Tekstet e Pashkut që duken si drama, në thelb mendoj se janë tekste letrare jo të zakonshme, përpjekje eksperimentale, që ndërtohen nga radhë të rregullta narrative, monologë e dialogë në shikim të parë me kuptim vështirë të kapshëm, ndërfutje copash dokumentare, por edhe shprehje idesh e ideologjish
Stilin e tij të krijimit të një atmosfere specifike letrare në prozë, sikur të pambushur mjaftueshëm me ajër, sikur pluskim në vakum, kjo sigurisht në funksion të krijimit të një dramaticiteti me veprime minimale personazhesh, Anton Pashku e shpreh dhe e aplikon edhe në dy dramat e tij, që të botuara se bashku në një vëllim, mbititullohen tragjedi moderne. A mund të nxjerrim elemente rrëfimtare nga këto tekste dramatike, duke aplikuar arritjet e narratologjisë transgjenerike, që përdor terma e koncepte narratologjike, për të hulumtuar e gjetur elemente rrëfimtare edhe në dramë dhe poezi lirike. Padyshim që mundemi. Në këtë punim përqendrohemi te instancat e ndërmjetësimit: fokalizatori, narratori, autori i nënkuptuar; te personazhet dhe shkurtimisht te ngjarjet e storiet.
Tekstet e Pashkut që duken si drama, në thelb mendoj se janë tekste letrare jo të zakonshme, përpjekje eksperimentale, që ndërtohen nga radhë të rregullta narrative, monologë e dialogë në shikim të parë me kuptim vështirë të kapshëm, ndërfutje copash dokumentare, por edhe shprehje idesh e ideologjish.
Qysh në fillim të dramës “Gof”, që është e shkruar në vitin 1975, por në vëllimin e “Rilindjes”, del para dramës “Sinkopa”, të shkruar më 1969, si për të përfillur ndarjet formale të Pashkut brenda dramave, ku epilogu gjendet në fillim, pra e mbrama del e para, e hasim fokalizatorin që sheh e dëgjon personazhin apo personazhet: Lulashin, Lulanin, Luluan. Fokalizatori, pas pak bëhet narrator dhe nga shikim e dëgjim kalon në dhënie informatash: Për kohën e vështirë – heqamën dhe vitin referencial: 1939. Ky vit, po të mos ndodhte pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste dhe po të mos ishte kohë lufte, madje botërore, nuk do të merrte konotacione ideologjike e politike. Por, ka konotacione të tilla, prandaj e kemi edhe autorin e nënkuptuar. Kështu, vetëm në një copë tekst hyrës të shkurtër, tri herë hasim instanca ndërmjetësuese, thelb rrëfimtarie: Fokalizatorin, Narratorin, Autorin e nënkuptuar. Natyrisht që edhe autori real është ndërmjetësues, tashmë si entitet jashtë tekstit, krijuesi, organizuesi, shkruesi i tekstit.
Gjatë leximit të tekst-dramës “Gof”, duket sikur personazhi me emrin Lulash shndërrohet në narrator. Saqë që lihet përshtypja sikur flet përçart e pa lidhje, është autori i nënkuptuar që e mbush tekstin e “shthurur” të Lulashit me plot nënkuptime, politike, sociale, ekonomike, ideologjike. Pra, autori i nënkuptuar e paralizon personazhin për të shprehur ide e ideologji. Personazhi nuk arrin ta krijojë as ta shprehë identitetin e vet. Ai ka rol, të jetë zëdhënës i stërholluar autorial, fshehur prapa tekstit në shikim të parë të shthurur. Në këtë mënyrë arrihet niveli më i lartë i ndërhyrjes dhe ndërmjetësimit mes ngjarjes dhe lexuesit, të nënkuptuar a real. Pas diskursit të Lulashit, një hallakamë kjo e kontrolluar, fjalën e merr narratori i pjesëve instruktuese që zakonisht quhen didaskali. Narratori na i paraqet edhe dy personazhet e tjera, Lulanin dhe Luluan. Gjëja e parë që i shquan këta të dy është komunikimi fillimisht absurd me njëri-tjetrin, moskomunikimi me Lulashin, meqë ai është i lënduar rëndë dhe flet “përçart”, për