Shtojca për Kulturë

Sfidimi i Pavarësisë

Descriptive Text

Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj, e cila përmbylli po ashtu procesin e shpërbërjes së dhunshme të federatës jugosllave të dominuar nga serbët. Megjithëse kjo ngjarje shënon një goditje historike çlirimtare për shqiptarët e Kosovës, por edhe gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, Kosova ende nuk është pjesë e sistemit ndërkombëtar, ngase ende nuk ekziston konsensus në Këshillin e Sigurimit

Më 17 shkurt 2008 kishte gëzim të madh në mesin e shqiptarëve të Kosovës, pasi Kosova shpalli veten “shtet të pavarur, sovran dhe demokratik”. Nëntë vjet kishin kaluar që nga përfundimi i luftës dhe Kosova nuk mund të bënte kthim prapa, në periudhën e luftës. Kryengritja shqiptare e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila sipas Tim Judahut, duhet të radhitet si njëra prej organizatave më të suksesshme ushtarake në histori, i hapi rrugë triumfit të Kosovës ndërkombëtare të Rambouillet, në të cilën delegacioni i Kosovës përmbushi pritshmërinë e faktorit ndërkombëtar, që pa asnjë dyshim bëri të mundur nisjen e intervenimit ushtarak të NATO-s në luftën e Kosovës.

Pranimi i Marrëveshjes së Rambouillet ndikoi që NATO-ja të fitonte luftën për Kosovën. Për herë të parë në Rambouillet u bind faktori ndërkombëtar se autonominë e Kosovës nuk donte askush. Prandaj, letra e Sekretares Madeleine Albright në mënyrë simbolike thyen tendencën për autonominë si opsion të vetëm për Kosovë, duke njohur parimin e respektimit të vullnetit të popullit të Kosovës, që më do të rivendoset në 10 parimet e Grupit të Kontaktit në nëntor të vitit 2005.

Ngjashëm si në Rambouillet, edhe negociatat e Vjenës për statusin kishin mbetur të pasuksesshme, pavarësisht ndërmjetësimit të përfaqësuesit Special të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari. Kur më 26 mars 2007, Plani i Ahtisarit iu prezantua Këshillit të Sigurimit, rusët përdorën “nyet”-in e tyre kundër përpjekjeve të shteteve të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit për të kaluar një rezolutë të re, e cila do t’i hapte rrugë njohjes së mëvonshme të shtetit të pavarur të Kosovës. Arsyeja e dytë konsiderohej dëshira e Moskës për hakmarrje ndaj Perëndimit për atë që rusët e kishin perceptuar si poshtërimin e tyre më 1999, kur bombardimet e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe nuk arritën t’i parandalonin. Sergei Karaganov, këshilltar politik në administratën e Putinit, deklaroi njësoj: “Shumë njerëz në Moskë tash duan që kolegët amerikanë dhe evropianë ta paguajnë çmimin e plotë për lojërat e tyre në Kosovë, ndonëse nuk duan ta pranojnë këtë publikisht”.

1913-a, çështja e Kosovës dhe misioni i Moskës

Nëse me 1913, në Konferencën e Londrës, insistimi i Rusisë për përcaktimin e kufijve të padrejtë të Shqipërisë, krijoi çështjen e Kosovës, në vitin 2007 ishte sërish Moska që pamundësoi integrimin e plotë të shtetit të Kosovës në sistemin ndërkombëtar. Qëllimi kryesor rus ishte që ta përdorte Kosovën për ta mbajtur BE-në të ndarë dhe për të rikthyer Ballkanin si sferë të interesit rus, qëllim të cilin ai e kishte afishuar shumë hapur. Është fat, se në mesin e vitit 2007, shtetet e BE-së, për sa i përket pavarësisë së Kosovës ishin të ndara, por nuk ishte e qartë përse rusët nuk dëshironin marrëveshje dhe në mënyrë të njëanshme hoqën dorë nga parimet udhëzuese të Grupit të Kontaktit (Franca, Gjermania, Italia, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës) të nëntorit 2007, të cilat shërbyen si lajtmotiv i misionit ndërmjetësues të Ahtisaarit për adresimin e statusit final të Kosovës.

