Shtojca për Kulturë

Farosi – nga vendbanimi ilir deri te municipiumi romak

Kohë më parë doli nga shtypi monografia e autores Jasna Jeličić Radonić – “Faros, rimski grad – Pharos, The Roman Sity”, IV, Književni krug, Split, Fakultet hrvatskih studija Sveučilišta u Zagrebu, Dominikanski samostan sv. Petra Mučenika Stari Grad, Split 2021, 235 faqe – për njërin ndër qytetet më të lashta e më të rëndësishme ilire i cili ka luajtur rol të rëndësishëm si vendbanim i lashtë ilir, pastaj koloni greke dhe në fund si municipium romak

Në kuadër të veprimtarisë së vet botuese, shtëpia botuese “Književni krug” e Splitit në Kroaci para disa muajsh ka botuar monografinë e autores Jasna Jeličić Radonić, “Faros, rimski grad-Pharos, The Roman Sity”, Split 2021.

Monografia është botuar në mënyrë paralele në gjuhën kroate dhe në atë angleze, ka gjithsej 235 faqe dhe është e ndarë si vijon: pas pjesës hyrëse: Predgovor, Uvod-Introduction (Parathënie, hyrje), pasojnë kaptinat: Pregled dosadašnjih istraživanja rimskoga grada – A review of previous researches into the Roman city (Pasqyra e kërkimeve të deritashme të qytetit romak), Povijesni okvir Rimskoga carstva – The Historical framework of the Roman Empire (Pasqyra historike e Perandorisë Romake (fillimi i Perandorisë, Perandoria Romake gjatë shekullit III, Perandoria Romake në antikitetin e vonë), Rimska osvajanja ilirskih područja i Farosa u povijesnim izvorima-The Roman conquests of the Illyrian lands and of Pharos in historical sources (Pushtimet romake të trojeve ilire dhe të ishullit Faros në dritën e burimeve historike (pfemizma e Farit, monedhat romake të kohës së Republikës), Arheološka istraživanja u jugoistočnom dijelu grada, Insula I i II-Archaeological excavation in the south-east part of the city, Insula I and II (Kërkimet arkeologjike në pjesën juglindore të qytetit – Insula I e II), Arheološka istraživanja u sjevernom dijelu grada, Insula s rimskim mozaicima – Archaeological excavation in the northern part of the city, The Roman Insula with Mosaics veneration of deities (Kërkimet arkeologjike në pjesën veriore të qytetit, Insula me mozaikë romake), Tragovi sakralne arhitekture i štovanje božanstava – Trace of Religious architecture and the veneration of deities (Gjurmët e arkitekturës sakrale dhe nderimi i hyjnive), Rimske nekropole i nadgrobni spomenici – Roman necropolises and funerary monuments (Nekropolat romake dhe monumentet mbivarrore), Kasnoantička povijesna slika, Sjeverni bedem kasnoantičkog grada, Ostava kasnoantičkog novca – The Historical picture of Late Antiquity (Pasqyra e historisë së antikitetit të vonë, Muri verior i qytetit të antikitetit të vonë, Thesari i monedhave të antikitetit të vonë), Ranokršćanska arhitektura – Early Christian architecture (Arkitektura e krishterimit të hershëm), Urbanizam rimskoga Farosa – Town planing of Roman Pharos (Urbanizmi i Farosit romak) dhe në fund janë: Zaključna razmatranja – Conclusion (Përfundimi), Lista e literaturës, Treguesi i emrave dhe Treguesi i emrave gjeografike.

Monografia “Pharos, rimski grad (Pharosi, qyteti romak)” është pjesa e tretë e rezultateve të hulumtimeve të vazhdueshme shumëvjeçare arkeologjike e historike të së kaluarës së Pharosit dhe së bashku me dy monografitë e botuara më herët (Jasna Jeličić Radonić, Miroslav Katić, Faros, osnivanje antičkog grada, “Književni krug”, Split, Fakultet hrvatskih studija Sveučilišta u Zagrebu, Dominikanski samostan sv.Petra Mučenika Stari Grad, Split 2015, dhe Jasna Jeličić Radonić, Hermine Göricke-Lukić, Ivan Mirnik, Faros, Grčki, grčko-ilirski i rimski novac, Književni krug, Split, Fakultet hrvatskih studija Sveučilišta u Zagrebu, Dominikanski samostan sv.Petra Mučenika Stari Grad, Split 2017), e kompleton historinë e njërit ndër qytetet më të lashtë në bregdetin lindor të Adriatikut, Pharos, të cilin e kishin themeluar në shekullin IV para erës sonë kolonizuesit e ardhur nga ishulli grek Paros me ndihmën e Dionisit të Sirakuzës, pas shumë luftimeve kundër popullatës indigjene ilire, por pas ndërprerjes së ndihmës së Dionisit, Pharosi ishte pushtuar dhe sunduar nga ilirët vendës dhe duke u bërë pjesë e Mbretërisë Ilire, gjë të cilën e dëshmojnë rifarkimet e monedhave greke dhe shndërrimi i tyre ne monedha ilire si dhe monedhat ilire të prera në punëtorinë monedhëprerëse të Pharosit me emra të sunduesve ilirë: Jon, Balej dhe Dhemetri i Farosit. Pas pushtimit romak të trojeve ilire, respektivisht pas disfatës së Dhemetrit të Farosit, ishulli dhe qyteti Pharos ranë në vitin 210 para erës sonë nën sundimin e romakëve, popullsia romake e kishte vërshuar ishullin dhe qyteti Pharos e kishte fituar statusin e municipiumit romak. Me ardhjen e romakëve, qyteti i ndërtuar në tokën dhe mbi themelet ilire sipas rregullave urbanistike greke ishte zhvilluar në mënyrë të hovshme duke i pranuar elementet e kulturës dhe rregullat urbanistike romake.

