Shtojca për Kulturë

Pianistja Ibrahimi dëshmon talentin në “Debussy...”, gati për garën në Itali

Melisa Ibrahimi (21) numëron gjithsej 24 çmime me atë të fundit në “Debussy International Music Competition”, ku mori Çmimin e Parë Absolut në garën e pianistëve si dhe çmimin special “Art of Musical Interpretation for exceptional interpreting and performing”. Emrin e saj midis konkurrentëve nga mbarë bota e kanë veçuar veprat sfiduese të hungarezit Franz Listz

Një emër i ri në skenën e muzikës klasike në vend po formësohet. Dashuria e përkushtimi i saj për pianon shpesh transformohet në sukses. Melisa Ibrahimi (21) numëron gjithsej 24 çmime me atë të fundit në “Debussy International Music Competition” ku mori Çmimin e Parë Absolut në garën e pianistëve si dhe çmimin special “Art of Musical Interpretation for exceptional interpreting and performing”. Emrin e saj midis konkurrentëve nga mbarë bota e kanë veçuar veprat sfiduese të hungarezit Franz Listz. Suksesi i saj ka reflektuar edhe në punën e mentores Alberta Troni, e cila ka marrë çmimin “Teacher Award”.

Nuk është formë e panjohur ajo e cila është praktikuar për pjesëmarrje në Garë. Virtualisht zakonisht është paraqitur në rrethin e parë të konkurse. Kamera ka qenë syri i jurisë. Skenë - salla koncertale në Fakultetin e Arteve. Koncerti 35-minutësh ka përfshirë “Conzert solo”, “Apres une lecture du Dante” e “Transcendental etude” të kompozitorit Listz, veprat e të cilit konsiderohen prej më sfiduesve.

Kjo, sipas Ibrahimit, ia ka sjellë edhe suksesin në garë.

“Në garë kryesisht kam interpretuar vepra të kompozitorit Listz duke veçuar koncert solo, sonatë dhe etidë. Interpretimi ka zgjatur 35 minuta dhe mendoj se vështirësitë muzikale dhe teknike e kanë bërë që të vlerësohem me këto dy çmime. Pikërisht çmimi special është për aftësi dhe interpretim të jashtëzakonshëm muzikal dhe teknik”, ka thënë ajo.

Tjetër përparësi e konsideron edhe përvojën e krijuar me pjesëmarrjen në festivale e gara ndërkombëtare. “Arsyeja pse sot jam fituese e këtij çmimi është edhe pjesëmarrja nëpër festivale. Secila garë e ka një veçori, një derë tjetër që të hapet. Për arsye që kam marrë pjesë nëpër shumë gara edhe kam krijuar kontakte. Do t’i shfrytëzoj natyrisht. Tash kam katër koncerte recitale deri në fund të vitit, po vazhdoj me një bagazh të madh pianistik dhe agjendë të ngjeshur. Kam edhe disa gara që do të marr pjesë, pasi po mendoj se po më sjellin shumë suksese dhe performanca”, ka thënë pianistja Ibrahimi.

Fitorja e saj bëhet edhe më bindëse kur juria profesionale e madhe në numër e ka vlerësuar performancën e saj. Anëtarë kanë qenë kompozitorët Adam Diesner e An Vedi, sopranoja Caitlin Towell, profesori i pianos dhe harpës Chaerin Kim, pianistët Avguste Antonov Cindy Lee, Pornsiri Uthaicharoenpong e Verda Karaçil Cerit, flautistët Dmytro Gnativ e Lin Lin dhe profesoresha e artit muzikor Fusun Naz Altinel.

Vlerësimin e kanë bërë edhe violinistja Gulen Ege Serter, kompozitori e pianisti Jingjing Quan, sopranot Kanokkan Glomchum e Ll Ke, çellisti Mutlu Varlik Kocaili, violinistët Pinar Basalak e Seniz Aybulus e të tjerë, të shpërndarë nëpër seksione të ndryshme të garës.

Kriteri për pjesëmarrje ka qenë paraqitja me jo më shumë se tri vepra në koncertin që do duhej të zgjaste 35 deri 40 minuta.

Pianistja e re, Ibrahimi, ka garuar në kuadër të nivelit “Advanced”. Sipas saj, disavantazh në pjesëmarrjen në formë virtuale ka qenë hapësira për analizimin e detajeve në interpretim.