Siç dihet Rusia dhe anëtarët tjerë të Grupit të Kontaktit ishin pajtuar që dhjetë parimet e gjera udhëzuese të dizajnojnë rezultatin e procesit të statusit. Por, lajtmotiv i bisedimeve të Vjenës u bënë tri parimet kryesore: përjashtohej mundësia e kthimit në gjendjen e para muajit mars të vitit 1999; përjashtohej ndryshimi i kufijve të Kosovës, domethënë nuk mund të kishte ndarje të Kosovës apo bashkim me ndonjë shtet apo pjesë të ndonjë shteti. Integriteti territorial dhe stabiliteti i brendshëm i fqinjëve rajonalë duhet të respektohet plotësisht. Se kjo zgjidhje do të shpinte në pavarësinë e Kosovës, bëhej e qartë qysh në parim e dytë, sipas të cilit, Grupi i Kontaktit angazhohej që “zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të jetë në përputhje me vlerat demokratike dhe standardet evropiane dhe të kontribuonte në realizimin e perspektivës evropiane të Kosovës, në veçanti, përparimin e Kosovës në procesin e stabilizimit dhe asocimit, si dhe integrimin e të gjithë rajonit në institucionet euroatlantike”

Parimet e Grupit të Kontaktit, zgjidhje paqësore dhe afatgjate

Edhe Ahtisaari ua kishte bërë tënjohur palëve në negociata se zgjidhja për statusin final të Kosovës do të gjendej brenda parimeve të Grupit të Kontaktit, ndërsa vendimin do ta merrte Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Duhet nënvizuar një element të rëndësishëm që përmbante dokumenti i Grupit të Kontaktit, i cili, pos që mirëpriste synimin e Sekretarit të Përgjithshëm për të emëruar Martti Ahtisaarin të Dërguar të Posaçëm për të udhëhequr këtë proces, konsideronte se një përparësi ndërkombëtare duhej të ishte zgjidhja e negociuar për statusin e Kosovës. Në të njëjtën kohë, sipas këtij dokumenti, konkludohej se procesi i dialogut nuk mund të bllokohej. Grupi i Kontaktit u bën thirrje palëve të angazhohen në mirëbesim dhe në mënyrë konstruktive, të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të refuzojnë çdo formë dhune.

Çmimi i pavarësisë me dhjetë komuna serbe

Hartimi i këtij dokumenti për statusin politik të Kosovës, të cilin e kishte miratuar edhe Rusia, paraqet një moment i rëndësishëm në politikën ndërkombëtare për një zgjidhje paqësore dhe afatgjate. Në fakt, parimet udhëheqëse të Grupit të Kontaktit paraqesin një konsensus të rëndësishëm ndërkombëtar mbi pavarësinë e Kosovës si opsion. Por, ky konsensus bartte në vetvete çmimin e pavarësisë, që nënkuptonte krijimin e dhjetë komunave serbe, të cilat nuk ekzistonin as në kohën e “kralit” serb dhe të cilat do të kishin të drejtën e ndërtimit të lidhjeve të veçanta politike dhe financiare. Çmimi tjetër ishte arritja e një konsensusi të brendshëm për ndërtimin e Kosovës si një shtet qytetar dhe krijimin e një bashkësie politike të bazuar mbi qytetarinë.

