Shtojca për Kulturë

Rruga e zhvillimit të gjuhës letrare shqipe në Kosovë

Anët pozitive të pangegërishtes, siç na del te autori i saj, duken sheshazi te elementet që e bëjnë atë shumë të afërt me koinenë jugore, në plan të drejtshkrimit, në fushën e fonetikës, të gramatikës e të fjalëformimit
Anët pozitive të pangegërishtes, siç na del te autori i saj, duken sheshazi te elementet që e bëjnë atë shumë të afërt me koinenë jugore, në plan të drejtshkrimit, në fushën e fonetikës, të gramatikës e të fjalëformimit
 

Disponimi pozitiv i të gjithë faktorëve për ta zgjidhur drejt gjuhën letrare shqipe, entuziazmi i të gjitha kategorive që atë të shtien në përdorim, guximi i madh i të gjithëve ta shkruajnë e ta flasin atë, janë garanci se procesi i përhapjes dhe i zotërimit te gjuhës letrare shqipe, në fazën e saj të dytë, do të bëhet me një ritëm shumë më të shpejtë sesa mund të mendohet

Rruga e derisotme e zhvillimit të gjuhës letrare shqipe ndër shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi, ka pasur etapat e saj që janë njëkohësisht etapa historike të popullit shqiptar.

Procesin e pandërprerë të zhvillimit të gjuhës letrare, që mund ta quanim histori të gjuhës letrare shqipe, do ta ndanim në dy periudha të mëdha, në periudhën parakombëtare, atë para Rilindjes, që përfshin shekujt XVI-XVII dhe fillimin e shekullit XIX ndërsa etapa e dytë e historisë së gjuhës letrare shqipe nis me gjysmën e dytë të qindvjetëshit XIX e arrin deri në ditët tona. Këto periudha dallohen nga një varg veçorish te karakterit gjuhësor e historik.