Shtojca për Kulturë

Një libër që të merr me vete në një fluturim të papërsëritshëm

Recension për librin “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë. Një kronikë e pazakonshme e shekullit të 20-të” nga Enver Robelli

Ka libra me përmbajtje të cekët, por lexim të gjatë. Dhe ka libra me përmbajtje të thukët dhe lexim të shkurtër, lexim me një frymë, që nuk e lë dot anësh pa e mbaruar. Libri i Enver Robellit për shekullin e 20-të i takon pa dyshim grupit të fundit.

Në shikim të parë të duket si enciklopedi që përbëhet nga paragrafë të shkurtër që të kujtojnë zërat enciklopedikë dhe si të tillë nuk janë as kronologjikë e as kompakt nga përmbajtja. Pra, në shikim të parë dëshiron ta mbyllësh. Kush lexon enciklopedi për qejf? Por po fillove, siç u tha më lartë, nuk e lëshon nga dora, se ia gjen fillin e kuq. Të duket si një litar, për të cilit janë varur ngjarje nga një shekull histori botërore.

Autori shpalos ngjarje nga e gjithë bota për një shekull të tërë, por disi ose sadopak lidhen në ndonjë cep edhe me shqiptarët, qoftë edhe me një fill të hollë të një vargu në ndonjë vepër apo letër. Fillin e kuq e përbën çmimi Nobel për Letërsi. Letërsia mund të shihet si një fokus i rëndësishëm. Por autorët dhe autoret e ndryshme, me apo pa çmim Nobel nuk paraqiten si heronj, por si njerëz të rëndomtë pa lajka e pa ironi. Libri është plot ngjarje të mëdha si dy luftërat botërore dhe ato dy ballkanike, si lëvizjet e ndryshme për të drejtat e njeriut, apo ato feministe për të drejtat e grave apo shkelja e shpeshtë e këtyre të drejtave edhe nga personalitete të njohura, ngjarje të vogla, si dashuritë dhe aferat e shkrimtarëve dhe personaliteteve të ndryshme të njohur, ngjarje kurioze si pangopësia dhe vdekja e mbretit Faruk të Egjiptit me origjinë shqiptare, ngjarje tronditëse, si vdekja e Ingeborg Bachmann-it apo vetëvrasja e gruas së Stalinit, e shumë e shumë të tjerë.

Prof. Peter Bartl, i cili po ashtu portretizohet te libri në fjalë dhe të cilin e kam pasur profesor historie, më ka thënë njëherë: “Nuk ka formulë suksesi për librat. Dikush mund të hulumtojë për Siberinë gjithë jetën, pa e njohur askush, ose duke e njohur vetëm një rreth i ngushtë ekspertësh. E dikush mund të fluturojë vetëm njëherë mbi Siberinë dhe të shkruajë librin më të njohur në botë.“

Libri i Enver Robellit nuk është libër shkencor, por publicistik. Dhe prapëseprapë nuk mund të thuhet se është shkruar “pas një fluturimi“. Libri paraqet një mal me të dhëna historike nga fushat më të ndryshme dhe mbi persona të panumërta, dhe ata shpesh të dhëna të cilat nuk gjenden nëpër enciklopedi të zakonshme. Por pikërisht lloji i tekstit dhe aftësia e të shkruarit të autorit e bën atë sikur është shkruar fluturimthi dhe që lexohet fluturimthi.

Libri i Enver Robellit nuk lëviz nëpër skenat e mëdha botërore, nuk tregon në mënyrë të zakonshme, nuk ndjek kanone fushash të ndryshme, por mundëson shikimin prapa skenave, shikimin në thellësitë e greminave njerëzore, që të argëtojnë por edhe të tronditin. Përshkruan në mënyrë të prerë dhe precize, shkurt e trup do thoshim në gjuhën popullore. Pra shkurt e trup libri është një histori alternative e shekullit të 20-të.

Dr. Lumnije Jusufi ka doktoruar në Universitetin Ludwig Maximilian në Mynih dhe ka habilituar në Universitetin e Humboldt-it në Berlin. Ajo është albanologe.