“Disavantazh mund të jetë kthimi i videos, përcjellja e detajeve më të vogla ndërsa aty për aty mund të ikin ato. Mendoj se më vështirë kështu, sepse performanca analizohet në mënyrë të detajueshme. Secila performancë e ka vlerën e saj dhe sukses është secili çmim”, ka thënë ajo më tej.

Fitore të dyfishtë e ka konsideruar për të shpërblimin e mentores së saj, profesoreshës Alberta Troni. Çmimi “Teacher Award” i është dhënë për përsosmëri dhe aftësi të jashtëzakonshme në mësimdhënie. Troni ka thënë se çmimi vjen si vlerësim i punës tetëvjeçare me Melisa Ibrahimin.

“Kjo vjen si produkt i punës intensive tetëvjeçare. Kemi rrugëtuar së bashku me karrierën e saj duke filluar që nga viti 2020 kur mori pjesë në garat virtuale në Beograd dhe fitoi çmimin e dytë që ishte befasi për ne për shkak të vendit nikoqir. Me mjaft vështirësi janë bërë aranzhimet për pjesëmarrje duke pasur parasysh pozicionin e Kosovës në vende të ndryshme”, ka thënë Troni, profesoreshë e Pianos në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.

Ka vlerësuar se sukseset e Ibrahimit i kontribuojnë ndërtimit të karrierës së saj. “Është kënaqësi shumë e madhe që puna intensive me Melisën po shpërblehet, është shpërblyer edhe vitet e kaluara. Kjo garë në të cilën ajo fitoi çmimin e radhës ishte një satisfaksion që talenti i saj, dhuntia për pianon dhe puna e jashtëzakonshme është vulosur dhe tregon se Melisa veçse është ndërtuar. Ka vendosur bazat e saj në karrierën pianistike. Është një hapje për horizontin e saj në fushën e pianos”, ka thënë Troni më tej.

“Debussy International Music Competition” është garë muzikore që mbahet online. Sipas prezantimit të ngjarjes, ajo synon të sfidojë plotësisht virtuozitetin dhe përsosmërinë artistike të interpretuesve në seksionin e instrumenteve, dirigjimin, kompozimin, vokalin dhe muzikën e dhomës nga të gjitha vendet. Konkursi ndahet në kategori që pasqyrojnë moshën, nivelin, përvojën dhe stilet e performancës së kandidatëve.

“Qëllimi ynë është të ofrojmë një mundësi për zhvillimin e muzikantëve në mbarë botën për të performuar në një atmosferë formale, sfiduese, por mbështetëse. Qëllimi është t'u japim muzikantëve të rinj një forum për të sfiduar veten nga ana muzikore dhe për të ndarë muzikën e tyre. Fituesit kanë gjithashtu mundësinë të paraqiten në platformën tonë online të mediave sociale”, shkruhet në prezantimin e ngjarjes në ueb-faqen e “Debussy International Music Competition”.

Atë e organizon Organizata Botërore e Garave Muzikore Online (Ëorld Online Music Competitions Organization), rrjeti më i madh i organizimeve të këtij lloji.

Në kategori të tjera të Garës, mes tjerash, fitues janë shpallur dyshja nga Turqia Emel Dogan Ugurlu në flautë dhe Gonca Yerlikaya në violinë për duo performancë. Çmimin e parë absolut për dirigjim e ka marrë grekja Irene Messoloras, Tang Pui Man Frances nga Hong Kongu për harpë, kinezi Jiachen Xu për violinë, Hechengzi Li po ashtu nga Kina për piano në nivelin “Professional”. Një tjetër garuese nga ky shtet - Weina Yiliya – ka marrë çmimin e parë absolut në kategorinë e vokalit për operë ndërsa atë në nivelin e profesionistëve britanikja Charity Mapletoft.

Çmimin e parë absolut në kategorinë e kompozimeve origjinale e ka marrë Carlos Cotto Clemente nga Porto Riko, atë në klarinetë kinezja Meijun Chen, në çello Liu Sheng Yu e në saksofon Dylan Lin nga Kina.