Image
Monografia “Pharos, rimski grad (Pharosi, qyteti romak)” është pjesa e tretë e rezultateve të hulumtimeve të vazhdueshme shumëvjeçare arkeologjike e historike të së kaluarës së Pharosit dhe kompleton historinë e këtij qyteti, ndër më të lashtit në bregdetin lindor të Adriatikut

Fillimet e gërmimeve arkeologjike në pjesën romake të qytetit

Për një kohë të gjatë historia romake e Farosit ka qenë nën hijen e Pharosit greko-ilir, meqë gjetjet e periudhës romake ishin të rastit e sporadike si monumentet mbivarrore me mbishkrime latine, pastaj pjesët e skulpturave e relieveve, elementet e skulpturës arkitektonike, disa mozaikë dhe stoli nga varrezat e romakëve (gema, stoli të ndryshme, urna e balsamarie), të cilët janë ruajtur nëpër institucione e koleksione të qyteteve të ndryshme (Zagreb, Zarë, Split dhe në Manastirin e urdhrit Dominikan në Stari Grad) dhe pa të dhëna të plota mbi vendin e kohën e gjetjes dhe reliktet e pakta arkitektonike dhe mbetjet e mozaikëve romake.

Vetëm në vitin 1979 kishin filluar hulumtimet dhe gërmimet arkeologjike në bazë të gjetjeve sporadike të rastit dhe të relikteve arkitektonike në lokalitetin Stari Grad dhe pastaj afër kishës së Shën Gjonit (Svetoga Ivana) me ç’rast janë gjetur mozaikët romake dhe komplekset banesore nga periudha greke, të cilët kishin qenë të adaptuara dhe të përdorura gjatë periudhës romake.

Vlen të përmendet fakti se emri Pharos tek autorët antikë paraqitet në dy trajta: Pharia (në shkrimet e Plinit), i cili si duket është përdorur si emër i tërë ishullit dhe Pharos, i cili është pranuar si emër i tërë ishullit dhe i qytetit.

Gjatë periudhës së antikitetit të vonë Pharosi bëhet qendër krishtere e pas kësaj edhe qendër dhe seli e peshkopëve duke ruajtur në vete vazhdimësinë urbanistike të vendbanimit të lashtë antik.

Reliktet antike në Stari Grad janë përshkruar qysh në shekullin XVI dhe përbëheshin nga mbetjet e godinave të mëdha, shtatoret e dekoruara dhe pjesët e dyshemeve prej guri me paraqitje figurale të kafshëve të ndryshme. Gjatë shekullit XIX kishte filluar mbledhja e tubimi i gjetjeve të rastit dhe krijimi i koleksioneve private nga ana e Petar Nisiteo dhe Shime Lubiq, i cili e kishte lokalizuar Pharosin antik në Stari Grad e jo në Hvar siç mendohej deri atëherë.

Ishte i njohur edhe koleksioni i avokatit të pasur Ivan Antun Botteri, ndërsa mbishkrimet latine i kishte publikuar prifti Don Frane Bulliq e kontributin e tij në hulumtime arkeologjike e kishte dhënë edhe arkeologu Gërga Novak.

Zbulimet greko-ilire, posaçërisht mbishkrimet e monedhat si dhe substratin protoantik të vendbanimit romak e ka studiuar profesori Duje Rendiq Mioçeviq.

Monumentet antike të zbuluara në Stari Grad i ka përshkruar Mlladen Nikollanci duke i përfshirë edhe ato që ruheshin në manastirin e dominikanëve.

Më vonë profesori Marin Zaninoviq e ka gërmuar një objekt ekonomik në Kupinovik me ç’rast e kishte gjetur një mbishkrim teksti i të cilit dëshmon që vendbanimi romak e kishte gëzuar statusin e municipiumit. Hulumtimet arkeologjike pastaj i kishin vazhduar Branko Kirigin dhe Niksha Petriq.

Gjatë punimeve në konservimin e relikteve të kishës së Shën Gjonit në Stari Grad kishin filluar edhe hulumtimet sistematike arkeologjike të vendbanimit romak.

