan serioz se si të merret një pjesë e Ukrainës dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me Kosovën”, ka thënë ai. Sipas tij, ideja ishte që nëse pranohet Kosova si shtet, ndoshta Perëndimi do t’i mbyllte sytë për aneksimin e Krimesë. Por, sipas Vargas, ky opsion ka ekzistuar deri me 24 shkurt, kur edhe filloi invazioni rus. Frika e tij për ndryshimin e popullit serb është e madhe. Për këtë numëron edhe disa arsye.
“Në disa debate të mbyllura e të hapura jam habitur se si mendojnë intelektualët e Serbisë. Kjo pasi Serbia nuk është ballafaquar me të kaluarën. Jeton në mite dhe nuk do të pranojë atë që ka ndodhur e agresionin që ka ushtruar te shtetasit e vet, shqiptarët. Nuk kemi rrugë drejt Evropës. Është thjeshtë mashtrim i vetës”, ka thënë ai.
Në zgjedhjet e prillit të këtij viti, dy lëvizje djathtiste serbe kanë arritur të marrin 20 deputetë në Kuvend. Ky, sipas njohësve të politikës, është një tmerr për Serbinë. Por njëkohësisht mendohet se është vetë pushteti që u jep hapësirë njerëzve si Milica Gjurgjeviq-Stametnovski, që udhëheq me lëvizjen “Zavetnici” dhe ishte kandidate për presidente, e cila morri rreth 1300 mijë vota. Ajo u printe protestave kundër festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, që sjell art të Kosovës në Beograd. Bile art të përmasave botërore, si filmi “Zgjoi”, që u dha të premten në Kinotekën jugosllave. Ky film është edhe derivat i luftës së fundit në Kosovë. Nën regji të Blerta Bashollit, filmi fitoi disa çmime të rëndësishme ndërkombëtare, e hyri deri në rrethin e ngushtë paranominues për “Oscar”. Qe midis 15 filmave që pritej të nominoheshin. Në këtë projekt kinematografik, të vejat që mbeten të tilla nga lufta vetëm pse kishin burrat shqiptarë e regjimi serb donte t’i zhdukte, përballen me realitetin e pasluftës së viteve 1998-1999.
Por për serbët kjo nuk do të thotë asgjë. Sivjet në vend të protestave ngjarjet e Festivalit u penguan me alarme të rreme për bomba. E Varga e ka të qartë një gjë: Serbia tash është në situatë skizofrenike”, ka konkluduar ai në panelin e moderur nga Filip Lukiq.