Shtojca për Kulturë

Të shpallët e pamvarsisë

Descriptive Text

Tetuer 1912. Të katër Pushtetet balkanike: Mal i Zi, Serbi, Bullgari e Greqi i kishin shpallë luftë mbretnisë othomane e gjatë gjithë kufinit po sulmojshin, ku mâ shumë e ku mâ pak, me fitime. Ushtrija sërbe i ka thyem tyrqit në Kumanovë dhe ka nisun me përparuem pa mundime të mëdhaja. Vetë Kumanova âsht shqiptare e as Sërbt as Malazezt kurrkund s’kanë ku me vûmë kâmbë jashta vêndit të vet veçse në tokë shqiptare. Patrijotët e Shqipnisë, ndërmjet nji angështije dërmuese e shpresash t’âmbla por fort të zbeta për fatin e atdheut të tyne, kishin nisur qyshë ditën qi plasi lufta me lëvizun. Në krye ishin beglerët, dirigjentat e popullit shqiptar n’atë kohë. Mâ aktivët ndër ta ishin beglerët e Vlonës e Toptanët e Tiranës. Aty-këtu grupe të vogla e të dame intelektualësh pa influencë mbi turmat. Përjashtë kolonitë shqiptare në Boston, Kajro e Bukuresht, si dhe Arbreshët e Italisë.

Por ç’duhej bâmë e ç’mund të bâjshin Shqiptarët n’ato çase vendimtare? Cila ishte interesa reale e kombit? Ky gjindej, pa metaforë, përpara dilemës hamletjane: me qênë a mos me qênë! Balkanasit kishin hymë në luftë hajsmi për me shpëtuem nga salvimet e Tyrqet, vëllaznit slavë e grekë ende nën zotnimin othoman. Por me të vërtetë, po t’u ecte puna mbarë, ata kishi ndër mênd zgjânimin e pronave të tyne deri ku të mundshin. E Shqipnija, gjeografikisht, vinte mû në ballë të vêndevet qi ato lakmojshin. Prandej, për Shqiptarët me mênd në krye rruga për t’u ndjekun ishte nji e vetme: me përsritun gjestet e Lidhjes së Prizrenit 34 vjet mâ parë, d.m.th. me u shtrënguem n’armë e me luftuem kundra mvatorëvet, mundsisht mbë vete e si aljatë të Tyrqet, por në fund të fundit edhe si pjesë e ushtrisë othomane.

Veçse ksi hovi rrethanat ushtarake, politike e psykologjike kishin ndërruem faqe e natyrë sa nata me ditë me ato të 1878-s. Aso here anmiku i madh, Rusija, ishte larg tokës shqiptare e nuk e shkeli asnji herë këtë; Shqiptarët patën ngé me u mbledhun e çëmbldhun, me u matun e shmatun, me u menduem e këshilluem shoq me shoq qyshë prej skânjeve të Veriut e deri te skânjet e Jugës pa i pyetun kush se ç’po bâjshin e ku po vejshin; mundën me u organizuem e armatisun ndër sytë dashamirë të pushtetevet othomane, ne mos në fillim; s’patën përballë për t’i qëndruem me armë veçse nji Mal të Zi. Kurse tashti lufta kishte zânë në gjumë jo vetëm Shqiptarët, por gati edhe vetë qeverinë tyrke e me të tânë furin’e vet gjatë gjithë kufije të Shqipnisë prej Taraboshit në Ku- manovë n’Epir.

Shqiptarët porsa kishin dalë prej nji revolucjoni katërvjeçuer kundra Portës së Naltë e ksaj s’i kishte mbetun besim në ta, jo vetëm për me thërritun unji nën armë, por as me përdorë në ballë të luftës ato pak bataljone qi ndodheshin n’ushtrin’ e saj për shërbimin e zakonshëm ushtarak si nënpushtetas të Sull- tanit.

S’kishin pra Shqiptarët fé mundësije as me organizuem nji mburesë autonome kundër sulmit të furishëm e të fuqishëm t’anmikut shumë herë mâ të fortë për numër e për mjete, as me bashkuem forcat e tyne me ato të mbretnisë: në krahasim me anmiqt ishin nji popull i vogël e pa kurrfarë ndihme të përjashtme, u mungonte koha për me u përmbledhun e organizuem, u mungonte nji armatim i përshtatshëm e u mungonte besim’i qeverisë e i ushtrisë turke.