Historiku i ishullit dhe i qytetit Pharos në bazë të dokumenteve dhe të gjetjeve arkeologjike

Përshkrimet e ngjarjeve të rëndësishme historike datojnë nga fillimet e intervenimeve ushtarake romake në Ilirik kundër Mbretërisë Ilire në kuadër të së cilës ishte Farosi nën udhëheqjen e Dhemetrit të Farosit, i cili ishte legat i mbretit Agron. Këto ngjarje i kishin përshkruar në veprat e veta Polibi, Apiani, Dion Kasi dhe autori bizantin Zonara.

Mbreti Pleurat kishe filluar e i biri i tij Agron, pos territoreve bregdetare i kishte pushtuar edhe pjesët e Epirit, ishullin Korkyra, Epidamnin e Farosin dhe i kishte vendosur ekuipazhet ushtarake. Në kohën e mbretit Agron romakët kishin filluar luftërat kundër ilirëve duke i sulmuar nga pjesët kontinentale por edhe nga deti dhe e kishin shkatërruar Farosin në vitin 219 sipas Polibit. Pas vdekjes së Agronit, Farosin e sundonte Dhemetri i Farosit, ilir ky nga Fari, i cili kishte kaluar në anën e romakëve, por më vonë ilirët e kishin pushtuar përsëri Farosin, gjë të cilën e dëshmojnë emetimet e monedhave ilire në Faros dhe në Issa më emër të mbretit Balej dhe me emra të pasardhësve të tij në averse të monedhave.

Image
Monedha e Demetrit të Farit (260-213 p.e.s.) guvernatorit e udhëheqësit ushtarak të Farit gjatë sundimit të mbretit ilir, Agron i cili e tradhtoi mbretëreshën Teutë, ua dorëzoi Farin romakëve dhe e vendosi pushtetin romak në ishull

Dokumenti i quajtur “Pfemizma e Farosit” mban teksti i cili dëshmon që romakët ia kishin këtyre Farosin ilirëve, i kishin ndihmuar në rindërtim të qytetit të shkatërruar dhe beneficione të tjera, e madje edhe kishin bërë aleancë më banorë për 40 vjetët e ardhshëm.

Rezultatet e gërmimeve arkeologjike kanë dëshmuar se në kohën e fillimit të sundimit romak, Farosi, respektivisht ndërtesat e shkatërruara greke, ishin rindërtuar sipas normave e modeleve urbanistike romake.

Prezencën e hershme romake këtu e dëshmojnë edhe gjetjet e monedhave romake të periudhës së Republikës Romake (denarë e kvinerë kryesisht prej argjendi) që i përkasin shekujve III-I para erës sonë me theks të veçantë në monumentet e shekullit II dhe kjo gjë dëshmon ardhjen masive të qytetarëve romakë në Faros gjatë kësaj periudhe.

Zbulimet arkeologjike nga periudha romake

Gërmimet arkeologjike janë realizuar në pjesën juglindore dhe atë veriore të Stari Gradit. Gjatë gërmimeve në pjesën juglindore janë zbuluar godinat nga epoka greke të rindërtuara dhe të adaptuara gjatë kohës romake sipas kërkesave të qytetarëve romakë (Insula I dhe II – shtëpia I dhe II) .

Në pjesën veriore të qytetit, buzë detit brenda një shtëpie janë gjetur mozaikë të dyshemeve me ngjyra, në fillim të rrugës kryesore cardo decumanus, ndërsa në pjesën perëndimore mbetjet e termeve (banja publike) po ashtu me fragmente të mozaikëve në dysheme. Janë gjetur gjithashtu edhe fragmente të shtatoreve të hyjnive të ndryshme romake si dhe mbetje modeste të tempujve kushtuar hyjneshës Aeracura, dhe perëndive Silvani, Luna, Jupiteri, Marsi, Minerva, Merkurim, Viktoria, Fortuna si dhe hyjnive orientale Isis, Serapis dhe Herkuli, e brenda këtyre tempujve kishin qenë të vendosura shtatoret e hyjnive, por në disa raste edhe të perandorëve romakë të kohës. Me ndërtimin e këtyre objekteve e artefakteve edhe kishte filluar periudha romake e Farosit.

Në nekropole (shumë pak të hulumtuara) në pjesën perëndimore dhe juglindore të qytetit janë gjetur varre sporadike dhe disa sarkofagë të dekoruara me anije dhe fragmentet e monumenteve mbivarrore, pjesë të enëve prej qelqi.

Gjatë shekujve IV-VI qyteti ishte shkatërruar nga vizigotet si edhe pjesa dërmuese e Dalmacisë dhe pas kësaj kishte filluar ndërtimi. Ishte ndërtuar muri mbrojtës me larg nga bregu i detit dhe në atë kohë mbi themelet e insulave të shkatërruara kishte filluar ndërtimi i objekteve të arkitekturës së krishterimit të hershëm nga të cilët njihet kisha e parë nga shekulli V dhe më vonë edhe kishat e tjera, ndërsa në shekullin VI ishte themeluar ipeshkvia e Hvarit dhe ishte ndërtuar kisha e Shën Gjonit në Stari Grad ku edhe janë bërë gërmimet arkeologjike.