Shtojca për Kulturë

“Pranvera ka ardhur herët në Kosovë” dhe shtegu drejt pavarësisë

Rreth 500 përkrahës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestojnë në Rambouillet, më 6 shkurt të vitit 1999, para fillimit të bisedimeve
Rreth 500 përkrahës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestojnë në Rambouillet, më 6 shkurt të vitit 1999, para fillimit të bisedimeve
 

Reçaku doli të ishte një pikë kthese për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s. Siç do të thoshte sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, Reçaku tregoi se “Pranvera ka ardhur herët në Kosovë”. Ajo influencoi në relativizimin e rregullit ndërkombëtar të mosndërhyrjes dhe, bashkë me këtë, edhe u bë pikë kthese për angazhimin ndërkombëtar në luftën e Kosovës. Pa dyshim, ky intervenim ndërkombëtar, përfundoi sipas kushteve të NATO-s: serbët janë jashtë, trupat e NATO-s janë brenda, refugjatët kosovarë në shtëpi, hap shtegun e rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë

Pas rastit në fshatin Reçak (Komuna e Shtimes) më 15 janar 1999, duke marrë parasysh keqësimin e gjendjes, Këshilli i NATO-s vendosi të organizonte një takim të tretë midis Wesly Clarkut dhe Klaus Naumannit nga njëra palë dhe Millosheviqit, nga pala tjetër. Takimi u zhvillua më 19 janar 1999 dhe zgjati shtatë orë. Ndër pjesëmarrësit e tjerë ishin edhe Millutinoviqi dhe Shainoviqi.

Sipas këtij dokumenti (Klaus Naumann, T. 8268-8271, 13 qershor 2006, P1767, para. 30-38: P2512, transkript i prokurorit k. Millosheviqit, Lënda IT-02-54-T, T. 6998-7009) sërish qëllimi ishte të paralajmërohej Millosheviqi që ngjarjet e llojit të Reçakut të mos përsëriteshin më dhe të bindej që të respektonte kushtet e Marrëveshjes Clark-Naumann, respektivisht dispozitat e Marrëveshjes të Tetorit (1998) dhe të bindej që të lejonte Prokuroren e Tribunalit, Louise Arbou, që të hynte në Kosovë dhe të hetonte ngjarjen e Reçakut. Millosheviqit pastaj ia dhanë një listë prej pesëdhjetë incidentesh ku MVK kishte konstatuar përdorimin e forcës së tepruar. Në përgjigjet e tij, Millosheviqi mohoi akuzat për Reçakun dhe akuzoi bashkësinë ndërkombëtare dhe Walkerin se ishin të njëanshëm. Më tej ai bëri kundërpropozime për ardhjen në Kosovës të Louise Arbourit në Kosovë, por kur Clarku e kontaktoi, ajo gjykoi se propozimet ishin të pranueshme, sepse nuk lejohej të hetonte pa kufizime.