Mund t’i vijë ndër mênd ndokujt me thânë se ndoshta do të kishte pasun ndonji farë gjase qi Shqiptarët t’u merrshin vesht me anmiqt

vetë, me fqinjët e Balkanit, si aljatë... nënurdhnorë. Asnji mundsi! Do të kishte qênë vetëm nji tentativë e turpshme si ajo e nji grigje me ukun qi i âsht vërsulë me e premë. E cilido Shqiptar qi t’a kishte tentuem nji diplomati fantastike të tillë, edhe me mâ të mirin vullnet nuk do të kishte fituem tjetër veçse vulën e tradhtisë në ballë ndër syt’e bashkatdhetare të vet qyshë në fillim, jo se mâ si t’ishin pamë përfundimet negative. Vetëm nji pjesë e vogël e popullsivet shqiptare u gënjye e e bâni këtë provë t’idhët, e aqë mâ fort âsht për t’u mjeruem për të, pse ajo popullatë qi u gënjye e muer këtë rrugë të keqe qe shi nj’ajo qi motmot parandej pat kuqun Cemin e shkrepat e Malsisë së Madhe me gjakun e vet për liri të Shqipnisë: Malsorët e Mbishkodrës. Këta të bekuem, pa pyetun saku me u kshillue me të parët e vet të cilsuem në Shkodër, votën e i besuen Kral Nikollës në Cetinë se po ishte tue luftuem për lirin’e Shqiptaret!

Jo, Shqiptaret s’u kishte mbetun asnji tjetër n’ato rrethana tragjikisht të vështira posë nj’asaj qi zgjodhën parija e tyne kudo qi qênë, e si të kishin pasë bâmë kuvênd bashkë: rrugën e apelit pranë Pushteteve të mëdhâ a disave prej tyne qi aso kohe kishin mâ tepër interesë me përkrahun të drejtat e kombit shqiptar. Mâ të parët qi e ndoqën kët’ udhë qenë nji grup i vogël intelektualësh kosovarë, qi e kishin rrezikun shi përpara syvet, bashkë me Midhat Frashërin qi ndodhej atëherë në Shkup si mbiqyrës i qeverisë othomane për zgjedhjet parlamentare qi do t’u bâjshin. Ata u dhanë konsullatave të Pushteteve ta mëdhâ nji shkresë me të cilën i bâjshin me dijtun këto pushtete nëpër konsullatat e veta se Shqiptarët nuk do të njihshin asnji cëni të të drejtave të tyne si komb.

Në qytetin e vogël të Durrësit në breg t’Adriatikut, n’atë Epidamnos piktoresk të Helene të motshëm, n’atë Dyrrachium të shkëlqyeshëm t’antikitetit qi i ka pasë shërbyem aristokratisë romake për vênd verimi e pushimi e qi tash s’ishte veçse nji burgatë e keqe orjentale, baritshin posht’e përpjetë nëpër rrugat e përbaltueme tuba fshatarësh të Shqipnisë së mesme me hapa të rânda qi paraqitshin nji kundresht të çuditshëm me uniformën kaki të porsaveshun: ishin elemente të të nji bataljoni territorjalësh të vûmë prej pushtetevet othomane nën ko- mandën e Hamid beg Toptanit për sigurimin e vêndit. Nji ditë vijnë n’atë qytet dy Toptanë tjerë, Avdi e Refik begu. Ishin të shoqnuem prej Midhat Frashërit, Salih Gjukës, Bedri Pejanit e Rexhep Mitrovicës, i njajti grup i Kosovës për të cilin folëm pak mâ parë e qi porsa kishte mbërrimë në Tiranë. Kërkojnë e gjêjnë Mustafa Krujën me katër shokë tjerë, Dr. Neki Libëhovën, Stefan Kaçulinin, Mahmud Beshirin dhe Salih Nivizën, e të gjithë ven’e mblidhen në kryepeshkopinë katholike të vêndit. Atje i priste nji patrijot i madh, Nikollë Kaçorri, ndihmës i kryepeshkopit.

