Shtojca për Kulturë

Gjenerali serb në Shqipërinë e Veriut në shkurt të vitit 1943: Djegie fshatrash, vrasje civilësh

Dragolub Drazha Mihajloviq me oficerët amerikanë, në fshatin Pranjan në Gornji Milanovac, shtator 1944

Dragolub Drazha Mihajloviq me oficerët amerikanë, në fshatin Pranjan në Gornji Milanovac, shtator 1944

“...gjatë muajit shkurt, Gjenerali Mihajlloviq pushtoi rrethet veriore shqiptare të Gucisë, Plavës, Beranit*, Rozhajës, Senicës dhe Pazarit të Ri (Novi Pazar). Gjatë këtij pushtimi, raportohet se trupat e tij dogjën pesëdhjetë e tri fshatra shqiptare dhe vranë të paktën 6 mijë e 400 shqiptarë, përfshirë gra dhe fëmijë. Forcat italiane të stacionuara në këtë pjesë të vendit raportohet se nuk kanë bërë asnjë përpjekje për t’i rezistuar Gjeneralit Mihajlloviq”, shkruhet në raportin diplomatik nga Konsullata e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1943

NR. 290 (R-268)

SHËRBIMI I JASHTËM I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

KONSULLATA E PËRGJITHSHME AMERIKANE

Stamboll, Turqi, 18 mars 1943

LËNDA: Aktiviteti i Raportuar i Gjeneralit Mihajlloviq në Shqipërinë e Veriut

PËR: Të nderuarin Sekretar të Shtetit, Washington

ZOTËRI:

Kam nderin të paraqes më poshtë disa informacione të marra së fundmi në lidhje me aktivitetet e përfolura të Gjeneralit Mihajlloviq në Shqipërinë e Veriut. Burimi i këtij informacioni ishte një patriot shqiptar në Stamboll, i cili pretendon se ka marrë përmes kanaleve të fshehta, një letër direkt nga Shqipëria.

Informacioni që supozohet se përmbahet në këtë letër deklaronte se gjatë muajit shkurt, Gjenerali Mihajlloviq pushtoi rrethet veriore shqiptare të Gucisë, Plavës, Beranit*, Rozhajës, Senicës dhe Pazarit të Ri (Novi Pazar). Gjatë këtij pushtimi, raportohet se trupat e tij dogjën pesëdhjetë e tri fshatra shqiptare dhe vranë të paktën 6 mijë e 400 shqiptarë, përfshirë gra dhe fëmijë. Forcat italiane të stacionuara në këtë pjesë të vendit raportohet se nuk kanë bërë asnjë përpjekje për t’i rezistuar Gjeneralit Mihajlloviq.

Menjëherë pas këtij sulmi, popullsia e Shqipërisë së Veriut dërgoi dy përfaqësues në Tiranë dhe u kërkoi autoriteteve italiane dhe shqiptare të armatosnin popullin e këtij rajoni për të luftuar Mihajlloviqin. Kërkesa e tyre u refuzua dhe menjëherë popullsitë e Gjakovës dhe Prizrenit** thyen depot ushtarake dhe u armatosën vetë. Autoritetet arrestuan 150 persona nga këto qytete dhe i dërguan në një vend të panjohur.

Faksimile të raportit diplomatik nga Konsullata e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1943

Dy detaje interesante të sulmit të Mihajlloviqit janë se shumë nga pajisjet e përdorura nga njerëzit e tij thuhet se janë italiane, dhe se midis të burgosurve të kapur nga shqiptarët u gjet një mjek italian. Pavarësisht faktit se njerëzit e Gjeneralit Mihajlloviqit mund të përdorin lehtësisht furnizime italiane të kapura dhe se mjeku italian mund të jetë lehtësisht një mbështetës vullnetar i Gjeneralit Mihajlloviq, shqiptari që shkroi letrën nga e cila u mor ky informacion preferon të besojë se këto dy incidente, plus faktet që trupat italiane refuzuan t'i rezistonin Gjeneralit Mihajlloviq dhe që autoritetet italiane dhe shqiptare refuzuan të lejonin njerëzit e rretheve veriore të armatoseshin kundër Gjeneralit Mihajlloviq, çojnë vetëm në një përfundim dhe ky është se Gjenerali Mihajlloviq po ndihmohet vullnetarisht nga italianët. Në fakt, raportohet se të gjithë nacionalistët shqiptarë janë të bindur se ky është rasti dhe si pasojë ata tani po rekrutojnë njerëz për të luftuar Gjeneralin Mihajlloviq.

Kjo e njëjta letër përmbante informacione me efektin se në Shqipërinë e Jugut po bëhet një propagandë e madhe komuniste greke. Të gjitha këto përpjekje propagandistike duket se janë paqësore, të mirorganizuara dhe të mbështetura financiarisht nga jashtë.

Korrespondenti shqiptar e mbyll letrën e tij duke ankuar faktin se nacionalistët shqiptarë, pa asnjë ndihmë çfarëdo nga jashtë, tani duhet të luftojnë në tre fronte; ata duhet të luftojnë komunistët grekë në Jug, Mihajlloviqin në Veri dhe italianët në të gjithë Shqipërinë.

Me respekt,

(Nënshkrimi)

Burton Y. Berry

Konsull amerikan

Shënime për përkthimin:

*Berau: Në dokumentin origjinal shkruhet "Berau", por duke gjykuar nga konteksti gjeografik, i referohet Beranit.

**Prizond: Në dokumentin origjinal shkruhet "Prizond", por i referohet qytetit të Prizrenit.