Narsi dyshohet se i kishte ftuar lombardët ta pushtonin Italinë. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Narsi e ka më se të merituar personifikimin e tij si ngatërrestar në eposin shqiptar. Heroi epik Zuku Bajraktar është i frymëzuar nga personi historik Belisari, gjeneral romak me prejardhje nga Iliria. E te Basho Jona ekziston një dikotomi e paraqitjes në epos, ku ai është edhe këshilltar i urtë, por edhe plak me teke si Plaku Qefanak, që dëshiron të martohet me një vajzë të re. Në fakt edhe kjo ka bazë në histori
Dizdar Osmani
Personazhi i eposit Dizdar Osmani (i njohur edhe si Dizdar Osman Aga) është i bazuar kryesisht në personin historik të Narsit (Narses, Nerses) (Martindale, 1971) (Fauber, 1990). Narsi ka qenë kujdestar/shambellan i madh i pallatit (Praepositus sacri cubiculi) dhe merrej me financat perandorake, pasi më herët kishte marrë postin e udhëheqësit të truprojës së eunukëve dhe më vonë gjeneral (Magister militum). Fjala otomanishte dizdar domethënë kujdestar i kështjellës, që përputhet me titullin që e ka mbajtur Narsi. Roli i tij në luftën gotike është mjaft i rëndësishëm. Në fazën e parë të luftës, shkuarja e Narsit në Itali më 538 të erës sonë shkakton përçarje në kampin romak për shkak të rivalitetit dhe mosbesimit mes Belisarit dhe Narsit. Për shkak të kësaj përçarjeje ndodh shkatërrimi i qytetit të Milanos dhe më vonë Narsi thirret në Kostandinopojë. Këto ngjarje dhe natyra kontroverse e pranisë së Narsit në luftën gotike janë përfaqësuar edhe në epos, ku Dizdari paraqitet si nxitës i përçarjeve, që kanë pasoja shkatërrimtare, duke përfshirë edhe djegien e kullave të Mujit.
Në fazën e dytë të luftës gotike, Narsi dërgohet për ta shtypur rezistencën gotike më 551 të erës sonë ku luan rol vendimtar në marrjen përfundimtare të Italisë, edhe pse në moshë të shtyrë. Këtu ai u shërbye me këshillat e gjeneralit Jon, që e njihte terrenin. Betejat kryesore të kësaj fushate ishin: Sena Gallika (Sena Gallica, sot Senigallia) Tadinae/Taginae (Busta Gallorum) dhe Mali Laktar (Mons Lactarius), si dhe marrja e Romës dhe Kumaes (Cumae). Kundërshtarë ishin mbreti gotik Totila, dhe pas vdekjes së tij në Taginae, pasardhësi (i biri) i tij Teia (Teias). Supozohet se Totila ishte vrarë në betejë nga udhëheqësi i gepidëve, Asbadi. Pikërisht Asbadi mund të jetë frymëzim për emërtimin Osman në epos. Këto ngjarje gjithashtu reflektohen në epos, sidomos te kënga “Halili merr gjakun e Mujit”.
Një faze përfundimtare e luftës ishte përpjekja e frankëve për ta pushtuar Italinë. Këta udhëhiqeshin nga dy vëllezër alemanë, Leuthari (Leutharis) dhe Butilini/Bukilini (Butilinus/Buccillinus), që ishin lejuar nga mbreti frank Theudebald të kalonin Alpet. Ushtrisë franko-alemane iu bashkuan edhe shumë gotë të mundur. Narsi arrin t’i mundë frankët në betejën e Kasilinit (Casilinum)/Volturnit (Volturnus)/Kapuas (Capua).
Ka ekzistuar një legjendë që flet për ngatërrestarinë e Narsit. Sipas saj, Narsi shkakton zemërim te çifti i ri perandorak Justini II dhe Sofia për shkak të keqtrajtimit të qytetarëve romak në Itali. Perandoresha Sofia ia dërgon një mesazh duke i thënë që të kthehet në Kostandinopojë për ta mbikëqyrur tjerrjen e grave. Kurse Narsi i përgjigjet se ai do ta tirrte një vjegëz fundin e së cilës nuk do t’ia gjenin as ajo, as perandori. Narsi dyshohet se i kishte ftuar lombardët ta pushtonin Italinë. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Narsi e ka më se të merituar personifikimin e tij si ngatërrestar në eposin shqiptar.
