Kapërcimet dhe provokimet e artistes rebele, Lumturi Blloshmi

Duke marrë parasysh rolin e rëndësishëm që biografia dhe prejardhja luanin në zhvillimin e individit brenda Shqipërisë socialiste, aktet e qëllimshme të përfshirjes, rikrijimit dhe transformimit të vetes në krijimet e Lumturi Blloshmit pohuan dhe përforcuan qartë pozicionin e saj në historinë e artit shqiptar, nga një këndvështrim i vetëpërcaktuar. Përpjekjet e saj të vazhdueshme për të sfiduar rregullat, për të kapërcyer kufizimet dhe për të sfiduar konvencionet i dhanë asaj epitetin “Artistja rebele”
Autoportrete
Lumturi Blloshmi rridhte nga një familje e përndjekur dhe persekutuar dhe në sytë e sistemit komunist ishte një person me “njollë në biografi”, çka bënte ndjekjen e një karriere artistike jashtëzakonisht të vështirë. Në krijimtarinë e saj, që mund të ndahet në dy periudha të qarta, para dhe pas viteve 1990 – autoportreti mbeti një zhanër, të cilit ajo i kushtoi vëmendje të vazhdueshme gjatë gjithë jetës.
Shumica e autoportreteve të saj para viteve 1990 ishin krijuar në fshehtësi, duke mos u ekspozuar kurrë. Këto vepra arti, pa mëdyshje, u largohen kufizimeve të realizmit socialist, i cili kundërshtonte prerë subjektivitetin artistik. Ato i shërbyen artistes si mjete të fuqishme për të riimagjinuar dhe rikrijuar perceptimin e saj për veten.
Pas viteve 1990 Blloshmi e përfshiu imazhin e saj vetjak në skenarë të ndryshëm në veprat e saj në pikturë, performancë dhe fotografi. Në mënyrë të tillë, ajo shprehte hapur perspektivat e saj në botën e artit, mekanizmat e saj dhe shoqërinë në të cilën ajo qe pjesë. Pikëpamjet e saj ishin ato të një gruaje të fortë që kritikonte dhe provokonte pushtetin e dominuar nga meshkujt me humor dhe satirë.
Duke marrë parasysh rolin e rëndësishëm që biografia dhe prejardhja luanin në zhvillimin e individit brenda Shqipërisë socialiste, aktet e qëllimshme të përfshirjes, rikrijimit dhe transformimit të vetes në krijimet e Blloshmit pohuan dhe përforcuan qartë pozicionin e saj në historinë e artit shqiptar, nga një këndvështrim i vetëpërcaktuar. Përpjekjet e saj të vazhdueshme për të sfiduar rregullat, për të kapërcyer kufizimet dhe për të sfiduar konvencionet i dhanë asaj epitetin “Artistja rebele”.

Peizazhe dhe gra
Në vitin 1973, Lumturi Blloshmi u bë anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, por anëtarësimi i saj u revokua nga viti 1974 deri në vitin 1983. Si pjesë e Lidhjes, anëtarëve të saj u jepej qasje në materiale si bojëra dhe telajo, si dhe hapësirë për studio. Për më tepër, anëtarësimi ofronte mundësinë për të ekspozuar veprat e artit në ekspozita zyrtare, për të marrë fonde për udhëtime, për të marrë pjesë në konkurse për vepra arti publike dhe për t’u angazhuar në “krijimtari të lirë artistike”. Si rezultat i këtij kufizimi, në ato vite ajo krijoi shumë pak, kryesisht vizatime dhe skica. Me gjithë vështirësitë, viti 1983 shënoi një rifillim për Lumturi Blloshmin. E mbushur plot energji, ajo udhëtoi në qytete dhe fshatra të ndryshme shqiptare, duke prodhuar peizazhe të shumta.
Gjatë këtyre viteve ajo pikturoi disa portrete dhe natyra të qeta, por preferonte të punonte në natyrë edhe për mungesë të studios dhe jetesës në një apartament shumë të vogël me familjen e vëllait. Para vitit 1974, Blloshmi prodhoi kryesisht kompozime me skena epike nga historia kombëtare, skena nga ndërtimi i shoqërisë socialiste, si dhe portrete. Disa nga këto vepra janë pjesë e koleksionit në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ndërsa fatkeqësisht shumë të tjera kanë humbur.

