Shtojca për Kulturë

Xhafer Deva për vete dhe krijimin e “Shqipërisë etnike” më 1943-1944

Shkrimi i Xhafer Devës që botohet për herë të parë përmbledh një analizë të dendur të ngjarjeve të rëndësishme që ndodhën më 1943-1944, përkatësisht kapitullimi i Italisë dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë që tani kaloi shumë kufijtë e vitit 1913, duke përfshirë një pjesë të madhe të Kosovës dhe Maqedonisë perëndimore dhe një pjesë të Malit të Zi. Siç duket, këto faqe, mund të jeni pjesë të një punimi të gjatë

Ky vit, që shënon 45-vjetorin e vdekjes së Xhafer Devës (1904-1978), filloi herët nga Tirana me ceremoninë e pagëzimit të një segmenti të rrugës “Ibrahim Rugova” me një emër domethënës (rruga “Dëshmorët e 4 shkurtit”), gjë që aktualizoi përnjëherë polemikat në shtyp dhe në rrjetet sociale rreth Xheafer Devës: kriminel dhe bashkëpunëtor me Gjermaninë naziste apo lider nacionalist që e lidhi fatin me rishpalljen e Pavarësisë shqiptare dhe për shpëtimin e Kosovës prej rrezikut të pritur asokohe?

Vërtet, këto polemika të nxituara reflektojnë dy kultura politike shqiptare që u krijuan me kohë gjatë 1941-1945: Kultura politike në Shqipërinë e 1913, e sidomos në jug, e cila ishte e hapur për bashkëpunim me “vëllezërit” sllavë që erdhën më 1941 në ndihmë për themelimin e Partisë Komuniste dhe e ngritën Enver Hoxhën në krye të asaj partie duke siguruar më vonë edhe ndihmën e partizanëve shqiptarë në 1944-1945 për “çlirimin” e Kosovës, me pasojat që dihen. Për këtë kulturë, Xh. Deva fillon dhe përfundon si kriminel, në sajë të teksteve shkollore të hartave me direktivat e Partisë, pra nuk përcillet aktiviteti i tij i madh në mërgim për bashkimin e opozitës antikomuniste dhe në “Operacionin e madh” sekret (1948-1951), i cili kishte për qëllim përgatitjen e terrenit në Shqipëri për një kryengritje kundër regjimit komunist me ndihmën e aleatëve (SHBA dhe Britania). Në anën tjetër, kultura politike në Shqipërinë e Veriut dhe sidomos në Kosovë, kishte një përvojë tjetër me sllavët, si më 1877-1878, 1912-1913 dhe më 1918-1941, ndaj ajo u shpreh përsëri me Lidhjen e Dytë të Prizrenit më 1943 në krye me Devën dhe shokët e “Grupit Kosovar” (Rexhep Mitrovica, Xhelal Mitrovica, Tahir Zajmi dhe Rexhep Krasniqi), i cili vazhdoi aktivitetin politik në mërgim duke ngritur për herë fatin e Kosovës edhe kur aleatët u pajtuan gjatë Luftës së Ftohtë me fatin e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, duke themeluar më 1962 Lidhjen e Prizrenit në Mërgim në krye me Devën deri në vdekjen e tij më 1978. Mu për këtë, këto figura u rehabilituan në Kosovë pas 1999 dhe atë në mënyra të ndryshme.

Në këtë kontekst, polemika rreth rrugës “Dëshmorët e 4 shkurtit” nuk u kufizua vetëm me faktin që ajo ishte një segment i rrugës “Ibrahim Rugovës”, por tejkaloi së shpejti te Xhafer Deva si “kriminel” për ta mjegulluar këtë cenim të emrit të Ibrahim Rugovës. Tani, me rastin e 45-vjetorit të vdekjes së Xh. Devës, ishte momenti të sqarohet ç’ndodhi më 4 shkurt 1944 në kundër të një konferenca shkencore për figurën e Xhafer Devës, i cili është edhe më shumëdimensionale se sa që mendohet. Kuptohet, kjo mund të arrihet vetëm në bazë të dokumenteve të arkivave të ndryshme dhe të shkrimeve të Xh. Devës.

