Gjurmët e para të gjakovarëve në Sarajevë datojnë që nga periudha e Perandorisë Osmane. Në bazë të dokumenteve nga Arkivi Historik i Sarajevës, mund të shihet se si u formua kolonia gjakovare në Sarajevë, me dhjetëra familje gjakovare që u vendosën në këtë qytet
Burim Axhanel
Shqiptarët kanë qenë prezentë në Bosnjë dhe Hercegovinë për shekuj me radhë dhe, së bashku me hebrenjtë dhe romët, ata ishin komuniteti minoritar më i shumtë në Bosnjë dhe Hercegovinë, si gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, ashtu edhe gjatë okupimit të Bosnjës nga ana e Perandorisë Austro-Hungareze (1878-1918).
Edhe sot në Sarajevë jeton një komunitet i konsiderueshëm shqiptar, i përbërë nga familje që kryesisht kanë ardhur nga Gjakova dhe që sot janë në masë të madhe të asimiluara.
Tregtarët nga Gjakova ishin veçanërisht të aftë në tregti dhe në shekullin XIX dhe XX ata themeluan koloni të shumta në Ballkan në qytetet: Shkodër, Shkup, Selanik, Serez, Sarajevë, Stamboll, Sofje, Nish, Manastir, Jeni Pazar (Novi-Pazar), Mitrovicë, Beograd.
Një nga ato koloni të Gjakovës ka ekzistuar edhe në Sarajevë, në Bosnjë e Hercegovinë në shekullin XX, e përbërë nga familje të ardhura kryesisht nga Gjakova qysh prej shekullit XIX dhe në vitet e hershme të shekullit XX, megjithëse edhe më parë shqiptarët nga Gjakova jetonin dhe bënin tregti në Sarajevë dhe Bosnjë e Hercegovinë në shekujt XVII dhe XVIII.
Ata kryesisht tregtojnë me Sarajevën, por edhe me qytete të tjera të Perandorisë Osmane të asaj kohe.
Ata ishin tregtarë të aftë, gajtanxhinj, endës mëndafshi, rrobaqepës, zejtarë si dhe bakallë (shitës gjësendësh).
Gjurmët e para të gjakovarëve në Sarajevë datojnë që nga periudha e Perandorisë Osmane. Në bazë të dokumenteve nga Arkivi Historik i Sarajevës, mund të shihet se si u formua kolonia gjakovare në Sarajevë, me dhjetëra familje gjakovare që u vendosën në këtë qytet.
Sarajeva si qendër esnafësh
Sarajeva përfaqësonte në Perandorinë Osmane një qendër të zhvilluar dhe të fuqishme të esnafëve dhe zejtarëve në këtë pjesë të Ballkanit, në perëndim të perandorisë së madhe, ndërsa tregtia midis shqiptarëve nga Arnautllëku (Arbënia) zhvillohej edhe me sheherin më të madh perëndimor të Perandorisë Osmane – Sarajevën.
Gjakova, Shkodra dhe Prizreni atëbotë në shekullin XIX paraqitnin tri qytete të vetme dhe pa konkurrencë ekonomike në tërë regjionin e Shqipërisë Veriore.
Jakova, siç quhej atëherë Gjakova deri në ndryshimin e emrit në shekullin XX, në atë periudhë qeverisej nga familja Kryeziu, e cila inkurajonte dhe mbështeste zhvillimin e tregtisë me të gjitha qytetet e rajonit, duke synuar përmirësimin e mirëqenies së banorëve të saj. Për këtë arsye Gjakova u shndërrua në një qendër të rëndësishme ekonomike në Arnautllëk (Arbëni).

Kështu, tregtarët dhe zejtarët nga Gjakova tregtonin shumë me Sarajevën, veçanërisht pas vitit 1852, kur u zbatuan reformat e modernizimit të Perandorisë Osmane, dhe sidomos gjatë kohës së sundimit të valiut osman Sherif Topall Osman-pashës (1861-1869) në vilajetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, i cili përmirësoi kushtet ekonomike në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Me këtë rast do të përhapen lidhjet tregtare të Jakovës (Gjakovës) me Sarajevën.
