Shtojca për Kulturë

Njeriu i sfiduar përballë pyetjes për vetveten

Në kuadër të programit të qendrës “Libart” të zhvilluar nga organizata ETEA dhe biblioteka “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, me temën e gjerë mbi njeriun, Zotin dhe kohën, Hasnije Ilazi dhe Lekë Nikollbibaj kanë ndarë perspektivat e tyre filozofike nga këndvështrimi aktual (Foto: ETEA)
 

Përgjigjja e gatshme për atë se çka është njeriu, po sfidohet, e në këtë mes ka dorë edhe teknologjia. “Tani njeriu ka filluar të bëjë pyetje se ku do të jetë ai si specie në të ardhmen, në një botë ku ka shumë ndryshime”, ka thënë profesoresha Hasnije Ilazi në dialogun socio-kulturor “Njeriu, Zoti, Koha – perspektiva filozofike” tok me Lekë Nikollbibajn

Duke kontribuar në formimin e një kulture të mendimit kritik dhe të reflektimit, diskutimet filozofike mund të sjellin ndryshime të frytshme, jo vetëm në hapësira akademike, por edhe në mjediset e përditshme që përbëjnë dialogun komunitar.

E një përpjekje e tillë u konkretizua me një diskutim të shtrirë në rrafshin socio-kulturor, në kuadër të programit të qendrës “Libart” të zhvilluar nga organizata ETEA dhe biblioteka “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë. Me temën e gjerë mbi njeriun, Zotin dhe kohën, Hasnije Ilazi dhe Lekë Nikollbibaj kanë ndarë perspektivat e tyre filozofike mbi temat duke i shqyrtuar ato nga këndvështrimi aktual. “Njeriu, Zoti, Koha – perspektiva filozofike”, ka qenë temë e diskutimit të mbajtur të pasditen e së enjtes së kësaj jave.