Nga këto shkrime, do të lëshojmë tani një shkrim të Xh. Devës që botohet për herë të parë. Shkrimi përmbledh një analizë të dendur të ngjarjeve të rëndësishme që ndodhën më 1943-1944, përkatësisht kapitullimi i Italisë dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë që tani kaloi shumë kufijtë e vitit 1913, duke përfshirë një pjesë të madhe të Kosovës dhe Maqedonisë perëndimore dhe një pjesë të Malit të Zi. Siç duket, këto faqe që botohen tani për herë të parë mund të jeni pjesë të një punimi të gjatë të shkruar me tahmin më 1962. Në atë kohë, Grupi Kosovar u forcua në mërgim, në prag të themelimit të Lidhjes së Prizrenit në Mërgim, dhe krerët e saj (Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi dhe Tahir Zajmi) sikurse u morën vesh për të shkruar versionin e tyre nacionalist shqiptar për ato ngjarje historike, pasi që secili prej tyre kishte rolin e vet në ato ngjarje që e kanë karakterizuan Shqipërinë etnike, pra Shqipëria e vitit 1913 me “Tokat e lirueme”. Kështu, Rexhep Krasniqi (1906-1999), i pari shqiptar që u doktorua në histori në Universitetin e Vjenës më 1935, botoi disa shkrime dhe tek pas vdekjes iu botua në Prishtinë disertacioni “Kongresi i Berlinit dhe Shqipëria Verilindore”, kurse Tahir Zajmi botoi në Bruksel më 1964 librin e tij “Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës”.

Këto faqe të Devës kanë vlerën e vet, sepse autori paraqet një analizë të veten për gjendjen në rajon pas shpartallimit të Jugosllavisë në prill të vitit 1941 dhe kapitullimit të Italisë 1943, që hapen një horizont të ri për shqiptarët me përvoja të ndryshme në vendet ku jetonin deri atëherë. Me rëndësi të veçantë janë ato të dhëna që i përmend Deva për kontaktet e parë me komandën gjermane në Beograd dhe për lëvizjet e tij në Kosovë dhe në Shqipëri për një shtet të ri të pavarur shqiptar me sovranitet të kufizuar që mund të pranonte praninë ushtarake gjermane në pika të caktuara “derisa të kryhet lufta”. Më këto lëvizje të Devës u sigurua pajtimi për konceptin e shtetit të ri shqiptar me regjencë në krye me Mehdi Frashërin dhe një qeveri me prani të ndjeshme të Grupit Kosovar: Kryeministri Rexhep Mitrovica, ministri i Brendshëm, Xhafer Deva, dhe ministri i Arsimit, Rexhep Krasniqi. Kuptohet, kjo qeveri nuk u shikua me sy të mirë në terë Shqipëri, e sidomos në jug ku Partia Komuniste kishte agjenda të tjera.

Këto faqe dhe të tjera ruhen me kujdes të madh te veterani Idriz Lamaj, miku dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Xhafer Devës, i cili e trashëgoi nga bashkëshortja e Devës nja 1000 faqe me korrespodenca dhe shkrimet e tij në disa gjuhë. Z.Lamaj, i cili botoi disa libra me vlerë për historinë shqiptare, u mbështet në këtë mori dokumentesh për ta paraqitur më ndryshe Devën në librin e tij “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës” që doli në New York më 2002 dhe u ribotua në Prishtinë më 2022. Tani, me bujarinë e vet të njohur (i dhuroi Arkivit të Kosovës 15 mijë dokumente më 2021) na lejoi që ta botojmë këtë shkrim origjinal të Devës, shkruar me makinë me dorën e vet, si kontribut për një qasje më objektive të figurës së Devës, për çka meriton një diskutim në një konferencë shkencore me rastin e 45-vjetorit të vdekjes.

Në fund, vlen të theksohet se Xh.Deva, i lindur në Mitrovicë më 21 shkurt 1904, nuk arriti të mësojë gjuhën amtare në shkollë, por e kreu shkollimin në serbisht dhe vazhdoi shkollimin duke mësuar shumë gjuhë (serbisht, rusisht, turqisht, gjermanisht, italisht dhe anglisht). Shkrimi është në gegnishte të rrjedhshme që e mësoi në shtëpi dhe e ruajti më vonë në mërgim qoftë në diskutimet ose shkrimet e tij.