Gjakovarët e parë në Sarajevë
Në atë periudhë, nga gjysma e shekullit XIX, tregtia midis Sarajevës dhe Gjakovës lulëzonte, dhe tregtarët e zejtarët nga Gjakova filluan të vendoseshin në Sarajevë. Në varrezat e njohura lokale për mysafirë në Alifakovc të Sarajevës ndodhen gurëvarret e tregtarëve prej Gjakovës (Jakovës së atëhershme) të varrosur atje, të cilët vdiqën gjatë asaj periudhe në Sarajevë, dhe mbi të cilët janë të shkruara të dhënat për qytetin nga vinin.
Në dy gurëvarre të ruajtura nga ajo periudhë janë gdhendur këto mbishkrime:
Adem, bir i Hajrulahut, tregtar nga Jakova 1279 (1862/1863) (1)
Hajrulah Jakovali (Gjakovari), bir i haxhi Mustafës 1297 (1879/1880) (2)
Se nga cilat familje ishin të varrosurit, nuk përmendet, pasi në atë kohë kryesisht njerëzit u regjistroheshin vetëm me emrat e tyre.
Siç dëshmojnë dokumentet dhe shënimet në libra të vjetër për historinë e Sarajevës, një nga zejet në të cilat ishin të përfaqësuar gjakovarët ishte zeja e gajtanxhinjve dhe ajo e përpunimit të mëndafshit (ipekçi). Të përfaqësuar ishin gjithashtu saraçët, si dhe tregtarë të tjerë me mallra të ndryshme.
Më shumë të dhëna rreth tregtarëve dhe familjeve nga Gjakova që qëndronin dhe jetonin në Sarajevë në shekullin XIX gjenden në Arkivin Historik të Sarajevës, ku ruhen dokumente që përmendin gjakovarët që punonin si tregtarë në Sarajevë dhe që u gjenden në Sarajevë gjatë pushtimit austro-hungarez të qytetit në vitin 1878 dhe vitet në vijim.
Me okupimin e Bosnjës dhe Hercegovinës nga Austro-Hungaria, do të kontrollohen hyrjet dhe daljet e udhëtarëve në Bosnje dhe Hercegovinë e cila është tashti pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze, si dhe qarkullimi i popullatës në qytetin e Sarajevës. Të gjitha këto konfirmohen nga dokumente të shumta të ruajtura në fondin e Arkivit Historik të Sarajevës.
Zhvillimi industrial i Sarajevës gjatë periudhës austro-hungareze ishte shumë intensiv, dhe për këtë arsye Sarajeva i tërhiqte tregtarët gjakovar për të bë tregti me një perandori perëndimore.
Në dokumentet nga viti 1879 përmenden gjakovarët e mëposhtëm që ndodheshin në Sarajevë dhe merreshin me tregti: Dervish Arnaut – i drejtohet kryesisë së qytetit me kërkesë që t’i nxirret leja e udhëtimit që të shkojë në vendlindjen e tij në Jakovë në Arnautllëk (Shqipëri); Huseinaga Jakovale jep garanci për udhëtarët/mysafirët Halidin dhe Alushin nga Kosova; Hamzaga Hajrullahu jep garanci për udhëtarin Niman Hajrullahu dhe për dy të tjerë; Idrizaga Arnaut (Idriz Axhanela) kërkon nga Qeveria e Shtetit që t’i lëshohet një letër rekomandimi.

Si garantues për udhëtarët të cilët udhëtonin nëpër Bosnje e Hercegovinë paraqiten në këtë vit edhe saraçi Salih Arnaut, Sadiaga Arnaut, Veliaga Arnaut, Ibrahim Arnaut. Kurse në dokumente të vitit 1881 prapë paraqiten garantuesit për udhëtar sidomos nga Gjakova – saraçi Salih Arnaut jep garanci për Alija Karkini Arnaut për të udhëtuar në Banjallukë; Ibrahim Shabanaga jep garanci për Shabanaga Arnaut i cili udhëton për Arnautllëk (Shqipëri) etj.
Vihet re se në dokumente përmenden shqiptarët te të cilët emri shoqërohet me shënimin ose shtesën “Arnaut“. Popullsia vendase shqiptarët i quante Arnaut, sipas emrit nga gjuha turke dhe arabe për shqiptarët. Gjithashtu shfaqet në disa raste edhe emri i qytetit nga ata vijnë Jakova (Gjakova).