Zuku Bajraktari
Heroi epik Zuku Bajraktar është i frymëzuar nga personi historik Belisari (Flavius Belisarius), gjeneral romak me prejardhje nga Iliria, si dhe persona të tjerë, siç është biri i tij Foti (Martindale, 1971) (Procopius, 2019). Nuk do të flas shumë për Belisarin, sepse ai është një nga gjeneralët më të njohur dhe besoj se lexuesi është i familjarizuar me të. Përveç këngës tragjike “Zuku Bajraktar”, Belisari paraqitet edhe në këngë të tjera, si p.sh. Kënga “Basho Jona”.
Emri Zuku si duket rrjedh nga një fjalë otomanishte që nënkupton shkëlqim/dritë (zuhra); ky emër mund të ketë qenë edhe diminutiv i një emri të rrallë otoman, Zukhruf, që domethënë shkëlqim, dhe rrjedh nga fjala zuhra, dritë. Semantikisht, edhe pse i rrallë, apo ndoshta pikërisht për këtë, ky emër përputhet me emrin e personit historik ku bazohet personazhi i eposit. Bëhet fjalë për Fotin (Photius), që ishte thjeshtri i Belisarit, pra i biri paramartesor i gruas së tij Antoninës. Emri Photius ka të njëjtin kuptim dhe rrjedh nga fjala greke phos/photos, që do të thotë dritë.
Kënga e Zuku Bajraktarit përngjan shumë me përvojat e Fotit me nënën e tij (por edhe me përvojat e Belisarit me Perandoreshën Teodora dhe me Justinianin), siç jepen ato në Historinë Sekrete, që supozohet se është shkruar nga Prokopi (Procopius’ Secret History, n.d.). Sipas saj, Antonina e mundon birin e saj Fotin për shkak se ai e zbulon dhe kundërshton lidhjen e saj me Theodosin (Theodosius), birin e adoptuar të Belisarit dhe Antoninës. Teodora më pas e mban Fotin në një burg të fshehtë në errësirë të plotë për tre vjet, derisa atij i paraqitet në një ëndërr profeti Zakaria. Ky e urdhëron Fotin të ikë, dhe i premton ndihmë, që rezulton në shpëtimin e Fotit. Këtu vizioni dhe ndihma e profetit Zakaria për Fotin ngjason me ndihmën e orëve të malit për Zukun.
Ngjarjet në këngën “Zuku Bajraktar” po ashtu ngjasojnë me veprimet e Teodorës dhe Justinianit ndaj gjeneralëve romakë sipas Historisë Sekrete. Pas sëmundjes së Justinianit nga murtaja, gjeneralët Belisari dhe Buzi (Buzes) akuzohen për tradhti. Teodora e burgos Buzin në errësirë ku ai e humb të parit – këtu ngjashmëria me verbimin e Zukut është e qartë. Kurse Belisari zhvishet nga titujt e tij, i merret pasuria dhe lëçitet nga Justiniani, duke mbetur i vetmuar nëpër qytet – ngjashëm me gjendjen e Zukut në mal. Më vonë, për shkak të Antoninës, Belisarit i kthehet gjysma e pasurisë dhe ai fiton pozitë të re – ngjashëm me triumfin e Zukut me ndihmën e mikut anonim.
Belisari në fakt ishte gjykuar për konspirim kundër Justinianit në vitin 562, dhe ishte shpallur fajtor dhe burgosur. Por më vonë Justiniani e kishte falur atë, duke e kthyer në pushtet. Sidoqoftë, në mesjetë ishte përhapur një legjendë se Belisari ishte verbuar dhe ishte detyruar të jetonte si lypës i pastrehë nga Justiniani, para se ta falte atë. Përderisa kjo legjendë konsiderohet e pavërtetë nga historianët modernë, ka disa autorë që e marrin atë si të vërtetë. Ngjashmëria e kësaj legjende me këngën e eposit është e qartë.
