Shtojca për Kulturë

Horizonte të reja me artin si udhëzues

Oferta e ngjarjeve të “DokuFestit” është e gjerë. Krejt çojnë te një pikë: horizontet e reja. Sivjet, me pyetjen “Si të mbijetojmë?”, e cila sapo ka nisur t’i marrë përgjigjet e para. “Sigurisht se këtë vit do ta gjej si të mbijetoj pasi është një koncept vërtet mahnitës, vërtet relevant dhe i rëndësishëm”, thotë regjisorja sllovene Marija Zidar. Kritikja turke e artit Melis Behlil po “mëson për të mbijetuar” në kohën kur mikja e saj është burgosur në Turqi për një dokumentar që s’e ka bërë. Luftën e njeriut e zbërthen edhe një film si “Turn your Body to the Sun” apo ai i regjisorit nga Kosova, Ilir Hasanaj. Një rrëfim për demokracinë vjen nga Serbia

“DokuFest” tashmë ka pushtuar qytetin. Rrugët me kalldrëm përcjellin e mirëpresin vizitorë nga gjithë vendi, rajoni e bota. Fluksi i njerëzve rritet edhe më shumë në ditët e Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar të shkurtër. Dhe kjo tashmë është bërë rutinë, tash e 21 vjet.

Sapo zbardh horizonti, destinacioni i shumicës dihet. Secili e nis ditën me kafe. Kafehanet e vendosura skaj rrugicave e në sheshe mbushen gradualisht. Në tavolinat e shumicës nga to, shoqëri u bëjnë katalogët e “DokuFestit”. Pjesë të ndryshme të qytetit tashmë janë shndërruar në shfaqje filmash, argëtimi, punëtori e si vendtakime të të gjitha moshave e si diversitete shoqërore midis nacionalitetesh. Vetëm në orët e para të mëngjesit vërehet fluks më i vogël i atyre që sodisin qytetin a frekuentojnë lokacionet e dëshiruara. “DokuNights” zgjasin deri në mëngjes dhe pak orë e ndajnë prej pjesës së programit të shfaqjes së filmave. “DokuFesti” e ajo që sjell janë oferta për hapjen e horizonteve të reja.

Tashmë thuaja secila nga rrugët e Prizrenit mban banere, postere, flamuj a tenda të Festivalit. Kinematë janë ngritur edhe në luginën e lumit Lumbardh, në qendrën për kulturë e art “Shani Efendi” e në hapësirat e “Andrra Stage”. Dita e parë e Festivalit është përcjellë me shfaqje të filmave, ekspozitë e biseda.

Në Prizren për mbijetesë

“DokuFest” është hapur me thirrjen për vetëdijesimin për mbrojtjen e natyrës. “How to survive?” vjen si pyetje-temë për mbijetesën ndaj kushteve klimatike, luftës, dhunës, fashizmit e si thirrje për ekzistencë. Por kur nis shfaqja e filmave, nuk mbetet vetëm këtu.

Regjisorja Marija Zidar nga Sllovenia, temën e Festivalit e ka vlerësuar si udhëzuese përmes artit për mbijetesë.

“Sigurisht se këtë vit do ta gjej si të mbijetoj pasi është një koncept vërtet mahnitës, vërtet relevant dhe i rëndësishëm. Ndoshta të gjithë ne erdhëm në Prizren këtë vit për të arritur qëllimin tonë për të mbijetuar, ose për atë nëse do të mbijetojmë në përgjithësi”, ka thënë ajo. Zidar është edhe regjisore e filmit “Reconciliation”, të shfaqur vitin e kaluar në “DokuFest”.

Temën “How to survive?” më së miri e përjetojnë ata që përballen me regjime.