Nga analiza e këtyre dokumenteve shihet se në Sarajevë në shekullin XIX kanë tregtuar dhe kanë qenë prezentë tregtarët nga familjet gjakovare Shabanaga/Mullashabani, Hajrullahu, Axhanela dhe Karkini si dhe anëtarë të familjeve të ndryshme gjakovare për të cilët, fatkeqësisht, nuk është shënuar mbiemri, por vetëm emri i tyre.
Gjatë periudhës së Perandorisë Austro-Hungareze, shumë shqiptarë nga Gjakova do të tregtojnë me Sarajevën, duke sjellë mallra të ndryshme.
Ata gjatë vitit e kalonin vetëm një periudhë të caktuar në Sarajevë duke bërë tregti, kurse me ardhjen e dimrit ata ktheheshin në qytetin e tyre amë.
Dekadat e luftërave në rajon në fillim të shekullit XX ndikuan si te njerëzit ashtu edhe në ekonominë e Gjakovës. Me largimin e Turqisë nga këto anë, në vitet 1912/1913 gjërat ndryshojnë, ndërpritet ai hov zhvillimi i zejeve në Gjakovë, zvogëlohen tregjet, shkurtohen rrugët tregtare, pasojnë luftërat ballkanike dhe ndërrohet okupatori.
Si pasojë e rrethanave të tilla, shumë banorë nga Gjakova u detyruan të emigrojnë.
Kjo situatë e krijuar shkaktoi rënien e potencialit ekonomik të Gjakovës dhe zvogëlimin e numrit të banorëve, të cilët migronin në qendrat e tjera zejtare e tregtare të Kosovës dhe të viseve të tjera Ballkanike (Shkup, Manastir, Shkodër, Sarajevë, Selanik, Stamboll, Sofje, Nish etj).
Tregtarët e Gjakovës të cilët tregtonin me tregtarët e Sarajevës, më nuk ktheheshin në Gjakovë por filluan të blinin shtëpi në Sarajevë në Austro-Hungari, dhe të sillnin familjet e tyre me vete, sidomos pas pushtimit të Kosovës nga ana e Serbisë.
Ashtu sipas shënimeve, gjakovarët filluan të migrojnë asokohe në Austro-Hungari, në Sarajevë, dhe veçanërisht të vendoseshin në lagjen e qytetit të Sarajevës të quajtur Vratnik, ku ka qenë i koncentruar me banim numri më i madh i shqiptarëve të Gjakovës.
Nga burimet kadastrale mund të shihet se shtëpitë në Vratnik, lagjen e Sarajevës, në Perandorinë e Austro-Hungarisë i blenë familjet gjakovare Karkini në vitin 1912 dhe Idriz Axhanela në vitin 1917, njëra pranë tjetrës, dhe ato i kanë blerë nga familja e njohur tregtare sarajevase Haxhikazaferoviq, e cila ishte shpërngulur në Turqi.
Deri atëherë tregtarët gjakovarë kishin jetuar si qiramarrës nëpër pjesë të ndryshme të qytetit. Pastaj aty pranë këtyre dy shtëpive filloi të banojë në vitet e tridhjeta familja gjakovare Jaha (Allaxha), dhe u formua një qendër e vogël shtëpiash ku banonin familjet shqiptare gjakovare njëra pranë tjetrës. Sidomos pas Luftës së Dytë Botërore në mëhallat e Vratnikut do të shumohet numri i gjakovarëve dhe shqiptarëve të tjerë nga viset shqiptare, dhe u krijua një koloni e vërtetë shqiptare në Vratnik, ashtu që një pjesë të Vratnikut banorët e Sarajevës e quanin “Arnautske bašče”(Bahçet e shqiptarëve).