Të gjitha këto parime të Grupit të Kontaktit janë të pasqyruara në mënyrë integrale në Propozimin Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës, i njeh vullnetin e popullit shumicë, por po ashtu edhe të bashkësive, trajtimin e privilegjuar për komunitetin serb për të ruajtur kulturën dhe identitetin e vet në Kosovë. Këto kompromise të bëra nga ana e palës kosovare në vitin 2007 ishin të vështira që t’i pranojnë, por ato ishin bërë në frymën e kompromisit, respektivisht me qëllim që Rusia ta miratonte Planin Ahtisaarit e Këshillit të Sigurimit. Por, për shkak se Rusia e kundërshtonte çdo zgjidhje të problemit të Kosovës përderisa nuk do të pajtohej edhe Serbia dhe insistonte në negociata të pafundme, në Kosovë u krijua një lloj shqetësimi dhe pasigurie se procesi mund të shkonte keq. Në mesin e vendeve evropiane filloi po ashtu një luhatje në Samitin e Heiligendammit në Gjermani në qershor të vitit 2007. Gjërat u dukën sikur po ecnin prapa kur me insistimin rus u vendos që negociatat për statusin, të vazhdonin edhe për 120 ditë nën drejtimin e trojkës ndërkombëtare, Wolfgang Ishinger (BE), Frank Wisner (SHBA) dhe Bocan Kharchenko (Rusi), e cila më shumë i ngjante një suplementi qetësues për palët negociuese apo ndoshta një përpjekje për të kuptuar se çfarë po kërkonte Rusia.

“Enough's enough: Kosovo’s independent”

Në fakt politika ruse në raport me Kosovën është një qëndrim tradicional kundër interesit shqiptar në Ballkan. Ashtu siç e kishte kundërshtuar krijimin e shtetit shqiptar në fillim të shekullit të kaluar, edhe këtë fillim shekull ishte rreshtuar e vetme kundër krijimit shtetit të Kosovës. Natyrisht, ky qëndrim i Rusisë mbetet me pasoja për Kosovën.

Por, ishte ShBA-ja dhe administrata e Georg W. Bush që qetësoi popullatën dhe lidershipin shqiptar të Kosovës, kur pas këtij samiti arriti në Tiranë dhe në një konferencë për shtyp deklaroi: “Sooner rather than later you’ve got to say: ‘Enough's enough. Kosovo’s independent’”. Këto ishin fjalët vendimtare për Kosovën, ato u bënë përcaktuese për qëndrimin edhe të vendeve tjera të kontinentit evropian dhe të shumë vendeve të globit. Tani nuk mund të kishte kthim prapa, sepse përndryshe do të minohej gjithë ajo që ishte arritur deri atëherë. Joachim Rücker, ish-shefi i UNMIK-ut në Kosovë, kujton se deklarata e presidentit Bush ishte vetëm ana politike, por në ndërkohë duhej të formulohej një qëndrim fleksibil për OKB-në në raport me deklarimin pavarësisë së Kosovë.

“Kishim angazhuar juristët më të mirë edhe me ndihmën e vendeve të Quin-it, të cilët arritën në një përfundim se OKB-ja duhej të mbante qëndrim neutral ndaj statusit pasi nuk kishte sy qëndrime të kundërta në mesin e vendeve që ishin përfshirë në përcaktimin e statusit. Dhe një ekspertizë e tillë i ishte dërguar edhe sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së”. Ishte e qartë se beteja duhej fituar edhe në rrafshin juridik dhe pikërisht në këtë kontekst duhet kërkuar arsye përse shefi i atëhershëm i UNMIK-ut mori qëndrim të heshtur ndaj deklarimit të pavarësisë, një fakt afirmativ që do ta përdorte më vonë edhe GJND-në.

Pas kësaj, Prishtina mori dritën e gjelbër për të ecur përpara. Natyrisht nuk bëhej fjalë për mundësinë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, por për një shpallje të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë në Washington, Londër, Berlin, Paris e gjetiu. Në thelb, një marrëveshje e tillë ishte arritur në fund të procesit negociues, por pritej vetëm të përfundonin zgjedhjet në shtetin serb.