Ky kapitull gjurmon zhvillimin e stilit të pikturës së saj gjatë viteve ‘80 deri në fillim të viteve ‘90. Kjo periudhë mund të ndahet në tri kategori: peizazhe nga vende të ndryshme të spikatura nëpër Shqipëri, portrete të grave nga rrethi i ngushtë i artistit (nëna, mbesa, shoqet) dhe piktura në të cilat ndërthuren peizazhi dhe figura femërore. Me ardhjen e viteve ’90, figura femërore fiton rëndësi dhe bëhet subjekt i vetëm i kompozimeve të saj. Të gjitha veprat karakterizohen nga një kontrast i fortë ngjyrash. Ndërveprimi i nuancave të lehta dhe të errëta u jep thellësi pikturave. Sfondi ka pasur gjithmonë një rëndësi për Blloshmin dhe pikturat e kësaj periudhe vënë në dukje se si ai transformohet krahas figurës, duke fituar një transparencë dhe thellësi shumështresore, që më vonë do të bëhet shenjë dalluese e pikturës së saj. Ekspozitën e saj të parë vetjake Blloshmi e çeli në qytetin e Beratit në vitin 1988, në moshën 44-vjeçare, ku u ekspozuan shumë prej veprave të këtij kapitulli.
Kthimi i Zotit
Në vitin 1967 Qeveria socialiste e shpalli Shqipërinë “shtet ateist”. Në dhjetor të vitit 1990, ndalimi i riteve fetare u hoq zyrtarisht. Rënia simbolike e shtatores së diktatorit Enver Hoxha në qendër të Tiranës shënoi fundin e komunizmit në Shqipëri. Për shumë njerëz, përfshirë edhe Lumturinë, që vuajti nën atë regjim, 20 shkurti 1991 shënoi një kthesë të rëndësishme në jetë. Dy ngjarje kryesore historike ndikuan tek ajo dhe vepra e saj në gjysmën e parë të viteve ‘90: rënia e regjimit komunist, që shënoi edhe rikthimin e fesë, dhe eksodi i shqiptarëve në Itali.
Në një letër drejtuar një artisteje greke të datës 25 nëntor 1992, Lumturi përshkruan ditën më të fuqishme të jetës së saj: “Dita më e lumtur e jetës sime ishte dita e rënies së diktatorit dhe kthimit te Zoti pa dallim feje. U bashkova me protestën që çoi në rënien e tij, pa menduar në asnjë moment se mund të hasja vdekjen”.
Një numër i madh i pikturave të saj nga fillimi i viteve ‘90 përfshijnë imazhe fetare dhe thellohen në tema shpirtërore. Shqipëria përjetoi gjithashtu një emigrim masiv, një nga shembujt e të cilit ishte dhe eksodi i gushtit 1991. Mijëra njerëz hipën në anije dhe u nisën me forcë nga portet e Durrësit dhe Vlorës drejt Italisë. Lumturia e përjetoi këtë eksod në Durrës dhe në një fragment shkëputur nga korrespondenca e saj, ajo rrëfen skenën: “...shi, pafund, vapë e madhe, dhe menjëherë shfaqet vala e furishme e eksodit, një numër shumë i madh njerëzish. Të gjitha këto i pashë në port. Ishte një pamje skëterre që nuk mund ta harroj kurrë. Anija ishte e dehur dhe e dëmtuar, sikur ishte lyer me mastiç dhe turma e paduruar u përpoq të ngjitej në anije me një shpejtësi të tmerrshme, pa marrë parasysh asgjë, as vdekjen, për një jetë më të mirë përtej detit. Anija nisi të lundronte shoqëruar me britma dhe lot. Mes detit anija dukej si një objekt i zbukuruar me guaska, me luspa, derisa u zhduk në pafundësi. Çdo ditë deti nxirrte kufoma në breg…”
Kjo përvojë dhe ato imazhe turbulluese e prekën thellë Lumturinë. Ajo ishte një nga artistet e pakta të brezit të saj që trajtoi gjerësisht ngjarjet e eksodit dhe momente të tjera kryesore në historinë bashkëkohore shqiptare përmes artit të saj. Gjatë kësaj periudhe, pikturat e saj pësuan një transformim drejt figuracionit simbolik, i ilustruar më së miri nga simbolika e përsëritur e peshkut/varkës, që shfaqet në forma të ndryshme në shumë prej veprave të saj nga vitet 1990 dhe 2000. Gjatë kësaj periudhe ajo filloi të përfshinte materiale të ndryshme, si pigment argjendi, letër alumini, pëlhura, kocka dhe objekte të përditshme në pikturat e saj.

