Koncerti i Elina Dunit ka qenë i harmonizuar fort me 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, një lloj homazhi e feste me trashëgiminë shpirtërore të shqiptareve, duke rigjetur thesaret e muzikës. Këngë popullore për lirinë, kurbetin e dashurinë janë thurur në repertor teksa kanë kujtuar edhe ikona si Nexhmije Pagarusha e Muharrem Qena
Ka diçka të magjishme tek Elina Duni në skenë: performancat e saj përherë janë unike, koncertet janë gjithmonë premierë. Jazzi është bota e pakufishme dhe kantautorja e shquar shqiptare ka kohë që e ka gjetur formulën. Njësoj e veçantë ka qenë edhe mbrëmja me të në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Për Dunin, festë e dyfishtë. Të premten mbrëma ka kremtuar 15 vjet në muzikë.
Këngë të vjetra shqipe i kanë shkuar për shtati arsyes së kremtes si shpalosje e trashëgimisë shpirtërore të vendit. Këngë popullore për lirinë, kurbetin e dashurinë kanë sjellë në kujtim figurën ikonike të Nexhmije Pagarushës e Muharrem Qenës në koncertin madhështor me Dunin në vokal bashkë me bendin.
Koncerti i Elina Dunit për nder të Pavarësisë së Kosovës qe paralajmëruar që në fillim të janarit dhe interesimi i publikut është konfirmuar çdo minutë më pranë kohës së paraparë për paraqitjen e saj në skenë. Karrige ndryshe nga të tjerat ishin renditur në rreshtat e fundit të publikut, i cili qe më i madh në numër sesa kapaciteti i sallës “AMC” në Obiliq. Motivet e vetme të festës aty kanë qenë llambadarët e ndriçuar me ngjyrat e flamurit të Kosovës e herë-herë edhe dritat lëvizëse në skenë gjatë interpretimit të Dunit. Nga aty publiku ka soditur kontrabasin e bateritë gjersa është shoqëruar me tinguj të lehtë muzike. Bendin e ka kompletuar kitara e Rob Luft dhe fizarmonika e Gent Rushit nga Tirana, Viktor Filipovski nga Shkupi është pozicionuar në bateri e shkupjani tjetër Kiril Tufekcievski në kontrabas. Grupi interpretues që do të ndizte atmosferën u kompletua kur në skenë është bashkuar edhe Elina Duni. Aty ka nisur loja në këngë e muzikë nëpërmjet së cilës u shënua koncerti madhështor për nder të Pavarësisë. U transmetua direkt, ekskluzivisht në Kohavision.
Interpretimin e ka nisur me këngë kushtuar lirisë dhe e ka vazhduar me ato popullore e folklorike të veshur me ngjyrat e jazzit. Ky lloj i muzikës edhe e bën të veçantë interpretimin e paraqitjen e saj. Skena është hapësira në sallë prej ku rrezaton me energjinë e saj te publiku nëpërmjet vallëzimit e interpretimit. Të njëjtën e ka absorbuar herë pas here nga dashuria që i ka dhuruar publiku nëpërmjet duartrokitjeve, vallëzimit e shuplakave me ritmin e këngës. Nuk është dashur dekor a organizim i veçantë për ta bërë ngjarjen madhështore. E tillë është transformuar që në vargjet e para të këngës që janë transmetuar nëpërmjet vokalit të Dunit.
Në koncert ka interpretuar këngë tradicionale popullore të nuseve të përshtatur mrekullisht në versionin jazz. Loja në vokal me secilin varg të këngës flet për një artiste të vërtetë, që nuk e ka aspak të vështirë të improvizojë aty për aty. Të tillë janë edhe tingujt e kitarës së bashkëshortit të saj Rob Luft – jazz-kitarist, kompozitor e aranzhues – të shthurur dhe si melodi ku nuk përshtatet imagjinata për tingullin e ardhshëm me ato që luhen prej mjeshtrit anglez. Një artiste që ka shkelur skenat e mëdha të muzikës jazz e është rritur larg trevave shqiptare, lë përshtypjen se është orientuar pikërisht nga ato anë. Duni jo veç në Kosovë e Shqipëri, por kudo ku ka interpretuar, në Evropë e jashtë saj, ka promovuar perlat e këngës shqipe. Njësoj kishte bërë edhe në koncertin e nëntorit të vitit të kaluar, në Pejë, në koncertin i cili kishte hapur edicionin e tretë të “Peja Jazz”.