Kritikja turke e artit Melis Behlil po “mëson për të mbijetuar” në kohën kur mikja e saj është burgosur në Turqi për veprimtarinë e saj në krijimin e dokumentarëve. Producentja dhe gazetarja Cigdem Mater, në maj të këtij viti, është dënuar me 18 vjet burg me akuzën e “ndihmës në përpjekje për ta rrëzuar Qeverinë”. Ajo u burgos në burgun e grave “Bakirkoy” dhe pikërisht të shtunën ka festuar ditëlindjen. Belil mes emocionesh ka thënë se tema është e rëndësisë së madhe për filmbërësit dhe se duhet të jetë si temë edhe në shtetin prej nga vjen.

“Në fakt kam qenë e fokusuar në atë se si të mbijetojmë në çdo rrethanë, kryesisht në fashizëm. Sot është ditëlindja e një mikes sime, ajo është producente e dokumentarëve dhe tani është në burg për një dokumentar, që në fakt as nuk e ka bërë ajo. Është diçka që në Turqi mendojmë shumë sesi të mbijetojmë ndaj fashizmit”, ka thënë ajo.

Tema është udhëzuese në shfaqjen e filmave, biseda dhe gjithë programin në përgjithësi. Vjen në kohën kur Ukraina përballet me agresionin rus, bota me ngrohjen globale, praninë e dhunës e nacionalizmit në rritje.

Image
“Turn your Body to the Sun” ka qenë një prej filmave të ditës së parë të “DokuFestit” në programin “View from the World”. Tregon historinë e një të burgosuri sovjetik

Një film për indiferencën ndaj jetës

“Turn your Body to the Sun” ka qenë një prej filmave të ditës së parë të “DokuFestit” në programin “View from the World”. Tregon historinë e një të burgosuri sovjetik të luftës. Gjashtëdhjetë vjet më vonë, vajza e tij Sana Valiulina ndjek rrugën e babait të saj të heshtur. Filmi nën regji të autores holandeze Aliona van der Horst, portretizon humbjen e të dashurve në luftë, përmes vajzës, e cila mes ditarëve e arkivave personale e publike, përpiqet ta kuptojë babanë e saj të heshtur. Ai kishte qenë ushtar sovjetik tatar, i kapur nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Historia e ushtarëve sovjetikë në Luftën e Dytë Botërore është tragjedi e tmerrshme e si indiferencë ndaj jetës njerëzore kur udhëheqësi i asaj kohe, Stalini, kishte dhuruar miliona ushtarë rusë për ushtrinë gjermane. Dokumentari paraqet vështirësitë e paimagjinueshme të Sandarit – ushtar i rekrutuar nga Moska. Nuk kishte folur kurrë për atë kohë, por e bija mundohet të gjurmojë hapat e tij prej Evropës e deri në Siberi.

Filmi vjen si evokim i një kohë kur mizoria e njeriut duket se nuk njeh kufij e as pasoja.

“Turn your Body to the Sun” i përshtatet plotësisht temës “How to Survive?”. Esencë e filmit është edhe mbijetesa e të burgosurve, duke u arratisur nga kampet, a në përballje me atë që Hitleri e kishte konceptuar si “program i urisë”. Ushtarët nuk ushqeheshin me ditë a javë. Nganjëherë turmës së madhe të rraskapitur u hidheshin copa buke nga lart. Ata ngrinin duart drejt fatit të tyre për t’u ushqyer sadopak e kur buka hidhej, pasojnë rrahjet e përleshjet mes ushtarëve.

Publiku i mbledhur të shtunën në “Doku Kino” ka përcjellë përpjekjet e Sanës për të endur ditarët dhe letrat drejtuar nënës së saj, bashkë me historinë e krijuar të kohës.