Pushtimi i hapësirës
Gjatë viteve 2000, Blloshmi nisi një sërë përpjekjesh të reja artistike. Ajo u bë një nga artistet e para që lëvroi performancën, instalacionin dhe orkestrimin e ngjarjeve që mund të kategorizoheshin si “ndodhi”. “Menu Kama Sutra” përbëhet nga 15 fotografi këmbësh bretkose, të fotografuara nga artistja teksa po i gatuante në shtëpi. Këto imazhe, të ngjashme me trupat njerëzorë gjatë marrëdhënies seksuale, e shtynë Lumturinë të fotografonte këtë ngjashmëri aksidentale përmes aparatit të saj me film. Në vitin 2003, ajo organizoi një ndodhi/performancë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, duke shtruar një darkë, ku shërbente këmbët e skuqura të bretkosave.
Në këtë performancë u ftuan gazetarë dhe personalitete të artit të merrnin pjesë në diskutime rreth seksualitetit dhe sensualitetit, si aspekte integrale të jetës së përditshme dhe artit. Ekspozimi i vazhdueshëm i kësaj vepre dhe përsëritja e performancës në vende të ndryshme e kanë kthyer atë në një nga veprat më ikonike të artistes Lumturi Blloshmi.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, Blloshmi u thellua në interesimin e saj për trupin njerëzor dhe mënyrën se si komunikimi, konsumi dhe ndikimi politik ndërthuren me kuptimin e tij social dhe sensual. Ajo prodhoi vepra arti duke përdorur materiale të mbetura ose sende të prodhuara në sasi, të tilla si bishtat e cigareve, lëvozhgat e thara të portokallit, shishe të zbrazëta Coca-Cola, karta telefoni, paketime ilaçesh dhe reklama/fletëpalosje. Pavarësisht kërkimeve të shumanshme, ajo arriti të mbajë në fokus të punës së saj figurën njerëzore, ndoshta si rezultat i formimit të saj në artin figurativ.
Ndërsa eksploronte krijimin e veprave të artit në hapësirë duke përdorur materiale të ndryshme, ajo vazhdoi të pikturonte me vaj dhe media të përziera në kanavacë deri në vitin 2003. Pikturat e saj të vonshme morën një trajtë më konceptuale dhe filozofike, duke trajtuar tema që lidhen me natyrën dhe ekzistencën njerëzore.

Është një botë burrash
Në vitin 2005, Blloshmi krijoi një seri veprash të vogla me titull “Është një botë burrash” në teknikë mikse, në kanavacë, duke e punuar telajon nga të dyja anët. Nëpërmjet këtij cikli, ajo u thellua në pabarazitë gjinore të pranishme në shoqërinë bashkëkohore shqiptare dhe në fushën e artit, si dhe dikotomitë brenda identitetit kombëtar shqiptar. I mbushur me humor, ky cikël komenton mbi politikanë dhe figura të artit me ndikim në Shqipëri, të gjithë burra. Veprat nxorën në pah lidhjet e ndërlikuara të elitës politike bashkëkohore me ata që ishin në pushtet gjatë epokës socialiste. Për të arritur efektin e dëshiruar në këtë seri, ajo përdori lirisht pikturën, kolazhin, photoshopin dhe printimin në telajo.
Lëkurat e portokallit që formonin figura njerëzore u shfaqën në veprën e saj fotografike “Zarabanda” në vitin 2007. Në vitin 2008, ajo ripërdori këto fotografi nga “Zarabanda” për të ndërtuar veprën “Lumja dhe Mjeshtrit”. Brenda fotografive të saj, ajo përfshiu fragmente të vogla nga pikturat që paraqesin skena të pikturuara nga mjeshtrit e mëdhenj të pikturës. Lumja zbuloi paralele vizuale midis fotografive të saj që paraqesin lëvozhga portokalli të modeluara në forma njerëzore dhe veprave kryesore të historisë së artit. Identifikoi fragmente nga pikturat e artistëve të famshëm meshkuj që u bënin jehonë fotografive të saj.
Titujt e veprave të këtyre mjeshtërve u bënë tituj të veprave të Lumturisë. Nëpërmjet këtij cikli, ajo e shtriu kritikën e saj përtej kufijve të realitetit shqiptar në sferën e historisë së artit, duke ndërtuar efektivisht një “kritikë të historisë së artit”. Duke vepruar kështu, puna e saj propozon narrativa dhe interpretime shumështresore, si një mënyrë bashkëkohore ekzistence.
Në vitet në vijim, veçanërisht në vitet 2010, ajo vazhdoi të punonte me imazhet e lëvozhgave të portokallit, duke krijuar edhe vepra skenike në bashkëpunim me koreografin shqiptar Gjergj Prevazi.
Autorja është kuratore e ekspozitës “Lumturi Blloshmi. Nga e para”, retrospektiva e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 15 tetor. Ky tekst kuratorial botohet me leje të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Titulli është i redaksisë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.