“...kjo nuk është pavarësi, por është shpallje e Pakos së Ahtisaarit”

Ndërkohë, në Kosovë kryeministër i ri ishte zgjedhur Hashim Thaçi, partia e të cilit kishte fituar zgjedhjet parlamentare të nëntorit 2007, ndërsa president i vendit ishte Fatmir Sejdiu, njëkohësisht lider i LDK-së. Kundër këtij opsioni ishte vetëm VV-ja e cila konsideronte se “kjo nuk është pavarësi, por është shpallje e Pakos së Ahtisaarit.”

Më në fund, në pasditen e 17 shkurtit Kosova shpalli pavarësinë e saj, e cila përmbylli në rrugëtim të gjatë të shqiptarëve të Kosovës dhe njëkohësisht e përmbyllte procesin e shpërbërjes së dhunshme të federatës jugosllave të dominuar nga serbët. Si pjesë e marrëveshjes me SHBA-në dhe shtetet kryesore të BE-së që mbështetnin pavarësinë, deklarata e pavarësisë nënvizonte se Kosova pranonte plotësisht obligimet e përfshira në Planin e Ahtisaarit. Ishte momenti historik kur hartës së Evropës iu shtua edhe një shtet i ri. Ishte e qartë për shumicën se pavarësia e Kosovën nuk mund të evitohej më tej, ajo ishte shansi i fundit dhe i vetëm.

Megjithëse kjo ngjarje shënon një goditje historike çlirimtare për shqiptarët e Kosovës, edhe gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, Kosova ende nuk është pjesë e sistemit ndërkombëtar, ngase ende nuk ekziston konsensus në Këshillin e Sigurimit. Përveç kësaj, pavarësia e saj nuk është njohur as nga pesë vendet e BE-së, të cilat, megjithëse kishin deklaruar se do ta respektonin verdiktin e GJND-së, ato edhe sot e kundërshtojnë njohjen e shtetit më të ri evropian. Pesë shtetet e Bashkimit Evropian të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, objektivisht u shndërruan në përkrahës të politikes Ruse në regjion, sepse për këto shtete të BE-së Kosova është problem me të cilin ende nuk është mbyllur problemi i statusit.

Barriera e patejkalueshme për njohjen e Kosovës nga Serbia

Ani pse Brukseli nuk e pranon hapur, është fakt se kjo mosnjohje ka dëmtuar pozicionin negociues të Kosovës në bisedimet e saj me Serbinë të ndërmjetuara nga BE-ja. Për më tepër, BE-ja, për shkak të vendeve mosnjohëse, nuk mund ta trajtojë Kosovën si shtet. Ky pozicion mbetet barrierë e pakalueshme për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, ashtu siç ishte afishur deri në fund të vitit 2020. Rezerva për njohjen e Kosovës kishte edhe nga vendet islamike për shkak të qëndrimit proamerikan të shqiptarëve dhe për shkak të lidhjeve të vjetra me Beogradin. Diplomacia serbe tentonte gjithçka për të penguar. Mirëpo, së paku dy gjëra u dëshmuan të pasakta në paralajmërimet nga Serbia, se pas pavarësisë, nga Kosova do të ketë eksod kolektiv të pjesëtarëve të komunitetit serb dhe se Kosova do të mund shndërrohet në një shtet islamik.

Mirëpo, për shkak të dështimit të Këshillit të Sigurimit për të miratuar Propozimin e Ahtisaarit, procesi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës u zhvillua në mënyrë krejt të veçantë, i qasjes shtet me shtet. Sidoqoftë, falë edhe mbështetjes euro-amerikane, gjeografia e njohjeve ishte globale dhe e pandalshme, duke e bërë shtetësinë e Kosovës një realitet të pakthyeshëm. Megjithatë, opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (22 korrik 2010) se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ishte një fitore të madhe politike dhe juridike për Kosovën, por fatkeqësisht kaloi pa përmbushjen e pritshmërinëve tona. Kjo fitore e madhe nuk u materializua ose ajo u eklipsua nga dy ngjarje ndërkombëtare, të cilat nga vullneti i mirë apo naiviteti edhe i partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës, gradualisht shtruan shtegun për fitoren e narracionit serb dhe rus për Kosovën.

