Shtojca për Kulturë

Kënga jehon për Qamilin e Vogël, kolosin e muzikës shqipe

Nuk ka mënyrë më të mirë për ta kujtuar e nderuar Qamilin e Vogël sesa nëpërmjet këngëve të cilave ai u dha zë, e me të cilat shënoi historinë e muzikës popullore. Në 100-vjetorin e lindjes së tij, Gjakova ka bashkuar muzikantët në koncertin ku janë rikthyer disa prej perlave të atij që ishte sinonim i vetë muzikës së mirëfilltë

Qamili i Vogël do të bëhej shpejt jo vetëm njëri prej zërave më të njohur të qytetit të Gjakovës, po do të jehonte edhe më tej. Kontakti i tij i parë me një prej këngëtarëve të parë të këngës popullore, Ymer Rizën, e kishte shtyrë drejt rrugëtimit muzikor prej të cilit nuk u shkëput deri në ditët e fundit të jetës.

Kishte shkruar madje epitafin e tij, e më pas ajo do të kthehej në këngë. Për pasurimin e thesarit të këngës popullore e qytetare shqipe, vazhdon të kujtohet edhe sot. Është dëshmuar në koncertet që janë organizuar në kujtim të kolosit të këngës shqipe e vazhdimësi ka qenë edhe koncerti për nder të 100-vjetorit të lindjes së tij. Krijimtaria që ka lënë pas trashëgim e bën të pavdekshëm figurën e tij. E madhështon ndër brezat e ardhshëm dhe rikthen nostalgjinë për këngën origjinale shqipe. Kulmin e karrierës Qamili i Vogël e kishte arritur në vitin 1952 kur ishte bërë anëtar i rregullt i orkestrës së Radio Prishtinës. Prej atëherë, zëri i tij melodik kishte depërtuar përtej qytetit të tij e krijimtaria e kantautorit sjell kujtime sa herë këngët e tij nisin të interpretohen.

Koncerti i së premtes mbrëma në nderim të kantautorit Qamil Muhaxhiri ka bërë bashkë këngëtarë të Gjakovës e të trevave shqiptare. Në më pak se një orë para koncertit kanë përfunduar provat. Salla e teatrit të qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu” është gjallëruar çdoherë më shumë me publikun që mblidhej dhe mbushte hapësirën. Entuziazmi qe i dallueshëm pa u dëgjuar instrumenti i patë. Perdet u ngritën dhe orkestra filloi të luajë valle të vjetër gjakovare si parapërgatitje e paralajmërim për programin e koncertit.

U shpalosën më tej me perlat e pavdekshme të Qamilit të Vogël dhe “M’agoi dita, n’breg t’njaj prroni” është prej atyre që përkon me fazën e hershme të krijimtarisë së tij. E tillë që vështirë të përsëritet për nga harmonia brilante e këngës. Me ndryshimet në ritëm, e bëjnë këngën prej më të bukurave të këtij zhanri në përgjithësi. Për publikun e ka interpretuar këngëtari Zenel Doli.

Këngët e tij kanë qenë përherë kuptimplote histori në vete. Gent Haxhikadrija – që është nipi i këngëtarit tjetër gjakovar, Ismet Peja, tashmë i ndjerë – ka interpretuar këngën “Kah dera të rashë me t’pa” që, siç është bërë e ditur gjatë koncertit, shkas i këngës kishte qenë dashuria e Qamilit për Sanije Vokshin. Me qëllimin për ta parë, kishte kaluar shpesh nga dera e saj. Shpesh e shihte, por kur ndodhte e kundërta, frymëzohej të krijonte këngë si kjo.

Gjatë jetës së tij, Qamil Muhaxhiri kishte krijuar dhjetëra këngë të ndryshme dhe kishte mbledhur qindra këngë, të cilat i kishte botuar në 11 libra xhepi. Kishte bashkëpunuar me krijues nga të gjitha trevat shqiptare dhe kishte formuar shoqëri të ndryshme artistike muzikore. Qëllimi ishte përhapja e këngës së bukur shqipe.

Image
Në programin e koncertit janë përfshirë këngë që nga fillimet e Qamilit të Vogël si tekstshkrues e këngëtar e deri në këngën e fundit para se të vdiste

“...ka qenë i gjithanshëm dhe ne ia kemi borxh”

Drejtori artistik i koncertit, Behar Arllati, ka paralajmëruar se 2023-a është viti i Qamilit të Vogël dhe se gjatë gjithë vitit do të ketë aktivitete të ndryshme, të cilat do të përmbyllen me monografinë kushtuar atij. Autor është vetë etnomuzikologu Arllati, i cili ka paralajmëruar se promovimi pritet të jetë më 4 nëntor të këtij viti në përvjetorin e vdekjes së kantautorit Muhaxhiri.