Çilet bisedimi me nji analysë të gjêndjes politike e ushtarake në bazë të lajmevet qi kishin secili. Avdi beg Toptani këndon nji letër qi kishte marrë prej Syreja beg Vlorës, me të cilën ai sugjeronte mbledhjen e nji kuvêndi kombtar sa mâ shpejt dhe lajmonte se kishte nisun për Vjenë të birin, Ekrem begun, qi të përpiqej me fituem ndihmën e asaj qeverije për pamversinë e tânsinë toksore të Shqipnisë. Përmbajtja e ksaj u bâ objekti kryesuer i bisedimeve të mbledhjes. Ideja e nji kuvêndi kombtar u pa krejt e arsyeshme e, mb’anë tjetër, ishte edhe në mënden e të gjithe. Por sendërtimi i saj dukej praktikisht i pamundshëm. Sepse ndër qytetet e Shqipnisë sundojshin ende pushtetet othomane, e mb’anë tjetër s’do t’ishte Kuvênd’i Shqiptaret qi do t’a ndalte vrapin e trepavet sërbe kah brigjet e Adrijatikut. Për këto arsye, mbledhjes nuk i a muer mêndjame i a hymë ksaj pune. Por, tue mos mundun me marrë masa qi t’i përgjigjeshin mâ mirë situatës, dau me kshilluem gjithë bashkitë e Shqipnisë ende të pashkeluna prej anmikut qi të dilshin me e pritun këtë përjashta qytetevet n’emën të popullit të vêndit paqsishte me fla- murin shqiptar në dorë si mysafir në tokën e nji Shteti asnjanës qi s’kishte mâ të bânte me Tyrqinë.

U bisedua mbasandaj për nji thirrje Pushteteve të mëdha. Kjo s’kishte si me u bâmë veçse tinzishtme anën e konsullatave të tyne. Mirpo aso kohe vetëm Astro-Hungarija e Italija kishin konsullata në Durrës, prandej vetëm këtyne të dyjave mund t’u bâhej thirrja. Por mbasi s’mund t’u bâhej të gjithave, u hoq edhe Italija, e cila n’ato kohna s’kishte dijtun me u frymzuem Shqiptaret besim për nji dashamirsi të çinteresueme. Kështu u vendos me i dërguem nji shkresë vetëm qeverisë austriake tue i a adresuem fill perëndorit Franz-Joseph I.

Asht tepër interesant këtu, nga shumë pikëpamje, me përmëndun nji hollsi të bisedimit mbi përmbajt- jen e letrës qi po shkruhej për mbretin e Astrisë. Qe deshir’i mbledhjes qi të tregohej edhe se si e mendojshin dërguesit e asaj letre formën e përtardhmen e Shtetit të tyne. Të gjithë u bashkuen në nji mendim qi Shqipnija duhej t’ishte nji Shtet federativ si Helvetija e Shtetet e Bashkueme t’Amerikës së Veriut. Por nji prej shokësh të mbledhjes shtron përpara nji mendim të ri, t’arsyetuem me nji realizëm e nji logjikë turbulluese: “Nji Shqipni qi ka rruem katër shekuj e gjymsë nën nji sundim barbar e qi për këtë shkak gjindet sod n’ato kushte shoqnore e ekonomike qi dijmë të tânë, për mâ tepër rrethuem gjithandejme fqìj të panginjëshëm”, thotë Salih Gjuka, “nuk mundet me u bâmë përnjiherë Shtet mbë vete edhe me jetuem e përparuem pa ndihmën e projën e nji Pushteti të madh dashamirë!” E proponon qi duhej kërkuem prej monarqisë austro-hungare qi shteti shqiptar të vêhej nën projën e saj deri qi të bâhej i zoti me qëndruem mbë kâmbët e veta. Nji Shqiptar mysliman po deshironte, jo vetëm me e shkëputun vêndin e vet prej zotnimit të sulltanit kalif, por edhe me e shtimë nën hijen e perëndorit “fort katholik” t’Austro-Hungarisë. E kush âsht i pari qi e kundërshton? Prifti katholik Nikoll Kaçorri, i cilli do t’ishte gati me pranuem për nji Shqipni “autonome” mâ parë projën e perëndorisë othomane, “qikështu arsyeton Kaçorri - pa dyshim s’do të kishte mâ nji jetë të gjatë e me dekën e saj Shqipnija do t’a kishte të sigurtë pamvarësinë e plotë”. Mbledhja tek e mbramja, e la mënjanë kët’ aspekt të problemës shqiptare. Rândsij’e bisedimit të saj qe vetëm fakti qi vûni n’evidencë në nji rasë aqë konkrete se te patrijoti intelektual shqiptar ndienja e ideja e kombsisë qëndronte përmbi ato të fesë.