Miratimi i Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 9 shtator 2010, megjithëse hoqi kërkesat e mëhershme të Serbisë për rihapjen e dialogut për statusin e Kosovës, gradualisht pranoi opinionin e GJDN-së, mirëpriti “gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të lehtësuar një proces të dialogu ndërmjet palëve; procesi i dialogut në vetvete do të ishte një faktor për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe se dialogu do të promovohej bashkëpunimin, arritjen e progresit në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe përmirësimin e jetët e njerëzve”. Paralelisht me këtë, ose disa muaj më vonë senatori zviceran, Dick Marty, bëri publik “gjetjet” e raportit të tij, i cili bënte përgjegjëse Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për “trafikim me njerëz”, kryesisht të komunitetit serb dhe rom.

Image
Prishtinë, 17 shkurt 2024 (Foto: Driton Paçarada)

Beogradi në aksion për planin e Millosheviqit me veriun

Ishte goditja më madhe dhe më e bujshme që kishte marrë Kosova, pas suksesit diplomatik të Serbisë më 11 nëntor 2008, kur Këshilli i Sigurimit miratoi 6 pikëshin e Ban Ki Mooon-it dhe EULEX-i u fut nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, pasi nga ky moment Beogradi gradualisht filloi të relativizonte të kaluarën e tij në Kosovë dhe të minonte nga brenda dhe jashtë shtetësinë e Kosovës. Duke njohur mosunitetin e vendeve të BE-së si dhe duke shfrytëzuar agresionin rus fillimisht në Krime, Beogradi ndoqi këto qëllime: së pari, në planin e jashtëm te vendet e largëta jashtë kontinentit evropian, të cilat nuk ishin ndonjë ndjeshmëri apo njohuri për situatën këtu, dialogun teknik e “shiti” si narracion se çështja e statusit akoma ishte e hapur dhe vazhdimisht e përdori si instrument për ta minuar dhe amortizuar procesin e njohjeve ndërkombëtare. Së dyti, në veri të Kosovës, aty ku është e koncentruar popullata serbe, afro 40 mijë banorë, arriti të ruante funksionimin e strukturave paralele serbe, duke i trimëruar që të krijojnë pavarësi nga autoritetet e Republikës së Kosovës me qëllim që në një moment të përshtatshëm gjeopolitik të realizohej plani i dështuar i Millosheviqit, në qershor të vitit 1999, për ndarjen e veriut të Kosovës. Strategjia ishte e dyfishtë: të pengohej komunikimi i serbëve lokalë me Qeverinë e Kosovës dhe njëkohësisht krahas padëgjueshmërisë, të përhapej narracioni tradicional i viktimizimit, si alibi për justifikimin e ndërhyrjes, madje qoftë edhe në stilin dhe përmasat e agresionit ushtarak të Banjskës. Dhe, së treti, përmes qasjes së dialogut të pafundmë të krijohej përshtypja e parimit të përkohshmërisë së gjithçkaje në Kosovë, përkatësisht të çimentohej parimi i kësaj përkohshmërie.

Narracioni serb se “çdo gjë në Kosovë është e përkohshme”

Në interpretimin e narracionit politik serb është se çdo gjë në Kosovë është e përkohshme, institucionet vetëqeverisëse tek UNMIK-ut janë të përkohshme dhe Qeveria e tanishme e Kosovës, Presidenti i tanishëm i Kosovës është President i Përkohshëm i Institucioneve, Qeveria quhet e përkohshme dhe kryeministri institucion i përkohshëm i Kosovës, sepse përhershmërinë duhet ta përcaktojë Serbia, pra çdo gjë është e përkohshme deri ketë ta thotë Serbia dhe Serbia vendos që këto të bëhen të përhershme. Pikërisht, zhurma politike dhe kurthi i viktimizimit që ngriti Vuçiqi për dinarin, është instrument i parimit të përkohshmërisë serbe, i rikthimit të dinarit si simbol i shtetit serb.

