Shtojca për Kulturë

“Gjithë lotët tanë” ngacmon plagët e luftës nëpërmjet fotografive

“Gjithë lotët tanë”, e hapur të shtunën në “Hotelin Grand” vjen edhe si thirrje për përkrahje dhe kërkesë për të vërtetën dhe drejtësinë

Është ekspozita unike me rrëfime për viktimat e luftërave në rajon, e hapur paraditen e së shtunës. Vetë “Hoteli Grand” bart histori drithëruese të krimit serb ndaj kosovarëve. Ekspozita përbëhet nga 34 fotografi origjinale, të realizuara nga katër fotografë nga Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut

Kati i tretë i “Hotelit Grand” është kthyer në hapësirë dëshmish lufte, së paku për dhjetë ditë. Fotografitë në mure harmonizohen lehtë me ambientin. Dhimbjet e plagët e personave që kërkojnë të përhumbur në terrin e shpresës mblidhen në një pikë të përbashkët në ekspozitën, “Gjithë lotët tanë”.

Fotografitë e Atdhe Mullës nga Kosova, Arbnora Memetit e Nake Batev nga Maqedonia e Veriut dhe Borislav Perishiq Blagoja nga Serbia, mblidhen për ta përcjellë rrëfimin nëpërmjet imazheve, të atyre që tashmë janë shuar bashkë me dëshmitë e tyre. Pas rrugëtimit në Beograd dhe Shkup, ekspozita mbyll rrugëtimin në Prishtinë për të shënuar Ditën e të Drejtave të Njeriut.

“Gjithë lotët tanë” është ekspozita unike me rrëfime për viktimat e luftërave në rajon, e hapur paraditen e së shtunës. Vetë “Hoteli Grand” bart histori drithëruese të krimit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Në kohën e regjimit serb, dikur qe vendosur edhe një shenjë në derën kryesore të saj ku shkruhej se ndalohet për shqiptarët dhe qentë. Përtej misionit për të njoftuar publikun me këto histori, “Gjithë lotët tanë” vjen edhe si thirrje për përkrahje dhe kërkesë për të vërtetën dhe drejtësinë. Ekspozita përbëhet prej 34 fotografive origjinale dhe përfshijnë fotografi familjare të të pagjeturve, vendeve të krimeve, varreza masive e memorialë, por edhe konfliktet që vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot.

Image
Nëpërmjet imazheve shpërfaqen përjetime të viktimave dhe të mbijetuarve të luftërave në këto anë

Elizabeta Hasani, e vrarë në masakrën e Tregut të Gjelbër më 13 mars 1999, kur ajo ishte veç pesë vjeç, dy vjet më parë nuk ishte renditur në pllakën përkujtimore të vendosur në qendrën e qytetit të Mitrovicës, veç pse ishte rome. Në përshkrimin e fotografisë së Atdhe Mullës, thuhet se emri i saj ishte shtuar veç pas një reagimi të aktivistëve të të drejtave të njeriut. Jo rastësisht, fotografitë janë pa ngjyra. Një tjetër e Mullës paraqet gruan që mban portretin familjar, por ku mungon bashkëshorti i saj ende i pagjetur, i vrarë në Masakrën e Lybeniqit.

Poza e një të moshuari në një fushë në esencë rrëfen shumë më shumë. Xhaferi nga Qirezi i Drenicës ishte në mesin e 32 burrave që u dërguan me forcë në Çikatovë të Vjetër në Drenicë. Në vendin ku fotografia është shkrepur, forcat serbe i kishin mbledhur e më pas kishin qëlluar në ta. Të gjithë kishin vdekur përveç Xhaferit dhe një burri tjetër, po aty ishte gjetur i vdekur trupi i djalit të tij. Mulla rrëfen se Xhaferi kishte jetuar me tri plagë në trup deri më 2018, kështu bashkë me të për t’u shuar edhe rrëfimi i tij për vrasjen e 30 civilëve shqiptarë.