Kënga Zuku Bajraktar ka disa implikime të rëndësishme për eposin. Së pari, ngjarjet që përmenden në Historinë Sekrete që kanë të bëjnë me Antoninën dhe birin e saj Fotin, nuk kanë mundur të jenë ngjarje të njohura gjerësisht dhe historianët nuk i marrin si të vërteta. Kjo nënkupton që dikush që ka pasur qasje në Historinë Sekrete, të paktën ka ndikuar në këngën e eposit. Përkundrazi, mundimi i Fotit nga nëna e tij Antonina dhe lidhja e saj me Theodosin, do të duhej të ishte një ngjarje e njohur aq shumë saqë të arrinte në vesh të rapsodëve shqipfolës. Rrjedhimisht, i bie që një person me pozicion elitar (që ka ditur të lexojë), ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në këngën. Kjo pra nënkupton se zhvillimi dhe ruajtja e eposit nuk është bërë vetëm nga rapsodët e izoluar në fshatra të thella, por edhe nga persona që u takonin shtresave elitare, që me siguri banonin në qytete. Ngjashëm, transmetimi i ngjarjeve nga beteja të largëta në epos mund të ketë ndodhur nga ushtarë/eprorë të kthyer pas ekspeditave ushtarake. Së dyti, kënga mund të ketë implikime për vërtetësinë e pohimeve të verbimit të Belisarit nga Justiniani.
Kjo nënkupton një marrëdhënie më komplekse mes eposit dhe historisë, ku eposi e informon atë.
Basho Jona
Basho Jona është i frymëzuar nga personi historik Joni/Joani/Gjoni (Ioannes), i cili ishte po ashtu gjeneral (magister militum) (Martindale, 1971). Ky njihej edhe si “nipi i Vitalianit” dhe “Gjon Gjaksori”. Është i njohur për një episod të rëndësishëm në luftën gotike, rrethimin e tij në Ariminum/Rimini nga forcat gotike të mbretit Vitig (Vitiges), që më vonë rezulton në përçarjen e kampit romak. Belisari, me bazë në Romë, nuk i ndihmon Jonit për ta shpërthyer rrethimin dhe vetëm me ardhjen e Narsit (që ishte mik i Jonit), Joni shpëton nga rrethimi (v. 538). Më vonë Joni e mban anën e Narsit në konfliktin me Belisarin. Ky episod reflektohet mjaft besnikërisht në këngën titullare të eposit, ku Zuku Bajraktari nuk i ndihmon Basho Jonës për t’i çliruar tokat e tij, dhe më vonë atij i ndihmon Muji. Duhet theksuar se edhe fonetikisht emri Jona është tejet i përafërt me origjinalin Jon/Joan. Kurse emërtimi Basho Jona na ndihmon të kuptojmë se Basho është titull për udhëheqësit, që ka gjasa të vijë nga fjala ilire bato që ishte titull për udhëheqësit (sidomos ushtarak) përmes ndryshimeve fonetike t > ç > sh. Kjo është evidencë më shumë për pikëpamjen se edhe Basho në “Gjeto Basho Muji” vjen nga i njëjti titull.
Ekziston një dikotomi e paraqitjes së Jonës në epos, ku ai është edhe këshilltar i urtë, por edhe plak me teke si Plaku Qefanak, që dëshiron të martohet me një vajzë të re. Në fakt edhe kjo ka bazë në histori. Joni si gjeneral me përvojë luan rol të rëndësishëm në këshillimin e ushtrisë romake të udhëhequr nga Narsi në shtypjen e rezistencës gotike. Gjithashtu martesa e tij ishte kontroverse, sipas Historisë Sekrete. Ai martohet me Justinën, vajzën e Germanit (Germanus), kushëririt të Justinianit, kurse perandoresha Teodora nuk dëshironte që Justina të martohej. Për këtë Joni eviton Belisarin dhe Antoninën pas kthimit në Itali, nga frika se Teodora i kishte porositur atentat. Martesa e tij ishte shkak për vonesë për të kryer misionin për të cilin e kishte dërguar Belisari, kërkimi i përforcimeve. Martesa kundërthënëse dhe konflikti me Belisarin (Zuku Bajraktar) paraqitet në këngën “Martesa e Plakut Qefanak”. Nga krahasimi me ciklin arturian, e shohim se personazhi i Basho Jonës ka ngjashmëri me personazhin e Merlinit, i cili shërben si këshilltar i Arturit, por, gjithashtu, në pleqëri, krijon lidhje kontroverse me magjistaren e re Vivien (Nimue). Duke qenë se edhe në këngën “Martesa e Plakut Qefanak” kemi të bëjmë me informata që gjenden në Historinë Sekrete, forcohet evidenca për rolin e elitave në krijimin/zhvillimin e këngëve të eposit.
