Shtojca për Kulturë

Habermasi dhe transformimet e sferës publike

Shpresa e Jürgen Habermasit për një sferë publike të lirë e të drejtë ishte tek kritika e dalë nga arsyeshmëria dhe veprimi racion, që do të nxitnin një kulturë politike e institucione të fuqishme demokratike. Këto më pas do të mund të mbronin sferën publike, si dhe anasjelltas një sferë e tillë publike do t’i fuqizojë këto gjithnjë e më shumë. Këtë tezë dhe reflektim ai i zhvillon tutje edhe në librin e ri, “Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative”, pra që me media digjitale e rrjete sociale ne krijojmë iluzionin e të pasurit lirinë e autorësinë individuale, mirëpo njëkohësisht rrezikohemi që të individualizojmë sferën dhe të mirën publike, që janë baza dhe qëllimi i demokracisë

Interesimi shkencor e shtjellimi filozofik për sferën publike si objekt studimi e temë diskutimi, në dekadat e fundit lidhen pashmangshëm me emrin e intelektualit gjerman Jürgen Habermas, i cili atë e koncepton si pikënisje të lirisë, barazisë dhe mbi të gjitha të demokracisë. Prandaj edhe demokracia deliberative, e të cilën formë ai e parapëlqen, është e pandashme nga teoria e kritikës imanente që e zhvilloi me qëllimin e mbrojtjes, si të institucioneve demokratike nga një kapitalizëm i egër, po ashtu edhe të lirisë së qytetarëve nga çfarëdo ekstremizmi ideologjik e politik. Opusi i veprave të tij është aq i gjerë për nga disiplinat shkencore dhe temat e trajtuara, sikurse të shkruara edhe brenda një harku kohor mjaft të gjatë, saqë përbën edhe një lloj diagrami të zhvillimit historik, akademik e socio-politik të Gjermanisë së pasluftës e deri më sot. Ndërkohë, që libri më i fundit i tij, “Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative”, na risjell në vëmendje rëndësinë e komunikimit, informimit dhe të veprimit racional në kohë të sotme, me qëllimin për të mbrojtur demokracinë nga erozioni i ekspozuar, si dhe nga tendencat e autoritarizmit gjithnjë e më të fuqishme. Në kryeveprën “Transformimi strukturor i sferës publike”, botuar hiç më pak se para 61 vjetësh, Habermasi është në traditën e Shkollës së Frankfurtit. Mirëpo njëkohësisht duke qenë kritik ndaj qasjes pesimiste së Theodor Adornos e Max Horkheimerit shfaqur në “Dialektika e Iluminizmit”, ai vë në pah kushtet strukturore të krijimit dhe ndryshimit të sferës publike borgjeze përgjatë shekujve XVIII dhe XIX, si dhe rrjedhimisht edhe të opinionit publik si pararendëse e formimit të kulturës demokratike. Kritika thelbësore e tij qëndron në ideologjizimin e sferës publike dhe dominimin e saj nga interesat kapitaliste dhe industria kulturore. Shpresa e tij për një sferë publike të lirë e të drejtë ishte tek kritika e dalë nga arsyeshmëria dhe veprimi racion, që do të nxitnin një kulturë politike e institucione të fuqishme demokratike. Këto më pas do të mund të mbronin sferën publike, si dhe anasjelltas një sferë e tillë publike do t’i fuqizojë këto gjithnjë e më shumë.

Këtë tezë dhe reflektim ai i zhvillon tutje edhe në librin e ri, pra që me media digjitale e rrjete sociale ne krijojmë iluzionin e të pasurit lirinë e autorësinë individuale, mirëpo njëkohësisht rrezikohemi që të individualizojmë sferën dhe të mirën publike, që janë baza dhe qëllimi i demokracisë. Ai është i mendimit se ky zhvillim i hatashëm teknologjik dhe komunikimi digjital mundësojnë pjesëmarrje më të gjerë e liri më të madhe, por njëkohësisht edhe fragmentim të sferës publike. Kështu, mediat sociale i konsideron si komunikim gjysmë-publik dhe të përshtatur e kufizuar për përdoruesit e caktuar, e të cilat si të tilla mund të deformojnë perceptimin mbi opinionin publik politik. Me fjalë të tjera, rrezikimi i demokracisë sot vjen edhe nga kjo formë e formimit të vullnetit të qytetarëve, që është e mbyllur brenda qarqeve të përdoruesve virtualë në rrjete sociale e platforma digjitale.

Në këtë kontekst na ofron edhe tri kushte të mbrojtjes së qytetarisë aktive. Së pari, kërkohet një kulturë politike liberale e cila mbështetet, përveç të tjerash, në rend kushtetues, vetëdijen shtetërore dhe pranimin e parimeve e normave themelore shoqërore. Premisë tjetër është barazia sociale që mundëson lirinë dhe pjesëmarrjen demokratike në formim të vullnetit dhe të opinionit publik. Kushti i tretë është krijimi i mekanizmave baraspeshues ndërmjet shtetit demokratik dhe ekonomisë kapitaliste. Me fjalë të tjera, sigurimi i një shkalle të barazisë sociale, ku qytetari jo vetëm parimisht por edhe praktikisht merr pjesë në procese demokratike. Gjithashtu, kjo nënkupton që duhet ruajtur strukturën mediatike e cila mundëson pjesëmarrje e përfshirje në sferën publike e me karakter deliberativ në formim të vullnetit e të opinionit publik. Nga ky këndvështrim Habermasi insiston që demokracia deliberative nuk është ndonjë koncept utopik a nocion filozofik, por parakusht ekzistencial i demokracisë ku shtetasit, pra si pjesëtarë të një entiteti politik, por njëkohësisht edhe qytetarët si individë të pavarur e të lirë, bashkëvendosin përmes komunikimit të arsyeshëm e argumentues në kuadër të sferës publike duke formuar kështu vullnetin politik e demokratik.

Kushdo që sadopak e njeh Habermasin dhe gamën e gjerë të veprave të tij, është i vetëdijshëm se sa vështirë është të përkthehet nga gjermanishtja në gjuhë të tjera. Kjo është edhe njëra prej arsyeve që kryevepra e tij është përkthyer në anglisht tek në vitin 1993, pra pas më shumë se 30 vjetësh. Në këtë kuptim duhet falënderuar shtëpinë botuese “Dukagjini”, që veç një vit pas botimit të tij në gjermanisht e ka sjellë librin edhe në shqip. Një punë të shkëlqyeshme dhe intelektualisht mjaft të guximshme ka bërë profesoresha Blerta Ismajli, e cila jo vetëm që ka arritur mjeshtërisht ta shqipërojë nga gjuha gjermane, por edhe që të jetë sa me e saktë dhe e kuptueshme në përkthimin dhe përshtatjen e nocioneve habermasiane, e të cilat dinë të jenë bukur shumë komplekse e të koklavitura. Libri gjithsesi është një dhuratë për lexuesit shqipfolës dhe një burim reflektimi e kritike i nevojshëm për studiuesit e fushave të ndryshme shkencore.