Shtojca për Kulturë

“Në atdheun e Cena Begut”: Si e solli Franz Babingeri Gjakovën në Berlin në vitin 1928?

Faksimile e gazetës “Deutsche Allgemeine Zeitung”, të 4 dhjetorit të vitit 1928 ku u botua artikulli i Franz Babingerit, “In der Heimat Cena Begs”
 

Gjakova është një qytet i vdekur, do të shkruante historiani dhe orientalisti gjerman, Franz Babinger, në faqen e parë të artikullit të botuar në dhjetor të vitit 1928 në “Deutsche Allgemeine Zeitung”. I zhgënjyer nga numri i paktë i njerëzve që kishte parë në rrugët e këtij vendi, Babinger tregon se popullsia shqiptare po migronte në masë të madhe matanë kufirit në Shqipëri e edhe në Turqi, dhe të paktë kishin mbetur ata që nuk donin të lëshonin vendin. Gjallëri i jepte qytetit bujtina e vetme e ngritur atypari, që mbante emrin “Jugoslavija”, përndryshe, qytetin që dikur numëronte më shumë se 20’000 banorë, e kishte kapluar një heshtje. Këtë zymtësi sipas tij, nuk e hiqnin as ata malazezë të pakët që shiheshin në qytet me veshjet e tyre të shumëngjyrshme. Gjallërinë dhe materialin për të shkruar pjesën tjetër të artikullit për Gjakovën, Babingeri do ta gjente me rastin e vizitës së tij në konakun e Gani Kryeziut

Në fillim të dhjetorit të vitit 1928, lexuesit e gazetës “Deutsche Allgemeine Zeitung”, në ballinën e së përditshmes, mund të informoheshin mbi lajmet më interesante të ditës. Ato që binin më në pah qenë shkrimet mbi diskutimet aktuale se kush mund të ishte presidenti i ri i shtetit austriak, debatet mbi çështjen e Rajnlandit si dhe një vizitë e bërë nga një profesor gjerman, në një qytet të vogël në krahun tjetër të Evropës, i sjellë te lexuesi përmes një figure diplomatike, vrasja e të cilit bëri bujë në shumë media evropiane, jo shumë kohë më parë. Bëhej fjalë për vizitën e orientalistit Franz Babinger, në Gjakovën e Cena Bej Kryeziut, ambasadorit të shtetit shqiptar në Çeki. Para se të kuptohet se si erdhi deri te ky lajm dhe çfarë pa profesori gjerman në këtë vend, të ndalemi te ky i fundit për një moment.

Kush ishte Franz Babinger?