Hapja e fabrikave për përpunim të gajtanit dhe mëndafshit nga familjet gjakovare Axhanela dhe Karkini
Në fillim të shekullit XX një gjurmë të veçantë në Sarajevë lanë dy familje zejtare gjakovare (Axhanela dhe Karkini), gajtanxhinj dhe mëndafshëpunuesit, siç ishin djemtë e Idriz Axhanelës, i cili edhe më parë bënte tregti në Sarajevë, vëllezërit Osmani, Latifi dhe Ahmedi si dhe haxhi Zejnel Karkini, të cilët erdhën nga Gjakova në Sarajevë, në Perandori Austro-Hungareze, dhe në mesin e viteve të dhjeta e njëzeta të shekullit të XX hapën fabrika për përpunimin e gajtanit dhe mëndafshit. Në fabrikat e familjeve Karkini dhe Idriz Axhanela në Vratnik në Sarajevë përpunoheshin fijet e mëndafshit dhe gajtanit.
Sidomos ndër ta veçohet Latif Idriz Axhanela, i lindur më 1880 në Gjakovë, i cili e hapi fabrikën e prodhimit të gajtanit të mendafshtë në Sarajevë bashkë me vëllain Osmanin (Tvornica i skladište svilenog gajtana Latif Idriz i brat)5. Në fabrikën e tij dhe të vëllait në Vratnik në Sarajevë punonin 25 kallfa/punëtorë, të gjithë nga Gjakova dhe Kosova, kurse dyqanin me magazinë ku e shiste mallin e prodhuar e kishte në Bashçarshi në rrugen “Veliki ćurčiluk| nr. 40 që mund të shihet nga regjistri i objekteve biznesore të asaj periudhe. Latif Idriz Axhanela organizonte edhe teferiçe ku i mblidhte të gjithë kallfat shqiptarë të cilët punonin në fabrikën e tij dhe të vëllait Osmanit e më vonë të vëllait Ahmedit dhe tuboheshin nëpër vende piknikesh të Sarajevës, në natyrë, me qëllim argëtimi. Kështu, në vitin 1932, u shkrua nga Mulla Beqir efendi Baraku (1896-1936), imami dhe poeti i njohur gjakovar, kënga "Sarajeva, shehër i bukur", mbasi Beqir efendi Baraku e kishte vizituar Sarajevën disa herë në vitin 1931, dhe përshtypje i kanë bërë teferiçet e Sarajevës, e të cilët i përmend në këngën e lartpërmendur.
Në shtëpine e Latifit në rrugën “Nova Mahalla” në Sarajevë, banonte një kohë dhe Ibrahim Ymerhalili Fehmiu, babai i artistit të njohur Bekim Fehmiut, i cili është lindur më 1936 në Sarajevë, në shtëpinë e Latif Idriz Axhanelës.
Vëllëzërit Axhanela nga Gjakova ishin të angazhuar në ushtrimin e zejës gajtanxhi dhe kazaz (mëndafshpunues) në dyqanët e babait të vet Idrizit, i cili ka qenë në lidhje familjare dhe kushëri me sunduesit e Gjakovës familjen bejlere të Kryezinjve e cila nxiste tregtinë e gjakovarëve me qytetet e tjera, dhe i cili qe zejtar i fortë me shumë përvojë, dhe i nisi lidhjet tregtare me Sarajevë dhe Bosnjë e Hercegovinë qysh në shekullin e XIX.

Në të njëjtën kohë në fillim të shekullit XX në Sarajevë fabrikën e përpunimit të mëndafshit do ta hapë edhe Zejnel Karkini me djemtë e vet Rizanë dhe Huseinin gjithashtu në Vratnik (Tvornica svilenog gajtana “Hadži Zeinil Karkini i sinovi”). Familja Karkini ka qenë gjithashtu nga Gjakova, ndërsa me origjinë e lashtë ishin prej Elbasani nga janë ardhur më herët në Gjakovë. Edhe kjo familje gjakovare nisi lidhjet tregtare me Sarajevë dhe Bosnjë e Hercegovinë qysh në shekullin XIX. Duhet të theksohet se në Gjakovë nuk ekziston më asnjë anëtar i familjes Karkini, sepse të gjithë janë shpërngulur anembanë botës.
Në fund të viteve 20-ta të shekullit XX, për shkak të rritjes së nevojës së prodhimit gajtanit të mëndafshtë, Osman Idriz Axhanela e hapi një fabrikë të re për përpunimin e gajtanit, mëndafshit dhe buqmes (Tvornica i skladište gajtana i bučme svilenog i vunenog i preda u svim bojama “Osman Idriz i sinovi”) të cilën e udhëhiqte bashkë me djemtë e vet Rizanë dhe Zijanë. Në fabrikë i punësonte 15-20 punëtore (kallfa) gjithashtu të gjithë shqiptar nga viset e Kosovës e sidomos prej Gjakovës.
