Shtojca për Kulturë

Kanibalizmi i Akademisë

 

Javën e kaluar, më 31 maj 2023, u shpërfaq kulmi i marrisë politike dhe popullizmit të pakandar të qeverisë së Shqipërisë. Qeveria atje, me një vendim të saj arbitrar, mbylli Akademinë e Studimeve Albanologjike (ASA), për ta shkrirë në struktura të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH). Aktvendimi u kundërshtua nga Senati i ASA-së, por edhe nga një mori institucionesh kërkimore e universitare, nga një numër i madh albanologësh nga e gjithë bota. Ky vendim i dëmshëm vazhdon të kundërshtohet ende. ASA është sinonim i një institucioni të ri që përpëlitet të rritet, të bashkëpunojë e të punojë, pavarësisht lojës politike me të në dekadat e fundit, ndërsa ASHSH është institucion që përpëlitet të bëhet çfarë nuk është, duke dashur të gllabërojë ASA-në me autoritarizëm politik.

Qeveria mbylli studimet albanologjike të një institucioni me perspektivë dhe i dërgoi ato në një institucion që nuk është fare institucion kërkimor. Dihet se ASHSH është institucion honorifik. Pavarësisht dilemave e problemeve të arkitekturës institucionale, administrative e burokratike, fakti se ASHSH dëshiron të mbyllë një institucion për ta shkrirë në struktura të saj, pa dashje të institucionit përkatës, tregon për statusin etik të saj si institucion shkencor. Shkenca pa etikë është ideologji diktatoriale, ashtu siç ka qenë në kohën e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Kjo çfarë ka bërë ASHSH, me firmë të huazuar nga qeveria, por edhe kjo çfarë ka bërë qeveria, në përgjigje të kërkesës së ASHSH-së, janë një komplot kundër lirisë akademike e mendimit të lirë në Shqipëri. Canibal ante portas!