Në parim, nëse pavarësia e Kosovës do të ishte arritur përmes miratimit të Planit të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit, do të çonte në pranimin e saj universal dhe gjithë fokusi i shtetit të ri do të ishte përqendruar në krijimin e një shteti dhe shoqërie moderne, në përputhje me standardet demokratike evropiane. Ndërsa, mungesa e pamjes së kthjellët nga ndërkombëtarët për mënyrën e përmbylljes së dialogut, sidomos heqja dorë nga nevoja e njohjes së Kosovës nga Serbia, tingëllon si një skenar jo fort optimist për mundësinë e normalizimin të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Po aq pak optimiste tingëllon kjo mundësi, nëse Dokumenti i Ahtisaarit dhe mundësia e kompromiseve mbetet njëkahëshe. Nëse pas ngritjes së Dhomave të Specializuara në Hagë, një institucion gjyqësor i paprecedentë që mëton gjykimin e përfaqësuesve të një etnie, formimi i Asociacionit njëetnik serb në Republikën të Kosovës dhe mosnjohja e Kosovës nga Beogradi jo vetëm që godasin rëndë Dokumentin e Ahtisaarit, i cili paraqet bazamentin e shtetësisë së Kosovës. Në fund të fundit, kompromisi i delegacionit të Kosovës për formimin e 10 komunave serbe dhe krijimi i një asociacioni serb ishin pranuar si predispozitë e njohjes së Kosovës nga Serbia dhe miratimit të Dokumentit të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit, që nënkuptonte miratimin e një rezolute të re dhe njohjen universale të shtetit të Kosovës.

Kushti kundër ambicieve të shfrenuara serbe

Pra, edhe në këtë përvjetor, të 16-të me radhë, Kosova e re përballet qartas me sfida të mëdha, të cilat janë vendimtare edhe për evropianizimin e rajonit. Nëse të gjitha vendet evropiane e njohin e Kosovës atëherë besueshmëria për paanësinë e BE-së do të ishte më e madhe dhe hapësira për obstruksion e Serbisë do të minimizohej dhe bashkë me të do të parandalohej përpjekja ruse për minimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ndaj, njohja e Kosovës nga pesë vendet e BE-së do të hapte perspektiven e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe do të mbyllte përfundimisht kapitullin e pasigurisë dhe të paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe të disiplinonte ambiciet e shfrenuara serbe për restaurimin e një shteti të madh serb. Në këtë linjë, Serbia për 25 vjet me radhë ka punuar pareshtur për të mohuar krimet e kryera në Kosovë dhe paralelisht ka stërmadhuar dhe viktimizuar serbët lokalë. Kësisoj, ajo krijoi qëllimisht një kundërnarrativë, në të cilën nga imazhi bardhezi i agresorit dhe viktimës, u krijua një imazh “gri” i viktimës, përfshirë kriminelë nga të gjitha anët. Kështu Serbia përpiqet ta rishkruajë historinë për Kosovën.

Derisa vendin e gjuhës së urrejtjes dhe retorikës nacionaliste në Ballkan, që për shumëçka është e ngjashme me atë të fillimit të viteve 1990 para luftërave ballkanike, nuk e zëvendëson me një politikë që është në përputhje me pritshmërinë e faktorit ndërkombëtar dhe me një ballafaqim kritik me të kaluarën, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi mbetet i largët dhe mbase i pamundur edhe për një kohë të gjatë. Por, pavarësisht kësaj, Kosova nuk duhet të ngutet dhe të bëjë ndonjë gabim strategjik, në të cilin përllogarit Beogradi. Nëse që në fillim të viteve ‘90 të shekullit të kaluar shmangën kurthin që lufta të fillonte në Kosovë, por vetëm atëherë kur politika serbe tashmë ishte komprometuar si shkaktare e të gjitha luftërave dhe spastrimeve etnike, edhe tani për elitën politike të Kosovës themeli i politikës së jashtme kosovare duhet të jetë rezoni shtetëror i ndjekur në Rambouillet dhe në procesin negociues të Vjenës, dy ngjarje që në koordinim dhe në pritshmëri me SHBA-në dhe vendet kryesore të BE-së çuan Kosovën drejt pavarësisë dhe në njohjen e saj nga shumica e vendeve anëtare të OKB-së.

