Pas krejt pluhurit të çuar nga mediat nacionaliste serbe, profesionistët e teatrit ia kanë dhënë Çmimin e shfaqjes më të mirë “The Handke Project”, me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt. Juria e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Alternativ (FIAT) e ka vlerësuar shfaqjen si një përballje të dhimbshme sa i përket pozicionimit të krijuesve në raport me pushtetet. E “The Handke Project” jo veç që pyet, por edhe shpërfaq hipokrizinë e krijuesve dhe institucioneve deri te ato ndërkombëtare sa i përket pozicionimit të intelektualëve karshi pushteteve totalitare e gjenocidale. Pos kësaj, Çmimi aktori më i mirë i ka takuar aktorit nga Kosova me karrierë ndërkombëtare, Arben Bajraktaraj.
“Kjo shfaqje është një përballje e dhimbshme me enigmën shekullore të pozicionimit të krijuesve dhe intelektualëve kundër pushtetit – duke vënë në dukje përgjegjësinë problematike të intelektualëve. Projekti ‘Handke’ është e kundërta e paradigmës. Ansambli i shfaqjes i drejtuar nga Blerta Rrustemi-Neziraj krijoi një shfaqje që është një mozaik skëterrë, që na lë të habitur”, shkruhet në arsyetimin e jurisë së Festivalit në përbërje të shkrimtarit dhe drejtorit të Teatrit të Qytetit të Podgoricës, Stevan Koprivica (kryetar), dhe anëtarëve Jelena Miniq, aktore e Teatrit Kombëtar të Malit të Zi, dhe Edin Jasharoviq, producent dhe dekan i Fakultetit të Arteve Dramatike në Cetinjë.
Edicioni i 38-të i Festivalit me traditë sivjet është mbajtur prej 8 deri më 17 shtator. Për ekipin e shfaqjes “The Handke Project”, që është një produksion ndërkombëtar, Çmimi është një vlerësim i madh.
Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se janë të lumtur për çmimet në Festivalin prestigjioz FIAT në Podgoricë, sepse ato e konfirmojnë punën e jashtëzakonshme artistike që ekipi ka bërë në realizimin e shfaqjes.
“Dhe, për më tepër, ky çmim, i dhënë në Podgoricë, e zgjeron përpjekjen tonë dhe të plot të tjerëve për t’iu kundërvënë fashizmit, atij të Handkes, të konvertuar në ‘letra artistike’, por edhe këtij të shprehur nga mediat proqeveritare serbe, që janë ‘dezhurni’ sa herë kjo shfaqje u bie në ‘radar’”, ka thënë dramaturgu Neziraj për KOHËN nëpërmjet një deklarate me shkrim. Sipas tij, Çmimi i i ndarë për shfaqjen nuk është vetën një akt artistik, por edhe “akt politik për të manifestuar rezistencë, kurajë dhe moskompromis ndaj atyre që cenojnë vlerat tona të përbashkëta njerëzore, dinjitetin, lirinë e demokracinë”. “Çmimet për këtë shfaqje të dhëna nga kolegët tanë në Podgoricë janë dëshmi që ekziston një front kundër të keqes, që mbahet gjallë e frymon akoma në këto anë”, ka thënë ai.
Aktori Arben Bajraktaraj ka thënë se e kanë pritur me kureshtje se si do të reagojë publiku në Podgoricë, duke pasur parasysh sulmet që iu ishin bërë pas shfaqjes vjet në Beograd. Por, sipas tij, publiku në Podgoricë merrte frymë bashkë me aktorët gjatë gjithë shfaqjes.
“Një zotëri pak më në moshë, disa herë gjatë shfaqjes ngrihej, bënte 7-8 hapa drejt derës, por gjithnjë kthehej prapë, ulej në vendin e vet. Në fund i gjithë publiku u ngrit në këmbë me duartrokitje të gjata dhe ovacion. E ndiem se ndiheshin të prekur nga shfaqja, nga i gjithë ky rrugëtim fiziko-emotiv thellësisht antinegacionist, ku e morëm me vete. Akt katarze. Pas asaj mbrëmjeje, ndoshta disa veta do të mendojnë pak më ndryshe”, ka thënë ai për KOHËN nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim. Ka treguar se janë prekur edhe më shumë kur kanë marrë vesh se në Podgoricë s'kishte pasur asnjëherë as edhe një shfaqje të vetme nga Kosova. “Shpresoj të kemi hyrë me këmbë të mbarë në dyert që na i hapën dhe pritjen e jashtëzakonshme që na e bënë publiku edhe juria e Festivalit aty”, ka thënë Bajraktaraj, i cili jeton në Paris.
Jo pak zhurmë kishin bërë qarqet nacionaliste serbe pas dhënies së shfaqjes në Podgoricë.