Mallin e prodhuar në këto tri fabrika të gajtanit dhe mëndafshit e kanë shitur përveç në Bosnjë e Hercegovinë edhe në Austri, Dalmaci, Dubrovnik, Zagreb, Serbi.
Edhe në almanahet dhe librat telefonikë të botuar para viteve të 40-ta dhe para Luftës së Dytë Botërore mund të gjenden mbiemrat e familjeve zejtare dhe tregtare gjakovare sikurse janë Idriz Axhanela, Karkini, Shabanagiq dhe Shllaki.
Në mes të viteve tridhjeta pas vdekjes së Haxhi Zejnel Karkinit dhe krizës ekonomike fabrika e tij do të mbyllet, kurse pas Luftës së Dytë Botërore, me ardhjen e regjimit komunist në Jugosllavi, pushteti i ri i mbylli fabrikat e Latif dhe Osman Idriz Axhanelës, iu konfiskua malli dhe pasuria dhe e dënuan Latifin me burgim disavjeçar, me arsye se i përkiste kapitalistëve të mëdhenj.
Vëllezërit Idriz Axhanela nga Gjakova do të mbeten të shënuar si ndërmarrës të mëdhenj, që familjeve të kësaj ane sidomos familjeve gjakovare u sillnin ekzistencën, po njëkohësisht edhe ndërmarrës të cilët luanin rol në zhvillimin e industrisë në Sarajevë para Luftës së Dytë Botërore (6).
Familja Shabanagiq (Mullashabani / Shabanaga), gjithashtu me origjinë nga Gjakova, e cila ka qenë ndër familjet të para gjakovare që u vendosën në Sarajevë, merrej me prodhimin dhe shitjen e kopsave dhe shitjen e tekstilit.
Gjithashtu, në lagjen Vratnik në Sarajevë në atë kohë, dyqanet bakalli (për shitjen e gjësendeve) i kanë patur familjet gjakovare Karkini, Pula dhe Domanagiq.
Një numër gjakovarësh erdhen në fund të vitëve 20-ta dhe fillim të vitëve 30-ta duke ikur nga diktatura dhe regjimi kriminel i Ahmet Zogollit në Shqipëri, që përndjekte dhe vriste popullin e vet duke forcuar më dhunë pushtetin autokrat. Ndër ta kishte dhe shumë gjakovarë sikurse janë familjet Gola të cilët erdhen me 1924 në Sarajevë duke ikur nga hakmarrja, Ymerhalili (1931), Domanagiq (Damonaga) 1933, Rexhvela në vitin 1934.
Me okupimin nga ana e Italisë apo çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe Shqipërisë nga regjimi kriminel dhe autokrat i Ahmet Zogollit, një numër gjakovarësh do ta lëshonin Sarajevën dhe do të ktheheshin në vendlindjen e tyre.
Prej familjeve shqiptare nga Gjakova para luftës së Dytë Botërore kanë jetuar në Sarajevë familjet:
Shabanagiq (Mullashabani/Shabanaga), Axhanela (Idriz Axhanela), Karkini, Hajrullahu, Shllaki, Gola, Hamzagiq (Mullahamza/Hamzaga), Pula, Jaha (Jahia/Allaxha), Lusha, Rexhvela, Domanagiq (Damoni/Damonaga), Domi (Domiq), Daka, Koshi, Fehmiu (Ymerhalili), Çarkaxhija, Lamaxhema, Varaki.
Vërehet që gjakovarët e ardhur në Sarajevë asokohe i kanë pasur disa forma të mbiemrave, kurse familjet të ardhura nga Gjakova në vitet pas okupimit nga Serbia kanë ardhur prej Gjakovës me prapashtesën “-iq” në mbiemra (Domanagiq, Hamzagiq, Domiq, Shllakoviq).
