Shtojca për Kulturë

1979: “Goca e Kaçanikut” në Tiranë

Descriptive Text

“Libretistët Ajmone Dhomi dhe Jusuf Buxhovi, duke u nisur nga novela e shkrimtarit Milto Sotir Gurra, kanë krijuar një libret me personazhe të qarta dhe të larmishme, me një dramaturgji të zhvilluar me ngjarje dhe kulminacione që të mbërthejnë dhe të bëjnë të ndjekësh veprën me interes nga fillimi deri në fund. Muzika e frymëzuar e kompozitorit të talentuar Rauf Dhomi ndihmon fuqishëm dhe shkrihet rrjedhshëm me libretin”, do të shkruante kompozitori i shquar Tish Daija, pas premierës së “Gocës së Kaçanikut” në Tiranë më 21 korrik të vitit 1979, në shkrimin e botuar në gazetën “Bashkimi” ribotuar në “Rilindje”, më 1 gusht të atij viti

Të shtunën dhe të dielën pamë premierën e operës “Goca e Kaçanikut”, që u shfaq nga trupa e Teatrit të Operës dhe Baletit, prandaj emocionet i kemi ende të freskëta. Autorët e operës, libretistët Ajmone Dhomi dhe Jusuf Buxhovi, si dhe kompozitori Rauf Dhomi, nëpërmjet veprës së tyre na tërhoqën në vitet 1905-1908, periudhë të në cilën i gjithë populli shqiptar ishte ngritur me vendosmëri në luftë kundër pushtuesve osmanë.

Ngjarja zhvillohet në malet e Kaçanikut. Heroina kryesore e veprës, Pafika, është paraqitur këtu me tiparet karakteristike të gruas shqiptare, e pastër, bujare, e gjallë dhe trimëreshë. Ajo merr pjesë aktive me armë në dorë në luftën e popullit shqiptar kundër hordhive osmane. Në arien e bukur të saj epiko-lirike, në fillim të aktit të dytë, ajo këndon: “Lirinë me gjak do ta fitojmë...”. E gjithë linja e zhvillimit të personazhit të saj përshkohet nga një ndjenjë e fuqishme patriotike. Ajo, si dhe burrat për asnjë çast nuk e heqin pushkën nga dora për liri dhe pavarësi.

Image
Faksimile e faqes së gazetës “Rilindja” të 1 gushtit të vitit 1979

Prindërit duan ta martojnë Pafikën me një djalë të ndershëm, trim dhe bujar, që të jetë i gatshëm të sakrifikojë edhe jetën për liri. Por këto cilësi ajo i ka gjetur te Trimori, të cilin edhe e dashuron. Edhe linja e tyre e dashurisë zhvillohet dhe merr jetë mbi një sfond të thellë patriotik. Në duetin e tyre të aktit të tretë, të cilin kompozitori e ka shkruar me shumë frymëzim, ata këndojnë “...dashuria dhe liria”. Personazhi i saj merr përpjesëtime dramatike dhe arrin kulminacionin dramaturgjik kur Pafika, e kapur në befasi nga tradhtari Rus Bash dhe oficeri osman Fiqal, të cilët duan ta dërgojnë në kampin armik, u rrëshqet nga duart. Trime, e shkathët dhe e fuqishme si një shqiponjë, me një dru ajo e çarmatos Rus Bashin dhe me armën e tij e vret tradhtarin.

Pafika është heroina kryesore dhe zë vend më rëndësi në vepër. Por vendin kryesor në vepër e zë populli kryengritës, i armatosur në luftën për liri e pavarësi. Kori-popull është strumbullar i gjithë veprës, në gji dhe sfond të të cilit zhvillohen personazhet dhe drama e tyre. Kori-popull merr përpjesëtimet e heroit kryesor gjatë gjithë veprës dhe sidomos në fund të aktit të parë dhe atij të dytë. Në këtë sfond zhvillohen personazhet e Trimorit trim, guximtar dhe patriot, babës dhe nënës së Pafikës, Rus Bashit, oficerit të ushtrisë osmane Fiqal, etj.

Libretistët Ajmone Dhomi dhe Jusuf Buxhovi, duke u nisur nga novela e shkrimtarit Milto Sotir Gurra, kanë krijuar një libret me personazhe të qarta dhe të larmishme, me një dramaturgji të zhvilluar me ngjarje dhe kulminacione që të mbërthejnë dhe të bëjnë të ndjekësh veprën me interes nga fillimi deri në fund. Muzika e frymëzuar e kompozitorit të talentuar Rauf Dhomi ndihmon fuqishëm dhe shkrihet rrjedhshëm me libretin.

Image
Posteri i operës “Goca e Kaçanikut” për premierën në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë (Arkivi i Teatrit të Operës dhe Baletit)

E gjithë muzika e veprës është frymëzuar nga këngët dhe vallet e bukura popullore kosovare, të cilat siç duket i njeh dhe i dashuron me pasion. Muzikën popullore po nuk e dashurove, nuk mund ta kuptosh dhe aq më pak pastaj të hysh brenda, të gjesh nektarin duke e bërë pronë tënden shpirtërore për të mundur më vonë, pasi të jesh mbarsur mirë me të, të frymëzohesh prej saj në krijimet tua. Në këtë premierë muzika tingëllon e freskët gjatë gjithë veprës, pse ajo ka larmi të materialit tematik, melodik, harmonik dhe polifonik. Me sukses janë përdorur këtu ritmet e thyera karakteristike popullore shqiptare (koralja e aktit të parë 9/8, kori i vajzave po këtu 7/8, gratë dhe Pafika akti i dytë 7/8, intermexo orkestrale 5/8 etj).

Orkestracioni është punuar me shije e mjeshtëri dhe ndihmon fuqishëm në dramaturgjinë e veprës. Kontribut të fuqishëm dhe me vlerë ne realizimin e me sukses të operës “Goca e Kaçanikut” ka dhënë piktori i shfaqjes, Artisti i merituar Hysen Devolli, i cili me skenografinë e tij na çoi për një kohë të shkurtër në grykën e Kaçanikut, në një periudhë vendimtare për fatet e popullit. Meritë ka gjithashtu dirigjenti i shfaqjes, Artisti i Popullit, Rifat Teqja, i cili me mjeshtëri krijuese ka ditur të zbërthejë frymëzimin e autorëve dhe bashke me ekzekutuesit e tjerë ta sjellë atë deri te spektatori.