“Hape derën” ka sjellë frymën e këngës iso-polifonike të Shqipërisë së Jugut me interpretimin mjeshtëror në çdo pjesë, duke e ruajtur origjinalitetin e këngës. Kënga “Mora testinë” e bilbilit Nexhmije Pagarusha ka sjellë tradicionalitetin shqiptar të këngës së bukur shqipe. Interpretimi i afërsisë së publikut me “Bareshën” është dëshmuar në çdo koncert e kështu edhe në atë të së premtes, ku ka kënduar njëzëri me Dunin. Interpretimi i këngës “Mallëngjimi” të Muharrem Qenës e ato të Pagarushës kanë qenë edhe homazh për dy doajenët e këngës shqipe.
Ka qenë interpretim delikat dhe emocional, ku paraqitja e saj flet për secilin tingull që e ndjen thellësisht. “Mallëngjimi” që flet për jetën larg vendlindjes dhe mallin për muzikanten e rritur në Zvicër ka edhe ndjesi personale.
“Ka më shumë se 15 vjet që udhëtoj duke kënduar këngën shqipe në botë. Sa herë që këndoj këtë këngë, kam një emocion shumë të madh. Sa herë e këndoj flas për fuqinë punëtore, e cila e ka ndërtuar një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore”, ka thënë Duni.
Këngët shpesh janë përcjellë me shuplaka për t’u bashkuar kështu në ritmin e secilës e për ta bërë atmosferën edhe më gjallëruese. Në fillim të interpretimit, Elina Duni ia ka bërë të ditur publikut se koncerti ishte festë e dyfishtë për të.
“Jam shumë e lumtur dhe e emocionuar që jam këtu për 15 vjetët e Pavarësisë dhe në fakt është gjë shumë interesante sepse këtë vit edhe unë festoj 15 vjet si muzikante. Kështu që unë dhe Kosova festojmë sot”, është shprehur ajo.
Kënga “Kur më del në derë”, ajo popullore tiranase “O moj e vogël” dhe “Kur e përcolla ylberin” kanë ndërthurur ngjyrat e këngës së trevave shqiptare. “Mora mandolinën” ka qenë dozë e shtuar për harmoninë në sallë, ndërsa këngë si “Unë në kodër, ti në kodër” ka sjellë këngën e vjetër shqipe rrallë të dëgjuar.
Ndërthurja e kulturave të tjera me atë shqiptare është shpërfaqur në interpretim të këngës arabe “Lama bada yathana” të shekullit XIII, që, sipas Dunit, është kënga më e vjetër që ajo bashkë me Rob Luft interpretojnë. Shumë prej këngëve përfshihen në albumin e përbashkët të Dunit dhe Luft, “Lost Ships”, që ishte publikuar në nëntorin e 2020-s. Nga aty ku ka interpretuar, Duni ka treguar se kur të gjithë shtetet ishin mbyllur dhe koncertet ishin anuluar për shkak të masave mbrojtëse ndaj pandemisë, kishte mbetur vetëm një derë e hapur, Festivali i Jazzit në Kairo të Egjiptit. Në njohje me kulturën e vendit kishin mësuar edhe këngën arabe.
“Unë dhe Robi bëmë një album dhe vendosëm që ta kishim tourin e albumit në nëntor të 2020-s dhe çfarë kishte atëherë? Asgjë, kaq kishte. Të gjitha koncertet ishin anuluar dhe kishte mbetur vetëm një, në Kairo Jazz Festival në Egjipt. Arritëm atje, nuk kishte shumë maska dhe kishte një koncert. Drejtori i Festivalit na tha të qëndrojmë këtu dhe aty mësuam këtë këngë që është një poezi dashurie e shekullit XIII”, ka treguar Duni, derisa i ka shpjeguar publikut historinë e secilës këngë para interpretimit.