Image

Kopertina e librit “Xhafer Deva" të Idriz Lamajit


Periudha prill 1941 - Shtator 1943:

Okupacioni i mbretnise jugosllave nga ana e ushterise germane u kompletue me 17 Prill 1941. Ubas bombardimit te rande te kryeqytetit (Belgradi) qeverija e general Simoviqit me ne krye mbretin Petar II, rishtasi kunorzuem, ishte largue ne Cetinje dhe me 12 Prill mbri ne Ingiltere. Cmimi i "Pucit" te 27 Mars 1941 ishte shpartallimi i nji shteti mozaik perbame prej kombesinave te ndryshme per me u dominue prej hegemonise serbe udhhjekun prej nji mbreti despot...

Ndersa mbretnija jugosllave, administrativisht ishte nda ne 9 Banovina (ne dukje governatorata autonome me kuvenda ne veti etj.*) ne realitet, qeverimi ishte i centralizuem. Me 10 Prill 1941 Kroatet, inkurajuem prej gjermanve dhe italjanve, kishin shpalle okuptjen e tyne prej mbretnise jugosllave, tue perfshi edhe Bosnen, Hercegovinen dhe Dalmacine. Sllovenet, te izoluem dhe te vendosun mos me ndjek shembullin kroat, ishin ne pritje te zgedhjes se problemit tyne. Nji grup te leaderve serb qe ishin burgose nga ana e qeverise se general Simoviqit ( ashtu quejtun germanofila ), Cvetkoviqi, Cincar-Markoviqi, Aqimovigi etj. ishin lirue prej gjermanve dhe me 18 Prill 1941 Aqimoviqi ishte emnue komisar i Serbise. Ne Mqaedhoni dhe Kosove gjendja ishte teper e komplikueme edhe per arsye te pretendimeve toksore te aleatve te Germanise, Italija dhe Bullgarija.

Gjat 23 vjetve te sundimit serb shqiptaret e Kosoves nuk ishin te lejuem me pase qoft edhe nji organizate thjesht shoqnore te tyne, sa me u kujdesue per zgedhjen e problemeve qe i perkitshin kesaj kombesije. Nji mbeshtetje ne qeverine shqiptare te Tiranes nen okupacionin italjan as qe mund te pritej.

Njisinat e ushterise gjermane kishin okupue Mitrovicen me 17 Prill 1941. Shtabi i divizionit gjerman No. 60, quejtun "Danzig" ishte instalue ne kolonine engleze te Mitrovices. Mbas krimevet te shumta rreth e per qark te Mitrovices dhe Vuoiternit (ma se 100 shqiptar te pushkatuem nga ana e cetnikve dhe hjedhe ne lumin Sitnice) cetniket ishin zhduke nga sqena. Presenca e ushterise gjermane ,mirepritun si nga ana e popullates shqip- tare po ashtu edhe prej pakices serbe, po per shkak te mundeshme me prapsue hovin e perparimeve komuniste the me e vue ate ne defenziv. Mirepo, me gjith keto perpjekje pozitive, rrethana qe kishin te bajshin me zhvillime ne sheshin nderkombtar te luftes se madhe ne vijim, pozita e forcave nacionaliste ne Shqipni dite-dites erdhi tue u dobsue. Ky fakt detyroi forcat Kosovare te braktisin vazhdimin e nji luftes ne humbje e siper ne Shqipni, dhe te koncentrohen me te gjitha energjinate e tyne ne mbrojtjen e kufijvet ethnike qe se shpejti pritej te sulmohen si nga ana partizanvet komunist, ashtu edhe te cetave shoviniste serbo-malezeze-maqedhone. Si rrijedhje, qeverija e Rexhep Mitrovices dha dorehjekjen ne Qershorin 1944. Te dy qeverinat e ardheshme te kryesueme prej Fiqri Dines, respektivisht prej Ibrahim Bicakut u formuen pa pjesemarjen e grupit Kosovar.

Xhafer Deva

 

Image

Faqja e parë dhe e dytë e shkrimit të Xhafer Devës