Shtojca për Kulturë

Nismëtarja në hapje shtigjesh, gjurmuesja e mistereve

 

E para në shumë fusha, e zellshme në çdo punë që bënte, shembull për gjenerata, do të ishin të tjera epitete për Edi Shukriun, e cila vdiq të martën e kësaj jave, në moshën 72-vjeçare

Do të mjaftonte qoftë vetëm jetëshkrimi i saj, për t’i dhënë qindra epitete. E shumanshme qe veprimtaria e krijimtaria e saj, njashtu sikurse profili i Edi Shukriut. Nismëtarja në hapje shtigjesh të reja në themelim institucionesh, gjurmuese misteresh në arkeologji që ishte vokacioni i saj kryesor, do të ishin vetëm dy prej tyre. E para në shumë fusha, e zellshme në çdo punë që bënte, shembull e inspirim për gjenerata, do të ishin të tjera epitete për Edi Shukriun, e cila vdiq të martën e kësaj jave, në moshën 72-vjeçare. Se qe arkeologia e parë, akademikja e parë, por edhe autorja e parë e cila qysh në vitin 1972 botoi vëllimin poetik “Sonte zemra ime feston”, janë disa të dhëna të tjera të biografisë së saj.

Vdekja e Shukriut u konsiderua humbje e madhe për shumë fusha në të cilat ka dhënë kontribut të vazhdueshëm, përfshirë arkeologjinë, letërsinë, antropologjinë, politikën, si dhe aktivizmin për të drejtat e njeriut.