“Ekspozita ka pasur idenë të përmblidhen disa nga tregimet e familjeve që kanë pësuar gjatë luftës dhe terrorin që ka ndodhur në ish-Jugosllavi. Më ka pëlqyer që na ka dhënë mundësinë të dokumentojmë ndodhitë, po flas specifikisht për Kosovën. Janë disa raste shumë të caktuara të disa personave për disa masakra, për shembull e kemi fotografinë e Xhaferit ku ka qenë përvjetori i masakrës, i cili ka ndërruar jetë nga sëmundja dhe nuk e ka pasur mundësinë ta rrëfejë tregimin e tij, ose të dëshmojë në gjykatat ndërkombëtare për masakrën ku kanë vdekur shumë njerëz”, është shprehur fotografi Mulla derisa ka folur për fotografinë. Fotografia e tij përcjell edhe pamje nga zhvarrosja e një trupi që ishte gjetur në fshatin Domaj të Hasit, 18 vjet pas luftës si dhe gërmimet në kërkim të mbetjeve mortore në Kizhevak të Serbisë.

Puna e Atdhe Mullës fokusohet në peizazhin gjithnjë në ndryshim të Kosovës pas luftës së vitit 1999. Fotografitë e tij kanë qenë pjesë e ekspozitave grupore në Pragë, Bratisllavë e Prishtinë. Fotot e tij janë publikuar në revista ndërkombëtare.

Fotografia e Arbnora Memetit me dy këmisha të burrave të varura në tel simbolizojnë 18 të zhdukur gjatë luftës, prej të cilëve 12 maqedonas dhe 6 shqiptarë. Një tjetër paraqet rrënojat në motelin “Kristal” në Kumanovë që kishte shërbyer si strehë për të larguarit nga vendi i tyre gjatë luftës së vitit 2001 si dhe memoriali i varrezave të civilëve të vrarë në Luboten. Më 12 gusht 2001 në këtë fshat ishin masakruar mbi dhjetë civilë shqiptarë si dhe ishin rrahur e torturuar dhjetë të tjerë. Memeti ka qenë pjesë e shumë ekspozitave kolektive si në Shkup, Prishtinë, Shqipëri, Gjermani, Mal të Zi Serbi e Bosnjë-Hercegovinë. Është fituese e çmimit “Jean Monnet 2020” për fotografinë më të mirë raportuese dhe çmimin “Nikola Mladenov” për fotografinë më të mirë raportuese, 2020.

Fotografi Borislav Peshiq Blagoja që ka qenë edhe kurator i ekspozitës “Gjithë lotët tanë” e hapur në Beograd në majin e sivjetmë në kuadër të edicionit të nëntë të “Mirëdita, dobar dan!”, paraqet kryesisht fotografi artistike që pasqyrojnë humbjen e dhimbjen. Disa nga to projektojnë fotografitë e grisura.

“Kur dikush gris foton e familjes, ndodh një tronditje e madhe e cila i largon disa njerëz nga rrënjët e tyre. Griset shpirti, ajo rrënjë shkulet përgjithmonë dhe zhvendoset në një vend më të mirë”, ka shkruar ai për fotografinë. Në njërën nga fotografitë paraqet gruan e ve për 27 vjet, dy fëmijët e së cilës kanë mbetur pa babanë e zhdukur. Borislav Persic Blagoja i lindur në Beograd ka 11 ekspozita personale fotografike. Së fundmi ka ekspozuar në Pula të Kroacisë, derisa ka botuar edhe një libër monografik me fotografi, të titulluar “Long Play Book”.

Image
Me frakturë të pastër dokumentare, fotografitë si në mozaik sjellin një rrëfim të përbashkët për pasojat e luftës

Nake Batev paraqet rrënojat e një objekti në Çellopek të Bërvenicës ku më 26 gusht 2001, dy civilë maqedonas ishin keqtrajtuar e më pas ishin vrarë nga autorë të panjohur. Në tekstin e veprës rrëfehet se viktimat ishin lidhur për shtylla mbështetëse dhe ishin hedhur në erë së bashku me ndërtesën. Batev është fotoreporter nga Maqedonia e Veriut, i cili merret me fotografinë artistike të aplikuar dhe atë dokumentare. Puna e tij është paraqitur në ekspozita të ndryshme duke u shpërblyer edhe me çmime, veçanërisht për pasqyrimin e krizës së refugjatëve në kufirin greko-maqedonas. Fotografitë e tij janë publikuar po ashtu në revista ndërkombëtare e në agjenci fotografike si “European Pressphoto Agency”, “Reuters” dhe “Agence France-Presse”.