Por nji tjetri i a kishte pasë ruejtun fati lumninë e lavdinë me e lidhun të pandashëm emnin e vet me pam- varsin’e kombit shqiptar: ai ishte Ismail bej Vlora, i quejtun përgjithsisht me emnin Ismail- Kemal, siç njihej në mbretninë othomane. Pa prit’e pa kujtuem, bashkij’e Vlonës merr me 27 tetuer nga Vjena prej tij këtë telegramë: “Me vaporin e parë jam aty. E ardhëshmja e Shqipnisë âsht siguruem. Ju porosis qi, tue pasun besim në fatin e atdheut, të punoni si vllazën, të merreni me rregullimin e pune të përgjithëshme e të rueni qetsinë. Epnu rrethevet lajmin e gëzueshëm. Ju falem të gjithe atnisht. Ismail- Kemal”.

Ky sihariq i atij burri të madh qi kishte lemë për t’u ngritun n’altarin e tempullit t’atdheut shqiptar, përhapun në të katër anët prej Vlonjatet, freskoi zêmrat e pikllueme të gjithë patrijotet qi e ndigjuen. Por Ismail- Kemal nuk mbërrini aqë shpejt sa pritej dhe nuk duel në Vlonë, por në Durrës. Kishte me vete mikun e bashkpuntorin e pandashëm të tij, Luigj Gurakuqin, dhe disa patrijotë nga kolonija shqiptare e Rumanisë si Dhimitër Beratin etj.

I pritën në molë Hamid beg Toptani me nji tubë patrijotësh intelektualë të Durrsit. Ndër syt’e këtyne dukeshin si Mesija qi kishte ardhun me shpëtuem vêndin, i shoqnuem nga apostujt e tij. Pushtetet othomane të vêndit pa dyshim ishin të lajmuem për misjonin madhështuer sa dhe të vështirë e të rrezikshëm qi ai kishte ardhun me kryem, por s’u vinte kurrgjâ për dore me bâmë kundra tij, qi me gjithë shokë gjindej nën projën e sigurtë të bataljonit territorjal shqiptar. Ismail-Kemali u tfilloi imtisht patrijote të mbledhun rreth tij qëllimin e vet e masat qi duheshin marrë për t’i dalë në krye: do t’i lëshohej menjiherë gjithë bashkive të Shqipnisë ende të pashkelun prej ushtrive të beslidhune balkanikë zâni me zgjedhun e dërguem përfaqsuesat e tyne për t’u mbledhun në kuvênd kombtar në nji skelë t’Adrijatikut qi do të shënohej. Kuvêndi Kombtar do të shpallte pamvarsin’e kombit e do të zgjidhte nji qeveri të përkohshme. Ai s’kishte dyshim se pamvarsija shqiptare di të njihej prej Pushteteve të mëdha e Vjena dhe Roma e kishin siguruem se nuk do t’i lêjshin beligjerantat me e shkelun nji zonë kufizueme ku do të vendosej Kuvênti Kombtar e qeverij’e përkohshme e Shqipnisë së lirë. Duhej veç me e shpejtuem mbledhjen, në mënyrë qi të mûjshin me marrë pjesë në të sa mâ shumë vise të Shqipnisë. Por ku do mblidhej Kuvêndi Kombtar? Vjena e Roma kishin porositun për nji qytet në breg t’Adrijatikut për shumë arsye praktike në lidhje me luftën që po zhvillohej. Pra Durrësin ase Vlonën. Prej këtyne dy skelave u pa mâ me vênd Vlona. Viset rrethepërqark Durrësit ishin të banueme prej myslimanësh fanatikë, të cilët, të lidhun shpirtnisht me kalifatin e Stambollit e tue mos i dhânë dum ende gjêndjes kritike në të cilën ndodhej mbretnija othomane, nuk do t’a pritshin mirë nji kryengritje të hapët kundër saj. Komandar’i bataljonit territorial të Durrësit, Hamid Toptani, nuk merrte asnji përgjegjësi për njerëzit qi komandonte, të gjithë banorë t’asaj zone, kur do t’a merrnin vesht se Shqipnija po i bie mohit sulltanit kalif. Ndryshe ishte popull’i krahinës së Vlonës. Ndonse mysliman edhe ai liberal, e kishte nji zgjueti politikr mâ të gjanë. Prinjësi i atje vetë ishte nji beg i atij vëndi, pra i njohun e i ndëgjuem mâ fort atje se në Durrës. Mâ në funt, kabla telegrafike me Evropën atje e kishte kryet e për tê do të kishte nevojë të domosdoshme qeverij’e re.