Krahas tensioneve me Serbinë, përkundër bisedimeve të deritanishme 13- vjeçare, të cilat shpeshherë na japin pamjen sikur bisedojnë dy palë të pabarabarta dhe një BE me qëndrime shpeshherë asimetrike, rruga drejt BE-së duket po aq sfiduese sa edhe vetë procesi i pavarësimit të Kosovës. Për aq kohë sa Kosova nuk ka një marrëveshje normalizimi me Serbinë dhe të njohjes reciproke me Serbinë dhe për tepër njohjen edhe nga pesë vendet mosnjohëse evropiane, ajo nuk mund të bëhet anëtare e BE-së.

Pavarësisht nga pozicioni mosnjohës të shteteve anëtare individuale, megjithatë, BE-ja është angazhuar qartë për Kosovën, pasi shteti i ri evropian është një nga vendet e Ballkanit Perëndimor ku qëndrueshmëria dhe stabiliteti rajonal janë të brishta, në rend të parë për shkak të sjelljes permanente armiqësore të Beogradit. Kjo është arsyeja, pse, përveç ShBA-së, impenjimi politik, veçanërisht mbështetja financiare e shteteve kryesore të BE-së mbetet thelbësore në ndërtimin e një sistemi ligjor dhe një demokracie funksionale.

Meqenëse Serbia gjithashtu dëshiron të anëtarësohet në BE, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi mbetet një hap i madh dhe i domosdoshëm në zgjidhjen e konfliktit historik.

Shteti i Kosovës – pengesë e projektit serbomadh

Për fat të keq vullneti i Serbisë për dialog me shqiptarët përgjatë shekullit 20 dhe deri më tani, kurrë nuk ka qenë i sinqertë dhe së këndejmi edhe gjuha e shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve edhe më tej mbetet gjuhë armiqësore, pasi ekzistenca e shtetit të Kosovës është parë si pengesë në realizimin e projektit serbomadh.

Andaj, edhe në këtë përvjetor të 16-të, Kosova i ka të domosdoshme arritjen e dy objektiva madhore në procesin e kompletimit të shtetndërtimit. Para së gjithash, shteti i Kosovës paralelisht duhet t’i adresojë dy sfida më prioritare: E para, është integrimi i plotë në sistemin ndërkombëtar përmes anëtarësimit në OKB, dhe e dyta, Kosova duhet të lëvizë më shpejt në procesin e anëtarësimit në BE dhe në NATO, pasi ngjarjet e fundit në Banjskë kanë treguar se skenarët e tipit rus si në Dombasë nuk duken krejtësisht të pamundshëm. Në fund të fundit caqet e platformës së “botës ruse” dhe të “botës serbe” puqen në metodologji dhe në caqet momentale dhe afatgjate. Në këto 25 vjetët e fundit Rusia ka udhëhequr me këmbëngulje, si askund tjetër, projektin e pengimit të etablimit të perëndimit në regjion dhe në veçanti në Kosovë.

Prandaj, progresi euroatlantik i Kosovës sigurisht mbetet sa i domosdoshëm dhe shërben po aq si një katalizator për evropianizimin e Ballkanit Perëndimor. Ndaj BE-ja dhe NATO-ja nuk duhet lëshuar nga dora shansin e evropianizimin e të kësaj pjesë periferike të Evropës.

Kishte të drejtë ish-përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtëm të BE-së, Catherine Ashton, e cila më 10 mars 2010, në një fjalim para Parlamentit Evropian pati deklaruar: “Ballkani është vendlindja e politikës së jashtme të BE-së. Sidomos këtu nuk guxojmë të lejojmë dështimin“.