Filmi e bën këtë të kaluar papritmas brutale. Vjen si udhëtim në kohë, kur shfaq pamjet e përjetimeve të ushtarëve e më pas edhe të Sanës. Ky kalim i dyfishtë përforcon momentet mizore të nazizmit. Ajo shfaqet duke shikuar në një ekran të madh pamjet e torturave të babait të saj, por edhe të torturuesve: Stalinit dhe Hitlerit. Sandar, babai i Sanës, ishte dënuar me dhjetë vjet burg. Sana udhëton për në Lindje, për të parë se ku jetonte babai i saj dhe çfarë vështirësish kishte përjetuar. Nuk do ta harronte kurrë të ftohtin që kishte përjetuar atje. Esenca e filmit është se Sandar u kishte bërë thirrje gruas dhe dy vajzave të tij ta “kthejnë trupin nga dielli” e ta vlerësojnë ngrohtësinë e jetës. Personazhi në dokumentar është vetëm njëri nga shumë të internuarit në Siberinë e ftoftë të Rusisë, të cilët zhvisheshin dhe liheshin aty deri në vdekje, si një nga format më mizore të ekzekutimit.

Krejt në fund të filmit zbulohet se Hitleri dhe Stalini nuk ishin të vetmit që u kishin shkatërruar jetën miliona ushtarëve. Zbulohen po ashtu edhe figurat e presidentëve Roosevelt e Churchill.

Image
Në “Doku Kino”, po të shtunën, është dhënë edhe premiera e filmit “As I was looking above, I could see myself underneath”, të regjisorit nga Kosova, Ilir Hasanaj, në garën ballkanike të filmave

Thyerja e barrierave

Në “Doku Kino”, po të shtunën, është dhënë edhe premiera e filmit “As I was looking above, I could see myself underneath”, të regjisorit nga Kosova, Ilir Hasanaj, në garën ballkanike të filmave. Është shpalosje e historisë intime të personave të komunitetit LGBT+ në Kosovë. Vjen si kërkesë për një vend të sigurt, ku jetojnë e veprojnë lirshëm. Salla e “DokuKinos” ka qenë e mbushur plot. Shfaqja ka filluar ndërkohë që shikuesit prisnin për të hyrë brenda. Pamjet që jep filmi në fillim e muzika që e përcjell tregon për historinë e secilit anëtar të komunitetit. Flet për barrierat e tyre në shoqëri e për paragjykimet ndaj tyre. Ata janë çift dhe historia shpaloset derisa ata së bashku rinovojnë apartamentin e tyre të ri.

“Kisha dasht m’u martu me një dasmë tradicionale, po unë nuk muj as m’u martu. As f’mij s’muj me adaptu”, dëgjohet tek thotë një zë derisa jepen pamjet. “Për m’u ndi e lirë duhna mu ndi e sigurt, për mu ndi e sigurt, nuk duhet me pas homofoba mas pari”, thuhet më tej.

Në fillim të filmit shfaqen kundërshtitë e shoqërisë ndaj komunitetit queer nëpërmjet protestave e thirrjeve, qoftë të figurave të skenës politike e atyre të rëndomtë. Filmi është edhe portretizim i njerëzve që nuk ndihen vetvetja në Kosovë. Janë po ata njerëz që i gëzohen kthimit në vendlindje dhe frikësohen nga paragjykimet që u bëhen.

Skenat e filmit vijojnë në “Kino Armata” në Prishtinë, aty ku njerëzit e komunitetit mblidhen për të lexuar poezitë e tyre për orientimin e tyre e të letrave që ishin të bëra për t’u adresuar në kutinë postare të prindërve të tyre. Porosi që vështirë mbërrijnë në destinacion.

Filmi është edhe pasqyrë e ndikimit në vendin e punës për anëtarët e komunitetit LGBT+. Vjen edhe rrëfimi i gazetarit që e kishin larguar nga puna pasi që “njerëzit kishin filluar të flasin”. Dashurinë për gazetarinë nuk e ndalon një i ri që me vite kishte punuar si autor emisioni në një televizion. Emisionin e tij e risjell vetëm formalisht, ku shikues e moderator është i njëjti person. E rikthen me bërthamën e njëjtë pas 11 vjetësh, por të adaptuar në kohë.

