Shtojca për Kulturë

Bahri Çela – udhërrëfyesi i gjeneratës së re

Në prova, Bahri Çela ishte profesori, jashtë fakultetit, miku të cilin e gjen rrallë. Formula e punës së profesorit edhe është kritikuar, megjithatë deri sot nuk është dëshmuar një tjetër më e suksesshme se ajo. Gjenerata e re që do ta zërë vendin e tij mbetet ta gjejë rrugën për suksesin dhe shpëtimin e një gjenerate tjetër e cila po ngec në zhvillimin normal drejt formimit si muzikantë të së ardhmes

Tetor i vitit 2002. Isha pranuar të ndjek studimet në Fakultetin e Arteve në Drejtimin e Pedagogjisë së Përgjithshme Muzikore. Shpeshherë e kisha menduar ditën kur do t’i nisja studimet aty, sidomos kur kaloja pranë ndërtesës së Fakultetit. Kur nisi gjithçka, habitesha se si një objekt që më ishte dukur aq i bukur e komod, nuk i plotësonte as për së afërmi kushtet për të ndjekur studimet normalisht, aq më pak në arte. Megjithatë, konsideroja se isha me fat që isha pranuar të vazhdoj studimet pikërisht aty. Kisha dëgjuar fjalë për profesorët e ardhshëm, disa prej tyre i njihja personalisht, mirëpo njërin ndër pedagogët nuk e kisha takuar asnjëherë më parë. Ama për të dëgjuar kisha dëgjuar shumë.

I rreptë, shumë i rreptë, i pakompromis, kërkues, shumë kërkues, por edhe unik dhe njeriu i cili dinte të krijonte mbrëmjet koncertale si asnjë tjetër. Në takimin e parë, në sallën e madhe të Fakultetit të Arteve në Prishtinë (objekti i vjetër) në lëndën e dirigjimit koral u njoha nga afër me të. Rreth 15 minuta më herët isha në sallën e ligjëratave, sepse kështu më kishin rekomanduar studentët e gjeneratave të shkuara.

“Derën e sallës i fundit e mbyll unë”, ishin fjalët e para dhe pastaj u prezantua: “Jam Bahri Çela, profesori juaj i dirigjimit koral”.

Filloi të njihej me secilin, veç e veç. Më erdhi radha. I tregova që shkollën e mesme të muzikës e kisha përfunduar me korrespondencë, sepse i rregullt ndiqja mësimet në gjimnazin “Sami Frashëri” (i takoja dy gjeneratave të fundit që u lejohej një gjë e tillë), edhe se nuk kisha njohuri për dirigjimin, sepse provimet i kishim kryer sa për sy e faqe. Pavarësisht kësaj, shkurt e shqip na tha: “Secili prej jush mund të drejtojë një kor, vetëm duhet me dashtë”.

Tutje, erdhi koha për të klasifikuar secilin prej nesh në zëra të Korit të Fakultetit, që po ashtu udhëhiqej nga profesori. Më pyeti nëse isha tenor apo bas. Edhe këtu u përgjigja me hamendje, sepse nuk kisha kënduar në kor asnjëherë më parë, ani pse kisha përfunduar shkollën e mesme të muzikës. Kori i shkollës nuk ekzistonte atë kohë (1998 - 2002). Pak a shumë në të njëjtin nivel ishte e gjithë gjenerata.

Për lëndën e dirigjimit koral gjërat ishin të qarta sepse gjithçka do niste nga fillimi. Për këndimin koral, ishte ndryshe. Brucoshët duhej bashkuar Korit të Fakultetit dhe tri gjeneratave më të mëdha, por ndryshe nga ta, ishin të papërgatitur për një ritëm intensiv të punës që bëhej nën urdhrat e profesorit.

Image
Bahri Çela dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës në shënim të 10-vjetorit të Filharmonisë së Kosovës, Beethoven, “Simfonia Nr. 8”, tetor, 2010 Salla e Kuqe, Prishtinë (Foto: Arben Llapashtica)

Ikja e profesorit, për shkak të parimeve

Provat e Korit mbaheshin dy herë në javë, çdo të hënë dhe të enjte prej orës 14:00 deri në orën 16:00. Profesori kishte zgjedhur, që në fund të vitit akademik të interpretohej oratoriumi “Messiah” nga George F. Handel. Ishte jashtëzakonisht kërkues. Studentët e papërgatitur i largonte nga prova. Çdo ligjëratë duhej përgatitur atë që kishim kaluar në ligjëratën a provën paraprake. Largimi ose mungesa e tretë në prova, nënkuptonte humbjen e vitit.

“Kur t’i boni dy mungesa, të tretën mos e bëni, sepse po e bëtë jeni të lirë gjithë vitin”, ishte refreni i çdo ligjërate, e që i adresohej kryesisht studentëve të vitit të parë. Gjeneratat e tjera, tashmë i kishim mësuar ”rregullat e lojës”.

Kishte të tillë që nuk iu bindën rregullave. Pastaj insistonin të vazhdonin “lojën”, jashtë rregullave, mirëpo për profesorin nuk kishte kthim prapa. Në rast se presioni nga “faktorë të jashtëm” nuk ndalej, profesori i linte provat në gjysmë. Dhe kështu ndodhi. Atë vit nuk e vazhdoi punën me korin. Një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe vite më parë, madje qe kërcënuar edhe me jetë.