Dy çmimet e Ibrahimit në “Debussy International Music Competition” janë vazhdimësi e suksesit të saj. Në qershor të këtij viti ajo kishte marrë Çmimin Absolut në “International Music Competition Dinu Lipatti” në Itali, ku ishte shpallur e para në seksionin e Garës për piano dhe kishte marrë Çmimin e Tretë në kuadër të krejt garës.

Në “Palazzo della Provincia” në Taranto të Italisë kishte interpretuar për tri ditë radhazi. Edhe atje ishte prezantuar me veprat sfiduese të kompozitorit hungarez, Franz Listz. Në edicionin e 11-të të një prej garave më të mëdha në Itali pjesëmarrës ishin 70 artistë, mes të cilëve, nga Turqia, Kina, Koreja, Argjentina, Rumania, Rusia e Italia.

Ibrahimi nisi të merret me muzikë qysh herët ku në moshën 9-vjeçare filloi mësimet e para në piano në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë. Në këtë drejtim perfeksionoi shkathtësitë në piano duke studiuar në Fakultetin e Arteve në klasën e profesoreshës Alberta Troni.

Sukseset e saj filluan nga paraqitjet e para skenike, duke filluar nga garat kombëtare e deri tek ato ndërkombëtare. Ibrahimi në vitin 2018 dhe 2019 është fituese e çmimeve të para në garën “Ars Kosova Music Competition” dhe “Special Prize Masterclass Ana Capri” në Itali.

Në Beograd ka fituar çmimin e dytë në garën “International Piano Competition”. Gara ishte mbajtur nё mënyrë virtuale dhe me konkurrencë tё madhe me kandidatë nga mbarë bota, e vlerësuar nga një juri profesionale prej gjashtë pianistëve botërorë, Melisa zuri vendin e dytë nё kategorinë “Senior” në mars të vitit 2020.

Po atë vit, në gusht kishte marrë pjesë edhe në festivalin “Clavis” që ishte organizuar nga Rusia dhe Gjermania në Bavari të Gjermanisë. Kishte interpretuar në mënyrë virtuale ku edhe kishte fituar dy çmime për pjesëmarrjen të cilën, mes pianistëve e kishin fituar vetëm njëzet pianistë ndërkombëtarë që po ashtu do të merrnin pjesë në “International Piano Competition Costa-Festa 2021” që ishte mbajtur në Torrevieja të Spanjës. Gjithashtu nga aty ishte përzgjedhur për të marrë pjesë në koncert dhe masterklasë në kuadër të “Bavaria Festival 2021” në Fussen të Gjermanisë.

Jo vonë, dy muaj më pas triumfoi në “Grand Prize Virtuoso 2020” në Bonn të Gjermanisë në kategorinë “Senior”. Në dhjetor të 2020-s ishte fituese e vendit të parë edhe në garën “International Music Competition Moscoë”. Kishte triumfuar duke lënë pas konkurrentë nga gjithë bota. Edhe vitin 2021 e kishte nisur me suksese. I kishte paraprirë fitorja në “Grand Prize Virtuoso London 2021” ku kishte interpretuar në “Royal Albert Hall” – një prej sallave më prestigjioze në botë. Me vendin e parë ishte vlerësuar edhe në “International Music Competition Moscoë” në Rusi. Me çmime është vlerësuar edhe në “The Nordic Piano Competition – Northen Lights” në Suedi, në “International Moscoë Music Symphony Competition”, “Chopin Piano Fest Special Prize” në Prishtinë, “International Music Fantasy Competition” e organizuar nga UNESCO dhe shumë të tjera.

Në vitin 2022 ka marrë medaljen e bronztë në edicionin e 11-të të garës ndërkombëtare “International Music Competition for Youth Dinu Lipatti Roma 2022”.

Edhe ky vit ka qenë i suksesshëm për pianisten e re Melisa Ibrahimi. Në janar ka dhënë koncert recital në Vjenë të Austrisë ku kishte luajtur veprat e Mozzartit, Beethovenit, Chopinit e Listzit. Në muajin prill kishte fituar çmimin për vendin e parë “Gold Prize” në “Franz Schubert International Music Competition 2023” në Dortmund të Gjermanisë.

Këtë muaj e ka koncertin më të afërt në Itali, një seli koncertale pianistike, në ngjarjen kushtuar kompozitorit Franz Listz në shënim të 212-vjetorit të lindjes së tij.