Shtojca për Kulturë

Mehdi Polisi – studiuesi i cili mundësoi që “Sami Frashëri të fliste shqip”

Mehdi Polisi (27 nëntor 1953 – 21 maj 2014)
 

Pa përkthimet dhe studimet e prof.dr. Mehdi Polisit, personaliteti dhe vepra e Sami Frashërit jo vetëm që nuk do të ishte e plotë, por ajo nuk do të fliste shqip kaq zëshëm dhe kaq qartë, prandaj lexuesi shqiptar i ngelet borxh. Fillimi i botimit të veprave të përkthyera nga gjuha osmane të Sami Frashërit do të ishte viti 1984 me romanin “Dashuria e Talatit me Fitnetën”, kurse interesimi dhe puna e vazhdueshme e profesor Mehdi Polisit në këtë drejtim do të kurorëzohej në vitin 2004, me botimin e veprës së plotë të Sami Frashërit

Veprimtaria e profesor Mehdi Polisit, nuk është vetëm vëllimore, por e shumanshme dhe cilësore, këtë më së miri mund ta dëshmojnë ata të cilët e shfrytëzojnë vazhdimisht në studimet e tyre në albanologji, turkologji, gjuhësi, letërsi, histori, islamistikë, etj. Për jetën e Sami Frashërit dhe veprën e tij janë bërë shumë studime si nga studiuesi vendas, ashtu edhe nga studiuesit e huaj. Por, me të drejtë profesor Hasan Kaleshi vlerësonte se “vepra e Sami Frashërit është studiuar njëanshëm dhe nuk është bërë për të një monografi e plotë dhe gjithëpërfshirëse”.

Interesimi i profesor Mehdi Polisit për veprën e Samiut filloi që nga viti 1982 dhe do të zgjaste për gjithë jetën e tij deri në vitin 2014, thenë shkurt nga 60 vjet sa jetoi profesor Mehdi Polisi, 30 vjet apo gjysmën e jetës ia kushtoi përkthimit dhe studimit të veprave të Sami Frashërit. Pa përkthimet dhe studimet e prof.dr. Mehdi Polisit, personaliteti dhe vepra e Sami Frashërit jo vetëm që nuk do ishte e plotë, por ajo nuk do fliste shqip kaq zëshëm dhe kaq qartë, prandaj lexuesi shqiptar i ngelet borxh. Fillimi i botimit të veprave të përkthyera nga gjuha osmane të Sami Frashërit do të ishte viti 1984 me romanin “Dashuria e Talatit me Fitnetën”, kurse interesimi dhe puna e vazhdueshme e profesor Mehdi Polisit në këtë drejtim do të kurorëzohej në vitin 2004, me botimin e veprës së plotë të Sami Frashërit nga shtepia botuese Logos-A, me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së Sami Frashërit. Para botimit të veprës së plotë Logos-A kishte botuar pesë vepra të Sami Frashërit të përkthyera nga gjuha osmane prej profesor Mehdi Polisit (Personalitet shqiptarë në Kamus al-a’lam të Sami Frashërit, Dashuria e Talatit me Fitneten, Qytetërimi Islam, Gjuha, Anekdota), kurse në vitin 2004 do të përktheheshin dhe botoheshin për herë të parë në gjuhën shqipe edhe pesë vepra të tjera të Sami Frashërit (Qielli, Toka, Njeriu, Përsëri njeriu, Mitologjitë). Kompleti përbëhej nga gjithsej 20 vepra, 10 nga të cilat ishin të përkthyera prej gjuhës osmane nga profesor Mehdi Polisi.