“Krijimtaria e tij ka qenë e stërmadhe, shumëdimensionale. Nuk mundemi dhe nuk kemi të drejtë të kufizohemi vetëm në krijimet e tij, por edhe në përhapjen e tyre. I pari në Kosovë ka filluar regjistrimin e këngëve në disqe vinyl. Kontributi i tij nuk përkon vetëm në krijimtari, por ka qenë i gjithanshëm dhe ne ia kemi borxh”, është shprehur Arllati.

Në programin e koncertit janë përfshirë këngë që nga fillimet e Qamilit të Vogël si tekstshkrues e këngëtar e deri në këngën e fundit para se të vdiste. Koncerti, sipas tij, është shenjë që Gjakova nuk e harron Qamilin e Vogël si një prej krijuesve më të mëdhenj shqiptarë të Kosovës.

“Krijimtaria e Qamilit të Vogël kap vitet 1941 e deri në vdekje, 32 vjet më parë. Janë rreth 50 vjet krijimtari të Qamilit të Vogël. Akoma nuk dihet numri i saktë i këngëve, sepse shumë këngë e kanë ndërruar autorësinë qëllimshëm ose Qamili i Vogël nuk i ka kushtuar shumë rëndësi dhe nuk e ka shkruar autorësinë e tij. Sot ka shumë dilema”, ka thënë Arllati.

Këngën “Dija dhe Shpendi” e ka interpretuar këngëtari nga Gjilani, Fahrush Azemi. Muhaxhiri kishte qenë edhe adhurues i artit teatral, pikërisht nga ku ishte frymëzuar për këtë këngë. Kishte nisur të punonte në të pas shfaqjes “Sikur t’isha djalë” të Haki Stërmillit dhe kishte krijuar këngën sipas personazheve të romanit. Kënga vjen si një baladë e bukur ku ndihet ndjeshmëria e tij ndaj padrejtësive që bëheshin ndaj gjinisë femërore.

Fahrush Azemi është shprehur se ka qenë kënaqësi e privilegj të këndojë para publikut gjakovar.

“Unë kryesisht këndoj këngët e Qamilit të Vogël, Ismet Pejës, Ymer Rizës dhe shumë këngëtarëve që kanë lënë gjurmë në muzikën popullore kosovare në këtë rast, i këndoj me shumë ëndje. Janë perla të pazëvendësueshme, por duhet ditur edhe t’ia japim hakun natyrisht”, ka thënë këngëtari Azemi.

Qamili i Vogël u ka kënduar edhe vuajtjeve të shqiptarëve ndër shekuj. E tillë ka qenë kënga “Prej shtëpisë kur jam dalë” të cilën e ka interpretuar Shkëlzen Jetishi – Xeni. Ai ka thënë se përgjatë karrierës së tij nuk ka koncert e as mbrëmje ku në programin e tij nuk janë përfshirë këngët e Qamilit të Vogël. Këngët e tij i ka vlerësuar si të pavdekshme.

Zëri i thesarit të çmueshëm

“Të këndosh në 100-vjetorin e lindjes së Qamilit të Vogël është kënaqësi dhe nder për ne. Qamili i Vogël është prej kantautorëve më të mëdhenj të muzikës shqipe, sidomos të një periudhe më të hershme, por Qamili ka lënë këto këngë që nuk besoj që ka këngëtar të këngës popullore në të gjitha trojet shqiptare që nuk i këndon. Pëlqehen edhe sot dhe duartrokiten gjithmonë nga ta”, ka thënë këngëtari i skenës muzikore popullore e qytetare.

Kënga e dëlirë dhe e bukur shqipe, secila prej tyre më me kuptim se tjetra është shpalosur më tej duke sjellë në sallë harmoninë dhe harenë. E tillë ka qenë edhe ajo me titull “Hajde moj buzëburbuqe” të cilën e ka interpretuar Edi Furra.

“Gjakova i ka disa treva të veta të muzikës, fatmirësisht një prej tyre është stili i Qamilit të Vogël që ka zënë vendin e tij. Kënaqësia më e madhe është që dita-ditës po vetëdijesohen populli dhe gjeneratat e reja, po i kultivojnë dhe dëgjojnë sepse është një thesar”, ka thënë Edi Furra, duke përmendur se në repertorin e Qamilit të Vogël janë rreth 90 këngë të cilat i ka punuar.