Qendra Burimore për Persona të Zhdukur dhe “Integra” kanë bërë bashkë komunitetet shoqërore paraditen e së shtunës. Familjet e personave të zhdukur kanë qenë të pranishëm në hapjen e ekspozitës derisa publiku i mbledhur ka pasur mundësinë të njoftohet me narracionin që përcillet nëpërmjet fotografisë. Ekspozita është krijuar në bashkëpunim me shoqatat e familjeve të personave të zhdukur dhe të vrarë në Kosovë dhe Serbi, familjet e civilëve të vrarë dhe të zhvendosurve nga Maqedonia e Veriut. Është mundësuar nga iniciativat qytetare, “Integra”, “Aksioni Paqësor” dhe “Iniciativa e Re Sociale”.

Regjisori Kushtrim Koliqi që udhëheq me organizatën “Integra” është shprehur se janë duke punuar që ekspozita të shfaqet edhe më tej.

“Është ideja ta bëjmë ekspozitën në formë virtuale që të kemi mundësi ta shfaqim më gjerë. Planet kanë qenë që ekspozita të përfundojë në Kosovë, por është diçka që po diskutohet. Është temë e jashtëzakonshme, e ndjeshme emocionalisht, puna e jashtëzakonshme”, ka thënë Koliqi.

Bajram Qerkinaj, bashkëthemelues i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, njëherësh edhe përfaqësues i familjeve të personave të zhdukur, u ka bërë thirrje institucioneve për angazhim në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Te ne, të drejtat e njeriut po shkelin çdo ditë, na shkelen të drejtat elementare për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, e lëre më pasardhësit tanë. Fjalimet nuk janë të miat, por janë të familjarëve që janë me buzë në vaj. Sot po thuhet se kërkojmë të zbatohen të drejtat e njeriut, ashtu siç janë të garantuara me konventat ndërkombëtare. Ato së pari garantojnë të dimë se ku i kemi të dashurit tanë, ne nuk e dimë tash e 23 vjet se ku i kemi edhe 1612 njerëz”, ka thënë Qekinaj. I pranishëm ka qenë edhe Marinko Gjuriq, serb nga Istogu, babai i të cilit është vrarë në luftë. Ai para të pranishmëve ka bërë thirrje për paqe.

Ndërsa Andin Hoti, kryetar i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, është shprehur se e drejta themelore, ajo për dije, është mohuar tash e 23 vjet pasi nuk dihet për fatin e mbi 1600 personave.

“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur brenda vitit 2022 ka gërmuar mbi 20 lokacione në territor të Republikës së Kosovës, një në territor të Serbisë dhe në total i bie mbi 2 700 lokacione në Kosovë. Mbi 7 lokacione janë me gjetje të vitit 2022 ku ende i presim rezultatet e ADN-së për personat që nuk janë identifikuar ende. Në vazhdimësi kemi pasur tetë takime të grupeve punuese mes Kosovës dhe Serbisë, duke tentuar çdoherë të marrim informacion të nevojshëm për të ditur fatin e personave të zhdukur, nuk kemi arritur të marrim më shumë se ato që i përmendëm. Kjo nuk është punë fati, por punë politike”, ka thënë Hoti, i biri i filozofit Ukshin Hoti që për veprimtarinë e tij ishte dënuar shumë herë me burg. Ai është zhdukur që nga maji i 99-ës kur i kishte mbaruar koha e dënimit me burg.

Hapja e ekspozitës në Beograd ishte pritur me protesta simbolike e alarme për bomba nga nacionalistët serbë, kundërshtarë të përhershëm të “Mirëdita, Dobar Dan!”. “Gjithë lotët tanë” që shpërfaq përjetime të viktimave dhe të mbijetuarve të luftës do të qëndrojë e hapur deri më 19 dhjetor në “Hotel Grand”.