Nga skena shpesh ka bashkëbiseduar me publikun, e ka bërë të qeshë e më pas, bashkë me bendin, e ka elektrizuar me muzikë. Për KOHËN është shprehur e emocionuar të interpretojë në Kosovë, pasi, sipas saj, të rinjtë rigjejnë këngët e vjetra nëpërmjet saj. Koncerti i së premtes ka qenë i pari në të cilin ka interpretuar në Kosovë në një përvjetor të Pavarësisë, por ka festuar vitet e kaluara me shqiptarët në Francë. Koncerti i fundit në Kosovë, ai i Pejës, ka pasur një repertor goxha të afër me koncertin për Pavarësi. “Peja Jazz ishte diçka më intime, salla ishte më e vogël, ishim në duo me Robin. Ishte një përjetim më intim, ndërsa sonte ishte më shpërthyes edhe si interpretim dhe secili ka vlerën e saj dhe të veçantën, pati pak ndryshim në program”, ka thënë Duni, derisa ka bërë të ditur se javët në vazhdim do të mbajë koncert festiv për Pavarësinë në Itali. Në ngjarjen e organizuar në Strasburg të Francës për nder të Pavarësisë do të interpretojë një recital më 22 shkurt si e ftuar prej Ambasadës së Kosovës atje.
Për Rob Luft koncertet para publikut kosovar po bëhen të zakonshme tashmë. Pos në “Peja Jazz”, bashkë me Dunin kishte interpretuar edhe në festivalin e filmave të animuar “Anibar”. Kitaristi e kompozitori ka thënë se muzikën shqipe e përbëjnë këngëtarë e kompozitorë të jashtëzakonshëm. “Është gjithmonë ndjesi e mirë, më pëlqen të luaj këtë lloj të muzikës, ka këngëtarë e kompozitorë shumë të mirë, si Muharrem Qena, Nexhmije Pagarusha dhe është thjesht muzikë e mirë dhe shpresoj ta ndaj me shokët e mi në Angli dhe t’u tregoj për këtë muzikë të bukur folklorike nga ky regjion i Ballkanit”, është shprehur Luft, duke e konsideruar interpretimin e veçantë në përzierje të këngëve folklorike shqiptare me jazz.
Interesimi i publikut për koncertin e së premtes mbrëma ka tejkaluar kapacitetin e sallës “AMC” në Obiliq, që, në mungesë të një të tille të përshtatshme në kryeqytet, është kthyer në hapësirën edhe për ngjarje të tjera kulturore, si ai festiv për nder të Pavarësisë i Filhamonisë së Kosovës dhe i ansamblit të këngëve dhe valleve “Shota”.
Organizatori i koncertit, Kushtrim Dushi, ka treguar se janë shitur 850 bileta, çmimi i të cilave ka qenë 10 euro. Për Dushin, bileta ka qenë e lirë për një artiste si Elina Duni, derisa interesimin e madh e ka vlerësuar rrjedhojë të interpretimit të saj e organizimit të mirë.
“Interesimi ishte shumë i madh, biletat janë shitur tri ditë para koncertit. Prej kur e kemi bërë njoftimin që biletat janë në shitje prej 4 janarit dhe jemi përgatitur thuaja një muaj e gjysmë para koncertit, e patë edhe rezultatin që kanë qenë shumë njerëz. Ka pasur shumë kërkesa dhe më vjen keq për ata që nuk kanë mundur t’i blejnë biletat’, ka thënë Dushi.
Pas koncertit të Elina Dunit, interpretimin me muzikë jazz e funk e ka vazhduar grupi “Soulmate Kasheme”.
Motivet e vetme të festës në skenë kanë qenë llambadarët e ndriçuar me ngjyrat e flamurit të Kosovës e herë-herë edhe dritat lëvizëse. Për pjesën tjetër është përkujdesur Elina Duni bashkë me Rob Luft në kitarë Gent Rushi në fizarmonikë, Viktor Filipovski në bateri dhe Kiril Tufekcievski në kontrabas