Atë vit vazhduam provat me një pedagog tjetër, në fakt u ndërruan disa. Në përfundim të vitit akademik, nuk ishim të përgatitur dhe paraqitja që do ta bënim ishte jo e pëlqyeshme. Koncerti duhej të mbahej. Për lëndën e korit, koncerti nënkupton provimin. Kaloi edhe viti i dytë i studimeve, profesori nuk e kishte marrë “garancinë” që në proces të punës nuk do kishte ndërhyrje nga jashtë, ose thënë ndryshe “intervenca” për studentë të cilët nuk e kishin mendjen ta përvetësonim materialin e kërkuar. Sërish refuzoi të punonte me korin. Për dy vjet paraqitjet i bënim si Kori i Fakultetit të Arteve dhe suksesi mungoi. Kishte ardhur koha për “Korin e Bahri Çelës”, sepse vetëm nën drejtimin e tij, kori e kishte suksesin e garantuar dhe për këtë insistues qe Valton Beqiri, prodekan i Degës së Artit Muzikor.

Rikthimi i profesorit dhe 30-vjetori i Degës së Muzikës

Në vitin 2004, kur kishin kaluar dy vjet të studimeve për gjeneratën e vitit 2002, pothuaj gjithçka ishte e nivelit jo të kënaqshëm. Kishim bërë hapa të vegjël në avancimin drejt përgatitjes për të qenë pedagogët e ardhshëm. Në fillim të vitit të ri akademik, u përhap lajmi se Bahri Çela po rikthehej për ta marrë “timonin” në duar. Orari kishte mbetur po ai. Dy herë në javë nga dy orë të plota. Atë që kishim lënë në gjysmë dy vjet më parë, synohej të bëhej sërish. Interpretimi i oratoriumit “Messiah” nga Handel ishte caku për vitin akademik 2004/05.

Kërkesat ishin të qarta, vepra voluminoze duhej të përvetësohej mirë, pa gabime dhe përmendësh. Të gjithë do të kalonin nëpër kolukviume, të ndarë në kuartete (SATB) dhe nëse njëri nga katërshja nuk ishte përgatitur, të gjithë do duhej ta përsërisnin kolukviumin.

Nuk mbaj mend një rast tjetër kur i gjithë Fakulteti “zhurmonte” nga provat e studentëve deri në orët e vona. Gjatë ditës nuk kishte klasa për ushtrim. Klasat nuk mjaftonin as natën për të akomoduar mbi 80 studentë që përgatisnin kolukviumet. Zgjidhja ishin korridoret e ndërtesës.

Pas 7 muajsh punë, dy kolukviumeve, përgatitjeve për koncertin, zgjedhjes së uniformës dhe dy provave të fundit në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, ra ora e fillimit të koncertit që për studentët ishte provimi i fundvitit. Orkestra e cila do të bashkohej me Korin ishte e përbërë kryesisht nga profesorë të fakultetit, disa ishin studentë (kryesisht studentë të seksionit të harqeve) ndërsa të tjerë ishin profesorë nga Akademia e Arteve në Tiranë (kryesisht seksioni i tunxhit i cili atë nuk ekzistonte në kuadër të Fakultetit të Arteve në Prishtinë).

Provat e fundit nuk bëheshin për ta përvetësuar materialin muzikor, sepse kjo ishte punë e kryer prej kohësh. Koha ishte për detajet, hyrje-daljen në skenë dhe përshëndetjen përpara publikut e cila duhej të ishte po aq perfekte dhe në unison sa interpretimi i veprës muzikore.

Oratoriumi më i popullarizuar dhe më i interpretuar nga literatura vokale-instrumentale e muzikës klasike “Messiah” e Handelit, ishte gati të jetësojë një nga interpretimet më emblematike të realizuara në hapësirën mbarëshqiptare. Derisa “Mesija” te Handeli paraqet ringjalljen e Krishtit, për mesin tonë qe ringjallja e një institucioni të zhytur në agoni prej vitesh, e profesori erdhi si shpëtimtari i një gjenerate të re muzikantësh. Salla e Kuqe nuk mundi të akomodojë publikun që ishte në numër të madh për koncertin i cili njëherësh shënonte 30-vjetorin e themelimit të Degës së Artit Muzikor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Praktikat e munguara

Përtej kërkimit perfekt, profesor Çela kujdesej që çdo koncert të incizohej dhe pastaj të botohej CD-ja me logon e Fakultetit të Arteve. Fakulteti nuk ka asnjë botim tjetër përveç CD-ve të Çelës. Shpesh shpenzonte edhe mjetet vetjake për të arritur rezultatin final. Në prova ishte profesori, jashtë Fakultetit miku të cilin e gjen rrallë. Profesori u pensionua në qershor të vitit 2006 dhe pas kësaj dirigjoi vetëm edhe në 10-vjetorin e Filharmonisë së Kosovës në tetor të vitit 2010. Që atëherë Kori i Fakultetit të Arteve nuk ka arritur ta përsërisë suksesin e një interpretimi tjetër po aq dinjitoz, sikurse ka ndodhur çdo herë kur Kori realizoi paraqitje nën urdhrat e tij. Formula e punës së profesorit edhe është kritikuar, megjithatë deri sot nuk është dëshmuar një tjetër më e suksesshme se ajo. Gjenerata e re që do ta zërë vendin e tij, mbetet ta gjejë rrugën për suksesin dhe shpëtimin e një gjenerate tjetër e cila po ngec në zhvillimin normal drejt formimit si muzikantë të së ardhmes.