të arritur te dialogët dramatikë në fund, dialogë që i shquajnë, i skalitin si personazhe të veçanta, karaktere të ndryshme, që marrin udhë të ndryshme. Lulani e Lulua flasin me rrotulla, me formula dhe, ndonëse nuk komunikojnë me Lulashin, meqë nuk munden, roli i tyre është përforcimi i “paqartësisë” së Lulashit, do të thotë i autorit të nënkuptuar, sulmi ironik e sarkastik kryesor i të cilit është kundër pushtimit, luftës, fashizmit. Pra, autori i nënkuptuar, si instancë ndërmjetësuese, ndërhyn drejtpërdrejt edhe në dialogët e personazheve. Ndërhyrja e tij vërehet sidomos kur tehu i skalitjes së karaktereve i ndan Lulanin e Luluan në mënyrë vendimtare. Lulani kërkon të bëhet diçka, pasi konstaton se heqama s’po ikën. Kërkesa për veprim, e nxitur nga padurimi i gjendjes së amullt, është vetvetiu kërkesë ideologjike, sado që në shikim të parë duket thjesht kërkesë për të dalë jashtë shtëpisë së vogël e të braktisur ku kanë ngecur. Lulani dëshiron të ndahet nga Lulua, i cili është pajtuar me gjendjen dhe pret, vetëm pret dhe thotë se s’ka çfarë bëhet për ta ndryshuar gjendjen. Kjo fjali e Lulanit drejtuar Luluas, e shquan karakterin e tij: “Mos thuaj... na! As ti as unë nuk jemi... na! (f. 87). Lulani del, Lulua ia kris raki. Pirja e rakisë kur shoku i tij del jashtë të ballafaqohet me të keqen, e shquan po ashtu karakterin e Luluas. Kështu, Lulani është karakteri që do të ballafaqohet dhe Lulua është karakteri që shmanget, fshihet.
Në fund të dramës që autori e quan ‘një prolog’, që është fillimi i jetës në liri, aktivizohet prapë fokalizatori dhe jep përmes fjalëve që shprehin zëra e zhurmë shkrirjen e heqamës në oshtimën e një zurkaje të lartë, pastaj në gurgullimën e një lumi të rrëmbyeshëm e më tutje në zhumhurin e lugjeve të mullirit... do të thotë heqamën e mund jeta.
Tekst-drama “Gof”, është ideologjik-eksperimental. Koha referenciale 1939 mund të zhvendoset fare mirë në çdo vit të rëndësishëm historik, më 1878, më 1912, më 1981, më 1989, më 1990, më 1999 – po ashtu edhe personazhet: Lulashi që duket se po shprehet pavetëdijshëm, por është zëri i nëndheshëm i kërkimit të lirisë para shpërthimit të kryengritjes, është procesi i kristalizimit të vullnetit të ngecur në një trup të lënduar (popujt e pushtuar janë të lënduar rëndë), Lulua, i cili nuk do të luajë vendi dhe pret që gjendja të ndryshojë vetvetiu dhe Lulani, i cili nuk duron më dhe del jashtë, do të thotë ballafaqohet me pushtuesin, me të keqen, me heqamën, që në fund edhe zhduket.
A ka storie kjo tekst-dramë? E kemi një Ngjarje kryesore, që vjen si pasojë e një aksidenti. Ngjarja është e ndërtuar nga sekuenca narrative minimale që shërbejnë për të rrëfyer me rrotulla, figurativisht, për historinë referenciale të pushtimit fashist të Shqipërisë. Ngjarja përqendrohet në shtëpinë e braktisur që shërben si strehë për personazhet. Lulashi i lënduar keq, Lulani dhe Lulua gjenden aty shkaku i ngecjes në borë, teksa po ngjiteshin lart në bjeshkë. Mirëpo, sekuenca e rrëshqitjes e rënies në borë, bashkë me sekuencat që ndodhin në shtëpi, nuk arrijnë të krijojnë zinxhir ngjarjesh për të bërë storie në kuptimin klasik të fjalës. Sigurisht që as qëllimi i autorit nuk ka qenë krijimi i storieve dramatike përmes formave klasike a realiste. Qëllimet autoriale realizohen e shprehen përmes një gërshetimi interesant e madje edhe paradoksal mes mendimeve, ideve e ideologjisë dhe tekstit eksperimental që ka karakteristika e nuanca të dramës së absurdit e antidramës.