“As I was looking above…” shpërfaq kundërshtitë e familjes e të shoqërisë. Për fustanet e bluzat me flamur të komunitetit që ka veshur, njëri nga protagonistët e filmit, sot ka mbetur pa shtëpi. Protagonistë janë edhe çifti Qerkica e Mustafa që prej 25 vjetësh jetojnë së bashku në periferi të Prishtinës. Përmes bisedës e fotografive shpalosin historinë sesi u njohën me njëri-tjetrin. Ata rrëfejnë për përjashtimet e shoqërisë ndaj tyre, për atë sesi nuk kanë pasur asnjëherë në jetën e tyre një vend pune. Thonë se nuk i kanë lejuar për shkak të komunitetit të cilit i takojnë. Rrëfimi i tyre në fakt është disi pozitiv, kur rrëfejnë se familja i ka pranuar shpejt, e që kjo u ka rezultuar me martesë. Ditë më parë këtij çifti i është dedikuar një mural në murin e Fakultetin Filozofik në Prishtinë.

Drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, bashkë me aktorët kanë qenë në dhënien e shfaqjes. Nurkollari u është referuar si heronj të vërtetë dhe ka vlerësuar se “për një Kosovë më të mirë, na duhen këso filmash”. Regjisori Ilir Hasanaj është shprehur i lumtur dhe i emocionuar gjatë shfaqjes së filmit. “Kam qarë disa herë atje në fund, gjatë filmit. Faleminderit që keni ardhur. S’e mendova një pritje të tillë”, ka thënë ai. Aktivisti Dardan Hoti, që kishte marrë iniciativën për filmin, ka thënë para të pranishmëve se përmes tij synojnë të tregojnë se këta persona janë në Kosovë dhe jetojnë aty.

“Ka qenë një periudhë e gjatë për gjashtë muaj ose më shumë. Veç kemi diskutu me personat LGBT+, s’jemi ndalë veç në storie, por jemi ndalë në ata që vërtet duhet me dalë publikisht, me kallzu storien e atyre që nuk kanë guxim”, ka thënë ai.

Image
Për promovimin e lirisë, dyert i ka pasur të hapura edhe qendra për kulturë dhe art “Shani Efendi” me ekspozitën “Performing Democracy”

“A është e mundur demokracia?”

Po të shtunën, për promovimin e lirisë, dyert i ka pasur të hapura edhe qendra për kulturë dhe art “Shani Efendi” me ekspozitën “Performing Democracy”, që vjen edhe si lojë shoqërore. Në kuadër të “DokuFest” e në bashkëpunim me “Kiosk” nga Beogradi dhe “Kontrapunkt” kanë sjellë ekspozitën që në fakt është instalacion me video, që shfaqen në dy ekrane njëkohësisht. Të vendosur përballë me njëri-tjetrin, ngrenë pyetjet “A është e mundur demokracia? Çfarë nënkupton dhe çfarë konceptesh të gdhendura përmban? Cila është forma e saj optimale dhe a ka alternativë për të?”

Këtyre përgjigjeve u përgjigjen 62 grupe qytetarësh, iniciativash, aktivistë, shoqata profesionale dhe parti politike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Përgjigjet e tyre janë të përziera dhe sillen nga këndvështrimi se “esenca e demokracisë është qytetari i angazhuar dhe i përkushtuar ndaj mirëqenies publike” deri në këndvështrimi se “demokracia është një ide e gabuar për shkak të natyrës njerëzor që nuk mund të funksionojë në një sistem të tillë”. Autore janë Milica Pekiq, kuratore dhe historiane e artit, dhe artistja Ana Adamoviq nga Serbia.

Oferta e ngjarjeve të “DokuFestit” është e gjerë. Krejt çojnë te një pikë: horizontet e reja. Sivjet me pyetjen “Si të mbijetojnë?”, e cila sapo ka nisur t’i marrë përgjigjet e para.