Shtojca për Kulturë

Armatosja e historisë ruse si justifikim për luftën në Ukrainë

Descriptive Text

Në përpjekje për të mbledhur sa më shumë njerëz rreth pikëpamjes së tyre botërore, autoritetet ruse janë përpjekur t’i ekzagjerojnë fitoret e kaluara të shtetit, teksa i fshijnë kapitujt më të këqij të historisë. Kanë rishkruar tekstet shkollore, kanë financuar shfaqje të shumta historike, dhe i kanë ndalur – nganjëherë edhe në mënyrë të ashpër – zërat që e kanë kundërshtuar narrativën e tyre

Më herët gjatë shkurtit kur Tucker Carlson e pyeti Vladimir Putinin në lidhje me arsyet për ta pushtuar Ukrainën dy vjet më parë, presidenti rus ia nisi shpjegimit të historisë. Udhëheqësi rus 71-vjeçar i kaloi më shumë se 20 minuta duke e hutuar Carlsonin me data dhe emra që nga shekulli i nëntë.

Putini madje ia dha edhe një dosje që i përmbante ato të cilat i tha dhe theksoi se ishin kopje të dokumenteve historike që vërtetonin pikëpamjet e tij se “ukrainasit dhe rusët kanë qenë gjithnjë një popull i vetëm dhe se sovraniteti i Ukrainës është thjesht mbetje e paligjshme nga epoka sovjetike”.

Carlson ka theksuar se ngeli “i shokuar” kur u krye mësimi i historisë. Mirëpo për ata që e njohin qeverisjen e Putinit kjo nuk ishte aspak befasuese, sepse në Rusi historia ka qenë gjithherë mjet propagande, që është përdorur për t’i çuar përpara qëllimet politike të Kremlinit. Dhe dy vjetët e fundit kanë qenë thjesht vazhdim i traditës.

Në përpjekje për të mbledhur sa më shumë njerëz rreth pikëpamjes së tyre botërore, autoritetet ruse janë përpjekur t’i ekzagjerojnë fitoret e kaluara të shtetit, teksa i fshijnë kapitujt më të këqij të historisë. Kanë rishkruar tekstet shkollore, kanë financuar shfaqje të shumta historike, dhe i kanë ndalur – nganjëherë edhe në mënyrë të ashpër – zërat që e kanë kundërshtuar narrativën e tyre.

Zyrtarët rusë kanë sulmuar rregullisht Ukrainën dhe vendet e tjera evropiane për rrëzimin e monumenteve sovjetike, që kryesisht janë parë si trashëgimi të padëshiruara nga regjimet e kaluara dhe madje kanë vënë shumë zyrtarë evropianë në listat e të kërkuarve, në një lëvizje që ishte kryefjalë këtë muaj.

“Në duart e autoriteteve, historia është shndërruar në çekiç – apo edhe në sëpatë”, ka thënë Oleg Orlov, bashkëthemelues i “Memorialit”, grupit më të vjetër dhe më të shquar të të drejtave në Rusi.

Image
Pjesëmarrës në marshin e “Regjimentit të Pavdekshëm” në 77-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Moskë, 9 maj 2022 (Foto: AP)

Glorifikimi

Që nga vitet e hershme të sundimit çerekshekullor, Putini ka deklaruar vazhdimisht se mësimi i historisë duhet t’i bëjë rusët krenarë. Edhe figura kontroverse, si diktatori sovjetik Josef Stalin, sipas argumenteve të Putinit kontribuuan në madhështinë e Rusisë. Në Rusi janë mbi 100 monumente të Stalinit, shumica të vendosura në kohën e Putinit.

Presidenti rus pati thënë më herët se duhet të ketë “një narrativë shtetërore themelore” në vend të teksteve të ndryshme që kundërshtojnë njëri-tjetrin. Dhe ai ka bërë thirrje për një tekst “universal” të historisë që do ta përcillte këtë narrativë. Mirëpo kjo ide, e kritikuar ashpër nga historianët, nuk fitoi shumë vëmendje për një kohë – deri kur Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës.

Vitin e kaluar qeveria nxori seri prej katër tekstesh të reja “universale” të historisë për nxënësit e klasave të 10-ta dhe të 11-ta. Njëri paraqiste një kapitull mbi “operacionin special ushtarak” të Moskës në Ukrainë. Aty fajësohej Perëndimi për Luftën e Ftohtë dhe rënia e Bashkimit Sovjetik përshkruhej si “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit të 20-të”.