Mediat nacionaliste menjëherë kishin nisur propagandën për kapitull të kërcënimeve për “tradhti, fushatë antiserbe a skandal” e deri te cilësimet se ky qe një “sulm” me një shfaqje nga “Kosova terroriste”. Titujt sensacionalë, si ai “Skandal në Mal të Zi! Shqiptarët nga Kosova e Metohia në Podgoricë organizojnë shfaqjen antiserbe”, i tabloidit “Alo.rs” qenë të pranishëm. Aty shënjestrohet edhe dramaturgia serbe Bilana Srblanoviq, që ka bashkëpunuar me ekipin e shfaqjes. Po ashtu, edhe institucioni nikoqir i shfaqjes në kryeqytetin e vendit të shkëputur prej Serbisë më 2006, anëtar i NATO-s e aspirues për Bashkimin Evropian, por që shpesh sfidohet edhe prej partive parlamentare serbe, të cilat në programe kanë edhe tërheqjen e njohjes së Kosovës.
Ka pasur komente edhe për reagimet nga mediat proqeveritare serbe, “sërish rojë duke bërë punën e tyre propagandistike”.
Përshkrimet e shfaqjes, media të tilla i kanë pasur gati, pasi me po të njëjtën gjuhë ishin vënë në sulm edhe qershorin i vjetëm, kur shfaqja ishte dhënë edhe në Beograd, në teatrin “Bitef”.
“Cirkusi udhëtues paradramatik ‘Projekti Handke’, prapa të cilit qëndrojnë forcat e bashkuara, serbët e dytë autoshovinistë dhe fundamentalistë, ka aterruar në Podgoricë”, ka shkruar “Alo.rs”. Shfaqjes i jep turlifarë epitetesh dhe “ia gjen” edhe synimin që “është ashiqare”.
“Ka për cak, për të satën herë, të bëjë një manovër kundër popullit serb, duke tentuar, njësoj, që të lajë hesapet me të vërtetën për luftërat e viteve 1990 dhe krejt fajin t’ua hedhë serbëve”, shkruan “Alo”. Fut në lojë edhe media të tjera tek i citon se edhe ato kanë hetuar se si në këtë “bërllok multikulturor nuk ka pasur vend për ndonjë aktor nga Serbia”.
Alarmit për “skandalin” me shfaqjen e Kosovës në Podgoricë – e dhënë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Alternativ me sloganin “Parabola” – i është bashkuar edhe “Borba” e njohur dikur si organ i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, por që ka traditë njëshekullore. Tash ka një portal.
“Bëhet fjalë për shfaqjen antiserbe e serbofobike, regjinë e së cilës e ka bërë Blerta Neziraj nga shteti terrorist Kosova, e në realizimin e këtij projekti racist politik kanë marrë pjesë edhe ‘krijues’ nga Italia, Gjermania, e Kroacia…”, shkruhet në një artikull pa autor në “Borba.me”.
Çështja e shfaqjes është vetëm hyrja për një rafal akuzash edhe ndaj udhëheqësve të institucionit ku është dhënë shfaqja nga Kosova e deri te kryetarja e Podgoricës.
“Kemi kujtuar se me heqjen e Ivan Vukotiqit (ish-kryetar i Podgoricës), Podgorica do të frymojë me mushkëri të reja dhe se institucionet kulturore do të shkarkohen prej mendësisë ideologjike që kanë për qëllim njollosjen e popullit serb dhe t’ia veshë atij ndjenjën e fajësisë për shpërbërjen e Jugosllavisë. Por duket të jemi mashtruar dhe institucionet kulturore të Podgoricës edhe më tej do të jenë fushë pjellore për realizimin e veprave, të cilat me artin nuk takohen gjëkundi”, shkruan “Borba”.
“The Handke Project” zhvesh nobelistin austriak Peter Handke si një mohues e mbështetës të gjenocidit të Slobodan Milosheviqit. Shfaqja shkon deri në atë nivel, saqë Handke qëndron mbi një varr dhe nis të shfaqë dyshimet se a bëhet fjalë për një të tillë apo jo. Pas festivalit italian “Mittelfest”, të mbajtur në Teatrin e Toskanës, Teatrin Kombëtar të Sarajevës, në festivalin e njohur botërisht “MESS”, më pas shfaqjes në Prishtinë, Shkup e Ferizaj, në qershor të vitit të kaluar ishte ndalur edhe në Beograd në teatrin “Bitef”.
Në këtë projekt teatror, me pyetjet e tij, Handke vë në dyshim nëse ka ndodhur Masakra e Srebrenicës – ku në korrik të vitit 1995 shteti serb vrau 8 mijë boshnjakë – apo është një shpikje e propagandës kundër Serbisë. Handke e di realitetin, por përpëlitet që ta ndryshojë atë. Ironia shkon deri në atë masë që Handke i ndryshon edhe situatat që bota i ka parë të xhiruara. Si në rastin kur serbët e detyrojnë boshnjakun e quajtur Ramo që ta thërrasë djalin e tij, Nermin, të zbresë nga kodrina “pasi është i sigurt me serbët”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.