Edhe në dramën “Sinkopa” kemi elemente rrëfimtare. Pjesa tekstore e fillimit e ka autorin (që i jep personat e dramës), e ka narratorin e vetës së tretë, ka ngjarjen në fundin e një storieje, diçka të tmerrshme në dhomën e bardhë, ku nuk duket gjaku i Femnës së vrarë. Kemi po ashtu teknikën e përmbledhjes, kemi përshkrim minimal të përqendruar te ngjyra e bardhë. Po si te “Gof”, ndarja në njësi është edhe lojë me fjalë, për shembull: “Mbarimi i fillimit të Sinkopës”, apo “Fillimi i mbarimit të Sinkopës”. Pas tekstit hyrës, gjendet teksti-skicë rrëfimtare e përshkruese. Në këtë pjesë shikimi dhe dëgjimi janë elemente të rëndësishme atmosfere. Femna, Mashkulli, dysia që përfaqëson jetën njerëzore, çiftin, dashurinë e mundshme, telashet, pamundësinë e kapërcimit të tyre, vrasjen, tragjedinë në fund. Storien e personazheve universale, Femnës dhe Mashkullit, narratori e jep të ndodhur përballë personazhit kryesor të dramës, Xhexheut. Meqë narratori qëndron vetëm në dhomën e Xhexheut, nuk kalon asnjëherë në hapësirën ku gjenden çifti, Xhexheu vetëm i sheh lëvizjet e tyre, fillimin e simpatisë, bisedave, lidhjes, monotonisë, futjes së Kitaristit në skenë, xhelozisë së Mashkullit, vrasjen me thikë dhe rrëzimin e Femnes, por edhe rrëzimin e Mashkullit. Duket sikur storia e tyre nuk ka kurrfarë lidhjeje me të. Nuk ka lidhje fabulare, por ka lidhje konceptuale, ka lidhje me kërkimin e njeriut për tjetrin, tjetrën dhe jetën e lumtur. Xhexheu duket sikur është tërësisht indiferent ndaj tyre, i shikon kohë pas kohe, nganjëherë duket sikur të ishin edhe në dhomën e tij. Çfarë ndodh në dhomën e tij?
Storia kryesore e “Sinkopës” është kërkimi i Xhexheut për Lumninë, gjetja e saj, dashuria, ngadalë mërzia, ngopja, përzënia e saj, pastaj kërkimi i Lumtunisë, përmes Shpresës, mosgjetja e saj, situata ekzistenciale e mungesës së lumturisë, e kërkimit dhe e kuptimit të mosekzistimit të kuptimit, ashtu siç mendon njeriu. Lumnia, Lumtunia, Shpresa janë edhe emra personash, edhe koncepte filozofike e sociologjike. Janë personazhe të dyzuara: mund të ekzistojnë realisht, mund të jenë ëndrra, gjakime, kërkime, shkaktare të vuajtjeve, mërzisë, vetmisë, tëhuajsimit. Xhexheu pasi i kapërcen të gjitha fazat e kërkimit të kuptimit, e kërkimit të dashurisë, të jetës së lumtur, e kupton që nuk mund t’i gjejë, as kuptimin, as dashurinë, as jetën e lumtur. Dhe shpërthen, i thyen disa xhama të banesave të banorëve të lagjes ku jeton. Akti i tij i thyerjes së xhamave është po sikur akti i Lulanit që vendos të ballafaqohet me heqamën. Por, derisa për Lulanin mund të themi se është luftëtar real, ideologjik, për Xhexheun mund të themi se është luftëtar filozofik, që anon kah absurdja dhe zhytet në shpërfillje ndaj shoqërisë që nuk bën asgjë, që nuk lëviz. Prandaj, Xhexheun, sipas Gjegjeut, një personazhi që do të mund të bëhej karakter i veçantë brenda botës së rrëfyer të dramës, por mbase edhe dyzim i personazhit kryesor, e quajnë ‘anarkoindividualist’.
Xhexheu nuk është i tillë. Ai nuk pajtohet me shoqërinë e rrejshme, që jeton në Rrugën e qetë të Trimave të kozmosit, apo që rri e pi në kafenenë “Kozmodromi”, ku më shumë lëviz ventilatori se njerëzit. Xhexheu niset në kërkim të Lumtunisë, prapë, tashmë drejt Atlantidës, do të thotë në sferat mitologjike. Po, se lumturia është kërkim mitologjik, jo kërkim real. Lumturia është pjesë e rëndësishme e imagjinatës. Imagjinata, bashkë me gjuhën, na bëjnë njerëz. Xhexheu e kapërcen dhomën e vet, do të thotë zhguallin ku qëndron i mbyllur dhe del. A del jashtë fizikisht apo mendërisht, nuk është shumë me rëndësi. Vullneti për të dalë tashmë është shprehur. Veprimi mund të merret me mend. Tekst-drama mbyllet. Përralla e kërkimit ka fund të hapur.
Pjesë e kumtesës së lexuar në edicionin e 15-të të “Javës së Albanologjisë” në Institutin Albanologjik të Prishtinës (më 9-11 shtator 2024). Botohet me leje të autorit. Fusnotat dhe literatura janë hequr nga Redaksia.