Vdekja e bashkëshortes së tij ishte bërë pengesë dhe kishte shuar ëndrrat për të pasur pasardhës. Nga këtu kishe buruar inspirimi për të shkruar baladën e elegjinë “Pa trash’gim paskem’kenë”. Nëpër rreshta të këngës ka hedhur dritë Artan Bakija të cilin e ka shoqëruar Dukagjin Muhaxheri – nipi i Qamilit të Vogël – në saksofon. Ata kanë transmetuar te publiku atë që kantautori shprehte nëpër vargjet e këngës: dhimbjen e të dyve, të tijën në tokë dhe të asaj në qiell.

Dukagjin Muhaxheri ka interpretuar edhe në piano në instrumental të “Për herë t’parë dashninë fillova” dhe “Të kam dashur dhe të due”, këngë të cilat ka përcjellë në vokal Festina Mejzini, mbesa e Mazllum Mejzinit – këngëtarit dhe bashkëpunëtorit të Qamilit të Vogël.

Miqësi kishte lidhur edhe me krijuesin elbasanas, Isuf Myzyri, e vdekja e tij ishte bërë shkas për të thurur vargjet e këngën kushtuar Isuf Myzyrin që është kënduar nga Demir Zena. “Dil një herë moj vajzë e bukur” që e ka kënduar Bujar Çiçi është si thirrje tjetër krahas “Kah dera të rashë me t’pa”.

Kënga si epitaf

Me kalimin e viteve, repertori i Qamilit të Vogël ishte zgjeruar e kështu ai parandiente se fundi po i afrohej. Në heshtje kishe shkruar epitafin për vete vetvetes dhe pasi e përfundoi ua dha familjarëve si amanet. Në të shkruhej: ”Kur të vdes, këtë vjershë t’ma shkruani në gurin mbivarror. Këtu mungon vetëm numri i viteve që kam jetu, e meqë s’e di kur do të vdes e kam lanë vendin zbrazët. Ju, shkruajeni numrin pasi të vdes dhe mandej e shkruani në atë gurin mbivarror”, është bërë e ditur para të pranishmëve. Pas vdekjes së tij, vjershës i ishte shtuar numri 68 që përcaktonte vitet e jetës së tij. Muzikanti Ylber Asllanaj bashkë me grupin “Corona” e kishin regjistruar këngën në studio me vokal të Violetë Kukaj. Kënga me titull “Vjersha ime” është kënduar nga këngëtarja shkodrane Mukadeze Çanga.

Perlat e krijimtarisë shpirtërore shqiptare janë përcjellë me muzikë nga orkestra e përbërë prej defit, dy klarinetave, kitarës dhe bas-kitarës, fizarmonikës, violinës dhe saksofonit. Udhëheqësi artistik i orkestrës, Shkëlqim Rraci, ka treguar se ky ka qenë koncerti i njëjtë që ishte mbajtur në nëntor të vitit 2021, por që ishin detyruar ta ndërpresin për shkak të masave për parandalimin e pandemisë.

“Të flasim për Qamilin e Vogël, e dimë që është një kolos i muzikës shqipe, i një bagazhi të paçmueshëm të vlerave artistike. Është kënaqësi të luajmë në koncertin për nder të Qamilit të Vogël dhe për të gjithë kontribuuesit e këngës shqipe”, është shprehur Rraci.

Bashkë me orkestrën, në skenë kane dalë të gjithë këngëtarët në interpretim të këngës “M’ka marrë malli me ndigju” kushtuar mjeshtrit të sharkisë, Ymer Rizës. Ai kishte qenë mësuesi dhe inspirimi më i madh për Qamilin e Vogël, i cili aktivitetin krijues e kishte herët për të mos u ndalur deri në vdekje më 4 nëntor 1991.

Qamili i Vogël ishte prej këngëtarëve më emblematikë të shekullit të kaluar në të gjitha hapësirat shqiptare e më gjerë. Me zërin e tij të ngrohtë lirik të pastër i rrëmbeu të gjitha shtresat shoqërore jo vetëm te populli shqiptar por edhe më gjerë. Ai jo vetëm që këndonte bukur, por edhe më bukur shkruante.

Nga Komuna e Gjakovës, që e kanë organizuar koncertin e së premtes, është bërë e ditur se ky vit është shpallur si viti i Qamilit të Vogël. Koncerti është vlerësuar nga ta si “fillim i aktiviteteve të shumta që pritet të realizohen në nderim të jetës dhe veprës së Qamilit të Vogël”, siç shkruhet në njoftimin e tyre.