Disa historianë e përqeshën si propagandë flagrante.

“Bashkimi Sovjetik, dhe më vonë Rusia, janë përshkruar në tekstin shkollor si gjithmonë një kështjellë e rrethuar, e cila vazhdimisht jeton e rrethuar nga armiqtë. Këto qarqe armiqësore po përpiqen të dobësojnë Rusinë në çdo mënyrë të mundshme dhe të marrin burimet e saj”, ka thënë historiani Nikita Sokolov.

Versioni i Kremlinit për historinë ruse po dominon gjithashtu edhe në ambientet ku mbahen ekspozita me tema historike. Këto institucione janë financuar nga shteti dhe janë në 24 qytete në të gjithë vendin.

Ato vende u hapën pasi një seri ekspozitash historike në fillim të viteve 2010 tërhoqën qindra mijëra rusë dhe morën vlerësime nga Putini. Metropoliti Tikhon (Shevkunov), peshkop ortodoks rus raportohet se për shkak të afërsisë me Putinin, ishte forca shtytëse pas tyre.

Të mbushura me animacione dhe elementë të tjerë, ekspozitat u kritikuan nga historianët për pretendime të pasakta dhe glorifikim të qëllimshëm të sundimtarëve rusë dhe pushtimeve të tyre.

Në qendër të narratives së një Rusie të pathyeshme është humbja e Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. E shënuar më 9 maj – Gjermania kapitulloi zyrtarisht më 9 maj 1945 – fitorja sovjetike është bërë pjesë përbërëse e identitetit rus.

Për autoritetet “Historia e Rusisë është një rrugë nga një fitore në tjetrën”, ka theksuar Orlovi, grupi i të cilit mori çmimin “Nobel” për paqe në vitin 2022. “E fitore më të bukura janë përpara. Dhe Kremlini thotë se ne duhet të jemi krenarë për historinë tonë; historia është mjet për ta rrënjosur patriotizmin. Sigurisht që, sipas tyre, patriotizmi është vlerësimi i udhëheqjes – qoftë lidershipi i Rusisë cariste, udhëheqja e Rusisë Sovjetike apo udhëheqja aktuale”.

Heshtja

Teksa festimet e Ditës së Fitores ndër vite u bënë më të fuqishme, Qeveria e Putinit u bë më pak tolerante ndaj çdo pyetjeje apo kritike ndaj veprimeve të Bashkimit Sovjetik në atë luftë – ose në përgjithësi.

Në vitin 2014, rrjetet kabllore ruse hoqën dorë nga “Dozhdi”, kanali i vetëm i pavarur televiziv i qarkut, pasi publikoi një program historik për rrethimin e Leningradit 1941-44 dhe u kërkoi shikuesve të votonin nëse autoritetet sovjetike duhej ta dorëzonin Leningradin për të shpëtuar jetë. Uria në qytetin që tani quhet Shën Petersburg, la të vdekur më shumë se 500 mijë njerëz gjatë rrethimit. Pyetja shkaktoi bujë. Zyrtarët akuzuan kanalin për kapërcim të kufijve moralë dhe etikë.

Në të njëjtin vit, Qeveria ruse miratoi ligjin që i bëri vepër penale “rehabilitimin e nazizmit” ose “përhapjen me vetëdije të informacioneve të rreme për veprimet e BRSS-së gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Dënimi i parë për këto akuza u raportua në vitin 2016. Një burrë u gjobit me 200 mijë rubla për një postim në mediat sociale pasi pati thënë se “komunistët dhe Gjermania sulmuan Poloninë së bashku, duke nisur Luftën e Dytë Botërore”. Në vitet që pasuan, numri i dënimeve për akuzat vetëm u rrit.

Hulumtimet dhe debatet publike rreth shtypjeve masive nga Stalini gjithashtu janë përballur me rezistencë të konsiderueshme në vitet e fundit. Historianët dhe mbrojtësit e të drejtave shtrijnë paralele të pashmangshme me goditjen kundër mospajtimeve aktuale që tashmë ka lënë qindra njerëz pas grilave.