Për të tana këto arsye, Ismail-Kemali vendosi me e thërritun Kuvêndin Kombtar në Vlonë. Por ftesat i u derdhën gjithë Shqipnisë telegrafisht nga Durrësi me porosi qi delegatët t’u nisshin menjiherë për Vlonë.

Puna në Durrës tashmâ ishte kryem. Ismail-Kemali me ata shokë qi kishin ardhun me tê e me përfaq- suesat e bashkivet mâ t’afravet, si Durrësi, vetë, Shjaku, Kruja. Tirana e kush tjetër mundi me mbërrimë në Durrës a me dalë para mbi udhën Durrës-Vlonë, u nis. Rruga kryesore kalonte nëpër qytetin e Lushnjes. Por patrijotët e këtij qytetti, tue marrë vesht se pushtetet othomane të vêndit kishin pasun urdhna eprorë e po përgatiteshin me rreshtuem Ismail-Kemalin me të gjith shoqnin’e tij, lajmuen me kohë e kështu u muer nji tjetër udhë pa kaluem nëpër Lushnje.

Pritja qi i bâni Vlona bashkqytetarit të madh qe madhështore, enthusjaste, e përmallueshme. Jo mâ si në Durrës nji grusht patrijotë nën projën virtuale të nji bataljoni qi në të vërtetë për tjetër qëllim ishte atje, por krejt popullsij’e qytetit e deri parì e përfaqsì katundesh kishin mbushun rrugat e qytetit për me pritun e brohoritun të parin kryetar t’ardhëshëm të Shtetit shqiptar të rilindun mbas 444 vjet robnije. S’ka atje asnji zyrtar tyrk. Shef’i admin- istratës, nënprefekti, nji Shqiptar nga Berati, âsht bashkuem përvûeshëm me popullin, forca e sigurimit me gjithë komandarin e vet mbë krye, shqiptare edhe ajo, përshëndet plakun e thinjun me të njâjtat nderime qi do t’i bânte mbas pak ditsh si kryetar i kombit. Në çdo anë buçiste nga krahanorët e turmës klithma “Rroftë Shqipnija, rroftë Ismail-Kemali!” Popull’i Vlonës po e shpallte shlirimin e atëdheut pa pritun vendimin e Ku- vëndit Kombtar, me zâ t’unjishëm e të drejtpërdrejtë si Athinasit e Romakët e hershëm.

* Mustafa Merlika-Kruja (1887 - 1958) ka qenë njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Kur Shqipëria ishte nën okupimin e Italisë, prej dhjetorit të vitit 1941 deri në janar të vitit 1943, ka qenë kryeministër i Shqipërisë. Ky material është bërë publik nga Bashkim Merlika me shënimin “Këto faqe i ka shkrue e shtype me maqinë babai im Mustafa (Merlika) Kruja në Nigara Falls, N.Y. (SHBA) në vjetin 1957”