Shtojca për Kulturë

Çelësi për zbulimin e familjes gjuhësore indoevropiane

Nëse e marrim foljen “jam” në vetën e tretë (shembulli marrë edhe nga Çabej): indoev. esti, indishte: asti, shqipe ashte, në latinishte est, gjermanishte ist, anglishte is, lituanishte esti, sllavishte kishtare jeste, ose shumësin, sanskritishte santi, greqishte, enti, shqip janë, latinishte sunt, gjermanishte sind etj., mund ta shohim qartë që në thelb, rrjedhin nga një formë më e hershme. E kjo ngjashmëri gjen shpjegim në faktin se janë formuar shumë gjuhë e grupe gjuhësh nga një burim i vetëm

Metoda krahasuese

Të gjitha gjuhët kanë elemente gramatikore, leksikun e vet dhe veçoritë gjuhësore përkatëse. Gjithashtu, çdo gjuhë i ka ligjësitë e brendshme, veçoritë kulturore e shpirtërore, që manifestojnë botëkuptimin e qytetarëve, mënyrën se si e konkretizojnë realitetin objektiv përmes gjuhës, duke i dhënë shkas ndryshimit të saj. Ky është një fakt i përgjithshëm. Por, në rastin e gjuhëve indoevropiane kemi të bëjmë me afri të veçantë, interesante.

P.sh. nëse e marrim foljen “jam” në vetën e tretë (shembulli marrë edhe nga Çabej): indoev. esti, indishte: asti, shqip ashte, në latinishte est, gjermanishte ist, anglishte is, lituanishte esti, sllavishte kishtare jeste, ose shumësin, sanskritishte santi, greqishte, enti, shqip janë, latinishte sunt, gjermanishte sind etj., mund ta shohim qartë që në thelb, rrjedhin nga një formë më e hershme. E kjo ngjashmëri gjen shpjegim në faktin se janë formuar shumë gjuhë e grupe gjuhësh nga një burim i vetëm. Por, meqë gjuhët zhvillohen semantikisht, përmbushin funksionet sintaksore, normalisht që ato ndryshojnë.

Për krahasim më shumë duhet të merren trajtat gramatikore si në këtë rast, e që janë më konservative, e jo elementet leksikore, sepse fjalët shumë herë mund të jenë huazime të marra nga gjuhët e vjetra.

Gjuha shqipe, por edhe krejt gjuhët e botës, mund të humbin një pjesë të madhe të leksikut, por t’i ruajnë trajtat gramatikore. Leksiku bazohet në arbitraritetin e shenjës, kurse gramatika në disa rregulla ndërtimore. D.m.th. leksiku mund të pasurohet më lehtë për ta rritur efektin shprehës, normalisht, edhe duke i shfrytëzuar modelet e caktuara fjalëformuese të gjuhëve si dhe format e tjera të pasurimit leksikor. Sipas Traskut, teknikat e krahasimit, të rindërtimit dhe zbrazëtitë që përfshihen janë: rikonstruktimi i brendshëm, rikonstruktimi nga lart – poshtë, papërcaktueshmëria, ndërtimi i “pemës”, probleme të semantikës, shkelja e korrespondencave, parimi i përgjegjësisë etj. Por, boshllëkun kryesor e shkakton mungesa e burimeve. Megjithatë, gjurmët e hedhura përpiqen ta formësojnë dhe t’i japin frymë kësaj shkence. Shkrimi jo vetëm që e pasqyron gjuhën e folur, por edhe shërben si dokument që mund të merret në konsideratë për kohën kur është shkruar ndonjë fjalë. Metoda komparative në fakt, ka mundësuar që të gjenden të përbashkëtat e diferencat mes gjuhëve dhe rindërtimet e bëra nuk janë të pamenduara dhe instinktive, p.sh. folja fluturoj në anglisht fly, gjermanisht fliegen etj.

Gjuhësia krahasimtare është termi që përdoret për t’i përshkruar lidhjet që ekzistojnë mes gjuhëve të afërta. Ajo është formë e gjuhësisë historike, por kjo e fundit nuk është domosdoshmërisht krahasuese. Çabej me të drejtë potencon se vlerë shkencore ka zbulimi i tipareve të përbashkëta mes këtyre gjuhëve, konstatimi i analogjive, i korrespodencave, që na shërbejnë për t’i kuptuar më drejt historikisht.

Gjuhësia krahasimtare ka dy detyra: të vendosë fakte dhe shkallën e lidhjes mes dy ose më shumë gjuhëve. Pra, ajo ndalet në veçoritë e përbashkëta strukturore mes gjuhëve dhe i klasifikon në bazë të ngjashmërive përkatëse.

Gjuhësia indoevropiane

Aftësia krahasuese e mendjes njerëzore ka shpënë në zbulimin e afrive të disa gjuhëve që shtrihen nga Evropa në Indi. Gjuhët indoevropiane janë një grup apo familje gjuhësh, që ruajnë tiparet thelbësore të trashëguara, por shkalla e afrisë ndryshon mes tyre.