Dy historianë të përfshirë në hulumtimin e ekzekutimeve masive të Stalinit në Rusinë veriperëndimore u burgosën vitet e fundit – ndjekjet penale me akuza lidhen me punën e tyre. “Memorial”, grupi më i vjetër dhe më i shquar i të drejtave të njeriut në Rusi që mori vlerësim ndërkombëtar për studimet mbi represionin politik në Bashkimin Sovjetik, është mbyllur. Ai vazhdon të funksionojë, por aktivitetet në Rusi i janë kufizuar ndjeshëm.

Dhe radha e njerëzve që priste për t’i lexuar emrat e viktimave të represioneve sovjetike nuk ekziston më nëpër rrugët qendrore të Moskës. Tradita për t’i lexuar ato me zë të lartë një herë në vit përpara një monumenti për viktimat e represionit sovjetik – i quajtur “Kthimi i emrave” – filloi në vitin 2007 dhe dikur tërhoqi mijëra njerëz. Në vitin 2020, autoritetet e Moskës e ndaluan nën arsyetimin e pandemisë COVID-19.

Autoritetet kërcënohen prej përpjekjeve për ta ruajtur kujtesën historike dhe gjendja është përkeqësuar që nga nisja e luftës në Ukrainë, ka thënë Natalya Baryshnikova, producentë e filmit “Returning the Names (Kthimi i emrave)”, që më 2023 u shfaq në dhjetëra qytete jashtë vendit dhe në internet.

“E shohim shumë qartë” që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ka thënë Baryshnikova. “Çdo lëvizje me bazë civile ose deklaratë për kujtimin e terrorit sovjetik është e papërshtatshme”.

Justifikimi

Sipas mësueses së shquar të historisë, Tamara Eidelman, rrëfimi historik që Kremlini po përpiqet t’ia imponojë shoqërisë përmban disa elementë kryesorë: përparësinë e shtetit, punët e të cilit janë gjithmonë më të rëndësishme se jetët individuale; kulti i vetëmohimit dhe i gatishmërisë për të hequr dorë nga jeta për një kauzë më të madhe; dhe kulti i luftës.

“Sigurisht, kjo e fundit nuk është shkruar kurrë në mënyrë eksplicite”, ka theksuar Eidelman. Në vend të kësaj, narrativa është: “Gjithmonë jemi përpjekur për paqen... Ne jemi sulmuar gjithmonë dhe thjesht kemi luftuar”.

Kjo hodhi bazat e përsosura ideologjike për pushtimin e Ukrainës, ka thënë ajo, dhe ka treguar se si motoja “Kurrë më!” që i kushtohet Luftës së Dytë Botërore, në vitet e fundit u bë “Ne mund ta bëjmë përsëri” – slogan popullor pas aneksimit të Krimesë më 2014, teksa Kremlini ka shtuar retorikën gjithnjë e më agresive ndaj Perëndimit.

Në vitet para luftës në Ukrainë, Putini ka përmendur historinë gjithnjë e më shpesh. Në vitin 2020, gjatë një reforme që hoqi kufizimet për mandatet e tij presidenciale, një referencë ndaj historisë iu shtua Kushtetutës së vendit – një klauzolë e re që përcaktonte se Rusia është “bashkuar nga histori mijëravjeçare” dhe “zbaton mbrojtjen historisë së vërtetë”.

Në 2020-2021, Putin botoi dy artikuj të gjatë mbi historinë – njëri duke kritikuar Perëndimin për veprimet që çuan në Luftën e Dytë Botërore dhe një tjetër duke argumentuar se ukrainasit dhe rusët kanë qenë gjithmonë një popull. Në një fjalim drejtuar kombit disa ditë përpara se të dërgonte trupa në Ukrainë, ai iu kthye edhe një herë historisë, duke pretenduar se Ukraina si shtet ishte krijuar artificialisht nga udhëheqësit sovjetikë.

“Historia është përdorur për të legjitimuar regjimin, në veçanti që nga nisja e pushtetit të Putinit”, ka thënë Ivan Kurilla, historian në “Wellesley College”, në një shkrim së fundmi. Dhe me luftën në Ukrainë, “ka zënë vend qendror në ideologjinë e shtetit krahas bisedimeve gjeopolitike për sovranitetin, ‘rënien e Perëndimit’ dhe mbrojtjes së vlerave tradicionale”.

Marrë nga “Associated Press”. Përktheu: Blerta Haxhiu