Shtojca për Kulturë

Shënime për “Shënimet”

Ky libër ka më shumë terr sesa dritë. Është hapi im vendimtar drejt errësirës, në zemër të së cilës shpresoj ta gjej zjarrin, burimin e dritës
 

Shkrimtari i ka dy aktivitete obligative: me mendu dhe me shkru. Me folë është fakultative; bën edhe pa të.  Pra, secili shkrimtar doemos duhet të jetë edhe mendimtar. Po s’qe mendimtar, s’është as shkrimtar.  Flaka e mendimeve të mia vjen nga zjarri i Heraklitit. Terri është zhguni im…Edhe pse të shkruara në gjendjen e filozofit që qan, në ndonjë varg a poezi kam vënë buzën në gaz.  Të gjitha shënimet janë shkruar në shpellë, ose janë përpunuar dhe sistemuar brenda saj, ose i ka lindur një disponim prej shpellari. Prandaj, të gjitha janë quajtur shënime nga shpella

Para se ta shkruaja poemën “Sandalet e Senekës”, isha në mëdyshje të zgjidhja Sokratin, apo Senekën, ndoshta pse kanë fate, famë dhe funde të ngjashme. Kur e pashë skulpturën e dyfishtë antike (që tash ndodhet në Berlin), që paraqet ata dy, shpinë për shpine, u binda për similaritetin e tyre siamez. Fol për njërin, ke folur për të dy. E, pse Shekspiri e donte Senekën, kurrë nuk e tha. Mendoj se arsyeja ime është e njëjtë me të tijën, prandaj as unë s’po e them. 

Kur në atë libër e futa poezinë “O Heraklit”, nuk e dija se ashtu po e thërrisja këtë poemën e dytë.