Shtojca për Kulturë

Rugova në dosjet sekrete: “Karrierist negativ”, “patriot i guximshëm”

Në vitin 1981, për herë të parë Sigurimi i Shtetit Shqiptar kishte arritur të siguronte informacionin se Ibrahim Rugova kishte shfaqur kritika ndaj regjimit të Tiranës zyrtare dhe pozitës së vështirë në të cilën ndodheshin krijuesit e artit, të kulturës dhe të shkencës në Shqipëri
 

Mbase të revoltuar me vlerësimet kritike që Ibrahim Rugova mbante edhe publikisht prej vitesh lidhur me krijimtarinë e real-socializmit në Shqipëri, e shtyjnë oficerin e Sigurimit të Shtetit që lidhur me Rugovën menjëherë të jepen vlerësime me tone negative. Në dokumentin sekret njëherazi jepet ky qëndrim spekulativ: “Njerëzit që e njohin nga afër thonë se është shumë karrierist dhe shumë negativ”. Është e kuptueshme se vlerësimi i lartshënuar ishte rezultat i informatave që do të vinin nga Sigurimi i Shtetit. Ky konstatim konfirmohet edhe nga dokumenti i 21 korrikut 1985, që ishte hartuar nga punëtori operativ, për figurën e Rugovës, në të cilën flitej me tone superlative. Ndër të tjera, në këtë dokument shkruante: “Doktor Ibrahim Rugova, një poliglot, estet, kritik letrar, njeri i punës dhe i penës, i cili, edhe pse i ri nga mosha, çmohet shumë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në qarqet letrare dhe në radhët e intelektualëve”

Ibrahim Rugova edhe nga autoritetet shqiptare konsideroj studiues i talentuar dhe një “përkrahës i rrymës moderniste në letërsi që krijohej në Kosovë e në përgjithësi në Jugosllavi”, prandaj ai nuk shprehte ndonjë konsideratë për letërsinë e realizmit socialist. Rugova i takonte korpusit të njërit prej shkencëtarëve të formatit të madh, i cili, siç do të thoshte kritiku letrar Ramadan Musliu, inauguronte vetëdijen mbi vlerën e traditës, siç do ta quante ndryshe medievisti dhe linguisti Dmitry Likhachov “memorien letrare” të kombit.

Në vitin 1981, për herë të parë Sigurimi i Shtetit Shqiptar kishte arritur të siguronte informacionin se Ibrahim Rugova kishte shfaqur kritika ndaj regjimit të Tiranës zyrtare dhe pozitës së vështirë në të cilën ndodheshin krijuesit e artit, të kulturës dhe të shkencës në Shqipëri.