Gjithashtu, një numër i madh i familjeve gjakovare filluan të vijnë në Sarajevë masivisht pas luftës së Dytë Botërore për arsye të represionit, ekonomisë së dështuar dhe mungesës së perspektivës në Kosovë. Kështu do të shpërngulën në Sarajevë anëtarët e familjeve gjakovare:
Pallaska, Nimanoj, Nikoliqi, Macula, Gashi, Shala, Canhasi, Dashi, Cana, Shllaku, Zhubi, Spahija, Gojani, Nura, Gaxha, Pruthi, Nuqi, Kabashi, Grezda, Hoshi, Hoxha (Tara), Polloshka, Peja, Meqa, Beqa, Riza, Bedra, Deva, Dula, Dobruna, Bunjaku, Shita.
Disa prej këtyre familjeve gjakovare pas rënies së Rankoviqit, në vitet e 70-ta të shekullit XX janë kthyer në Kosovë.
Në mes të viteve 80-ta të shekullit XX në Bashçarshi dhe rrugët përreth çarshisë së kryesore të Sarajevës ndodheshin dyqane me pronarë gjakovarë – në Bashçarshi: Idriz Axhanel (kafene/piceri), Nuqi (qebaptore), në rrugën Saraçi – Kabashi (fustana nusërie), Jaha (çantëpunues), Nuqi (argjentar), Axhanela (saraç, papuçëtar), Hoshi (çantëpunues), Zhubi (rrobaqepës), Hamzagiq (rrobaqepës) dhe në rrugët e tjera të çarshisë – Lusha (kazaz), Pallaska (jorganxhi), Polloshka (mejhane dhe rrobaqepës), Zhubi (rrobaqepës), Domiq (llamarinist). Furrat e para me pronarë shqiptarë në Sarajevë do t'i hapin në vitet e 50-ta Tafil Pallaska, Fetah Canhasi dhe Nazmi Gojani, të gjithë të ardhur nga qyteti i Gjakovës.
Gjakovarët kontribuan edhe në jetën shoqërore në Sarajevë në këtë periudhë, në fusha të ndryshme, si tregtarë të suksesshëm, ndërmarrës, punëtorë në fusha të ndryshme, punëtorë të respektuar në fushën e kulturës dhe sportit.
Ka patur shumë individë nga Gjakova që lanë gjurmët në jetën shoqërore të Sarajevës.
Ismet Shllaki i cili punonte si rrobaqepës ka dhënë kontribut në themelimin e Bibliotekës dhe Shoqatës Kulturore dhe Mbështetëse Myslimane “Bratstvo” (Muslimansko kulturno i potporno društvo i čitaonica “Bratstvo”), qysh më 6.5.1921 në Sarajevë në lagjen Vratnik (7).
Veçohen edhe të tjerë me kontributin e tyre në profesione të ndryshme, familjet e të cilëve janë me origjinë nga Gjakova, siç janë avokatët Xhevdet Pallaska, Xhevdet Shllaku, Fahrija Karkin, punonjës mjekësorë Ilirijana Haxhibeqiri-Karabdiq, Blerim Axhanel, gjykatëse Vildana Dashi-Mujagiq, futbollistë profesionistë Reshad Karkin, Agim Nikoliq, violinisti Xhevad Shabanagiq, Abdulgani Hoshi myezin i njohur në xhamitë e Sarajevës, dhe shumë të tjerë.
Fusnotat
(1) Mehmed Mujezinović: „Islamska epigrafika Bosne i Hercegovine“, II izdanje, Sarajevo publishing, Sarajevo, 1998 , knjiga I, f. 121
(2) ibid, f. 124
(3) Haris Zaimović: “Analitički inventar Gradskog poglavarstva grada Sarajeva za godinu 1879.”, Historijski arhiv Sarajeva, Sarajevo, 2008
(4) Haris Zaimović: “Analitički inventar Gradskog poglavarstva grada Sarajeva za godinu 1881.”, Historijski arhiv Sarajeva, Sarajevo, 2011
(5) Budimir Miličić: “Privredni razvitak Sarajeva 1919-1941. godine”, Prilozi, Institut za istoriju, Sarajevo, 1981. f. 160
(6) Budimir Miličić: “Privredni razvitak Sarajeva 1919-1941. godine”, Prilozi, Institut za istoriju , Sarajevo, 1981. f. 167
(7) Muhidin Xhanko:“Sarajevo bez Vratnika, šta je?”, Planjax komerc, Teshanj, 2019