Themelues i gjuhësisë indoevropiane njihet Franz Boppi me veprën e tij të parë të botuar më 1816 me titullin “Mbi sistemin e koniugacionit të sanskritishtes krahasuar me atë të greqishtes, latinishtes, persishtes dhe gjermanishtes”. Me këtë studiues, mund të thuhet se fillon mirëfilli gjuhësia indoevropiane. Boppi gjithë jetën e tij ia kushtoi kësaj fushe, duke i plotësuar vazhdimisht studimet e tij. Afritë që i kishin vërejtur paraardhësit e tij në mënyrë disi intuitive, ai i vërtetoi me argumentim sistematik. Në vitin 1833-52, ai e zgjeroi planin e punës së tij dhe shkroi një gramatikë krahasuese të gjuhëve indoevropiane. Në vitin 1854, bëri një studim për gjuhën shqipe “Mbi shqipen, në lidhjet e afrisë së saj me gjuhët e tjera indoevropiane”. Gjatë jetës së tij, Boppi, me ripunimet që i bëri shtoi edhe gjuhë të tjera indoevropiane si: prusishten, gjuhët baltike, armenishten etj. Boppi gaboi, sepse futi edhe disa gjuhë të Azisë që nuk hyjnë aty, gjuhët kaukazike, të Malezisë. Ai e mbiçmoi sanskritishten, duke thënë se kjo gjuhë mban vendin e një gjuhe më origjinale, gati të një gjuhe mëmë, kurse gjuhësia më vonë erdhi në përfundim se këto gjuhë janë gjuhë motra mes tyre. Faktorët që i dhanë shtysë formimit të kësaj shkence ishin: zbulimet gjeografike të shek. XVI (rruga e Indisë), pushtimi i Indisë, lëvizja romantike etj.

Dy vjet para Boppit, dijetari danez, Rasmus Kristian Rask, kishte konstatuar afrinë mes nordishtes së vjetër, gjuhëve gjermanike, me gjuhët greke, latine, baltike, dhe gjuhët sllave, por e metë e veprës së tij ishte se nuk e njihte sanskritishten. Kështu, Rasku u kufizua me gjuhët evropiane. Më pas, kontribut dhanë edhe Jakob Grimmi, August Schliecher (nxënës i Boppit) që u mundua të rindërtonte atë gjuhë që mendohej të ketë qenë gjuha mëmë e këtyre gjuhëve; Franz Miklosich, që pas Boppit, duke përmirësuar, saktësuar i dha kësaj shkence zhvillimin e vet në disa drejtime, bëri studime speciale në gjuhë të veçanta, vuri themelet e sllavistikës dhe njëkohësisht të gjuhësisë ballkanike e gjithashtu me studime të shqipes, August Fick, Johannes Schmitt, Gramatikanët e rinj u dhanë rëndësi ligjeve fonetike, analogjisë, si pjesë të psikologjisë, Ferdinand de Saussure, Xylander, që konstatoi karakterin indoevropian të shqipes, veçse në formë të shkurtuar, jo me analizë shkencore siç bëri Boppi, Gustav Meyer - themelues i albanistikës, autori i gramatikës greke, gramatikës së shqipes, fjalorit etimologjik. U bënë studime të thelluara në shumë degë të gjuhësisë; fonetikë, fonologji, Courtenay, Turbeckoj. Pastaj, romanistika, psikologjia e popujve, Wilhelm Wund, gjeografia gjuhësore: Zhyl Zhilerioni, stukturalizmi Saussaure, që e shikoi gjuhës si sistem, strukturë tërësore.

Gjuhët indoevropiane

Grupi i gjuhëve indoevropiane fillon me keltishten në Irlandë, e shkon gjer në Hind. Duke nisur nga lindja, e duke ardhur në perëndim, janë këto gjuhë ose degë gjuhësore indoevropiane: indishtja, iranishtja, armenishtja, greqishtja, shqipja, gjuhët italike, gjuhët kelte, gjuhët gjermanike, gjuhët baltike e gjuhët sllave (renditja sipas Çabejt). Ka edhe disa gjuhë të vdekura si hetitishtja në Azi të Vogël, e tokarishtja në Turkestan. Në Azi të Vogël, përveç hetitishtes, ka qenë e folur edhe frigishtja, luvishtja etj.

Në Gadishullin Ballkanik, është folur ilirishtja, trakishtja e makedonishtja. Indishtja flitet me një mori dialektesh. Iranishtja përfshin sot persishten në Persi, afganishten në Afganistan, beluçishten, osetishten. Edhe armenishtja ndahet në disa dialekte. Greqishtja, që në krye të herës, paraqitet e ndarë në dy degë kryesore: jonishtja, dorishtja. Gjuhët italike përfshijnë dy grupe kryesore: latino-faliskishten e oskumbrishten. Më dysh ndahet edhe keltishtja: gelishtja e britanishtja, betonishtja. Gjuhët gjermanike përfshihen në tri grupe: nordishtja, me islandishten, norvegjishten, suedishten e danishten, grupi perëndimor, me anglishten, gjermanishten; grupi lindor, sot i zhdukur, që përfshinte gjuhët e Gotëve, Vandalëve, Herulëve, Langobardëve etj. Gjuhët baltike janë tri: lituanishtja e letonishtja e prusishtja e vjetër, që u tret në shek. XVII. Më tresh ndahet edhe sllavishtja: grupi jugor: me sllovenishten, serbo-kroatishten, maqedonishten e bullgarishten; grupi perëndimor me polonishten, çekishten, sllovakishten, grupi lindor me rusishten, bjellorusishten, ukrainishten.

Siç shprehet Çabej, të gjitha këto gjuhë shihen si degë të ndryshme të një grupi gjuhësor. Kjo është familja gjuhësore indoevropiane, e cila zë një vend më vete në mes të familjeve gjuhësore të botës.