Tadia
Tadia (Tadija, Tadi, Todia) është një personazh i eposit që bazohet në mbretin got/gothik Teodoriku i Madh (Martindale, 1971). Historikisht, Teodoriku është i rëndësishëm sepse veprimet e tij çojnë drejt ikjes së Mundit nga oborri gepid, formimi i minishtetit të tij, dhe më vonë futjes së Mundit në shërbim të mbretërisë ostrogote. Mbretëria ostrogote e Italisë kontrollonte Italinë dhe Ilirinë veriperëndimore (Dalmatinë, Panoninë dhe Norikumin). Teodoriku ishte rritur dhe edukuar në Konstantinopojë si peng deri në moshën 18-vjeçare. Pas vdekjes së babait të tij, Teodoriku kthehet nga Konstantinopoja në Panoni në v. 469/470 dhe nga këtu fillon një periudhë turbulente e marrëdhënieve të ostrogotëve me Perandorinë. Për t’u marrë me problemin got dhe me Odoakerin (Mbretin e Italisë) me një goditje, Perandori Zeno e urdhëron Teodorikun që ta sulmojë Odoakerin në vitin 488. Gjatë migrimit të ostrogotëve (për një kohë ata ishin vendosur edhe në Epiri/Shqipëri më 479) për në Itali, ata pengohen nga gepidët në Sirmium. Pas fitores ndaj gepidëve, ostrogotët e pushtojnë Italinë, ku Teodoriku e vret Odoakerin gjatë gostisë që po mbanin për të festuar marrëveshjen për bashkësundim. Sundimi i Teodorikut në Itali quhet si mjaft i suksesshëm dhe ai arriti të krijonte një perandori gote mesdhetare duke integruar vizigotët përmes martesave mbretërore. Ishte pikërisht vdekja e tij pa pasardhës mashkull që nis vargun e ngjarjeve që rezultojnë në luftën gotike. E bija e tij Amalasuntha detyrohet të martohet me Theodahadin (i cili mund të jetë frymëzim shtesë për personazhin Tadia), për ta mbajtur fronin. Pasi ajo burgoset nga Theodahadi dhe vritet nga armiqtë e saj, Justiniani e përdor këtë si pretekst për të filluar luftën (Lillington-Martin, 2009).
Teodoriku i Madh është një personazh i veçantë ne eposin shqiptar, sepse i njëjti paraqitet edhe në eposin gjerman. Aty ai është i njohur si heroi Dietrich von Bern. Ai paraqitet edhe te popujt tjerë gjermanikë, në poezi të anglishtes së vjetër dhe në saga nordike.
Tanusha
Tanusha, si personazh në epos, ka gjasa që është e frymëzuar nga Amalasuntha, dhe e bija e saj, Matasuntha (Martindale, 1971). Amalasuntha ishte regjente e birit të saj (Athalarik) për një kohë, dhe më vonë bashkësunduese me kushëririn e saj Theodahadin. Pas vrasjes së këtyre dyve nga gotët, Matasuntha detyrohet të martohet me mbretin pasues got, Vitigun. Këta të dytë përfundojnë në Kostandinopojë si robër të dërguar nga Belisari. Më vonë Matasuntha martohet me kushëririn e Justinianit, Germanin, si grua e dytë e tij. Djali i tyre, po ashtu i quajtur German (Germanus), lind pas vdekjes së babait. Një lidhje mes Matasunthës dhe Tanushës e ka propozuar edhe Gjergji Shuka (Procopius, 2019).
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë